Ulqini, viktimë e politikës shtetërore e Mali të Zi

0
88
Dr. Nail Draga

Në periudhën tridhjetëvjeçare të pluralizmit në lidhje me raportët e pushtetit shtetëror ndaj Ulqinit, del qartë se kemi të bëjmë me viktimizimin e tij që dëshmohet me shkatërrimin e ndërmarrjeve ekonomike përmes procesit të privatizimit, papunësisë, emigrimit të popullsisë, pa investime nga buxheti shtetëror, ku e dhëna se për kokë të banorit në vitin 2020 është investuar 1 euro, dëshmon në mënyrë transparente injorimin e këtij mjedisi gjatë këtyre dekadave

Dr. Nail Draga

Pas ndryshimit të pushtetit në Mal të Zi qeveria e re ka mundësi të tregohet e kujdesshme për Ulqinin e jo si ajo e mëparshmja e cila nuk ka treguar interesim për investime e zhvillim të përgjithshëm, nga del se për 30-vite është komuna ma e pazhvilluar në bregdet, me emigrim të vazhdueshëm të popullsisë dhe me pagat me të ulta në vend(!), që është paradoks i llojit të vet duke marrë parasysh resurset me të cilat disponon ky mjedis, andaj i mbetet qeverisë se re të angazhohet në këtë drejtim për të ndryshuar dështimet e politikës qeverisëse vite me radhë ndaj këtij qyteti dhe banorëve të tij.

Investime si në vendet koloniale

Kur trajtohen tema të tilla vazhdimisht theksohen investimet kapitale për vitet përkatëse, duke dëshmuar me të dhëna statistikore si kudo në botën demokratike. Pikërisht në këtë aspekt kemi të dhëna që është vështirë të pranohen dhe të besohen kur ato janë publikuar për opinionin e gjerë.

E dhëna se në vitin 2020 Qeveria e Malit të Zi në Ulqin ka investuar 20.000 euro apo 1 euro për banorë paraqet skandal të llojit të vet, fyerje dhe nënçmim për popullsinë e kësaj komune.

Kemi të bëjmë me gjoja përkujdesje qeveritare që i ngjanë vendëve koloniale, apo të njerkës duke dëshmuar në praktikë strategjinë e „investimeve“ në nivel shtetëror. Një veprim i tillë i pushtetit ishte befasi së vazhdimisht në vitin zgjedhor janë bërë investime qofshin edhe minimale sa për të mashtruar elektoratin votues, ndërsa kësaj here mungoi një angazhim i tillë!

Më të votuarit shkatërruesit e Ulqinit(!)

Por, pavarësisht se nuk ka pasur investime kapitale, por edhe të dështimeve të pushtetit qendror në procesin e privatizimit në Ulqin për tre dekada, në zgjedhjet parlamentare (30.8.2020) qytetarët e votuan DPS-in me 4003 vota, më tepër së asnjëherë deri më tash në këtë komunë(!). E pse qytetarët e komunës së Ulqinit e votuan në këtë numër këtë subjekt politik i cili për 30-vite në pluralizëm ka shkatërruar të gjitha resurset ekonomike, ka rritë papunësinë e ka ndikuar në emigrimin e popullsisë mbetët çështje për analizë të veçantë.

Në pritje të ndryshimeve

Pas rotacionit të pushtetit në mënyrë demokratike, në zgjedhjet parlamentare(30.8.2020) qytetarët presin që Qeveria e re të ketë përkujdesje më të madhe ndaj Ulqinit, sidomos kur nënkryetari i saj D.Abazoviqi është nga ky qytet. Madje të gjithë janë të mendimit se ky është momenti që duhet shfytëzuar për investime kapitale në Ulqin, sepse kemi të bëjmë me individin në pozitën më të lartë deri më tash nga Ulqini në Qeverinë e Malit të Zi. Përveç investimeve kapitale duhet patjetër të rishqyrtohet procesi i privatizimit që këtu ka marrë permasat e plaçkitjes, ma tepër se në asnjë komunë bregdetare.

