Pjesë nga libri “SHQIPONJA E DUKAGJINIT”

1
1963
Dukagjini

Shkruar nga z. GJIN MUSA, gazetar.

Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dukagjinasit u shquan për patriotizmin dhe atdhedashurinë e tyre, duke u hedhur në luftë kundër pushtuesve. Më 5 nëntor të vitit 1943 ata krijuan çetën partizane të Dukagjinit, e cila në ditën e saj të parë pati 32 luftëtarë.
Pikërisht në këtë vatër që e kishte përherë të ndezur prushin e lirisë e të dashurisë për atdheun, do të spikaste edhe një derë e madhe e një familje e shquar nga Brashta e Shoshit të Dukagjinit, familja e Gjon Marashit. Gjon Marashi do të ishte vazhduesi dhe transmetuesi i denjë i atyre vlerave të kreshnikëve e trimave të mëparshëm të historisë. Krijuesi Prelë Milani e përshkruan kështu këtë trim të maleve të Dukagjinit: “Një burrë sa fin aq edhe madhështor, me temperament e me ndërgjegje të zhvilluar kombëtare, me një zgjuarsi natyrore për t’u adhuruar nga gjithkush, me një bukuri fizike për t’u lakmuar edhe nga zanat e malit”. Ndërsa poeti Hysni Milloshi shkruan: “E kam njohur Gjon Marashin në një konferencë kombëtare veteranësh në qytetin e Korçës. Ai kishte një pamje të mahnitshme malësori, si i lindur e rritur prej Nënës Orë”.
Edhe trungu familjar i Gjon Marashit, kishte traditat e tij të hershme të trimërisë, besës e burrërisë. Babai i tij, Marash Pjetrushi, ishte kushëri i parë me një figurë tjetër legjendare të Dukagjinit, si Marash Tuci. Legjenda e tij u shkrua në pranverën e vitit 1806, kur Valiu i Shkodrës kishte thirrur në besë prijësat krenarë e trima të Nikaj – Mërturit, Ruc Ulën e Bash Vatën. Thirrja e tij nuk kishte qëllime mikpritëse, por prerjeje në besë, për t’u këputur atyre kokat si rebelë ndaj regjimit turk. Marash Tuci e kuptoi që Valiu po ja përdhoste e shkelte besën, ndaj u hodh si shqipe kundër asqerëve turq për mbrojtjen e dy trimave e luftoi derisa u vra. Një akt sublim në mbrojtje të besës proverbiale shqiptare, të njohur edhe tej kufijve të Shqipërisë. Albanologu i shquar Franc Nopça, duke shkruar për Dukagjinin, thoshte: “Po të jesh në besë, në asnjë vend tjetër të botës nuk do të ishe më i sigurtë”.
Këtë gjak patriotizmi kishte ndër deje edhe Gjon Marashi dhe familja e tij. Ishte ende i ri, 15 vjeç, kur u rreshtua bashkë me vëllezërit e tij më të mëdhenj, Kolën e Mëhillin përkrah luftëtarëve të tjerë në përpjekjet për pavarësi. Kurorëzimin e tij të parë në betejë ai e pati në korrikun e vitit 1915 në Qafë të Agrit kundër forcave malazeze të kryesuara nga Veshoviqi. Më vonë ai ishte kundër regjimit të Zogut, në përkrahje të Fan Nolit. Zogu e kishte dënuar me vdekje dhe i kishte ngritur disa herë kurthe për ta vrarë, por nuk ja arriti qëllimit. Gjon Marashi ishte komandanti i Çetës së parë partizane të Dukagjinit dhe komandant kompanie në batalionin “Perlat Rexhepi”. Edhe vëllai i tij, Mëhilli, ishte aktivist i Luftës Nacionalçlirimtare. Pas çlirimit, Gjoni ishte aktivist i pa parti në rindërtimin e vendit. Në kongrese kombëtare veteranësh apo të Frontit Demokratik binte në sy xhamadani i tij i kuq, i qëndisur me fije ari e me gajtana, i zbukuruar me dekoratat e shumta që i mbushnin gjoksin. Në vitin 1980 ai u tha Enver Hoxhës e Ramiz Alisë: “Tani jam burrë i vjetër, mos më thërrisni më nëpër kongrese e kuvende. Në vendin tim thërrisni Bal Markun (Milanin), burrë mjaft i mirë e me zë në tërë Dukagjinin”. Edhe ky fakt është një shprehje e zgjuarsisë së malsorit e mbase duhej t’u vlente si shembull atyre figurave politike që nuk largoheshin nga pushteti edhe atëherë kur kishin filluar të rridhnin nga trutë e të bëheshin objekt barcaletash në popull.

