SKANDALOZE: EKSPONENTË TË LDK-së DENIGROJNË RUGOVËN

0
950
Ibrahim Rugova, portret

HYMNIZOJNË HASHIMIN

Më 1 tetor 2016, anëtari i Kryesisë të LDK-së dhe ministër i brendshëm i Kosovës, Skënder Hyseni, deklaroi:

1) “Rugova do ta pranonte me lehtësi koalicionin LDK-PDK”!

Kjo është një gënjeshtër e kulluar. Dihet ardhja enkas nga Brukseli i Havier Solanës, të plotfuqishmit të Bashkimi Evropian, për ta bindur Presidentin Ibrahim Rugovën, për ta pranuar koalicionin me PDK-në. Dr. Rugova, në vend të përgjigjës të drejtëpërdrejtë, ia bëri pyetjen hipotetike zotëri Solanës: “Në Spanjen tënde kush e zgjedh qeverinë dhe partnerin në koalicion, fituesi apo humbësi i zgjedhjeve”?! ( Dr. Rugova, si rëndom, pas temave të nxehta, lëshoi një të qeshur. Bashkëvuajtësi im, në burgjet shqiptare, Pjetër Arbnori, intimisht, njëherë, më tha: “Nganjëherë, e qeshura e Rugovës më duket e pa motivuar”.

Unë, i shpjegova bacës Pjetër se ajo e qeshur i jep fund bisedës për atë temë, por mbetet dashamirës dhe i hapur për tema tjera ndaj bashkëbiseduesit. Dhe, Baca im, sa i përvuajtur, aq edhe i shkëlqyer, u bind për këtë.) Dhe, Solana ishte dorëzuar para Dr. Rugovës. Pikërisht, atë ditë iu bë atentat Presidentit Rugova. Edhepse dihen atentatorët, me emër dhe mbiemër, ata janë të lirë, madje deputet, pedagog, vrastarë të organizatës terroriste SHIK!!!

Kjo është dëshmia më bindëse se Kryetari Rugova kurrë nuk do ta pranonte as koalicionin vasal të vitit 2013, me partinë-bandë PDK-në, e cila kishte ekzekutuar qindra ushtarakë, kuadro dhe veprimtarë të LDK-së. Abuzimi me emrin e Presidentit Rugova, për ta përligjur koalicionin aktual, rrënues, të LDK-së me PDK-në, është përpjekje e denigrimit të themeluesit të LDK-së.

2) Zoti Skënder Hyseni shkreton edhe më shumë me shpifjen dhe denigrimin e Presidentit Rugova, me qëllim që ta lartësojë e hymnizojë, me servilizëm, figurën e Hashimit. Citojmë: “Ish- presidenti nuk ka pasur teke…, më së miri e ka dëshmuar kur ka pranuar që në krye të delegacionit kosovar në Rambuje të jetë Hashim Thaçi”!?!

Ky deklarim skandaloz i anëtarit të Kryesisë të LDK-së, Skënder Hyseni, është një falsifikim i rëndë dhe unik i historisë më të re të Kosovës dhe denigron, pamëshirshëm, post mortum (pas amëshimit), Presidentin Rugova. Është një lapsus, gabim, pse jo, edhe faj, që nuk duhet ta bëjë as një simpatizant i zakonshëm i LDK-së dhe lëre më një kuadër i saj, si zoti Hyseni!

Një President Historik, ka emërtim të përjetshëm President dhe jo “ish-presedenti”, siç shprehet ai, sikur të ishte një president i radhës, kalimtar!

Serbia preferonte bandën e LPK-së në Rambuje

Ndërkombëtarët nuk donin ta inkriminonin Konferencën e Rambujesë me pjesëmarrjen e “komandantëve” të “UÇK-së”, sepse ishin në dijeni të krimeve të tyre në zonat përkatëse të luftës. Por, Serbia, në mënyrë përfide, i kushtëzoi ndërkombëtarët për përfaqësim të “UÇK-së”, edhepse në aparencë, në dukje zhurmonte kundër tyre! Ata preferuan Hashimin me kompani, që vinin nga Blloku i zi i Tiranës dhe Hotel “Rogner”, të cilët kurrë nuk kishin qenë pjesë e luftës.

