HYSË HASA, PËRURON TRE LIBRA PËR VENDLINDJEN, NË MUZEUN HISTORIK KOMBËTAR…

0
1077
Murat Gecaj, foto

(Në rreth 700 faqe dhe ku flitet për 350 veta)

Nga: Prof. Murat Gecaj, publicist e studiues

1.
Tashmë, edhe kolegu e miku krijues, Hysë Xhemali Hasa, në sallën kryesore të Muzeut Historik Kombëtar, në kryeqytet, e ndien veten si në “shtëpinë” e tij. Jo në një rast, aty ai ka ftuar të afërm, kolegë, miq e dashamirë të shumtë, në gëzimet e përjatuara, kur ka përuruar libra të botuar. Vërtet gjatë jetës ai ka shërbyer ushtarak i lartë dhe nuk është marrë me shkrime e botime librash, por ndryshimi i vendbanimit dhe jeta në pension bënë që ai të ulet e të shkruajë parreshtur.

Në vitin 2006 ai u vendos familjarisht në Filadelfia të Amerikës, ku menjëherë u radhit me bashkatdhetarët e vetë, në Shoqatën emërmirë, “Bijtë e Shqipes”. Por jeta në emigracion bëri që ai t’u rikthehej kujtimeve të jetës, që nga vegjëlia e deri në ditët e sotme. Nuk trajtoi ai tema “të mëdha”, por e nisi nga më e afërta, pra nga ato, që kishte mbresa e njohje më të shumta, nga vendlindja. Gëzimi i parë i tij, në këtë fushë, ishte kur u botua libri “Vila, pjesë e krenarisë lumjane”, dy vjet pasi ishte larguar nga Atdheu.

Pastaj mendja dhe dora e tij nuk rreshtën së shkruaari. Kështu, në vitin 2010 publikoi librin tjetër, “Midis emigrantëve shqiptarë, në Amerikë”. Kuptohet që këtu na bëri të njohur me punën e përpjekjet e bashkatdhetarëve tanë, në kontinentin e largët, në punë e veprimtari të ndryshme, për t’iu përshtatur sa më mirë jetës së re atje. I ngjashëm me atë libër ishte edhe “Nga Filadelfia, në Tiranë”, botuar në vitin 2011. Duke patur në qendër të vëmendjes jetën e kaluar në shërbimin ushtarak e ndjenjat e atdhettarizmit, në vazhdim, publikoi librat “Mes shokësh, në shërbim të Atdheut”(Tiranë, 2013) e “Kontribute atdhetarie”(Tiranë, 2015). Po në atë vit, pa dritën e botimit libri tjetër, kushtuar traditave të çmuara të malësorëve të krahinës së vendlindjes, “Dritare kohe, në mençurinë kuksiane”.

Sigurisht, këto botime u mirëpritën, si nga bashkëkrahinasit e tij, nga emigrantët shqiptarë në Filadelfia të Amerikës dhe më gjerë. Përveç përurimeve të tyre, u shkrua edhe në shtyp e në Internet për vlerat e tyre: njohëse, letrare e atdhetare.

2.
Vitin e kaluar, bashkatdhetari ynë Hysë Hasa erdhi përsëri në Tiranë e shkoi në vendlindje. Gjatë asaj kohe, takoi e bisedoi me mjaft familjarë, kolegë, miq e dashamirë. Me vete kishte edhe një bllok shënimesh, ku si ajo bleta punëtore shënonte ngjarje, dukuri, emra, fakte reale etj. Mblodhi edhe fotografi të shumta. Përsëri, kur u kthye në vendbanimin e tij, përtej Atllantikut, me mendje e zemër ishte gjithnjë në vendlindje. Këto ndjenja ai vazhdoi t’i shhprehte në letër e në kompjuter. Kaluan ditë, javë e muaj, si pa u kuptuar…Tanimë, para këtij autori prodhimtar ndodheshin dorëshkrimet e tre librave të rinj faqeshumë. Që prandej, ai bashkëpunoi me redaktorë e shtëpi botuese në Tiranë, që frytet e punës së tij të dilnin sa më mirë në dritë.

Ja, përsëri Hysa u rikthye në Atdhe duarplot. Para pak ditësh, ai lëshoi “kushtrimin” që të mblidhte në një tubim tjetër: familjarë, kolegë, miq e dashamirë. Në këtë festë të gëzuar, ai do t’u paraqiste atyre librat e rinj: “Personalitete ushtarake lumjane”, “Lavdi në përjetësi” dhe “Vlera intelektuale kuksiane-I”. Dhe, së bashku, nuk kishin pak faqe, por rreth 700 dhe, në to, autori flet për 350 veta të krahinës së tij.

