Simboli i lulëkuqes

0
174
Nexhat Halimi

Nexhat Halimi

Nën njërën degë të rrapit të vjetër, rrëzë kalasë së Prizrenit-atje, lart, në një çeli qëndroi nën pranga simboli i Lidhjes shqiptare, Abdyl Frashëri. Mendja më ik te gardiani Gjakulli njëqind e shtatë vjeçar dhe te fjalët e shqiptuara me dhembje. – E ruaja simbolin e Lidhjes, i cili tretej çdo ditë më tepër për tri vjet ngujuar në kala, në një kthinë të errët e të papastër. Me një rast, me t’u hapur dera, Abdyli i zbehtë, pa pikë gjaku në fytyrë, më psherëtiu.

– Dëgjo, gardian, ja ora ime e trashëgimisë familjare, merre dhe shite e më blej pak bukë!

– Në kala qe vetë vdekja… e aty në pranga Abdyl  Frashëri, tre vjet rresht – flet ai. – Me eshtra e gjak lidhëm unazën me unazë. Ai… turku, na shtypi, ai… tjetri, na preu: cila është më keq?! Ja. jo një herë, njerëzit dhe malet u bënë një. Gjaku foli me penë dhe me armë, në synim të mëvetësisë dhe u bë lumë, rrodhi në kohë e në breza-dritë e atit dhe birit, shpirtit të etur, të çelur në lulëkuqe të zjarrtë-në secilën zemër, – shikon papërcaktuar,  e një flatër e dritës së përvjedhur nga dritarja i bie fytyrës dhe ia zbulon lotin, nga i rrëshqet nën sy.

E pres kafenë e porositur në restorantin nën rrap dhe  e shfletoj revistën që e mbaja para vetes. E lexoj shkrimin  e Geron Kamberit, simbolika e lulëkuqes.

“Grafikat e së cilës përnjëherë m’u  shfaqën, të ngjashme me   datën që shënoi fundin e luftës së Parë Botërore. Në këtë ditë, në këtë unazë të kohës, në këtë Nëntor, kush ka pasur rastin të ketë takime me qytetarë britanikë dhe me ata që momentalisht jetojnë në Shqipëri, do t’u ketë rënë në sy, një lulëkuqe e vendosur në veshjen e tyre. Historia e këtij simboli përkujton fundin e një lufte të tmerrshme me shumë viktima siç ishte Lufta e Parë Botërore Simboli që i dallon veçanërisht anglezët dhe një pjesë të vendeve të Commonwealthit britanik gjatë ditëve që i paraprijnë  datës së cekur, është një histori interesante, e lidhur me një poet kanadez dhe dy humanistë dhe do të thoshe me një hapësirë në formë të lules së përgjakur, e njohur si dita e lulëkuqes, apo dita e Përkujtimit .Për shkak të traditës së vendosjes së një lulëkuqe mbi veshje, kjo  ditë përkujtohet që nga fundi i Luftës së Parë Botërore dhe nderon pjesëtarët e forcave të armatosura që kanë vdekur në krye të detyrës.  …Dita e Përkujtimit, e njohur si Dita e Lulëkuqes, përkujtohet gjithashtu edhe nga shumë vende që nuk janë anëtare të Commonwealth-it.

Çdokujt mund t’i ketë bërë përshtypje nëse shumica e qytetarëve mbajnë mbi veshjet e tyre një lulëkuqe artificiale që është simbol dhe tashmë njihet si Dita e Përkujtimit. Kjo lule njihet si lulëkuqja përkujtimore dhe përfaqëson një lulëkuqe simbolike prej kartoni që vendoset mbi veshjen e çdokujt në shenjë nderimi për të përkujtuar personelin ushtarak që ka rënë në  luftë, gjatë ditëve që i paraprijnë datës 11 Nëntor. Me këtë rast shiten me dhjetëra mijëra lulëkuqe simbolike prej kartoni, të cilat më pas vendosen mbi veshjet e gjithsecilit.