Populli i zonës së Dukagjinit, por edhe më gjerë e respektonte shumë Gjon Marashin. Atij i janë dedikuar edhe këngë. Ja njëra prej tyre:

DUKAGJINI KA QITË TRIMA

(Këngë për Gjon Marashin, xhaxhai i Ndue Logut)

Dukagjini ka qitë trima,
si qet qielli bubullima,
nji kreshnik kanë rritë këto male,
pushkë e madhe e besë e madhe,
ka rritë bjeshka nji lis me rrema:
Gjoni i Shoshit me shtatë zemra.

Ç’asht kjo pushkë që bjen në Mollë?
Kush po qet në mish kaq hollë?
Kush po i çart xhandarët e Zogut?
Nji kaçak po lufton logut,
s’e merr plumbi, s’e zen pushka,
në shpellë rri ai me harusha.

Kalon rrugë, kalon rreziqe,
tue pritë me gjoks ortiqe,
kërset pushka Lugut të Ashtës,
nam po le ai Gjoni i Brashtës,
me nji plumb vret pesë a gjashtë,
ç’po vret serbë e malazez
i ve në shenjë e i pret përmes.

Duhet kanga njëmijë rreshta,
gjithë ortiqet që ka bjeshka,
të gjitha malet t’kishin gojë
Gjon Marashit t’ì këndojnë.
I thonë krojet eja e pi,
i thonë hijet eja e rri,
zana e malit i ban za:
hajde Gjon se jena gja.

Ç’po kërset kjo pushka e trimit,
Komandantit të Dukagjinit,
Sa në çetë sa në bataljon
I lumtë pushka ç’po lufton.
Në Postrribë atje mbi Boks
I ka pritë gjermanët me gjoks,
I ka dhënë besën Enverit,
Për flamur e fjalë të nderit,
Se gjithmonë do jemë me ty,
Sa ta shoh diellin me sy.

Pranë Enverit në kongrese,
shpesh ka dalë ai me qeleshe,
herë në Tiranë e herë në Shkodër,
ç’asht nji burrë i madh sa nji kodër,
mos asht Muji me gjyslykë,
Enver Hoxha e merr ngrykë

Nji kreshnik shetit në Brashtë,
sheh me mall Shoshin e lashtë,
njashtu zemra ja ka dashtë.
Plaku i bukur del te dera,
sytë i shkojnë nalt te miniera
ky kreshnik, ky lis me rrema,
Gjoni i Shoshit me shtatë zemra.