Rikthimi i Valdanosit shpresë për qytetarët

Procesi i rikthimit të Valdanosit, ish pronarëve legjitim me shumicë të votave nga shumica aktuale parlamentare (por pa votat e DPS-it) si dhe fillimi i dhënies së vendimeve pronarëve ditë më parë(20 tetor 2021) paraqet moment historik për Ulqinin. Dhe nuk ka si të jetë ndryshe sepse pronarët rikthehën në pronën e tyre pas 43 vitesh.

Kujtojmë me këtë rast se në mjediset tjera në Mal të Zi, ish pronarëve iu është kthyer prona por në Ulqin kishte pengesa byroktarike nga ana e pushtetit, sepse ndaj Valdanosit ekzistonin plane të ndryshme nga qeveritarët me oligarkët e ndryshëm nga vendi dhe bota e jashtme. Por, përfundimisht fitoi drejtësia, e cila u realizu vetëm kur u largua DPS-i nga pushteti, me 30 gusht 2020.

Pas Valdanosit, qytetarët presin që ngjajshëm të ndodhë edhe me kryporën, hotelet e Rivierës së Ulqinit(Galeb, Lido), ndërmarrjet e ndryshme (AgroUlqini, Otrantcomerc, Primorje, Ultep) etj.

Rasti K1-plaçkitje e pandëshkuar

Në veçanti duhet rishqyrtohet me një process të veçantë gjyqësor ish-Pushimorja e Sindikatave të Kosovës e njohur si K1, e cila ka zgjatur nga monizmi në pluralizëm(1983-2019), duke dëmtuar buxhetin e Komunës së Ulqinit me 6.5 milion euro, në sajë të akrobacionëve gjyqësore të Podgoricës. Kemi të bëjmë me një rast specifik të korrupcionit shtetëror i panjohur deri më tash ne procedurat gjyqësore në Mal të Zi, që do të mbesë shembull tipik për tekstet e studentëve te juridikut, se si plaçkitët një komunë e cila nuk është përgjegjëse për një veprim të tillë ndëshkues!

Ulqini i vetmi pa terrene sportive

Ndonëse me vite terreni sportiv, përkatësisht stadiumi i futbollit në Plazhin e Madh ka qenë në shfrytëzim nga klubi i fitbollit „Otrant“, ka vite që nuk përdorët sepse komuna e Ulqinit nuk është pronar i këtij mjedisi. Të ndodhur në situatë të tillë, futbollistët janë të detyruar të përdorin terren ndihmës për të zhvilluar ndëshjet. Jo vetëm se klubi i futbollit nuk ka terrenin e vet por mungon përkujdesja financiare nga buxheti i komunës, që ndikuan nga rënia në ligën regjionale. Ndonëse më herët është diskutuar se do të ndërtohet një palestër sportive, çdo gjë ishte premtim parazgjedhor duke mbetur zhgënjim për të rinjët sportdashës në Ulqin.

Kujtojmë me këtë rast se vite më parë në Tivar është ndërtuar qendra sportive e cila ka kushtuar 8 milion euro, me financim nga komuna(5 milion euro) e qeveria(3 milion euro), ndërsa në Ulqin kanë munguar nisma të tilla.

Në këtë aspekt mund të shërbejë si model qytetet tjera në Mal të Zi madje edhe Tuzi, ndonëse komuna u formatizu e pavarur në vitin 2019, ka arritur ta kompletoj stadiumin e futbollit, madje edhe me ndriçim publik.

Përfundim

Mbetët të presim projekt buxhetin për vitin 2022 për të parë se cilat do të jenë financimet kapitale në Ulqin, të cilat kanë munguar vite me radhë nga qeveria, sepse kur është në pyetje Ulqini nuk kemi të bëjmë vetëm me çështje ekonomike por edhe politike. Sepse nuk mund të shpjegohet ndryshe qendrimi përbuzës qeveritar vite me radhë ndaj popullsisë së kësaj komune.

(Nëntor 2021)