ANALIZË E ROMANIT “LUGJET E VERDHA” TË SHKRIMTARIT PËR FËMIJË, REXHEP HOXHA

5
57943
Rexhep Hoxha - Lulet e verdha

Shkruan Prof. Zymer Mehani

Në romanin “Lugjet e Verdha” trajtohet një temë që nga aspekti kohor i takon lashtësisë. Në murinat e fshatit Arnjet, dikur shumë të bukur, por të rrënuar, të plaçkitur dhe të djegur në kohën e sundimtarit të ashpër dhe të pashpirt, Ballhutës, autori ka gjetur një temë të lashtë. Njëmend, gjurmët e atij fshati kanë mbetur vetëm në muze, por ato i tregojnë qartë njeriut të kohës sonë se aty kanë jetuar njerëz, sikurse jemi edhe ne dhe se jeta e tyre ka perënduar… Në mesin e banorëve të tjerë, në atë fshat të bukur, kanë jetuar edhe Bardheci e Ajkuna me shtatë çikat e veta e pa asnjë djalë.

Një ditë prej ditësh Bardheci e çon tufën në mal. Nga mjegulla dhe moti i lig, Bardhecit i humbin dhentë. Kot e kërkonte Bardheci tufën, sepse delet i kishte zënë Ujku Delengrënës, i cili do t’ia kthente delet vetëm me kusht që t’i jepte atë që do t’i lindte atë ditë në shtëpi. Duke menduar se do t’i pillte lopa, Bardheci e dha fjalën.

Por, atë ditë, Bardhecit i kishte lindur djali aq i dëshiruar. Edhe pse i pikëlluar, ai i mbetet fjalës. Djalit ia ngjet emrin Shpend dhe ia çon Ujkut Delengrënës.

Ujku delengrënës ia ngjet congël foshnjes e mbërthehet, tanë i gëzuem, për në strofkën e vet,. Shpendi është i vocërr, prandaj Ujku nuk është i kënaqur-sepse nuk ka ku t’ia ngulë dhëmbët.

Ulkonja dhe Qengjngrënësit e vegjël po ashtu nuk i bëjnë gjë Shpendit. Të gjithë presin që Shpendi të rritet dhe të majet, por ai qan e bërtet në strofkën e Ujkut…

Për këtë merr vesh Bishtkuqja Xinxare dhe lajmëron xinxaret e tjera. Bishtkuqja ishte e shpejtë si vetëtima, e kujdesshme si motër e mirë dhe e dëgjueshme sa s’ka. Bishtkuqja Natare, të cilën e dëgjonin dhe e nderonin të gjitha bishtkuqet dhe shpendët e tjerë, urdhëroi që ta ruanin dhe ta ushqenin Shpendin. Madje shkuan në Lugjet e verdha dhe e kërkuan nënën e pyllit-Erëmirën, e cila kujdesej për të gjitha gjallesat e varfra dhe fatkëqija të pyllit. Ajo, me bishtkuqet e tjera, vendosin që të bëjnë çmos për t’i ndihmuar Shpendit. Por, në momentin e fundit, Ujku Delengrënës ia çon zogun e njeriut Plakës Ugurzezë, që ajo ta ushqente derisa t’i mbushte pesëmbëdhjetë vjet e pastaj t’ia kthente që ta hante.

Jetë të vështirë dhe të keqe kalonte Shpendi tek Ugurzeza, duke jetuar në një qilar të hatashëm, të zi futë nga bloza, me mure të mbuluara me këmisha gjarpinjsh e bollash- sa të hynte tmerri në zemër vetëm po t’i shihje me sy. Shpendi ishte bujar dhe i mirë për çdokënd e pa fijen e smirës. Donte shokë dhe i gjeti. Edhe pse në fillim disa e ngacmonin, më vonë e pranuan në shoqërinë e tyre. Por, ai dallohej nga të gjithë. Ishte shumë më i ndjeshëm. Kur shokët e tij e varën Turrecen e zogjtë e saj mbetën jetimë, ai i ruante dhe i ushqente. Prej atëherë Shpendi u bë bamirës.