Dodë Kaçaj
Poet

Në këtë familje lindi Ndue Logu. Ai ishte nipi i Gjonit, djali i Mëhill Marashit, patriot dhe aktivist i Luftës Nacionalçlirimtare. Ndueja ishte fëmija i tretë nga radha e lindjes. Pati 5 vëllezër dhe një motër. Fëmijërinë e hershme e kaloi në fshatin e tij të lindjes. Edhe pse familja ishte e dëgjuar për patriotizmin e saj e mjaft në zë në tërë krahinën, madje konsiderohej derë e madhe, kushtet e saj ekonomike ishin në kufijtë e varfërisë. Dukagjini i atyre viteve nuk kishte thuajse fare burime ekonomike, përveç blegtorisë, rripa të pakët toke të varura në brinjat e maleve apo buzë lumit të rrëpirtë që buronte nga Alpet, sa për të prodhuar një copë bukë ; si dhe pyjet e shumtë. Dimrat bënin të egër dhe shpesh zgjasnin edhe 6 muaj me dëborë të shumtë e akull që jo rrallë ndërprisnin thuajse çdo lidhje e komunikim me krahinat e tjera e me qytetet e vendit. Shpesh, edhe për të kaluar nga njëra shtëpi deri tek tjetra, në ata dimra të egër, fshatarët e hapnin dëborën gati në formë tunelesh, se trashësia e saj e kalonte edhe lartësinë e trupit të njeriut. Në pranverë, Nduen e vogël e tërhiqnin bukuritë e natyrës të zonës, por sidomos i bënte përshtypje fluturimi i zogjve e veçanërisht i dallëndysheve.Herë-herë i qëllonte të shikonte shqiponjat në fluturim. Ai rrinte e i vështronte si i magjepsur. Kishte një përsosmëri të pashembëllt në atë fluturim, lëvizje aq harmonike, krenare e madhështore. Në ndonjë rast qëndronin në vend, pa lëvizur fare e Ndueja habitej se si nuk binin.
Tek shikonte majat e Jezercës, Shtegun e Dhenve, Bjeshkët e Namuna që mbyllnin horizontin, i lindte kurioziteti për të ditur se çfarë kishte përtej tyre. E tek shikonte zogjtë, donte të kishte krahë e të fluturonte si ata, për t’i kapërcyer ato male.
Në fakt shtegtimi i tij për të fluturuar larg vendlindjes nisi shumë shpejt, kur kishte ende nevojë të përkundej në djepin e legjendave e gojëdhënave të mrekullueshme të kësaj treve, të pinte gurrave e krojeve me ujë të ftohtë e të pastër si kristali, të shëtiste lëndinave plot gjelbërim e lule në ndjekje të qëngjave të vegjël nën sinfoninë e këmborëve të tufave, të pushonte mrizeve tok me dhentë e me barinjtë që u binin fyejve, meloditë e të cilëve dëgjoheshin gjer larg përmes transparencës së ajrit. Por fshati nuk kishte ende shkollë fillore, megjithëse shkolla e parë në zonë ishte hapur që në vitit 1917 nga At Shtjefën Gjeçovi. Thethi me shkollën e me bukuritë e rralla natyrore ishte larg nga vendlindja e Ndues.
Ishte viti 1947 e Ndueja nuk i kishte mbushur akoma 7 vjet. Në ditën e hapjes së vitit shkollor, prindërit u munduan t’i vishnin sa më mirë, atë dhe vëllanë tjetër Markun. Në trup rroba të pastra e të mbajtura mirë, në këmbë opinga thesi me shtroje prej llastiku të trashë e të zi që i rezistonte konsumimit nga gurët e rrugës. Në sy lotët e ndarjes me prindërit dhe me vendlindjen, të cilën që atë ditë ai do ta shihte rrallë e më rrallë, vetëm kur vinte si mysafir në kohën e pushimeve të shkollës. Do të nisnin të dy rrugën e dijes, në shkollën e fshatit Xhan, ku kishte edhe një konvikt për ata nxënës që i kishin shtëpitë në ekstremet e zonës së Dukagjinit. Por Marku, dy vjet më vonë u detyrua të kthehet në fshat e të merrte në duar drejtimin e fatin e familjes, sepse baba Mëhill kishte vdekur. E të mendosh se kryetari i ri i familjes ishte vetëm 14 vjeç. Kurse Ndueja, tashmë jetim nga babai, do vazhdonte rrugën e vështirë të jetës i detyruar të piqej para kohe e të merrte në dorë fatin e tij.
