Analizë
Shkruan Prof. Zymer Mehani
Vëllimin poetik “Kam një harmonikë” të shkrimtarit Xhevat Beqaraj, të dashur nxënës, shumë prej jush do të kenë pasur rast ta lexojnë. Kjo vepër ngërrthen një tufë vjershash të bukura, të cilat kanë të bëjnë me tema e motive të ndryshme.
Tema e motive të ngjashme kemi hasur edhe në vepra të tjera të Beqarajt, si në përmbledhjet poetike “Rruga ime” (1966), “Treni ynë” (1968), “Natën e mirë” (1968), “Elefanti dhe milingona” (1974), “Unë, dielli dhe retë” (1979) etj.
Bota poetike e poetit Xhevat Beqaraj është e pasur. Ai futet thellë në shpirtin e fëmijës dhe me imagjinatën e vet të pasur krijon atmosferë karakteristike që shpejt e bën për vete lexuesin. Me pak vargje arrin të krijojë atmosferë dhe të thotë shumë, të zgjojë mendime e emocione dhe ta nxisë dashamirin e artit letrar që të kridhet në botën e tij poetike.
Vargjet e thurura me mjeshtëri si në librin “Kam një harmonikë” lexohen me ëndje. Nëna i ka blerë një harmonikë një vogëlusheje, të cilën e do shumë:
“Kam një harmonikë
Këndoj me gëzim
Këngën më të bukur
Për atdheun tim!”
Në një vjershë tjetër, Genci i vogël ndërton një anije, me të cilën dëshiron të shkojë në shtëpi tek e ëma, e në tjetrën një rosë do të lahet në Vjosë. Vogëlushit Gim i intereson shumëçka: kush e ka shpikur natën, aeroplanët kush i ngreh qiellit, ku qëndrojnë yjet etj., dhe për të gjitha këto i tregon mësuesja e tij e dashur. Por, nxënës të dashur, në vjershë do t’i takoni disa kopshtarë, Titin e Bubin, Gimin që mëzi i thotë:”Dhe ti Gimi, rritu ca!”
Keni dëgjuar për çukapikun? Edhe këtë do ta gjeni në këtë libër, siç do të keni rast të mësoni edhe për dallëndyshen, dhinë, ujkun, kecin, patokun… Do t’ju kënaq vjersha për vogëlushin e kumbullën, ajo për aeroplanin, një tjetër për borën e shumë krijime të tjera të bukura që janë futur në librin e vogël “Kam një harmonikë”.
Vjershat e këtij vëllimi të Xhevat Beqarajt kanë tema të ndryshme, siç pamë më lart. Ai krijon vjershë madje nga raste fare të rëndomta të jetës, por krijimin e ngre në nivel artistik dhe e skalit me durim. Mendimin e shprehur e artikulon dhe idenë e nxjerr të qartë. Nëpërmjet vargjeve shpreh dashurinë për atdheun, miqësinë e fëmijëve ndërmjet tyre, “raportet” me kafshët etj. Ai në vjershat e tij krijon edhe një ritëm e rimë që vargjeve u japin funksion më të theksuar e që edhe në aspektin dëgjimor i japin vjershës ngjyrë tërheqëse.
Përmbledhja “Kam një harmonikë” ka gjithsej 26 vjersha të shkurtra, prandaj secili prej lexuesve do të mund ta lexojë shpejt, madje edhe më shumë herë. Sepse ky vëllim pëlqehet shumë, veçanërisht nga vogëlushët.