Akademiku Apollon Baçe ka një pikëvështrim krejt të veçantë teksa analizon situatën në PD dhe në të gjithë politikën shqiptare. I ftuar në emisionin “Dekalog” të gazetarit Roland Qafoku në RTSH24, Baçe vlerëson që aktualisht politika shqiptare ka krijuar një cikël të mbyllur, që nuk pritet të ketë zgjidhje.
Sipas tij, vërtetë synimi është që të largohet Edi Rama nga pushteti, por atë nuk e largon dot Lulzim Basha. Ama nga nga tjetër Bashën e largon vetëm Berisha dhe vetë Berisha nuk e largon dot Edi Ramën.
Një cikël që ngjan me fabulën e një filmi me bujtësin e një hoteli, që pagoi për të qenë sa më rehat, por që gjithçka niste nga e para. Më poshtë analiza e akademikut dhe e ish-gazetarit të “Deutsche Welle”.
“Nuk kam një iluzion të veçantë për Sali Berishën. Ka një subjektivizëm në këtë aksionin e tij. U hoq Topalli, u hoqën të tjerë, u dogjën mandatet dhe Berisha nuk u ndje fare. Filloi të ndjehet në momentin kur u prek vetë ai.
Si korrespodent i “Deutsche Welle”, e njoh shumë mirë luftën e Bosnjes dhe di të them që kemi shitur mortaja. As për “Foltoren” nuk kam ndonjë iluzion të veçantë. Ata që shikon në “Foltore” janë kryesisht militanë dhe kjo ndodh ngaqë tek neve jemi viktima të një fenomeni.
Është një autobus që ka vend për 50 vetë ndërkohë që 100 vetë janë duke pritur në stacion. Në këtë autobus ose do hipin militantët e PS-së, ose do hipin militantët e PD-së. Domethënë në këtë mes nuk është vetëm idealizmi. Domethënë ka të bëjë edhe ana praktike.
Sot jemi në një gjendje të tillë: Basha thotë këtë që 95 për qind e anëtarëve të PD janë me të, gjë që për mua rezulton krejt e kundërta. Në rast se vetëm ata që kanë marrë pjesë në “Foltore” janë 10 për qind, të paktën të thoshte 90 për qind, atëherë Basha le ta mbledhë vetë Kuvendin e PD, nga i cili 95 për qind e PD votojnë për të dhe nga ku Kuvend do dalë më i fortë.
Ne sot jemi në këtë pikë: Nëse nuk largohet Rama, Shqipëria zhbëhet për 4-5 vjet. Basha nuk e heq dot Ramën. E ka treguar disa herë që nuk mund ta heqë dot.
Që të hiqet Rama duhet të hiqet Basha. I vetmi që mund të heqë Bashën është Berisha. Këtu fillon një cikël i mbyllur. Është si një film që kam parë dikur.
Dikush shkon një një hotel që kushtonte 20 dollarë dhe një hotel tjetër që bënte 100 dollarë. I pyet se si i kishin kushtet. Përgjigjja ishte se ishin njësoj. Atëhërë ky shkoi te hoteli që kushtonte 20 dollarë. Por natën nisi ta shqetësojë një mi, që bënte kërr-kërr dhe prej tij nuk po flinte dot gjumë.
U ankua te recepsioni, por mori përgjigjen se duhet të pagunte edhe 50 dollarë që ta hiqnin miun. Fusin një mace në dhomë dhe miu iku. Dhe kështu vijoi, vjen qeni ikën macja dhe për ta zgjidhur fusin elefantin në dhomën e tij. Bujtësi ankohet përsëri duke u thënë se me elefantin në dhomë nuk mund të qendrojë dot dhe jo më të flejë. Atëherë i thonë se duhet të paguante edhe 200 dollarë.
Ai i pagoi 200 dollarë dhe ata fusuin miun, i cili detyroi që elefanti të ikte. Edhe situata në politikën aktuale i ngjan këtij filmi. Jemi në një cikël që nis nga fillimi dhe nuk ka zgjidhje.
Unë nuk do ta shikoja Berishën si miu, por kundërfigurën e Bashës. PD ishte bërë si këneta që nuk lëvizte asgjë. Kemi një kryetar që në mënyrë subjektive bën listat që do. Në mënurë subjektive merr, heq dhe shkarkon të tjerë nga janë dhe nuk janë.
Është një parti, e cila derisa nuk ka demokraci për veten e saj, padyshim që nuk mund t’i japë demokraci popullit. Për mua, ana pozitive e tërë këtij procesi është që PD ka filluar të shkundet.
Kam ndjekur Bujar Nishanin. Më është dukur shumë llogjik në atë që thotë në linjën e vet, kur thotë duhet të rregullohet mekanizmi. Mekanizmi statutor duhet të ndryshojë. Të bëhet një statut, që duhet dhe të zbatohet ky statut.
Për mua nuk duhet të jetë kryetar i PD-së as Basha, e as Berisha. Duhet dikush tjetër. Bujar Nishani, Dritan Shano, ose edhe dikush tjetër për mua duhet një parti, që të përmbyset dhe të punohet qilizëm dhe të ketë një statut që ta zbatojnë.
Aristoteli thoshte për Apolloninë se ishte qytet-demokraci, se kishte ligje të mira, që zbatoheshin mirë. Në komunizëm ne kishim ligje shumë të këqia që zbatoheshin shumë mirë. Tani në demokracinë e quajtur kështu kemi ligje shumë të mira që zbathen shumë keq”, tha ai.