Iu vu me merak të madh mësimeve, me synimin që të dilte me nota sa më të mira. Në çdo gjë, në secilën lëndë, tregonte kuriozitet e zell të madh, etje për të mësuar gjithçka. Shpesh, mbrëmjeve, kur i vinin për të fjetur, sipas rregullave strikte të jetës nëpër konvikte, nën mbulesa ai përsëriste me vete mësimet që kishte për të nesërmen, ato që kishte lexuar gjatë orëve të detyrueshme të studimit të pasdites. Donte të ndjehej sa më i sigurtë në çdo lëndë. Ndodhte që këto përsëritje ja ndërpriste qarja me dënesë të heshtur e ndonjërit nga moshatarët, që ndonëse e mbulonte kokën për të mos e dëgjuar shokët, dënesat arrinin deri tek shtrati ku flinte Ndueja. Atëherë Ndueja ngrihej nga shtrati i tij, i shkonte pranë e fillonte t’i fliste me të butë. Ishin të vegjël. Moshatari i tij qante nga malli për prindërit e njerëzit e tjerë të afërm, për vendlindjen. Edhe Nduen e merrte malli, që shpesh e therte deri në zemër, por rezistonte. Dukej sikur lotët i ishin mbaruar atë ditë kur varrosën babanë. Si një burrë i vogël ai mundohej t’i jepte kurajo e forcë bashkëmoshatarit të tij fëmijë. E në fakt ato vite të shkollës fillore në Xhan, në konvikt, larg vatrës familjare kalitën tek ai një karakter të fortë e të qëndrueshëm, por edhe shpirtin e solidaritetit e të dashurisë për shokët.
Këto tipare do të binin në sy edhe kur zbriti në qytetin e Shkodrës, për të vazhduar shkollën 7 – vjeçare. Sërish jeta e konviktit. Këtë radhë në konviktin që mbante emrin e Heroit të Popullit Tom Kola. Këtu kushtet ishin disi më të mira se në konviktin e Xhanit, por edhe këtu rregullat e disiplina ishin të rrepta. Por Ndueja tashmë ishte mësuar. Madje këto rregulla, në një drejtim i pëlqenin, sepse kishte orare të detyrueshme studimi çdo pasdite. Jeta fillonte herët, që në 6 të mëngjesit, kur i ngrinin për të bërë gjimnastikën. Një rit i përditshëm, që nuk lihej mënjanë edhe në ditët me shi apo dëborë. Pastaj pastrimi personal, rregullimi i krevateve, pastrimi i dhomave të fjetjes e drejt e në sallën e studimit për një përsëritje të shpejtë të mësimeve. Pas kësaj hahej mëngjesi në mensën e konviktit dhe me librat në dorë drejt e në mësim. Mësimet i bënin në shkollën që mbante emrin e poetit të shquar të Rilindjes sonë Kombëtare, Ndre Mjedja, vjershat e ëmbla të të cilit i lexonte me dëshirë e shpesh i mësonte përmendësh. Pas drekës ndonjë orë pushim, pastaj studim i detyruar derisa vinte orari i darkës. Këto orare përsëriteshin gjashtë ditë të javës. Ndryshonte vetëm e diela, kur paradite bëhej studim i detyruar, ndërsa pasditja ishte liridalje.
Liridalje. Duket si një term i denjë për të burgosurit. Por në të vërtetë jeta e konvikteve e tillë ishte. Kush e ka vazhduar shkollën duke qenë në konvikt, me siguri e ka të rrënjosur për tërë jetën mënyrën strikte me orare preçise të konvikteve. Por mbase nuk mund të bëhej ndryshe. Shumë intelektualë ish – konviktorë, që kanë bërë rrugë e karrierë profesionale në jetë, një pjesë të suksesit ja dedikojnë edhe kësaj mënyre jetese, që mund të mos ishte e pëlqyeshme, por e dobishme qoftë për edukimin, por edhe për kërkesën e vazhdueshme për studim.
E pra, liridalja…Ajo fillonte me mbarimin e drekës të së dielës e vazhdonte deri në orën e darkës. Po të vonoheshe, e të mos ktheheshe në orar, përveç qortimit për thyerje rregulli, dënoheshe të rrije edhe pa darkë. Vetëm nëse kujtohej ndonjëri nga shokët e tavolinës që të merrte fshehurazi një copë bukë me ndonjë copë djathë apo marmelatë molle, çfarë të qëllonte, e ta ruante për kur të ktheheshe. Ishte një gjest solidariteti i heshtur midis konviktorësh, para të cilit ndonjëherë edhe kujdestarët që mbanin rregullin, e mbyllnin një sy edhe kur e vinin re.
Orët e liridaljes Ndueja i priste me interes të veçantë. Për qytetin e Shkodrës ai kishte dëgjuar që atje në fshat. Tregimet e prindërve e të moshuarve të tjerë për qytetin, për historinë, për legjendën e Rozafës, për ngjarjen e Shtatë Shaljanëve që u vranë në Shkodër të prerë në besë sarajeve të pushtetit turk e plot të tjera ishin argumente që jo vetëm tërhiqnin fantazinë e tij, por tashmë,si të thuash, mund të prekeshin me dorë. Dilte me shokë rrugëve e rrugicave karakteristike të qytetit, ku e tërhiqnin shtëpitë që ndryshonin aq shumë nga kullat e malsisë. Të rrethuara me mure e avlli, nga ku në panverë çelnin gjithfarë lulesh të bukura, aq pranë njëra tjetrës, jo si kullat në fshatin e tij që ishin larg e larg, shtëpitë shkodrane i jepnin një kënaqësi të veçante me arkitekturën e atmosferën përreth tyre. E tërhiqte edhe gjuha plot muzikalitet e shkodranëve, që tingëllonte veçanërisht bukur në gojën e vajzave të reja, që dukej sikur flisnin me llastim. Gjatë viteve të shkollës, në ditët e liridaljes, ai u