Lidhja e Shërbimeve Informarive Francë-Serbi, pavarësisht të pjesëmarrjes të Francës me NATO-n, ishin aktive. Rasti denoncues i oficerit francez të NATO-s, është dëshmi vetëfolëse. Pra, Hashimin e kishin në rreth, për atëherë dhe tani. Për miqësinë e Hashimit me oficerin e Sigurimit francez, dhe ushtrimin e një bande të SHIK-ut në Francë, ishte në dijeni edhe Serbia. Kjo vazhdon të dëshmohet me marrëveshjet fatale për Kosovën, që ai ka nënshkruar me Serbinë dhe Malin e Zi.

Për nivelin që kishte Konferenca e Rambujesë, kryesimi i takonte Presidentit Rugova. Ishte edhe Kryekomandant i Forcave të Armatosura të Republikës të Kosovës, me formacione ushtarake e luftarake, të komanduara nga oficerë të karrierës, mirë të organizuara. Por, Rugova kontestohej hapur nga LPK-ja, madje, në heshtje konspirative, edhe nga Serbia. Serbia kishte shumë agjentë brenda LPK-së dhe ndërkombëtarët kishin frikë se mos Serbia, përmes tyre, mund ta sabotonte dhe ta dështonte Konferencën.

Serbia ishte e interesuar për praninë e LPK-së, alias “UÇK-së”, për dy arsye:

1) Brenda kësaj “UÇK-je” imagjinare kishte shumë agjentë potencialë të saj;
2) Kishin ideologji të përbashkët: komunizmin.
Njësoj: Sikur Shqipëria që e shante Rusinë, për 30 vjetë radhazi, por, në të gjitha vendimet e organizmave ndërkombëtare, vota e saj ka qenë e bashkuar me Rusinë, kundër Evropës dhe Amerikës!!

Shtabi i Drenicës dhe Fehmi Lladrovci akuzonin
bandën e LPK-së në Tiranë dhe Rambuje

Në kohën kur mbahej Konferenca e Rambujesë, Hashim Thaçi nuk përfaqësonte askënd. Ai ishte i braktisur dhe i harruar nga ai shtab, që, fiktivisht e quanin të “Përgjithshëm”, edhepse ai ishte vetëm shtab lokal i Drenicës. Komandantët e çetave në terren, me ushtarë të LDK-së, kishin shkëputur lidhjen me bandën e LPK-së, duke e injoruar se “lufta nuk bëhet në Zvicër, Gjermani e Tiranë, por në Kosovë”. Në këtë akuzë më i zëshmi ka qenë Fehmi Lladrovci, i cili ndjehej i tradhtuar nga banda e LPK-së së tij, krahu kundërshtar i Lëvizjes të Heroit të Kosovës, Jusuf Gërvalla. Sylejman Selimi ishte vënë në krye të Shtabit lokal të Drenicës, të cilin Hashimi e akuzoi për puç. Dhe, me burgosjen, dënimin e tanishëm të tij, nuk e fshehu gëzimin, duke e aprovuar edhe ndëshkimin.

