VIRTYTET E MALËSORËVE DHE LIGJËRIMI NË “LAHUTËN E MALËSISË” TË GJERGJ FISHTËS

0
214

Fishta mrekullohet me karakterin madhështor të malësorëve, me besën, bujarinë, burrninë, trimninë dhe atdhetarinë e tyre

“Kush e ka lexuar “Lahutën” kur e botoi Fishta, si dhe gjithkush që e lexon sot, pavarësisht se kanë kaluar dhumë vjet qysh atëherë, mrekullohet e krenarohet me virtytet e malësorëve (në fakt të krejt shqiptarëve) që përbëjnë indin e poemës madhështore, si bujaria, burrnia, trimnia apo gatishmëria për t’u fl ijuar për atme e doket e të parëve, urtia, maturia në marrjen e vendimeve, të cilën shpesh e thotë në formën kadalia, si në të folmen e Malësisë, besa e pathyeshmëria e fjalës së dhënë.“

NGA AKADEMIK GJOVALIN SHKURTAJ

Para se të ulesha për të shkruar disa fjalë e vlerësime për virtytet e malësorëve dhe ligjërimin në “Lahutën e Malësisë”, m’u desh t’i shtroja vetes pyetjen se a thua ka mbetur gjë pa u thënë për këtë mjeshtër të epikës shqiptare dhe, natyrisht, çfarë kumti (në mos të ri, së paku të përtërirë), mund të sillja sot këtu në këtë log studiuesish, që po i blatojnë lavde e poni meritore Apës së letrave shqiptare me rastin e 150-vjetorit të ditëlindjes.

Së pari, e kryekreje, gëzohem që ato që kam pohuar më parë për atdhetarinë e Fishtës dhe për mëtimet e tij mirëfi lli kombëtare shqiptare, që e kanë nxitur në krejt shkrimtarinë dhe veprimtarinë e tij, përkojnë e përputhen me ato që janë shprehur nga studiues të tjerë, më të vjetër, po edhe nga shumë të rinj, të cilët, në emërues të përbashkët kanë vlerësimin se “të flasësh për Fishtën është njëlloj si të flasësh për punët e Shqipërisë, për punët e saj të hershme, për punët e saj të vona, për punët e saj të sotme.”

Vitet e mbrame të shek. XIX dhe sidomos dhjetëvjeçari i parë i shek. XX shënojnë edhe “pikën e vlimit” të veprimtarisë së gjithanshme të Gj. Fishtës dhe ai vihet në radhët e para të përpjekjeve për liri e pavarësi kombëtare, në krye të punës madhore për njësimin e alfabetit të shqipes, duke kryesuar komisionin përkatës në Kongresin e Manastirit (1908), po edhe si zë shumë i fuqishëm nxitës i malësorëve të Malësisë së Madhe që kërkonin shpalljen e pavarësisë nën udhëheqjen e Ded Gjo Lulit “Nderi i Kombit”. Fishta në “Lahutë” shkruan për Deçiqin, ku siç thonë historianët “u krye simbolikisht parathënia e Flamurit të Vlonës”.

Mbi këtë fakt madhor e atdhetar shqiptar të Poetit të shquar, me rastin e 100-vjetorit të shpalljes së pavarësisë dhe vendosjes së bustit të Ded Gjo Lulit në qendër të Tiranës, një nga rapsoditë e reja thotë:
“Bjen lahuta e Malsisë/në krye të vendit
ja ka nisë/ Për herë të parë në Brigje të Hotit/
At Gjergj Fishta nier i Zotit/ me në krye Ded
Gjo Lulin/ në Deçiq ngritën fl amurin/Gurakuqi
burri i burrit,/Në krah të djathtë të Ded Gjo Lulit.”