ambientua me qytetin, me mënyrën e jetesës e të të sjellurit në ambientet qytetare, me mënyrën e komunikimit. Bashkë me shokët më të ngushtë, me të cilët ndante pak a shumë të njëjtat interessa, u ngjit disa herë edhe në Kalanë e Shkodrës, ku e ndjeu si të prekshme legjendën e Rozafës, i mahnitur nga pikat e bardha të ujit gëlqeror që pikonte nga muret sipër portës qendrore e që thonin se ishte qumështi i Rozafës. Prej aty shikohej si në pëllëmbë të dorës qyteti i lashtë, ku spikaste që nga larg ndërtesa imponuese e Kishës së Madhe me kambanelin e saj. Tej në horizont Mali i Maranajt, Cukali, e akoma më thellë bjeshkët e Pultit në portat e Dukagjinit kur ngjiteshe përgjatë lumit të Kirit. Nga ana tjetër Liqeni kaq i madh, nga i cili buronte Buna që rridhte si me përtesë mes kodrës së kalasë dhe Malit të Taraboshit. Poshtë kalasë lumi i Drinit derdhej në Bunë, e në breg të Drinit, në një bregore të vogël ngrihej Xhamia e Plumbit që i ngjallte kureshtje me kupolat si ngjyrë blu e minaretë e saj. Tek shikonte tërë këto bukuri, i ngjitur mbi muret e kalasë, pranë bedenave, i vinte të recitonte vargjet e Mjedës që tashmë i dinte përmendësh:
Lamtumirë o mori Shkodër,
Lamtumirë o ti Cukal,
Zhduket Buna nën një kodër,
Zhduket Drini nën një mal.
Vitet kalonin me shpejtësi, e ai rritej në qytetin e lashtë, me historinë, kulturën, arkitekturën, kostumet, mënyrën e jetesës e me humorin e banorëve të tij. Një nga objektet që e tërhiqte ishte edhe Kafja e Madhe. Buzë shetitores kryesore, me një arkitekturë të veçantë, me tavolinat jashtë e me një ndriçim të ngrohtë, ajo tërhiqte vëmendjen e djaloshit që nuk ishte ende në atë moshë për të pirë kafe, sidoqë në malësi ia kishin vënë ndonjëherë kafenë përpara kur shkonte në shtëpinë e ndonjë bashkëmoshatari nga Xhani. Në malësi, kur të tjerë e marrin vesh që nuk e ke babanë, të konsiderojnë si burrë e të trajtojnë si të tillë. Kurse këtu ishte ndryshe. Kafja e Madhe e tërhiqte me emrin e saj, me luksin e saj, por kjo e bënte edhe më të ndrojtur kur kalonte me ndonjë shok para saj e një dëshirë e fshehtë e nxiste që të hynte.
Rasti erdhi kur mbaroi provimet e mbarimit të shkollës e do i linte lamtumirën konviktit “Tom Kola”. Po shetiste me një shok e po bisedonin për projektet pas mbarimit të shkollës shtatëvjeçare. Shoku i tij i tha që do kthehej në fshat, i detyruar nga kushtet ekonomike familjare. Kurse Ndueja i tha që kishte menduar të shkonte në shkollë për oficer.Madje, për herë të parë me një shok tregoi ëndërrën e tij për t’u bërë pilot. Shoku i tij e pa me njëfarë zilie në sytë e tij, por një zili që reflektonte dashamirësi.
-Ndue, ti mund të bëhesh edhe oficer, edhe pilot i zoti, se je nxënës shumë i mirë,-i tha ai. –Ta uroj me gjithë zemër.
-E unë, për të festuar kam vendosur që sot të hyjmë në Kafe të Madhe e të të qeras me një kafe. Më vjen pak zor, të them të drejtën, por nëqoftëse nuk e bëjmë sot, nuk di kur do më bjerë rasti të hyj njëherë tjetër këtu, – i tha Ndueja.
-Po flet me gjithë mend apo tallesh? – ja priti shoku. – Nuk ke frikë se do të na qeshin?
-Shumë nga këta njerëz mund të qeshnin edhe po të më dëgjonin kur të thashë se dua të bëhem pilot, por kam mësuar se në jetë duhet guxim. Prandaj eja e hyjmë, se po u vonuam do më ndërrohet mendja.
– U futën brenda me një ndrojtje të dukshme e kokulur, pa shikuar rretheçark, shkuan e zunë një tavolinë bosh diku nga fundi i sallës së madhe, që atyre iu duk e pafund. Pas pak erdhi kamarieri e ata, për çudinë e tij, porositën dy kafe. Kamarieri i pa njëherë si për të thënë që nuk kuptova, por Ndueja, që tashti donte ta hiqte vallen deri në fund, përsëriti: – Dy kafe.
Pas pak kamarieri ua solli, mori lekët në tabaka dhe u largua. Dy burra të moshuar në tavolinën përbri po i shikonin me buzë në gaz, kur ata ngritën filxhanat për të pirë kafenë.
-Kanë mësu’ micat me pi ufull, – i tha shokut njëri nga dy të moshuarit. Ndueja e dëgjoi, por nuk e vuri re se cili, pasi nuk i ngrinte sytë e ishte i skuqur deri në veshë.
-Këta shkodranët nuk bajnë vetëm me qeshë, por edhe thumbojnë me humorin e tyre, – i tha shokut kur dolën jashtë.

