shkruan Fahri Xharra
Në ditët e dhimbshme të viteve 1912-1913, At Gjergj Fishta pat shkruar “Shkoi Manastiri! Dibra edhe Gjakova !… Vendet ma t’mirat ne na i mori shkjau, E, shk’ asht ma zi, në vlla me vlla na dau! Shkoi Manastiri! Dibra edhe Gjakova !… Dhe, pastaj “Politika” ( e Beogradit ) e datës 6 Prill 1913 me titullin: “Nëpër Gjakovë” dhe nëntitullin ”Çerdhja e shkatërruar e banditëve kryengritës” shkruan: “Duke i shikuar nga jashtë Gjakova duket si një grumbull i shatorrëve të djegur…”
Gjakova me shekuj ishte e paarritshme për tërë botën tjetër. Çerdhja e egërsisë arnaute i ka pranuar në rrethin e saj vetëm ata që ishin në lidhje familjare me banorët kryengritës dhe banditët arnaut të Gjakovës. Të gjitha përpjekjet turke, me shekuj ishin të kota në mbizotërimin e Gjakovës… Dhe tani, çdo gjë ndërroi.
Të ju them diçka me vlerë: “Të mbrosh çështjen kombëtare në opinion përmes mediave, kur të cënojnë integritetin, territorin e kombit, të mohojnë gjuhën apo historinë dhe kulturën e të parëve, është atdhetari dhe asnjëherë nacionalizëm e as lokalizëm”.
Mos të harrojmë ! Theodor Ippen ( para Konferencës së Londres, 1913) i shruante qeverisë së tij ( Austro-Hungarisë së Franc Jozefit ) për Gjakovën: “Ky qytet është qendra politike dhe ekonomike e malësorëve dhe këmbëngul edhe më shumë për ruajtjen e tij, pasi te këto fise shoh bastionin e natyrshëm shqiptar kundër ekspansionit serb” (telegram i dt. 1.2.1913).
Kurse Luigj Gurakuqi: “PO VEJË NË GJAKOVË, TË TAKOJË TË VETMIT ATDHETARË“ Mua nuk më mbetej gjë tjetër për të bërë përveç që të vejë në Gjakovë e të merresha vesh me atdhetarët e atjeshëm, të cilët qenë të vetmit që luftuan burrërisht e që mbrojtën gjerë në fund të drejtat kombëtare e që janë edhe sot gati të bëhen theror për atdheun tonë të dashur…”Trieste, 7 Shtator 1912 Luigj Gurakuqi”.
I shkrova këto thënje të njerëze me vlerë, jo fort largë nga e sotmeja, me një qëllim që të sinçertë dhe të shprehi habinë, se si u mashtruan shqiptarët nga propaganda qëllimkeqe që të krijojnë urrejtje ndaj shqiptarëve të besimeve tjera, që nuk ishin në shijen e Serbisë.
Ju kujtohen thënjet e politikanëve tanë fill pas luftës së 99-shes: “Boll ka kullotë Gjakova, tani ne jemi“ ( Ish Ministri i arsimit nga LDK Rexhep Osmani, Fatmir Limaj, Enver Hoxhaj Hashim Thaqi etj. ) Ku ishte qëllimi? Koha do të tregojë të vërtetën.
Pse mësuesit e Gjakovës ishin pishtarë të arsimit në Kosovë nga viti 1945 ? Nuk ka këtu pse, sepse ata ishin të shkolluar. Ata e kishin një dëshirë të zjarrtë atdhetare e donin Kosovën të arsimuar !
Ata edhe ia arrijtën qëllimit, në çdo qytet të Kosoves derguan mësues, në çdo fshat mësohej shqip. A ishte kjo e pëlqyer nga serbët ? Jo, aspak. Gjakoa qëndronte stoikisht në qëndrimet e veta, për kundër dhunës serbe.
Këto ditë doli libri i tretë i autorit Ragip Ballata “ Mësuesit e Gjakovës- Pishtarë të Kosovës.” një libër me vlera të mëdha për historinë e arsimit shqip në Kosovë. Libri është i punuar më përkushtim profesional si në aspektin metodologjik, ate strukturor, ashtu edhe nga qasja tematike-kronologjike…
Autorit i jam mirënjohës edhe për librat tjera të botuara më herët me tematikë për pishtarët e arsimit shqiptar:
“Mësuesit e Gjakovës, misionarë në trevat shqiptare” ( 2017 )
“Themelet e arsimit shqip në Gjakovë ( 1915-1918 dhe 1941-1945 )” 2018 “Arsimi shqip në Gajkovë dhe rrethinë (1945-1968). 2020
Prandaj ta duam njëri tjetrin dhe mos të bijmë në kurthën serbe !
Fahri Xharra, 04.11.21
Gjakovë