Mësimet e Rugovës

0
127

Ndue Ukaj

Kur vdiq filozofi dhe mendimtari i madh Volteri, shkrimtari francez Viktor Hygo, në një tekst plot admirim dhe mallëngjim, shkruante: “Ai ishte më shumë se njeri, ai ishte një epokë.

Në historinë e Kosovës dhe të shqiptarëve, pakkujt mund t’i atribuohet një epitet i tillë, por nëse ekziston një që përsëdytë personalitete të mëdha, Rugova e meriton atë. Sepse ai e shënjoi një kohë, i dha kuptim e përmbajtje, kurse koha ekzistencës së tij u kthye në epokën e tij, të dominuar nga mendimi politik dhe kulturor i tij.

E mësimet politike të Rugovës, sot më shumë se kurrë kërkojnë të lexohen, përvetësohen dhe jetësohen, sepse ai kishte një shpirt të madh tolerant dhe kudo fliste për vlerat e tolerancës e të demokracisë dhe në këtë drejtim fliste si shqiptar europian i palëkundur.

Ai e njihte historinë në thellësi dhe nga ajo mësonte si nxënës shembullor. Dhe kudo kurdoherë transmetonte urtësi, butësi dhe ndjenja solidare, tipare këto të një udhëheqësi me vlera të nalta dhe fisnike. Në funksion të këtij ideali të lartë kulturor e politik, ai e citon Edmond Burken “se gjëja e vetme që nevojitet për të triumfuar e keqja është që njerëzit e mirë të mos bëjnë asgjë.” Rugova s’donte të ishte i tillë, prandaj donte të vepronte me mirësi dhe dashuri.

Ai gëzohej me sukseset e vendit, i konsideronte ngjarje formimin e institucioneve dhe fliste tërë kohën për filozofinë e ndërtimit dhe jo të rrënimit.

Ai e afirmonte të bukurën dhe kështu e godiste të shëmtuarën mes nesh.
Në planin universal, ai ishte i palëkundur në orientimin e tij të qartë politik dhe busulla e tij çonte kah vlerat oksidentale, duke i njohur e pranuar si vlera autentike, prej të cilave ishim ndarë një kohë padrejtësisht, por kurrë s’ishim shkëputur.

Kjo qe gjeostrategja e tij politik që formoi mendimin e tij kulturor dhe civilizues. E në këtë drejtim ai ishte krejt i qartë dhe pa kurrfarë dyzimi politik, siç janë shpesh politikanët tanë që ndërrojnë mendimet sa herë ndërrojnë stinët.

Pra, postulati politik dhe kulturor i Rugovës ishte i panegociueshëm dhe ky qe çelësi që Kosovës ia çeli dyert te aleatë e Kosovës:
Duke qenë gjithmonë popull i proviniencës oksidentale me histori, me traditë dhe me kulturë, në kuadër të proceseve të reja integruese evropiane, shqiptarët dëshirojnë dhe kërkojnë të jenë të bashkuar në një proces të afrimit dhe të bashkëpunimit në Evropë, me të drejta për vetëvendosje.” (I. Rugova, Gusht 1991)

Kështu, ai i përtëriu raportet e shqiptarëve me perëndimin dhe Kosovën e vendosi në hartë e vendeve të lira si një çështje që kërkonte zgjedhje. Dhe, në saje të filozofisë së tij të mençur, të sinqertë, të urtë, dhe orientimit të palëkundur politik, bota e përqafoi kauzën tonë për liri, pavarësi, demokraci dhe sot jemi të lirë e të pavarur. Pra misioni i tij është realizuar.

Rugova sa qe gjallë, me jetën dhe veprën e tij të madhe kulturore e politike ka treguar se veprat e mëdha janë vepra dashurie dhe jo urrejtje e dhune. Ndaj, ai asnjëherë nuk pranoi t’i drejtonte shigjetat e helmatisura kundër kundërshtarëve të shumtë, madje as kur ata tentonin ta zhbënin. Sepse, ai besonte te vlerat e lirisë dhe kishte një ide të madhe, që ato vlera t’i bënte vlera të përbashkëta të gjithë shqiptarëve në Europën Juglindore dhe t’i kthente në vlera etike të shtetit të Kosovës, të cilin e udhëhoqi deri në vdekje.