Ishte qershori i vitit 1954 dhe vera sapo kishte filluar. Ai do të ngjitej në Dukagjin, për të kaluar pushimet verore pranë njerëzve të tij, në bjeshkët e bukura, në lëndinat, buzë lumit me ujë të freskët e të kulluar. Për të gjitha ndjente shumë mall.
Por, përpara se të merrte rrugën drejt Prekalit për t’u ngjitur përpjetë, e mbajti hapin në degën ushtarake të qytetit, ku dorëzoj një zarf me dokumentet e tij. Midis tyre ishte edhe një lutje, ku kishte shkruar ndërmjet të tjerash: “Duke shikuar se mbrojtja e Atdheut është detyra më e shenjtë për çdo njeri, kam dëshirë të madhe të shkoj të ndjek studimet e mëtejshme në shkollën ushtarake për t’u përgatitur si oficer i Ushtrisë sonë Popullore. Mbetem me shpresë se lutja ime do të merret parasysh”. Ishte vetëm 14 vjeç kur i shkruante këto rreshta. Por tashmë e ndjente veten të pjekur e të aftë për të marrë në duar fatin e tij, për të përcaktuar drejtimin e së ardhmes së tij.
Në shtëpi nuk u tha asgjë për kërkesën që kishte bërë. E kaloi verën gëzueshëm, duke dalë me tufat bjeshkëve, duke luajtur me moshatarët e tij, mes të cilëve shquhej për trupin atlet dhe shkathtësitë fizike. Po rritej e formohej me një fizik të bukur, për të cilin shumë nga moshatarët e tij e kishin zili. Një mbrëmje, kur u kthye në shtëpi, i dorëzuan një letër që kishte sjellë postieri në emrin e tij. Vinte nga Dega Ushtarake e Shkodrës. E hapi dhe sytë iu mbushën me një dritë të veçantë. Ishte përgjigja që tregonte se kërkesa e tij ishte miratuar. Përqafoi nga gëzimi nënën, vëllezërit e motrën, të cilët e shikonin tani me një admirim të veçantë. Ishte fillimi i gushtit. Pas disa ditësh do të nisej për në Tiranë, ku do të fillonte mësimet në shkollën ushtarake “Skënderbej”. Po merrte udhë ëndërra e tij për t’u bërë oficer i Ushtrisë Popullore.