Simboli i lulëkuqes që përdoret në këtë ditë e ka origjinën tek poema `Në fushat e Flandrës’ . Poema u shkrua nga mjeku kanadez John McCrae më 3 Maj 1915. John McCrae ishte një poet dhe mjek nga Guelph, Ontario në Kanada. Ai e kishte pasion poezinë dhe shkroi gjatë gjithë jetës  poezi. E shkroi këtë dhe këtë poezi pasi ishte dëshmitar i vdekjes së mikut Alexi Helmer dhe i një  nga betejat më të ashpra të zhvilluara gjatë Luftës së parë Botërore ku për herë të parë u përdorën gjatë luftimeve edhe armët kimike. Vargjet e para i referohen lulëkuqeve që rriten midis varreve të viktimave të luftës në rajonin e Flandrës të Belgjikës. Përmendja në këtë poezi e lulëkuqeve që rriteshin mbi varret e ushtarëve të rënë e shndërruan atë në një nga simbolet përkujtimore më të njohura në botë për ushtarët e rënë në luftë. Poema dhe lulëkuqet janë simbole të shquara të Ditës së Përkujtimit në të gjithë vendet e Commonwealthit britanik, veçanërisht në Kanada, ku poema “është një nga veprat letrare më të njohura të vendit.

Lulëkuqja u shndërrua zyrtarisht në një lule simbol për të nderuar Ditën e Përkujtimit, falë kontributit e fushatave të  dy grave të njohura siç ishte humanistja e profesoresha amerikane Moina Michael  dhe profesoresha e humanistja amerikane Madame E. Guérin, e cila e frymëzuar nga poema e McCrae, në vitin 2018, ajo botoi një poezi të sajën “Ne do ta ruajmë besimin” Në nderim të poemës së McCrae, ajo u zotua të mbante gjithmonë një lulëkuqe si një simbol kujtimi për ata që luftuan dhe dhanë kontributin e tyre në Luftën e parë Botërore.

Në një konferencë të American YMCA Overseas War Secretaries Organization që u zhvillua më 17 Nëntor 1918, ajo u shfaq me një lulëkuqe mëndafshi që e kishte vendosur  në pallton e saj dhe shpërndau njëzet e pesë lulëkuqe të tjera për të pranishmit. Më pas ajo bëri fushatë për të miratuar lulëkuqen si një simbol kombëtar të Ditës së Përkujtimit që ishte 11 Nëntori. Ishte ideatorja e Ditës së Përkujtimit të Lulëkuqes. Si rrjedhojë ajo u pagëzua si “Zonja e Lulëkuqes nga Franca” …

Ofshaj, e i lë metalikët për kafenë mbi tavoline e mësyjë te Shatërvani.

Ecja  kuturu përgjatë trotuarit, përkrah të të cilit rridhte Lumëbardhi me ushtimë.

Ecja alesë, i kredhur në shtresat  e kohës. Përballë ndriste shtëpia e vogël e Lidhjes shqiptare. – Një shtëpi kaq e vogël që bart brenda vetes një ngjarje kaq të madhe e të mos ndrit me dritësim agimi.

E kalova Urën e Gurit e dola në Shatërvan. Të pijë pak ujë  E ngreha dhe një herë kokën, i fërkova sytë dhe bëra përpjekje ta kapë qiellin lart, në të cilën  zemra e Lidhjes,Abdyli, qëndroi tre vjet nën pranga herë me pak bukë e herë tjetër me pak ujë, i thyer e i dërmuar, me shpresë të gjendet udha e lirisë për popullin…

Papritur m’u bë se vërejta Sanien, e cila iku me nguti. Ktheva prapë në Urën e Gurit dhe i bëra zë. E mbaja një trëndafil ngjyrë gjaku në duar.

– Me mua e ke? – ktheu kokën e më tha ajo.
– Po, po me ty!
– Nuk më kujtohesh, të të njoh, – tha ajo e eci nga unë.

– Ka kaluar kohë e gjatë. Përndryshe njihemi…
– Ia bëra dhe m’u kujtuan Peshqit, algat, uji… dhe sugjerimi i V. Gërvallës, të bisedoja me të.
– E gjen në Shtypshkronjën e Prizrenit… Me radhë m’u kujtuan detaje e detaje, me të cilat folëm për grafikën që e krijon ajo

Jeta rrjedh…

Uji rrjedh me nuanca të argjendta deri atje ku ti ëndërron.

Ja… Shkrimi për krijimtarinë e Sanies qe shumë i hershëm  me një përqendrim të dukshëm në botën e pasur bimore e shtazore nën ujore. Një mrekulli e posaçme e llojit të vet dhe shumë e veçantë sa i përket qasjes, këndit vetanak.