Ai hyri në politikë për t’i dhënë politikës vlerat intelektuale dhe morale që i kishte sublimuar me libra e studime, dhe kështu u bë prijës i madh, dhe i tillë u vlerësua kudo në botë ku respektohen vlerat e njëmenda të lirisë.

Ai ishte i madh sepse kishte një ide të madhe, një ide të qartë, një qëllim të lartë dhe një traditë të fortë ku e mbështeste filozofinë e tij politike dhe kombëtare. Dhe, në sajë të kësaj platforme, ne i fituam të gjitha ato që i synuam: lirinë, demokracinë dhe pavarësinë.
Ai s’ishte politikan dosido, që fliste përçartë, siç ndodh të flasin shpeshherë politikanët e këtij rajoni problematik, të cilët ose gulçojnë ose flasin përçartë për tema e projekte utopike, për të cilat s’janë të bindur as vetë.

Intelektuali dhe politikani që kujdesej për kujtesën historike dhe besonte te forca e lirisë, ruante autoktoninë, lexonte Bogdanin, të cilin e kishte model, dhe refuzonte estetkisht. Me këto tipare, ai u bë politikani më virtuoz që ka dalë nga raca shqiptare dhe një nga mendjet më të shquara të politikës në rrafsh europian.

Rugova ishte intelektual i madh dhe kjo e bëri politikan të madh. Ai hyri në politikë me bindje të formuara kulturore dhe ato i kthej në bindje politike.

Ai refuzoi në letërsi, para se të refuzonte ne politikë.
Dhe në saje të këtyre vlerave, simbolikisht mund të thuhet se Rugova është njëlloj Skënderbeu i dytë i shqiptarëve, që arriti t’i ripërtërinte, siç thoshte vetë, aleancat natyrale me aleatët e Kastriotit, dhe pas shumë shekujve shqiptarët arriti t’i bënte pjesë të hartës politike perëndimore.

Ai thoshte se “do të bjerë edhe muri shqiptar i Berlinit” dhe besonte plotësisht në integrimet ndërshqiptare.
Ai punoi për të zgjeruar kulturën demokratike, shpirtin e tolerancës dhe të mirëkuptimit midis njerëzve, grupeve politike dhe popujve dhe besonte se kjo frymë shprehte karakterin e popullit të Kosovës

Ndaj, që historia të mos përsëritet, Ibrahim Rugova këshillon që politika të nxjerrë mësim nga ajo.

Ja çka thoshte ai për komunizmin:
Komunizmi nuk i krijoi vend konceptit të kombit, i cili ishte ndjerë si negacion i historisë. Ai ishte i mbështetur mbi një ide fiktive, primitive të barazisë, që e mohon historinë. Shefat si – Tito, Mao, Hoxha, Lenini… – pastaj fabrikuan historinë e vet. Prandaj njëri nga qëllimet e para të komunizmit ishte që të qëllonte intelektualët.

Kosova e ideve dhe idealeve të Rugovës sot ndodhet para sfidave serioze, prandaj, që historia të mos përsëritet dhe të mos biem nën kthetrat e barbarisë, barazisë utopike e dokrrave, politika duhet të nxjerrë mësim nga e kaluara.

Sidomos duhet të mësojë se duke punuar bashkë me popujt e lirë e të përparuara, ne kurrë s’humbim, por fitojmë.

Mjerisht, raportet e Kosovës me botën e lirë, sot janë në pikë kritike, për shkak të udhëheqësve të sotshëm kryeneçë, të cilët, me qeverisje bashibozuke, me dredhi e mashtrime dhe me orientim të paqartë kulturor e politik, kanë ndikuar që këto raporte të marrin kahe tejet negative.

(Fotografia: Hazir Reka)