Një ditë, në pyll, me latushë në krah, Shpendi dëgjoi zërin e vajtueshëm të zogjve të Havakushës, që kërkonin ndihmë. Kur shkoi atje, një Gjarpër i madh e i trashë kishte zgjatur kokën dhe donte t’i kapërdinte zogjtë e Havakushës. Gjarpri ishte rreziku i tërë malit, synonte t’i shfaroste të gjithë shpendët dhe askush s’mund t’i bënte gjë. Shpendi e shtrëngoi zemrën, e rroku latushën dhe, me shpejtësi të rrufeshme e me tërë forcën që kishte, i ra Gjarprit mu në rruzë dhe e copëtoi. Kur u kthye Havakusha, duke menduar se Shpendi po kërcënonte zogjtë e saj, deshi ta sulmonte. Por, zogjtë i treguan se ai ishte shpëtimtari i tyre. Prandaj Havakusha e shpërbleu me një pendël të kuqe. Shpendi nuk i kishte shpëtuar zogjtë për shpërblim, por, që të mos e fyente dhuruesen, e mori pendlën. Më vonë pendla i ndihmoi shumë- sepse, me anën e saj, ai tash mund ta kuptonte gjuhën e shpendëve.

Kështu, njëherë dëgjoi Kicirubat duke kënduar për rrezikun që u kërcënohej dhe – i shpëtoi nga rreziku. Pastaj Kiciruba i tregoi se çka kishte nën krahë dhe shpendi gjeti aty plot gurë të çmueshëm, me të cilët do të mund të bëhej i pasur dhe i lumtur.

Por, Shpendi mori vetëm disa.
Një ditë, Shpendi takoi në rrugë Pëllumb Krahshkruarin, i cili e përshëndeti dhe i tha Të merr dorën para shpendëve-Fajkona, të kthesh sot tek ajo për drekë! Kur mbërriti në Prozhmën e Gjelbër, Shpendi u habit nga përgatitjet e mëdha, stolitë e bukuritë që kishin krijuar vetë shpendët artistë: këngët gëzimplote, orkestrinat, koret etj. Kurse në festën e mikpritjes ishin mbledhur të gjithë shpendët-pos atyre që bëjnë dëme.

Shumë gëzim u bë për nder të Shpendit-shpëtimtarit të zogjve të Havakushës. Mandej e dekoruan me katikun më të lartë të parisë së shpendëve, me Katikun e trimërisë.

Duke udhëtuar, Shpendi u ndal për të pushuar në një livadh, ku vite me radhë askush nuk kishte guxuar të ngulte këmbën. Bolla, shumë e madhe dhe e fuqishme, e kishte zënë atë livadh vetëm për vete. Tsh, Bolla u zemërua shumë nga guximi i Shpendit: as trima mbi trima nuk kishin guxuar të shkelnin në livadhin e saj, e ky tash kishte hyrë në livadh për të fjetur! Dhe-u përgatit t’i gjuhej me tërë forcën në shpinë. Por, shpendit, mu si flakë rrufeje i bie mbi fytyrë një Sqepkuq, e zgjon prej gjumit dhe përsëri fluturon e bie mbi mështekë. Shpendi frikësohet, por kur i vërsulet Bolla, pas një kacafytjeje të egër, e pret me latushën e vet dhe shpëton nga rreziku. Në këtë mënyrë, Sqepkuqi ia kthen të mirën shpendit, i cili e kishte shpëtuar një herë. Fshatarët gëzohen shumë kur dëgjojnë se Shpendi e ka mbytur Bollën.

Kërkojnë ta shpërblejnë, por ai shkoi në rrugë të vet.
Duke ecur Shpendi takon tre shokë, të cilët dinin të bënin mrekullira. Njëri kishte qenë rrogëtar, e zotëria si zotëri, ia kishte dhënë rrugën e madhe. Tash ai ndëgjonte çka po bahej në tokë e në qiell. Shpendi e merr me vete. Rrugës e takon një shok, forca e të cilit ishte mrekulli e madhe. Ai luante me bjeshkët: ia ngjitte bjeshkës me dy gishta dhe e gjuante prej një ane në tjetrën. Edhe këtë e morën me vete. Më në fund, hasën edhe në një shok, i cili u hukatte shkambijve dhe i ndizte flakë. Kështu Shpendi u bë vetë i katërti.

Të bashkuar, tash, katër shokët u nisën te Gjin Xhelati që, me njerëzit e vet, kishte prerë e vrarë kë kishte takuar. Ai donte t’i mbyste edhe këta,e sidomos Shpendin, i cili e kundërshtoi kur e pa se çfarë mizorish u bënte njerëzve. Por katër shokët e kapën dhe e mbytën Gjin Xhelatin dhe e shkatërruan strofullin e tij. Kështu, fshati shpëtoi nga Xhelati dhe shërbëtorët e tij, kurse fshatarët i kërkonin trimat që e kishin zhdukur Xhelatin, por ata ishin tretur në rrugë…

Mrika e vogël, e përlotur, u tregoi katër trimave ngjarjen e tmerrshme- se e gjithë krahina jetonte prej ujit që buronte rrëzë një mali pak më larg. Pa atë ujë, do të vdiste çdo gjallesë, do të thahej çdo bimë. Por, atje jetonte një Kulçedër, që e ndalte ujin derisa fshatarët t’ia sillnin një fëmijë për ta ngrënë.