Gjergj Fishta e njohu mirë dhe e deshi Malësinë e Madhe, shkroi për bëmat trimërore e bujarinë e malësorëve një nga poemat më të bukura të letërsisë shqiptare, këndoi në kryeveprën e vet hapësirat e gjera të urtësisë, trimërisë dhe bujarisë proverbiale të malësorëve, duke pohuar e fi ksuar në vargje lapidare krenarinë dhe atdhetarinë e fl aktë të malësorëve të Hotit e të krejt Malësisë së Madhe. E, mbi të gjitha, siç ka shkruar edhe konti Lamartin: “E vetmja gjë e pandryshueshme tek shqiptarët është pasioni i tyre për pavarësi dhe lavdi”.

Dhe këtë Fishta nëvargjet e “Lahutës” e pohoi dhe e përthekoi aq bukur duke përmendur me emra e mbiemra gati të gjithë trimat e burrat e urtë të Malësisë, aq sa kur e lexon poemën të duket se shtegton e shkon derë më derë e shpatinë më shpatinë bashkë me bijtë e bijat e Hotit, të Grudës, të Trieshit, të Kastratit, të Kelmendit, të Shkrelit dhe madje të Shalës , të Mirditës etj. dhe duke u dhënë bëmave trimërore dhe qëndresës atdhembrojtëse të malësorëve të Mbishkodrës një karakter mbarëshqiptar e mbarëkombëtar. Po edhe Malësia e ka dashur dhe e do shumë Patër Gjergjin, Poetin zemërvalë e françeskanin erudit, poemën e të cilit këngëtarët e Malësisë e kanë kënduar dhe e këndojnë me lahutë në dasma, festa e gëzime.

Gjergj Fishta, i njohur, i adhuruar dhe i përmendur në Malësi si “Patër Gjergji”, ndonëse qe i lindur në fushë, në Fishtën me dhe të butë e të njohur si vis me bujq të urtë e të përvujtë, pati lidhje të forta shpirtërore me Malësinë e Madhe, me Brigjen e Hotit, ku ai edhe shërbeu do kohë si meshtar, po edhe me krejt “malet” e Mbishkodrës, prej të cilave ai mori edhe “indin” e kryeveprës së tij “Lahutës”, po edhe u dashurua me krejt sa zbuloi në jetën, bëmat trimërore, bujarinë e pakundshoqetë Malësisë dhe me mendësinë e ligjërimin e malësorëve, duke iu qasur sidomos onomastikës së asaj zone, emrave të vendeve e të njerëzve, hetoi zbunimet dhe nofk at e shumta, që aq me denduri e me efekt i përdornin malësorët në të folmen e në këngët e tyre dhe, shpesh, atë mënyrë të foluri, do ta
përdorte edhe në vargjet e kryeveprës së vet, “Lahutës së Malcis”.

Së dyti, natyrisht, m’u desh të bëja një rishqyrtim e rivlerësim të atyre që kisha kumtuar e shkruar kohë më parë për gjuhën e Fishtës e veçmas për sa nden ai te “Lahuta e Malësisë” dhe, ndonëse “të shprishura” në përmbledhje a revista, janë një sasi e konsiderueshme faqesh me shqyrtime e vlerësime, të cilat, ndërsa doja të thosha ndonjë gjë krejt të re, më vlejtën për t’u mbajtur mbi to dhe, siç e do rasti i sotëm, të bëja vetëm ndonjë shtesë a plotësim, disa saktësime e tëhollime të vëna në boshtin e temës “Virtytet e
malësorëve dhe ligjërimi në “Lahutën” e Fishtës“.

Në veprën e Fishtës gjejmë tri lloj leksemash dhe kuptimesh e formash gjuhësore:
1) të njohura dhe të përdorura edhe më parë nga autorët veriorë apo në folklorin e botuar e të ditur;
2) të njohura, por që nuk ishin përmendur a përshkruar në ndonjë punim dialektologjik, dhe që, si të tilla, duke na u dëshmuar në veprën e Fishtës ato, përveç vlerave mirëfi lli stilistike që kanë brenda saj, janë edhe shumë të mirëseardhura e të përfi llshme për kërkimet gjuhësore, veçanërisht për ato dialektologjike e leksikologjike;
3) që nuk njiheshin dhe nuk ishin vënë re në ndonjë punim dialektologjik dhe, si të tilla,
sigurisht, meritojnë një vëmendje të posaçme.

