Në Horgen të Zvicrës përkujtohet jeta dhe vepra e inxh. Nazmi Peci-Boletini

0
163

Në qytezën e bukur dhe turistike Horgen të Zvicrës, me rastin e njëvjetorit të vdekjes nga familjarë, shokë dhe e miq të shumtë është përkujtuar inxh. Nazmi Peci-Boletini.

Nazmiu, me të diplomuar në Fakultetin e gjeoshkencave në Mitrovicë, punësohet në Kombinatin Xehtaro Metarlugjik “Trepça” në Stantërg, i njohur kudo me pasuritë e tij nëntokësore.

Nazmiu, tamam me përgatitje të duhur dhe si kuadër i rrallë në gjigantin ”Trepça” kryen detyra me mjaft përgjegjësi.

Ai duke e ditur që puna e minatorit është nga punët më të mundimshme, me secilin nga ata tregohet i afërt dhe i përzemërt.

Çdo kërkesë dhe hall të tyre e dëgjon me vëmendje, dhe e shqyrton me korrektësi.

Andaj,nga të gjithë minatorët e Trepçës, më vonë të njohur edhe si heronjtë e nëntokës, kontributi dhe puna e Nazmiut, vlerësohet lartë.

Në rast se prekeshin apo cenoheshin interesat e kombit të tij, ai çdoherë vihej në mbrojtje të tyre, duke u treguar i rreptë dhe i pathyeshëm.

Në shkurt të vitit 1989, Nazmiu është nga të parët që nënshkruan Apelin e 215 intelektualëve të Kosovës.

Nëpërmjet këtij peticioni kërkohej ndalja e dhunës dhe diskriminimit të shqiptarëve autoktonë, nga ana e regjimit fashist të Jugosllavisë, në shpërbërje, veçanërisht të Serbisë.

Zaten, kjo merret si shkas dhe menjëherë pas këtij akti të guximshëm dhe burrëror inxh.Nazmi Peci-Boletini, izolohet në burgun famëkeq të Leskovcit dhe Beogradit.

Atje së bashku me atdhetarë e intelektualë si; Xheladin Rekaliu, akademik Rexhep Ismajli, Muhamet Shatri, Kolë M. Berisha, ish-kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës, etj, përjetojnë tmerrin.

Sigurisht për shkak të së kaluarës së tyre patriotike të fundit nga këto burgje ishin liruar Xheladin Rekaliu, organizator i demonstratave të vitit 1968, dhe Nazmi Peci-Boletini, po ashtu i njohur me veprimtarinë e tij, në dobi të Kosovës.

Ata regjimi komunist i Jugosllavisë i kishte burgosur dhe izoluar edhe më herët. Mirëpo, si Xhela ashtu edhe Nazi, asnjëherë nuk e kishin ndërprerë aktivitetin e tyre kombëtar.

Nga torturat dhe vuajtjet e përjetuara këtyre dy atdhetarëve dhe intelektualëve të dalluar,u ishte rrënuar edhe shëndeti.

Ferrin nëpër të cilin kaluan këta atdhetarë në këto burgje në librin e tij“Ditari i një Izolanti”e përshkruan edhe Kolë M.Berisha, shok dhome me Rekaliun dhe Pecin.

Pas lirimit nga burgu Nazmiu, migron në Zvicër. Ai më 24 prill 1990, në Cyrih, së bashku me një grup veprimtarësh mërgimtarë themelojnë Degën e LDK-së.

Në këtë subjekt të rëndësishëm politik funksionin e nënkryetarit të LDK-së, dega në Zvicër, do ta kryejë me shumë sukses inxh. Nazmi Peci Boletini, kurse atë të kryetarit kolegu i tij Mr. Shaip Latifi.

Ai po ashtu do të jetë edhe në ballë të Fondit Humanitar Gjithëkombëtar, i cili shumë shpejt shndërrohet në Fond të rregullt të Republikës së Kosovës.

Në krye të këtij Fondi, Nazmiu, do të qëndrojë deri në vitin1993, kur Këshilli i Përgjithshëm i këtij institucioni të karakterit humanitar, në një nga mbledhjet e tij të mbajtura në Cyrih të Zvicrës, në këtë pozitë do ta emërojë aktivistin dhe të burgosurin e ndërgjegjes sonë kombëtare Gani Ukë Hoxha, me punë dhe qëndrim të përhershëm në Lugano të Zvicrës.

Në komunikim të drejtpërdrejtë me zotin, Hoxha, mësojmë; që pas zyrtarizmit të tij në këtë detyrë, ai brenda tre-katër ditëve merr edhe Aktvendimin, e nënshkruar nga Mr. Isa Mustafa, atëherë Ministër i Financave të Republikës së Kosovës, në ekzil.