Siç është njoftuar këto ditë edhe në Internet, kopjet e para të këtyre librave, në prani të disa kolegëve e miqëve, ia dhuroi kryetarit të Organizatës së Bashkuar të Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të Popullit Shqiptar (OBVL), Gjeneralit në pension, Rrahman Parllaku.

3.
Sot paradite, salla kryesore e Muzeut Historik Kombtar të kryeqytetit ishte tejmbushur me të ftuar, në prurimin e këtyre librave me mjaft interes, jo vetëm për lexuesit e asaj krahine, por dhe më gjerë. Sepse përmes tyre lexuesi, duke përgjithësuar, kupton e njihet me ngjarje e figura të nderuara, që i ka çdo krahinë e Shqipërisë. Për t’u njohur më nga afër me vlerat kryesore të këtyre tre botimeve, kishin ardhur familjarë të autorit, intelektualë të fushave të ndyshme, ish-ushtarakë etj., si nga kryeqyteti, por dhe nga Durrësi, Kukësi, Mirdita etj.

Tubimin përurues e çeli dhe e moderoi, mësuesi veteran Bilbil Billa Pastaj, me radhë, për vlerat e shumanshme të këtyre tre librave të rinj, të autorit Hysë Hasa, folën disa veta. Redaktori i librave, “Gjurmë personalitetesh ushtarake lumjane, nga Perandoria Osmane e deri në vitin 1944” dhe “Lavdi e përjetësi”, dr. Fejzulla Gjabri nënvizoi vlerat njohëse e dokumentare, të cilat i ka qëmtuar e na i ka dhën autori aty, me vërtetësi.

Pas fjalës së Neritan Kolgjinit, intelektual i fushës së medias e diplomacisë, në emër të Shoqatës së Shkrimtarëve e Artistëve të rrethit Kukës, përshëndeti kryetarja e saj, Vera Istrefi. Pastaj foli koloneli në rezervë, Mark Marku, që këta libra i quajti “epos për lirinë e atdhedashurinë”. Me interes të veçantë u dëgjua përshëndetja e komitetit drejtues të Shoqatës Atdhetare-Kulturore “Bijtë e Shqipes” (me kryetar Tajar Domin), në Filadelfia të Amerikës, të cilën e lexoi veprimtari i saj, Sami Zaimaj. Ndër të tjera, aty përshëndeteshin pjesëmarrësit në këtë përurim, gjenerali në pension dhe “Nderi i Kombit”, Rrahman Parllaku e gjenerali në pension, Kudusi Lame, si dhe tërë krijuesit kuksianë. Ndërsa librat e Hysë Hasës i çmonin si mesazhe të lirisë, atdhedashurisë e bashkimit kombëtar shqiptar.

Në vazhdim, rreth librit “Lavdi dhe përjetësi” foli shkrimtari, redaktori e botuesi, Izet Duraku. Librin “Vlera intelektuale kuksiane-I”, Qazim Laçi e cilësoi “krijim për lavdinë e përjetësinë”. Me nota vlerësuese në shumë drejtime, i çmoi librat e këtij autori edhe intelektuali dr.Naim Tota. Ndërsa prof. Shefqet Hoxha-“Mësues i Popullit”, librat që u përuruan i quajti “enciklopedi njerëzore e krahinës së Kukësit”.

Siç është bërë praktikë e veprimtarive përuruse, në mbyllje foli autori i tre librave të rinj, Hysë Hasa. Ai i përshëndeti dhe i falënderoi përzemërisht, si folësit, por dhe gjithë pjesëmarrësit në këtë tubim mbresëlënës. Po kështu, i përshdeti kolëgët e Shoqatës “Bijtë e Shqipes”, në Filadrelfia të Amerikës, të cilat ndihmuan në botimin e këtyre librave. Pastaj, ai u shpreh: “E kam vlerësuar dhe do ta çmoj lart se, të shkruash për vlerat njerëzore dhe intelektuale të krahinës tënde të vendlindjes, besoj që i bëjmë një shërbim ta madh pasurimit të historisë krahimore e asaj kombëtare, gjë për të cilat brezat e ardhshëm do të jenë krenarë, me të parët e tyre. Me shumë sinqeritet shprehem para jush, se vërtet jam larg fizikish, por mendja e zemra ime rrahin në çdo kohë, ndërmjet jush”.

Duke u ndarë e përshendetur dhe uruar autorin e tre librave të përuruar, pjesëmarrësit bënë fotografi të përbashkëta, të cilat do të jenë një kujtim i paharruar për ta. Por, gjithashtu, shprehën besimin se, kolegu e miku ynë i përbashkët, Hysë Hasa nuk do të rreshtë së shkruari dhe përsëri do të na bashkojë, në tubime të tilla mbresëlënëse.

Tiranë, 2 tetor 2016