“As kryeministri i Serbisë mbretërore, Nikolla Pashiqi, as ministri i Sigurimit të Brendshëm Shtetëror – UDB-së së Serbisë dhe Jugosllavisë Komuniste, Aleksandër Rankoviqi e as kryetari i Serbisë pseudodemokratiko-fashiste, Sllobodan Millosheviqi, që aq shumë e kanë dëshiruar zhbërjen e shtetit shqiptar, nuk kanë propaganduar kaq haptas, kaq botërisht, aq urrejtje shoviniste kundër Shqipërisë sa e si po propagandon Masmedia e Prishtinës me disa radio, televizione e portale, e sidomos me televizionin T7 dhe me gazetën portal “Express”.
Kjo urrejtje ndaj Shqipërisë shtetërore nuk është urrejtje as e çastit e as e rastit. Jo. Kjo është urrejtje me motive jo vetëm politike më gjatë e menduar dhe më gjerësisht e organizuar dhe e strukturuar!
Kësaj urrejtjeje të organizuar shoviniste brendakombëtare kundër Shqipërisë, me të punësuar e bashkëpunëtorë, me ide, me mendime, me projekte, me propozime po i kontribuojnë edhe ndonjë institucion e edhe individë të tjerë të këtushëm.
Është naivitet të besohet se këtë urrejtje shoviniste brendakombëtare ndaj shtetit shqiptar, Shqipërisë, nuk e nxisin edhe mjete financiare të brendshme e të jashtme!