NËN UNIFORMË

Tingujt alarmantë të burisë u dëgjuan kur ende rrezet e para të mëngjesit nuk kishin hyrë nga dritarja. Në fillim ai gati nuk u kujtua se ku ndodhej. Por tek pa që nga krevatet filluan të kërcejnë me shpejtësi djem të tjerë, moshatarë të tij e të visheshin me nxitim, u përmend. Ishte mëngjesi i parë në shkollën e mesme ushtarake “Skënderbej” . Duke ndjekur ritmin e shokëve, veshi shpejt e shpejt pantallonat, lidhi këpucët e rënda e me vrap drejt oborrit ku rreshtimi bëhej me një shpejtësi të jashtëzakonshme për të nisur ditën me fiskulturën e mëngjesit. Kështu e niste ditën edhe atje në konviktin “Tom Kola” në Shkodër, veçse këtu ishte krejt ndryshe. Ritmet ishin më të shpejta, luftarake e koha llogaritej me sekonda. Disiplina ishte e rreptë e rregullat më të forta. Po niste kështu jetën e tij nën uniformë, e cila tashmë do të ishte futur e gjitha në kornizën e rregullave e normave ushtarake.
Në mendje i erdhi udhëtimi i një dite më parë. Deri atëherë nuk e kishte kaluar kurrë Urën e Bahçallekut mbi lumin Drin, poshtë këmbëve të kalasë së Shkodrës. I ulur në sediljen e njërit nga autobuzët e kuq “Viberti” që formonin atë kolonë të shkurtër që çonte pasagjerët nga Shkodra në Tiranë, ai vështronte me kuriozitet e me etje pejsazhet që po i shpaloseshin për herë të parë në të dy anët e rrugës. Rruga gjarpëronte mes kodrash të buta e zonave fushore, që atij i dukeshin shumë të mëdha në krahasim me ato pak ngastra toke të punueshme në brijët e maleve atje në bjeshkë. Kaluan mes për mes qytetit të vogël të Lezhës. Në krah të majtë, kodra me kalanë e lashtë që dukej sikur ishte e varur në gjoks të malit të Velës që ishte në sfond. Nga krahu tjetër hapeshin fushat e Bregut të Matës që shtriheshin deri në Adriatik. I bëri përshtypje të veçantë ura me harqe mbi lumin e Matit, për të cilën dikush i tha se mbante emrin e ish mbretit Zog. Mbreti i dikurshëm ishte nga rrethi i Matit e kishte dashur ta linte vulën e emrit të tij edhe në urën mbi lumin me të njëjtin emër. Më tej, gjithnjë në krah të majtë, lartësohej Mali i Krujës, me qytetin e lashtë, ku spikaste kalaja mesjetare. Nga historia kishte mësuar se ajo kala ishte bërë barrierë e pathyeshme përballë sulmeve të hordhive turke. Më tej, diku pa devijimin e rrugës që të çonte në aeroportin e Rinasit. Vetëtimthi i erdhi në mendje ëndërra e tij për t’u bërë aviator. Edhe pak kilometra dhe autobuzët hynë në qytetin e Tiranës. Kishte arritur në kryeqytetin e vendit. Rruga e Durrësit me pallatet e bukur anash saj, sheshi i madh me emrin “Skënderbeg”, kulla e sahatit, e ndalimi tek agjencia, pikërisht diku aty në afërsi të kullës.Pastaj udhëtimi me autobus urban deri në shkolla “Skënderbej”. Dikur qyteti i Shkodrës i ishte dukur i madh e kishte bërë muaj e vite për ta njohur. Tirana po i dukej e pafundme dhe gati e pamundshme për t’u njohur nga ana e tij.
Kuptohet, këto ishin përshtypjet e para, të një të riu, që sapo kishte lënë prapa bjeshkët e veriut e po zhytej në jetën e kryeqytetit të vendit. Jeta në shkollë ushtarake kishte rregullat e veta e edhe kufizimet e mundësive për të dalë në qytet. Sheshet e transhetë e stërvitjes ishin kodrave e luginave nga ngjiteshe për në Malin e Dajtit, ku atë e tërhiqte ndërtesa e bukur e Kinostudios “Shqipëria e re”, tempulli ku hynin artistët që luanin në ata filma që ata i shikonin në mënyrë të programuar në fundet e javës në shkollë. Madje disa prej tyre filloi t’i shikonte edhe në kinematë e kryeqytetit, në orët e liridaljes. Kur ndalej para reklamave me ndonjë shok, habitej sa shumë kinema kishte Tirana e ata duhej të zgjidhnin filmin që do shikonin e orarin e përshtatshëm që pastaj të ktheheshin në kohën e duhur në shkollë, pa thyer disiplinën e saj.