At Gjergj Fishta

Të tria këto shtresa, natyrisht, në veprën e Fishtës gërshetohen, përmbruhen e ndërliqen në indin e në tërthoret leksematike prej gurrash të ndryshme, krahinore e barëkombëtare, në një mënyrë shumë origjinale e në funksion të përft esave e ngjyresave stilistike dhe për arsye të rimës, ritmit etj., ku aq shumë shquan mjeshtëria e poetit tonë. Në mënyrë të veçantë Fishta u ka bërë vend fjalëve dhe togfjalëshave që lidhen me virtytet e malësorëve, si besa, bujaria, burrnia, trimina, urtia etj.

Le të kujtojmë, ndër të tjera, vargun: „Por i urti kurrë nuk ngutet,/Prej burrnijet e jo prej tutet…“ (LM.f.40) Kush e ka lexuar “Lahutën” kur e botoi Fishta, si dhe gjithkush që e lexon sot, pavarësisht se kanë kaluar dhumë vjet qysh atëherë, mrekullohet e krenarohet me virtytet e malësorëve (në fakt të krejt shqiptarëve) që përbëjnë indin e poemës madhështore, si bujaria, burrnia, trimnia apo gatishmëria për t’u fl ijuar për atme e doket e të parëve, urtia, maturia në marrjen e vendimeve, të cilën shpesh e thotë në formën kadalia, si në të folmen e Malësisë, besa e pathyeshmëria e fj alës së dhënë.

“Jo,qi ka aty burra tjerë/Bajraktarë, Krenë e Beglerë,/qi për fjalë e për urti,/për trimni, për bujari/nuk ia lëshojnë vendin kurrkujë /as n’Shqipni, as ndër të huejë.” (LM.f.102) Kurse për Avdyl Frashërin, të cilin e përshkruan më epitetet më të epërme, ndër të tjera, vlerëson edhe faktin “qi po folka ashtu pa u ze,/ herë tue matë, mandej tue pre:/qi prandej njatë fj alë qi e fl et,/ Mreti as Krajli nuk e shkëlet.” (L.M.f.102-103).

Virtytet e malësorëve Fishta i quan, në fakt, të krejt shqiptarëve dhe, në Lahutë, shpesh, kur prmend besën e quan “besë shqiptare”: “Dil e piqu n’Haxhi Zekën;/grish Kosovën, bashko Rekën:/ lësho kushtrimin n’Toskë e n’Gegë, /mblidhnju tok si kokrrat n’shegë…
edhe lidhë me besë shqiptare, /bini shkjaut ju fulikare.” (LM.f.94)

Ndër cilësitë apo virtytet më të larta të heronjve të lahutës është shqiptaria, të qenët shqiptar, të qenët besnik i gjuhës dhe i zakoneve shqiptare. ”S’i lamë marre Shqiptarisë,/ ku t’jetë puna e trimënisë /përse mbarë lekët e Malësisë, /shk’a’m’shtatë e shtatëdhdhetë vjet,/ dijnë me dekë për dhe t’vet./Pa m’u ngjeshë për shtat xhubleta,/s’i baj Knjazit tungjatjeta!/Por t’flasë Çuni, bajraktari, /fj alëve t’tija i rri ma i pari.” (LM.f.150-151)

Nektari i urtisë dhe i virtyteve malësore në “Lahutë”

Vepra “Lahuta e Malcis” e Gjergj Fishtës është e lidhur fort ngusht me malet e shkrepat e Shqipërisë Veriperëndimore, vend që historikisht ka përbërë një shteg pretimesh e dyndjesh të hordhive pushtuese, qoft ë të ardhura nga Anadolli për të kaluar në brendësi të Ballkanit e më tej, qoft ë edhe nga brenda Evropës për të dalë në fushat bregdetare të Adriatikut tonë, të cilat kanë qenë, sidomos, në lakminë e Cernogorës fqinje, që kurrë s’ua ka reshtur prapashpinat e të këqijat malësorëve e krejt Shqipërisë Veriore.