(Për sqarim: Në Kosovë kurrë nuk ka pasur “Shtab të Përgjithshëm” dhe aq më pak “UÇK-e”, por shtabe lokale dhe grupe luftëtarësh. Vetëm Kosharja ka qenë detashmenti më i organizuar, me Shtab të Luftës, por, jo edhe Shtab të Përgjithshëm. Gjithashtu, Batalioni i komanduar nga Kolonel Tahir Zemaj, i ekzekutuar pas luftës nga banda e SHIK-ut, me betejat “blic”, të rrufeshme, të zhvilluara në Irzniq, Prapaçan…, kulmuar me Betejën fitimtare të Loxhës, kanë legjitimuar Luftën e Kosovës për çlirim. Me vrasjen e Ministrit të Mbrojtjes, Kolonel Ahmet Krasniqit, nga banda e LPK-së, në koordinim e bashkëveprim me krerët e Partisë Socialiste, në pushtet, dështoi formimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Thirrja në “UÇK-e”, është një manipulim i vrazhdët. Jam dëshmitar okular, syçeltas, duke qenë përgjatë gjithë luftës në shërbim të Emërgjencën të saj, se kanë munguar formacionet dhe elementet bazë, për të qenë një ushtri e rregulltë çlirimtare. Përkundrazi, halabakët e LPK-së, të mbështetur fort nga banda social-komuniste e Tiranës zyrtare të kohës, e inkriminoi, deri në terror, luftën, duke vrarë luftëtarët dhe veprimtarët të FARK-ut dhe të LDK-së, me qëllim të marrjes të pushtetit me dhunë. Kauza e lirisë u përdhos, madje ndyrësisht, nga agjentët e UDB-së dhe të Sigurimit Shqiptar brenda LPK-së, me ideologji komuniste enveriste e staliniste).

Delegacioni i Kosovës nuk ka pasur kryetar
“Komandantët” e LPK-së kishin sjellje rrugaçërore

Rrjedhimisht, Konferenca e Rambujesë ka pasur kryesues të palëve, brenda delegacionit të Kosovës dhe, assesi kryetar të delegacionit të Kosovës. Mangësinë e kryetarit të delegacionit të Kosovës, e përligjën dhe e tejkaluan, në heshtje, ndërkombëtarët, nga frika se Serbia me agjentët e saj, brenda delegacionit të Kosovës, mund ta komplikonte Konferencën në fjalë, deri në dështim. Sjellja primitive, e poshtër, rrugaçërore, ndaj LDK-së dhe Presidentit Rugova, deri edhe kriminale e “komandantëve” të Bllokut dhe të “Rogner-it”, ka habitur e neveritur organizuesit dhe vëzhguesit ndërkombëtarë.

Krerët e bandës të LPK-së, duke shfrytëzuar dhe abuzuar me ndjenjat e dlira të mërgimtarëve atdhetarë, brohorisnin “UÇK-në” e Hashimin, duke e promovuar, rrejshëm, atë kryesues të delegacionit të Kosovës, në Kështjellën e Rambujesë, njësoj siç vepron tani anëtari i Kryesisë të LDK-së, Skënder Hyseni! Ja, deri ku ka arritur degradimi dhe degjenerimi i klanorëve brenda Kryesisë të LDK-së!?!

Një eksponent i Lëvizjes, shumë i përfolur, për shumëçka, madje edhe për krime, në Mërgatë, në prezencë të një mase njerëzish, i tha Hashimit: “Ja, të bëmë dhe kryetar të delegacionit”, duke ia dhënë edhe fletushkën paçavure, me lajmin dhe fotografinë e tij, “Zëri i Kosovës, e cila shquhej për përçarjen e shqiptarëve, duke luftuar, jo pushtuesin serbo-sllav, por Ibrahim Rugovën dhe LDK-në. Kjo është e gjithë e vërteta për “kryetarllëkun” fiktiv, të rrejshëm të Hashim monstrumit. Dhe, pikërisht, me këto trillime e përralla shërbehet shoqëruesi i Dr. Rugovës, në vitet `90-a, ndërkohë që LDK-ja bënë sehir, heshtë, pra, aprovon falsifikimin e historisë dhe denigrimin e Presidentit Rugova!!