Ndërkohë filloi të më zhvillohej peri i gjatë i shkrimit për të dhe krijimtarinë artistike. Kjo gjë më vinte me valë dhe e ashpër në qetësinë e vet para stuhisë.

Apo ranë derdhjet e para të rikujtimit për shkrimin…

…Apo, deti e drita, ajri e thellësia: jeta. Dhe, më pastaj, po aty, e tërë një fushë plot gjallëri, që lëviz lëngshëm, që sa vjen e merr gjuhë, ngjyrë, e merr formë, të përmotshme në pëlhurën e përparuar të piktores.

Gjithë këtë thellësi, këtë gërshetim të fortë të figuracionit, të gjallëruar në grafika, deri tash e përjetuan artdashësit e Prishtinës, pastaj ata të Prizrenit, të Beogradit, të Kladovës, të Leskovcit, të Zagrebit, e përsëri ata të Prishtinës, ku Sania ekspozoi punimet e veta. Kjo e re e cila deri vonë jetoi në Zemun, tash sa kohë punon në Shtypshkronjën Ramiz Sadiku në Prizrenin e lashtë tek e gjen frymëzimin e vet për krijimet që i kornizon me vullnet, dashuri e guxim.

Prapë  më lidhi ndërmjet fshehtësisë e kreativitetit rruga krijuese.
Ajo lëvizi pak e m’u afrua me  dilemë.
– Çfarë e preokupon piktoren e re?- ia bëra dhe buzëqesha. – Nuk më njeh?
– Jo!
– E përditshmja ka ngarkesa, shumë gjëra shlyhen, harrohen…

– E përditshmja është aq e afërt,  e prekshme, sa nuk të lë të qetë.  Në kohë të fundit, thotë ajo, po angazhohem në krijimtari me intensitet të pa rëndomtë. E kjo, meqë po kam nevojë të them, të flas, e me këtë të dëshmoj,  rimat dhe vlerat që i kam arritur deri tash.

– Një kohë të gjatë më preokupojnë variacionet e botës nënujore, flora e fauna. Në atë thellësi, që është e njohur aq sa edhe e panjohur, shtrihet fshehtësia. E kjo për mua, në një mënyrë, është vetëm rikthim në vete,  vazhdim i fushës se fëmijërisë, e cila në  mua ka lënë gjurmë të thella. Po të shikohen me përqendrim, në punimet e mia, hetohet pikërisht kjo hapësirë e tërë e fëmijërisë, bashkë me ëndrrat, me dëshirat dhe mungesat e shumta. Gjurmët e fëmijërisë a nuk e përcjellin  njeriun gjatë tërë jetës? Unë, ecë në jetë, po ne vete atëherë bart atë hapësirën e kaltër,  të bardhë, të cilën e ke pushtuar në ëndrra, me lojë e dashuri në fëmijëri. Dhe sot, sado afër fëmijërisë, prapë në atë fushë të largët sa të prekshme, kanë ngelur shumë fshehtësi. Dhe vërtet po.

Grafikat me ngjyra të Sanies gjithherë ofrojnë mundësi për përjetime nga më  të ndryshmet, mundësi për prekje lirike të botës. Të gjitha motivet zgjojnë asociacione të shumta, ofrohen herë si hapësirë enigmatike e thellësive të detit e herë si shtresa dhe mundësi kozmike. Në këtë hark të tillë, në rrafshin e krijimit, shtrihen pastaj pjesë-pjesë gërshetime të së sotmes, që shihen e preken, ëndrrat e bartura  nga fëmijëria e mbetur larg, por megjithatë përherë afër, shumë afër – në zemër.

E tërë kjo është kënduar, e materializuar në pamje dhe e shprehur poetikisht, me plot optimizëm, e ci1a gjë në këtë unazë të kohës e mbushur përplot kundërthënie rrëqethje e pesimizëm, si dhe  pasiguri nga vatrat e shqetësuara në shumë paralele e meridianë të rruzullit tokësor, vjen e ndrit fuqishëm plot humanizëm. Dhe si e tillë është vlerë e pamohueshme, vlerë që jeton për njeriun e me njeriun, për paqen e lirinë.  Një gjendje e tillë, të cilën Sania Jahaj e sugjeron me paletën e vet të gjallë, të çiltër.

Me brushën e ngjyer në të kaltër, të bardhe, me tonet e ngrohta në pëlhurë, piktorja e krijon një vargua të gjatë, një cikël të madh, në vazhdimësi të pashkëputur. Të përshkruar nga vetja e lart-lart nëpër dhëmbëz të maleve të Sharrit, të cilat bëjnë hije këtu tashmë.