Çdo ditë kishin vepruar ashtu e sot i kishte ardhur radha Mrikës së vogël dhe ajo tash, e tmerruar, e priste Kulçedrën. Shpendi me shokë u përgatitën dhe, kur doli kulçedra, ai që i ndizte flakë shkambijtë, ia lëshon hukamët e tij të zjarrta-huuu! dhe, për sa çel e mëshel sytë, ta banë hi e shpuzë Kulçedrën. Mrika e vogël shpëtoi, dhe aty e mbrapa ajo krahinë nisi me u shtue e me jetue në lumni.

Pas një udhëtimi të gjatë, katër shokët hasën në një qytet të çuditshëm me pallate të rralla e të mrekullueshme për zotërinj, e shumë kasolla të mbuluara me kashtë për njerëz të përvuajtur, të cilët po vajtonin në skamje. Zotërinjtë ushqeheshin sa s’bën më mirë dhe ishin të veshur për bukuri, kurse të tjerët shkonin zhangla-zhangla, të verdhë nga sëmundjet e ndryshme të shkaktuara nga uria. Zotërinjtë kishin gjithçka, kurse të varfrit s’kishin as bukë për të ngrënë! Të katër shokët shihnin qindra robër të zdeshur duke bartur gurë të mëdhenj për t’u ndërtuar pallate të reja zotërinjve. Shihnin lypës, këngëtarë lëmoshe, njerëz që kishin humbur këmbë e duar…E Shpendi, i prekur shumë, u jepte gati të gjithëve gurë të çmueshëm, që kishte me vete. Robërit u çuan në kryengritje.

Filloi përleshja e madhe. Zotërinjtë nisën të hakmerren në mënyrën më të përgjakshme, i dënonin tmerrësisht robërit.
Shpendi u jepte krah robërve, prandaj zotërinjtë donin ta zhduknin edhe atë. Tre shokët e tjerë e shtrënguan zemrën dhe i sulmuan zotërinjtë. Ai që luante me bjeshkë, e kapi njërin nga xhelatët dhe e gjuajti larg e larg. Ai që i ndizte shkëmbinjtë, lëshoi hukamat e zjarrin dhe të gjitha kështjellat e pallatet u dogjën flakë. Më në fund-në qytet dëgjohet kënga e fitores. Robërit lirohen e shokët e çuditshëm me Shpendin në krye e vazhdojnë rrugën.

Shpendi është gjithnjë bamirës. Fëmijët e zënë Zogun këngëtar dhe duan ta fusin në kafaz. Shpendi i bind ta lirojnë, e pasi Zogu ia jep këngës mbi një pip thane, Shpendi, i gëzuar, u jep fëmijëve nga një cirilak. Herën tjetër-Shpendi has në disa fëmijë, të cilët kishin zënë një këlysh të zi bushtre dhe e hidhnin e përplasnin për gjiri. Po ashtu disa fëmijë të tjerë i mundonin këlyshët: Galoshin, Bardhoshin e Trumoshin dhe Shpendi i shpëton dhe i merr me vete, kurse fëmijëve u jep cirilaka…

Kur kthehet në Grykën e Pishtahut, Ugurzeza e pret Shpendin me fjalë të rënda e sharje-sidomos kur ia sheh këlyshët, të cilët i ndjek me lograca, u bën zullum dhe një ditë i mbyll në kthinë me shtatë dryna.

Shpendi tash i kishte mbushur pesëmbëdhjetë vjet dhe Ujku Delengrënës priste që ta bënte të veten. Ai erdhi në pyll, ku Shpendi i ruante delet dhe i tregoi me kënaqësi gjakpirësi se e priste tërë jetën nga ajo ditë kur e kishte marrë nga Bardheci.
Shpendi, kur e merr vesh këtë, e mashtron Ujkun dhe ngjitet në majë të një lisi. I thërret qentë Galoshin, Bardhoshin e Trumoshin dhe ata i thejnë të shtatë drynat dhe Ujkun Delengrënës e bëjnë copa-copa. Mandej Shpendi ia tregon ngjarjen Gogës, por edhe kjo përpiqet ta helmojë dhe ta vrasë me dhëmbin helmues të Ujkut, të cilin ia futë nën shtrojë. Shpendi vdes dhe ajo e varros. Qentë besnikë ia gjejnë varrin. Por –si ta shëronin?