Përfaqësimi i LDK-së, i prirë nga Presidenti Rugova,
ishte dinjitoz dhe mbresëlënës

LDK-ja, e përfaqësuar nga kryetari Rugova, kishte një përbërje solide në delegacionin e Tij, me epërsi absolute politike e intelektuale, kundrejt përfaqësuesëve tjerë. Hashimi, në vend që të konsultohej me ekipin komplet të delegacionit të Kosovës, vraponte në Lublanë ke Adem Demaçi, i cili kërkonte njëfarë “Ballkania”, me sllavët e Ballkanit, njësoj si Traktati i Varshavës, me përbërje të komunistëve, për të luftuar kapitalistët e Evropës dhe të Amerikës.

Në Konferencën e Rambujesë, për ndihmë këshillimore, kishin ardhur edhe dy delegacione nga Shqipëria. Delegacioni zyrtar përfaqësohej nga ministri i jashtëm, Paskal Milo, i cili, njësoj si në Tiranë, vazhdonte rolin përçarës, brenda delegacionit të Kosovës, edhe në Paris, duke synuar “një Autonomi Substanciale për Kosovën”. Ndërsa delegacioni privat kryesohej nga njeriu i letrave, shkrimtari i zëshëm, Ismail Kadare, i cili, si gjithmonë, ishte përkrah Rugovës, “për Pavarësi të Plotë”.

Krerët e çoroditur të LDK-së, duhet të reflektojnë
në shumëçka, përndryshe fundosja në prag

Akuzat e Demaçit për Rugovën, pas shuarjes fizike, se gjoja “ai kërkonte Autonomi për Kosovën, i ngjasojnë femrës së përdalë, kur thotë “ma mbajë kopilin, t`i them tjetrës kurvë”! Ose, kur Isa Mustafa anashkalon zgjedhjet me votim të fshehtë, duke u vetëzgjedhur me aklamacion, njësoj si stalinistët komunistë. Dhe, nga ana tjetër, akuzon LDK-në në Diasporë për parregullësi, edhepse ka bërë zgjedhje me standartet e rekomanduara nga Këshilli i Partive Popullore Evropiane. Zoti Mustafa, me klanin e tij, për ta përçarë Degën e LDK-së në Gjermani, siç veproi me atë në Zvicër, kërkon përsëritjrn e zgjedhjeve. Por, anëtarësia e Nëndegëve të dinjitetshme të LDK-së të Berlinit, Rheinland Pfalzit, Hessenit, refuzuan të parat, vendimin intrigues e rrënues të administratorit aktual të LDK-së, Isa Mustafës, me klanin e tij, të instaluar dhunshëm brenda Kryesisë të LDK-së.

LDK-ja duhet t`i japë fund çoroditjes të mëtejshme të saj. Klani brenda Kryesisë, pasi ka anashkaluar, përjashtuar, eliminuar nga strukturat vendim-marrëse të partisë, kuadrot dhe veprimtarët e devotshëm rugovistë, tani i është sulur edhe vet Presidentit Rugova. Deklarata e fundit skandaloze e zotëri Hysenit, në cilësinë e anëtarit të Kryesisë të LDK-së dhe të Ministrit të Brendshëm, edhepse eprorë, në hije, i ka dy zëvendësat SHIK-istë, që kurrë nuk kanë lëvizur nga “istikami”, pozicioni në atë Ministri, pavarësisht ndryshimit të qeverive, të inkriminuar deri në qelizat qoshore, është shqetësuese për anëtarësinë e LDK-së. Një deklaratë e tillë dyshohet të jetë bërë nën efektin e ndonjë pije afektuese ose presionit të partnerit në koalicion, SHIK-ut, e cila duhet demantuar menjëherë, në mos nga autori deklarues, të paktën, Kryesia e LDK-së duhet të distancohet. Përndryshe, anëtarësia masive e LDK-së ju gjykon rëndë, për pazarët e paautorizuara, që bëni në emër të saj, duke e shpërfillur atë, deri në injorim skajor.

IDRIZ ZEQIRAJ, shok i klasës dhe mik i Ibrahim Rugovës