– Puna e përditshme ne shtypshkronjë, thotë ajo, më ndihmon t’i zë disa fije të fshehtësisë së grafikës… T’i prek disa fshehtësi, disa kthesa, të cilat nuk do t’i kisha përjetuar në ndonjë vend tjetër…

– Nuk ka krijues pa ndonjë çarje, pa ndonjë problem dhe pa ndonjë breg, pa ndonjë kornizë apo pa ndonjë konzervë, në të cilin lëvizin dhembjet dhe peshqit

– Të vetmin problem e kam mungesën e banesës .  Për një krijues-piktor, është gati e pamundshme te gjendet në një dhomë me lagështi: Dëmtohen  fletët e grafikes, mundësia për punë është shumë e vogël, por – vullneti është më madh se çdo gjë. Nuk ndalem. Dhe, shton ajo, tash për tash nuk ka gjasë të me zgjidhet çështja e banimit, meqë kolektivi im, nuk ka mundësi të më ndihmojë.  Premtimet e komunës për të më ndarë banës,  tash për tash kam frikë ngelin vetëm premtime.

– Të krijosh, ç’do të thotë?

– Kjo është një gjë gati – gati e pashpjegueshme, thotë ajo,  por unë – megjithatë e kam një moto për këtë të krijosh do të thotë se ekziston, se më thellë, mbase, se të tjerët e verën këtë apo atë gjë, e heton të dendur gëzimin, po edhe pikëllimin. Të krijosh ndoshta do te thotë të thotë të  thuash diçka te re, të cilën të tjerët  ose nuk e shohin, nuk e hetojnë, ose nuk kanë talent ta thonë.

– Te pëlqen edhe puna vullnetare?

– Po.  Kam marre pjesë në dy vera aksioniste, në dy fronte te punës vullnetare. Në Gjerdap dhe në “Ibër – Lepenci”. Nuk e kam ditur më parë se ç’ gjë me interes për një krijues është puna vullnetare, takimi me te rinjtë e të rejat nga mbare viset e vendit. Aty ngritën ura te reja të miqësie, të dashurisë, ura të bardha të së sotmes, te së nesërmes.  Dhe, ti qe je krijues këto te gjitha i përcjell, i ndien thellë në shpirt. Nesër, nuk di me çka ta shprehesh gëzimin,  tek merr letër nga shoku apo shoqja, tek dërgon letra me adresa në te gjitha qytetet, fshatrat e vendit.

Me këtë rast do cekur edhe  një gjë për Sanien.

Ajo ka vendosur që të ardhurat nga pesë grafika të shitura t’ ua dërgojë të atyre që kanë nevojë. E po aq grafika do t’ia dhuroje shkollës, e cila është në ndërtime në një fshat të largët.

Ajo buzëqesh.

– Dëgjova në radio, shikova në televizion: thotë ajo, ç’ ka ndodhur atje: mësova se me ndërtimin e shkollës së re , vogëlushet nuk do të udhëtojnë më në fshatrat për rreth për të mësuar, nuk do të udhëtoi më nga shumë kilometra në ditë. E kjo më shtyri që me kontributin  tim modestë të ndihmojë në ndërtimin e Shkollës në fshat. Dhe kjo dëshmon se arti është ndjesi e vazhdueshme humaniste përmes, të cilit zgjohet ndjenja e dashurisë  te secili sot e përgjithmonë…

– Ta pimë nga një kafe, – i ofroj dhe prapë e kalojmë Urën e Gurit dhe i afrohemi Shatërvanit, prej nga ke përshtypjen se do të mund të kujtohesh për të gjitha gjërat që i ke harruar ndërmjet ecjes në të përditshmen e ngarkuar.

Jeta rrjedh… uji arrin deri atje ku ti ëndërron! Siç do të arrij ky trëndafil kaq i kuqërremtë në të verdhë te zemra dhe fjala jonë e vizatuar apo e shkruar me gjakshkrim!

– E hodha trëndafilin në Lumëbardhë…
Të jetojë me peshqit në lirinë e tyre.

Pse e bëre këtë?

– Veç që të mund të jetoj ndërsa lulja arrin përmes ujit të Lumëbardhit  e të vetëtijë në Drinin e bardhë me aromë gjaku…