Në Kolegjin Sankt Blasien – aty ku gërshetohen dija, tradita dhe kultura e punës

0
1097

Enver Sulaj

Një orë e gjysmë rrugë me veturë nga aeroporti i Baselit, ndodhet qyteti i vogël St. Blasien (Sankt Blasien), në distriktin Waldshut, në landin e Baden-Vyrtembergut në Gjermani. I rrethuar nga kurora e malit ShWarcvald, në një lartësi mbidetare mbi 800 m, njeriu e ndjen bukurinë dhe qetësinë, që të imponon natyra e mrekullueshme. Në këtë qytet ndodhet Kolegji i njohur St. Blasien, historiku i të cilit nis në vitin 1596, kur shkolla filloi punën në Freiburg (Zvicër), u zhvendos në Feldkirch të Austrisë, në vitin 1856 dhe së fundi, në St. Blasien, në vitin 1934. Pas Luftës së Dytë Botërore, shkolla u rihap në vitin 1946, ndërsa sot nami i saj shtrihet në mbarë Evropën. Studentë nga më shumë se 20 vende vijnë në këtë kolegj, kryesisht për të studiuar gjuhën gjermane, por edhe gjuhën kineze dhe gjuhët klasike-latinisht e greqisht.

Kolegji Sankt Blasien ka një bashkëpunim të shkëlqyeshëm me “Loyola- Gymnasium”, në Prizren, të cilin e ndihmon në fushën e trajnimit të mësimdhënësve. Njeriun e parë që takoj në aeroportin e Baselit, është profesori P. Leutenstorfer, i cili pasi më dëshiron mirëseardhje, nisemi drejt Sankt Blasienit. Me gjithë vitet, ai shquhet akoma për përkushtimin dhe disiplinën në punë. Është kënaqësi dhe rast i jashtëzakonshëm për mua, që të ndjek aty për dy javë ligjëratat e tij për gjuhën latine, në një kurs intensiv. Erudicioni, njohja e shkëlqyeshme e gjuhëve klasike, latinisht e greqisht, e bëjnë atë një enciklopedi të vërtetë. Ai me shumë dashuri shpreh mendimet e e tij për veprat e shkrimtarëve romakë, bëmat e ushtarakëve e pushtimet e tyre, për të ofsharë shpesh: Lufta është e keqe, nuk sjell gjë të mirë.

Të gjitha perandoritë janë zhdukur, sado të kenë arritur lart, – thotë Leutenstorfer. Nuk na ikën gjatë ligjëratave edhe analiza etimologjike e fjalëve shqipe dhe ndikimi i latinishtes, ndikimi i greqishtes, etj. Ai ka përkthyer tekste të shumëta nga latinishtja e greqishtja në gjermanisht dhe mban leksione për studentë në gjuhët klasike e gjermane. Ai, poashtu është një bashkëpunëtor dhe mik i madh “Loyola- Gymnasium”, të cilin e viziton në mënyrë periodike, për të transmetuar te nxënësit dhe profesorët përvojën e tij të gjatë jetësore në fushën e dijes e të kulturës. Por, çdo punë e suksesshme, sigurist që lidhet me drejtuesin, andaj pa mbështetjen e drejtorit të “Loyola- Gymnasium“ P. Axel Boedefeld, nuk do të ihhte i mundur ky trajnim dhe kjo përvojë e arritur.

Pas leksioneve intensive për afër dy javë, bëhem gati për t’u kthyer në Kosovë, në “Loyola- Gymnasium”, në mesin e kolegëve e kolegeve e nxënësve të mi.

Një intelektual shqiptar në vitet ’30, në një libër të tij thoshte se popujt që janë çliruar vonë, e kanë më lehtë për të ecur shpejt- sepse kanë modelet e gatshme për të organizuar jetën e tyre. Gjermania për ne duhet të jetë, jo vetëm një vend ku shumë qytetarë drejtojnë sytë për të emigruar, por si model se si të punojmë për veten dhe pasardhësit tanë- për një jetë më të mirë e më të lumtur.

Gjatë tërë rrugës deri në aeroportin e Baselit, që shfrytëzohet nga tri shtete, Gjermania, Franca e Zvicra, bie dëborë vazhdimisht, sa për të na treguar se dimri akoma nuk ka ikur. Por, jeta këtu vazhdon me ritmin e rregullt, kultin për punën e respektimin e vlerave njerëzore- si kusht për të ndërtuar një të ardhme më të mirë e në paqe për të gjithë.

Sankt Blasien, shkurt 2016