Po ashtu Hoxha, çmon lartë angazhimin e paraardhësit të tij, inxh. Nazmi Peci-Boletini, duke thënë që ai është liruar nga ky funksion për arsye personale, dhe fare-fare nuk kemi të bëjmë me kurrfarë shkarkimi, siç mendojnë disa.

Sidoqoftë,inxh.Nazmi Peci-Boletini,nuk ishte nga ata që kërkonte poste. Ai vepronte aty ku kishte më së tepërmi nevojë.
Ai njihte punën e gjithsecilit që orvatej për të vënë qoftë edhe një guri të vetëm në themelet e shtetësisë së Kosovës.

Bashkëpunëtorët e tij të ngushtë në mërgim; Shaip Latifi, Shefqet Dibrani, Xhelal Molliqaj, Isa Maliqi, Jusuf Demaj, Hysen Shehu, Shaqir Shala, Qamil Çekaj dhe Skënder Tolaj, në këtë tubim kushtuar jetës dhe veprës së veprimtarit inxh.Nazmi Peci-Boletini, shpalosën kujtime të shumta, nga veprimtaria me te.

Në shenjë respekti jetës dhe veprës së inxh.Nazmi Peci-Boletini, enkas nga Prishtina, edhe pse kohë pandemie, e me shumë procedura në këtë përvjetor kishte ardhur Mr. Shaip Latifi.

Ai punën e palodhshme të Nazmiut, në dobi të Atdheut, e vlerëson lartë. Sipas z.Latifit, puna në ekip me inxh. Nazmi Peci-Boletini, ishte nderë dhe kënaqësi e veçantë.

Ndërkaq, shkrimtari dhe publicisti Shefqet Dibrani, po ashtu shumë i afërt me Nazmiun, jep idenë që të gjitha shkrimet dhe materialet e ruajtura nga ai të qitën në letër.

Në mënyrë që brezat e ardhshëm të dinë se kush ishte inxh. Nazmi Peci-Boletini, zoti, Dibrani propozoi edhe përgatitjen e një Monografie, në të cilën do të përfshihej i gjithë aktiviteti profesional dhe kombëtar i Nazmiut.

Në këtë tubim përkujtimor rrëfime nga jeta dhe vepra e inxh. Nazmi Peci-Boletini, prezantuan edhe katër fëmijët e tij; Fisniku, Kreshniku, Arianiti dhe Lindita.

Rrëfimet e tyre aq sa ishin krenare ishin edhe emocionuese. Kujtime nga njohja dhe bisedat me Nazmiun evokoi edhe dhëndëri i tij, Dr. Astrit Neziraj.

Ai tha; ”Edhe pse isha njohur vonë me Nazmiun, ruaj kujtime të shumta, dhe mjaft mbresëlënëse, nga ndejat me te.

Dr. Neziraj thotë që porosi e vazhdueshme e Nazmiut, ishte ajo që të rinjtë shqiptarë në mërgim të plotësohen profesionalisht, me kryerjen e studimeve në Fakultete dhe Shkolla të Larta, të Zvicrës, dhe të vendeve të tjera të Evropës Perëndimore.

Nazmiu, mendonte që vetëm të ngritur e të arsimuar mund ta prezantojmë ashtu si duhet Kosovën, gjithandej globit.

Në mënyrë që të nderohen shokët dhe miqtë e shumtë e të ndjerit inxh. Nazmi Peci Boletini, bashkëshortja e tij Bukurije Peci, dhe fëmijët e saj,në fund të këtij takimi shtruan një aperitiv me pije dhe meze.

Me gjithë dhembjen e madhe për vdekjen relativisht të hershme të Nazmiut, të gjithë në ndarje premtuan që miqësia me këtë familje të arsimuar dhe bujare do të mbetet e përjetshme.

Ky premtim i rrit shpresat edhe më shumë, ngase më 26 tetor 2021, Shefqet Dibrani, shok dhe bashkëpunëtor i ngushtë i inxh. Nazmi Peci-Boletini, e kishte njomë me lule varrin e tij.

Po ashtu Dibrani kishte vizituar edhe vëllazëritë e Nazmiut në Mitrovicë të Republikës së Kosovës.

Me këtë rast atij, në këtë familje të njohur atdhetarësh iu ofrua pritje e ngrohtë.
Kurse, në emër të familjes për vizitën e bërë falënderoi Nezir Peci-Boletini, i vëllai i Nazmiut.

Ruajtja e miqësive dhe njohja e punës së njëri-tjetrit, janë nga virtytet më të vlershme të njeriut!

ARIF EJUPI