Dëgjojnë britmën e një korbi: Me gjakun tim mundet me u ngjallë ai i vorruemi! Trumoshi ia ngjet me shpejtësi si të erës, ia heq kokën dhe me gjakun e njomë e stërpik varrin e Shpendit, i cili ngjallet dhe drejtohet shpejt tek Ugurzeza. Prej së keqes vjen e keqja- i bërtet dhe e lyen me rrëshirë të pishës e ia fut flakën. Ugurzeza bëhet thëngjill. Mandej Shpendi shkon dhe i then drynat e odave të Ugurzezës dhe hyn për t’i parë zhbindat, për të cilët ajo fliste gjithnjë. Por çka të shihte! Nuk ishin zhbinda, por shumë gurë të çmueshëm. Sheh sa koprrace e ndytë kishte qenë Ugurzeza. I djeg të gjitha ato sende të hatashme të qilarit, mbush tarrçukun me një palë duq plot me gurë të çmueshëm dhe, bashkë me Galoshin, Bardhoshin e Trumoshin, niset për në Arrnjet, ku e presin me gëzim të madh nëna, babai, motrat dhe farefisi.

Megjithatë, siç e pamë edhe nga përmbajtja, ngjarja nis të qarkullojë nëpër binarët realë; katundi e ka emrin e vet Arrnjet, reale është edhe familja e Bardhecit dhe e Ajkunës, që kishin shtatë vajza e asnjë djalë; ëndrra e vetme e të shtatë motrave për të pasur një vëlla është e natyrshme; motrat çdo ditë kryejnë punët e ndryshme të shtëpisë, kurse Bardheci, babai i tyre për çdo mëngjes i lëshon delet në mal; ngjarja sikur shkëputet nga bota reale, atëherë kur Bardheci ia dërgon Ujkut Delengrënës djalin e tij të vetëm që i lind, vetëm e vetëm për ta mbajtur fjalën e tij të burrit. Dhe atëherë sikur mbizotërojnë elementet fantastike. Aktivizohen gjallesat e pyllit.

Në momente duket sikur dominon forca e fatiti. Veprimi bëhet dramatik. Ujku Delengrënës ia çon Shpendin-foshnje Plakës Ugurzezë, e cila në roman po ashtu do të mbetet gjer në fund simbol i tmerrit, i egërsisë, i dinakërisë, simbol i shpiritit të keq. Shpendi mbetet në mëshirën e saj.

Mirëpo Rexhep Hoxha do të vëjë shpejt njëfarë simetrie në karakteret e personazheve të romanit të vet. Ai do të përpiqet t´i balansojë tiparet pozitive dhe negative të tyre. Madje, e sheh të udhës t´i glorifikojë edhe të mirat e jetës dhe të natyrës; Shpendi nuk do të mbetet gjatë i vetmuar. Atij do t´i ndihmojnë e do t´i bëjnë shoqëri një varg qeniesh njomake: Bishtkuqja Xinxare, Erëmira-nëna e pyllit, Sqepkuqi etj, Kundruall tyre, do ta mbajnë gjallë ndjenjën e rrezikut: Ujku Delengrënës, Plala Ugurzezë, Bolla, Kulçedra, Gjin Xhelati etj. Dhe pikërisht, atëherë kur duket se ngjarja është larguar mjaft nga realiteti, Shpendi një ditë takohet me barinjtë e fshatit dhe veprimi përsëri materializohet, kristalizohet ideja dhe ndërlidhet sërish me njerëzit.

Midis elementeve reale dhe atyre fantastike në Lugjet e verdha megjithatë ekziston njëfarë drejtpeshimi dhe që të dyja këto janë manifestuar aq sa i duhet përrallës. Shkrimtari, edhe pse në realitet ka krijuar një roman, ai në të nuk ka pretenduar në asnjë çast t´i shmanget indit përrallor, që veprën e tij e përshkon tej e për tej. Veprimi në të herë merr ngjyrë fantastike, herë merr nuanca reale, dhe ky alternacion do të vazhdojë gjer në fund të romanit, kur pas shumë aventurash e peripecish, Shpendi kthehet përsëri në gjiun e tij familjar.

5 KOMENTE

Komentet janë mbyllur.