Pazare politike dhe biznes në perzgjedhjen e ambasadorëve!

0
72
Donika Gervalla

Shkruan: Florim Zeqa, 12.10.2021

Është krejtësisht e pajustifikueshme neglizhenca e Qeverisë së Kosovës, gjegjësisht e Ministrisë së Punëve të Jashtme në emërimin e ambasadorëve të rinjë, e cila ka shkaktuar dyshime të bazuara tek qytetarët për manipulime me qëllime korruptive dhe jo vetëm. Lënja e posteve vakante të ambasadorëve në më shumë se gjysmën e përfaqësive diplomatike, e ka dobësuar pozicionin e Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe ka lënduar imazhin e shtetit tonë në botë.

Pak më tepër se papërgjegjësi shtetërore

Përderisa Serbia po lufton me të gjitha mjetet për tërheqjen e njohjeve dhe zhbërjen e shtetësisë së Kosovës, ne me dorën tonë, e dobësuam pozicionin e shtetit me (mos)përfaqësimin e Kosovës në botë, duke i lënë më shumë se gjysmën e përfaqësive diplomatike pa ambasador dhe konsuj, vetëm me ushtrues detyre!

Ministria e Punëve të Jashtme, paraprakisht shkarkimit të ambasadorëve është dashur ta ketë një planë të hartuar mirë për zëvëndësimin e tyre të shpejtë, e jo të zvarritet me muaj emërimi i ambasadorëve dhe konsujve të rinjë!

Ministria e Punëve të Jashtme në mbledhjen e Qeverisë më 30.06.2021, përkatësisht zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi kishte paralajmëruar se janë në proces të emërimit të ambasadorëvë të rinjë…!

Pas kësaj deklarate, secila vonesë duhet ta ketë një shpejgim të arsyeshëm dhe të argumentuar, e jo të heshtet përballë kërkesave të kohës. Qeveria e Kosovës, në veçanti Ministria e Punëve të Jashtme dhe Presideca duhet të jenë më aktive dhe më këmbëngulëse në emërimin sa më të shpejtë të ambasadorëve të rinjë për plotësimin e posteve vakante, për t’u dëshmuar para miqve tonë dhe më tepër se kaq, para armiqëve të Kosovës, se jemi të zotët të mbajmë shtet, e jo të sillemi me kaq indiferencë karshi kësaj situate paradoksale, me 21 përfaqësi diplomatike pa ambasador dhe pa konsuj fuqiplotë.

Kur shteti kthehet në funksion të interesave personale

Deri më tani, përveq spekulimeve mediatike, nuk e kemi asnjë emër të konfirmuar për ambasador nga Ministria e Punëve të Jashtme!
Mbase pushtetarët janë duke e pritur përfundimin e zgjedhjeve lokale, që i bie kah fundi i Nëntorit apo në Dhjetor, për të dalur publikisht me emrat e ambasadorëve të rinjë, por dyshimet janë që, si nga ana e Qeverisë, ashtu edhe nga ana e Presidencës, janë duke u bërë pazare politike në emërimin e ambasadorëve të Kosovës në vendet e ndryshme të botës.

Pra, vonesat në emërimin dhe në dekretimin e ambasadorëve të rinjë nuk janë produkt i kritereve profesionale siq po aludojnë pushtetarët, por janë produkt i pazareve që po bëhen në rastet e përzgjedhjes së tyre, për shkak se më së paku vijnë në shprehje kriteret profesionale, pasi emërimi i ambasadorëve bëhet kryesisht sipas lidhjeve nepotike dhe politike, kurse ata që nuk janë pjesë e klientelave partiake, duhet ta përmbushin kriterin “kush qet në def më shumë”.

Pa dyshim, se vonesat në emërime do të shkaktojnë probleme zingjirore; zvarritje të lobimit për çështjen e liberalizimit të vizave, për sjelljen e njohjeve të reja dhe lobimin për integrim sa më të shpejtë të Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Mungesa e ambasadorëve ndikon negativisht edhe në politikën e jashtme, për shkak se, duke pasur mungesë të ambasadorëve, do të kemi mungesë të lobimit për çështjen e njohjeve, të vizave e të integrimit të Kosovës në BE, OKB dhe në organizata tjera ndërkombëtare, si në UNESCO dhe INTERPOL.

Në fund vjen konstatim logjik, vonesat në emërimin e ambasadorëve nuk janë në interesin e shtetit dhe mërgimtarëve (qytetarëve), por shteti është kthyer në funksion të interesave personale të politikanëve në pushtet. Nuk ka si të jetë ndryshe, kur kaq shumë probleme na dalin dhe kaq shumë gjatë vonohemi në përzgjedhjen e ambasadorëve. Shtrohet pyetja, sa kohë do të na duhet që t’i bindim shtetet mosnjohëse ta pranojnë pavarësinë e shtetit tonë?!