Muajt e vitet kalonin. Ai hidhte shtat e falë stërvitjeve e kalitjes ushtarake, por edhe tipareve të trashëguara prej malësori, po formonte një fizik që binte në sy e uniforma e bënte të spikaste edhe më shumë. Ishte ajo moshë kur të rinjtë fillojnë dhe e admirojnë ngapak vetveten para pasqyrës, një dukuri e natyrshme për të gjithë. I qëlloi një ditë kur ishte në qytet në liridalje dhe kishte prerë biletë për të hyrë për herë të parë në sallën e Teatrit Popullor. Ishte ndalur përpara xhamit të një dyqani e po rregullonte kapelen ushtarake dhe fundin e gjimnastiorkes, kur dëgjoi një zë femëror nga pas: Mos u shiko, se boll i bukur je. Ktheu kokën e pa dy gjimnaziste që po kalonin trotuarit duke qeshur. Njëra prej tyre i kishte hedhur një batutë që e bëri të skuqej.
Vitet e shkollës së mesme ushtarake kalonin njëri pas tjetrit. Ndueja kishte një angazhim serioz në të gjitha disiplinat dhe në lëndët mësimore e pedagogët shikonin se si formohej tek ai figura e vërtetë e një oficeri të ardhshëm, me bagazhin e nevojshëm të njohurive kulturore e ushtarake. Në vitin e fundit ai ishte formuar tërësisht nga ana fizike e binte në sy mes moshatarëve për shtatin e lartë e karakteristikat e tjera fizike që e evidentonin.
Ishte viti 1958. Ndueja, djalosh 18-vjeçar, po mbaronte shkollën e mesme ushtarake “Skënderbej”. Alternativa për më tej ishte vazhdimi i shkollës së bashkuar të oficerëve. Por tek ai flinte edhe dëshira e hershme për t’u bërë aviator. Këtë gjë e kishte biseduar edhe me shokë si Sami Guzina, Ndoc Selimi apo Albert Shkurti. Në atë kohë në shkollë kishin filluar të dukeshin disa specialistë sovjetikë të aviacionit. Flitej se do të bënin seleksionime e do të zgjidhnin një kontigjent për t’i dërguar për studime në shkollën e aviacionit në Moskë. Pa dyshim, atyre u kishin rënë në sy edhe rezultatet në mësime e tiparet fizike të Ndue Logut. Dhe një ditë e thirrën në provat test që bëheshin për aviatorët e ardhshëm. Ndueja i kapërceu ato me sukses e të gjithë parametrat e nevojshëm fizikë i kishte në rregull. Specialisti sovjetik që ndiqte provat, i rrahu shpatullat me simpati dhe i tha: – E di që mesatarisht në botë vetëm një ndër 10 mijë djem i plotëson kushtet për t’u bërë aviator? Ndueja shtangu për një moment. Kjo pyetje ju duk sikur po ja priste krahët ëndrrës së tij. – E ti je një nga ata,- vazhdoi duke buzëqeshur specialisti.-Urime!
Ndueja doli duke fluturuar nga salla. Në oborr takoi disa nga shokët e tjerë që kishin kaluar me sukses provën.
-Ne do të bëhemi aviatorë, – u tha atyre me entuziazëm.- Do të fluturojmë, ja kështu, si shqiponjat dhe hapi krahët duke i imituar ato. –Kështu fluturojnë me të vërtet, i kam parë disa herë me vëmendje në Mal të Jezercës e në Qafë të Agrit. Nuk përmbahej nga gëzimi. Po niste ëndrra e tij për t’u bërë një shqiponjë e ajrit.

1 KOMENT

  1. Gjon Marashi kishte gjitha hiret nje kreshniku te tradites dhe nuk kishte si te mos frymezonte nje poet te ndjere si Dode Kacaj
    Doda punoj shume vite ne Shosh dhe krioi shume tekste epiko-lirike per atdhetaret e Dukagjinit.Nje fletore plot me kenge ja pati dhuruar gjyshit tim Bale Mark Milani.Kengetari Kole Prela nga Nicajt e Shales nga deshira per ti kenduar ma kerkoi fletoren qe kopjonte ndonje tekst.Ja dhash dhe gabova me shume une se Kola qe humbi flktoren e nuk kendoj as nje nga ato kene.Nje nder ata perla eshte edhe ky tekst per Gjon Marashin.Tani doli moda e berjes se kengeve mepara dhe nuk dihet mire sekush eshte patriot i leme apo i bleme.Ju rabsodet e sotem ne daci kendoni ne daci mos kendoni se Gjon Marashi Marash Tuci Pal GJOKA Mark Milani Sokol Tona,Mehmet Shpemdi Prel Tuli Xhur KOLA 7 shaljanet Zeke Jakini jane personazhet e pa vdekshem te epikes historike te maleve tona

Komentet janë mbyllur.