SA HUMBET DIBRA NGA HURDHA E SKAVICËS?

0
233
Ashiku - Skavicë - HEC

Sipas të dhënave të një statisticieni tepër të besueshëm

Abdurahim Ashiku
Abdurahim Ashiku

Fusha me pjellore e Dibrës padyshim nga vendet me prodhuese që së bashku me Maqellarën ishin vërtet një hambar jo vetëm drithi.

Në vitin 1990 kur u shemb sistemi kooperativist prodhoi 2258 ton drithëra, ama ka patur dhe vitin e mirë ta quajmë 1983 kur u prodhuan 4735 ton drithëra. Ishte kjo Luginë e Drinit që mbante edhe 3500 gjedhë, ku afërsisht gjysma e tyre ishin lopë e që prodhonin 600 ton qumësht, kur viti më i mirë ishte 1988 e prodhimi arriti 711 ton por edhe afro 140 ton mish…

Mbytja e fushës pjellore të luginës së Drinit të Zi, fushë që ka mbajtur me bukë e prodhime blegtorale ndër shekuj popullsinë e fushës dhe maleve të Dibrës është shikuar, si pikë e parë, si masë për mos përmbytjen e Shkodrës, si pikë e dytë si hurdhë uji zbrazja periodike e së cilës do të krijojë stabilitet në kaskadën e hidrocentraleve të Fierzës, Komanit, Vaut të Dejës dhe Bushatit dhe së treti si prodhim energjie elektrike shumica e së cilës do të shkojë për plotësimin e nevojave të Kosovës…

Asnjë zë, asnjë germë e shkruar publikisht, nuk është dëgjuar e shkruar për dëmin e jashtëzakonshëm natyrorë, për bukën që ka dhënë dhe jep ajo në shekuj nëpërmjet prodhimit bujqësor e blegtoral.

Por sa humbet Dibra dhe ekonomia shqiptare në këtë kohë që ka filluar (e nuk i dihet fundi) krize ekonomike, shtrenjtimit të drithit e të produkteve blegtorale?

Një përgjigje në facebook na e jep një ndër statisticienët më skrupuloz që ka punuar në Dibër (e që po përgatitet për një libër statistikor në shtrirje të gjatë kohore për mbarë trevën), Agim Kasa.

Agim Kasa, siç deklaron vetë, i thotë Po Skavicës kur e mat (sipas tij) me prodhimin e energjisë elektrike dhe stabilitetin në prodhimin e saj në hidrocentralet e kaskadës së Drinit. Ndërsa i dhemb ajo që në punimet statistikore të tij është pasuri e pazëvendësueshme për Dibrën.
Agim Kasa deklaron:

“Fusha me pjellore e Dibrës padyshim nga vendet me prodhuese që së bashku me Maqellarën ishin vërtet një hambar jo vetëm drithi. I kam thënë Po Skavicës megjithëse kjo fushe pjellore çdo vit jepte mbi 4000 ton drithëra. Në vitin 1990 kur u shemb dhe sistemi kooperativist prodhoi 2258 ton drithëra, ama ka patur dhe vitin e mirë ta quajmë 1983 kur u prodhuan 4735 ton drithëra.

Ishte kjo Luginë e Drinit që mbante edhe 3500 gjedhë, ku afërsisht gjysma e tyre ishin lopë e që prodhonin 600 ton qumësht, kur viti më i mirë ishte 1988 e prodhimi arriti 711 ton por edhe afro 140 ton mish. E do pyesni ju, ku shkuan këto prodhime se populli buke misri hante e mish e qumësht hiç e hiç. Te drejte keni, por tjetër gjë mendoj unë ….Ai prodhim nuk do te realizohet ndonjëherë.”

Kundërshtimi i mbytjes së Dibrës fatkeqësisht është larg intelektit dibran, larg argumentimit se me heqjen nga harta e prodhimit bujqësor të tokës ku burojnë të gjitha të mirat materiale njerëzore, të tokës që është mjeti më i pa zëvendësueshëm natyror, shuhet përgjithmonë burimi kryesor i ushqimit, burim që nuk zëvendësohet me asnjë burim tjetër.

Në bashkinë e Dibrës ka një drejtori bujqësie me specialistë me njohje të gjerë të luginës së Drinit të Zi e me dije shkencore të mjaftueshme për ti dhënë përgjigje pyetjeve që lidhen me vizionin bujqësor të Dibrës me e pa mbytjen e luginës, me e pa mbytjen e saj. Nuk kemi dëgjuar asnjë zë dhe nuk kemi lexuar asnjë shkronjë.

Specialistët që e duan profesionin e tyre nuk duhet të bëhen asnjëherë patronazhistë të shtetit për të ruajtur karrigen.

Në Dibër, në kodrën e Pollozhanit, ka një stacion meteorologjik nga më të vjetrit e sistemit të matjes së reshjeve, temperaturave, mjegullës dhe tregues të tjerë klimatikë. Lugina e Drinit është e njohur për mjegullat e dendura që vazhdojnë me ditë të tëra e në ditët e dimrit sjellin ngrica të padurueshme e jashtëzakonisht të dëmshme për shëndetin e njeriut dhe të gjallesave.

Sa do të ndikojnë mjegullat shtrirë mbi hurdhën e Skavicës për javë dhe muaj të tërë, verës dhe dimrit, në jetën e njerëzve që do të jetojnë në breg të liqenit?

Sa do të ndikojë mungesa e prodhimeve bio (që i zhduk Skavica) në kthimin e trevës së Dibrës në një ndër zonat malore më të vizituara nga turistët?

Ka shumë pyetje që kërkojnë përgjigje përpara se të nisë diga e hurdhës së Skavicës.
Shumë…

Dhe u takon intelektualëve dibranë të përgjigjen.
Druhem në një përgjigje pro apo kundër. Patronazhistët nuk e hapin dot gojën për ti thënë JO SKAVICËS. Pozicioni i tyre është mbi katër këmbë karrigeje që po të lëvizin thyhen…

Abdurahim Ashiku
2 nëntor 2021