Në kishën e Brigjes në Rapshë të Hotit, në atë pllajë që e rreh murrlani e styma dimër e verë e ku misri e thekra mezi kallohen nga thatësira, Atë Gjergj Fishta, ndonëse ndenji për pak kohë, pati rastin të njihte burra të mëdhenj në zemër e në bëma, njerëz të thjeshtë e pa shkollë, por që, me përvojën e dijen e trashëguar nga të parët, nga mendtarët e urtakët e atyre anëve, ia të hollonin kuvendin si të ishin të diplomuar në shkollat më të rrepta të Evropës.

Fishta, i lindur në fushat e buta të Zadrimës, ku gjindja i vihen fort punës në ara e lavra, që u vjen aq ndoresh, si për perimet e pemët, ashtu edhe për drithërat e bukës e prodhimet e tjera të shumta, ku burrat janë disi më të përvujtë e ca më të ndruajtur se malësorët, çka u shkon përshtat viseve fushore, në Malësinë e Madhe, përkundrazi, do të gjendej i rrethuar nga Lekët e Hotit, krenarë e bujarë, po edhe të ashpër e zullumqarë, të gjatë e të zhdërvjellët si atletë, të qëndrueshëm e të fortë si shkëmbi, njerëz që, siç do të thoshte për ta Eqrem Çabej, duket se jetojnë më fort me ajrin e pastër që thithinsesa me ushqimin e pakët që hanë përditë.

Aty ai do të njihte Marash Ucin e Uc Mehmetit, njeri i njohur për mend po edhe për trimëri, që kur vjen puna për fatin e atdheut, mund t’i bjerë edhe detit më këmbë; do të dëgjonte se si këndohej për Oso Kukën e djemtë e tij të pakundshoq, që e shoqëronin: Kaçel Dodën e Kerrni Gilën; do të kalonte net të shumta dimri duke dëgjuar çka thoshin malësorët për prijsat e tyre: Çun Mulën e Ded Gjon Lulin; do të merrte shënime se si përmendeshin për mirë ajka e djelmënisë malësore që kishin flijuar rininë e tyre për atdhe e për nderin e kombit shqiptar. Në ato rrasa të bardha të Brigjes së Hotit, në Kushe e në Bjeshkët e Jugomirit, ashtu si kudo në anët e Malësisë sonë të Madhe, në Grudë e Triesh apo në Kojën e Kuçit, në Kastrat e Shkrel, Fishtës do t’i dilnin përpara të njëjtat pamje madhështore të një epike që kishte edhe një rekuizitë etnografike nga më të bukurat e më spikatëset ndër trevat shqiptare.

Kush nuk ka parë vallet e logut e dasmat malësore, kush nuk ka shijuar etnografinë e paradës së bukurisë së gruas malësore në logun në oborr të kishave pas meshës në ditë të diela e në festa të mëdha, nuk mund as ta imagjinojë se çfarë kanë përfaqësuar e përfaqësojnë traditat, virtytet e shpirti malësor në etnogjenezën e shqiptarëve. Malësia e Madhe ka qenë gjithmonë visar shqiptarie, gurrë e pashuar e shpirtit të bardhë dhe e dëshirave për ditë të mira. Ani pse, jo gjithmonë ka mundur t’i realizojë ato.

Në mënyrë të veçantë Fishta hetoi madhështinë e stilit dhe pasurinë e gjuhës së krijimeve të letërsisë gojore, sidomos të epikës, e cila e degëzuar në nënlloje, jetonte në gojën e shumë këngëtarëve të moshave të ndryshme.

Gjergj Fishtën, këtë poet të ndjeshëm e njeri erudit, ato çka pa e përjetoi në malet tona, me siguri, edhe do ta kenë befasuar, sepse nëpër fusha doket e zakonet e moçme qysh aso kohe kishin filluar disi të mekeshin; atij do t’i jetë dukur se ndodhej bash në djepin a vatrën e eposit të kreshnikëve. Rapsha e Hotit, në një farë mënyre, ishte për të Jutbina e Mujit dhe e Halilit.

Ai gjeti aty burra që ishin si drangoj në luftë, po edhe të urtë e të shtruar në kuvend, gjithmonë me armën mbushur, po edhe bukëdhënë e bujarë në sofër, katërqind okësh në besë e në fjalën e dhënë, katërqind okësh në shqiptarizëm; të përkorë e të vobektë deri në skamje, por gjithnjë të paepur e të vetëpërmbajtur, gjindje që ngopet me pak e që kurrë nuk jepet pas kafshatës, prandaj s’ia kanë zili askujt pse Zoti i ka dhënë më shumë pasuri e të mira. Kurrë nuk grabisin e nuk vjedhin, por edhe nuk të falin po ua preke atë që u përket. Mjerë kush i ka ngarë e kush i nget ata pa të drejtë! Ashtu siç thotë edhe fjala e urtë e këtyre anëve: ”Mos i nga grêthat me krânde, se nget të zezën tânde!

Siç pat shkruar Ernest Koliqi: “Tue lexue Lahutën… të duket se je tue vështrue popullin shqiptar kah i këndon vetvedit, me fjalët e Fishtës, ma të kulluetën kangë, e cila shpërthen nga nji gjak misterioz që rrjedh në zemër të tij ilire” . Kjo është arsyeja pse ndër malet tona “Lahuta” e Fishtës u mësua përmendsh, pse në log të kishës e në mbledhje të bajrakut, me lahutë në dorë, këngëtarët përshtatnin atë që kishin trashëguar nga rapsoditë e kreshnikëve me ato që kishte thurur për ta Atë Gjergji dhe, për gëzimin e nderin më të madh që mund t’i blatohet një krijuesi, emri i Fishtës kthehej nga një emër i përveçëm në emër të përgjithshëm.

Shumë nga këngët e “Lahutës”, edhe në vitet kur emri e vepra e tij ishin ndaluar të ziheshin me gojë, këndoheshin normalisht si “kâtk lavdet” (këngë lahute) në Kelmend, në Shkrel e në Kastrat, në Hotin e këndej- dhe të përtej kufirit, ashtu si edhe në Grudë, Triesh e në Kojën e Kuçit, kudo që ka pasur e ka malësorë, kudo që rrojnë “të bijtë e xhubletës”. Kemi të dhëna se këngë të “Lahutës” këndohen ende në diasporën malësore të Amerikës, sidomos në “network-un” shqiptar të Nju Jorkut, të Detroitit e deri edhe në Australi.

Një pëlqim e përhapje të veçantë ka pasur e ka “Lahuta” në Kosovë, ku “rapsodët kosovarë as s’u kishin ndërrue fjalë, as s’u kishin hjekë vargje”, por nuk dinin të thoshin tjetër veçse “këto kangë i kishin ndie, si të rij, prej njaj lahutari të ardhur nga Shqipnia. Fishta këndohej pa dijtë se si ia thoshin emnit: këndohej pse në kangë të tija ishte shqiptari. Shqiptari në doke, në kanu, në mitologji, në folklor, në aspirata, në jetë, në luftë e në ngallnime”.

Kufijtë nevojisht të përkorë të këtij trajtimi na pengojnë t’i përthekojmë në përmasat e duhura mëtimet e theksin përbashkues e vëllazërues të shqiptarëve pa dallim krahine a besimi fetar që zotëron në lahutë e në veprat e tjera të Fishtës, por do të vëmë theksin vetëm në një pikë me shumë vlerë për atë që do t’i hyjë njohjes së tekstit e të nëntekstit fishtjan:

Së pari, Fishta, ashtu si çdo personalitet historik e letrar i përmasave të mëdha, nuk mund të gjykohet duke e përjashtuar nga rrethanat e kohës në të cilën jetoi. Kjo do të thotë se poeti ynë i shkroi “Lahutën” e veprat e tjera në fillim të shekullit XX, në një periudhë aq të zjarrtë e dramatike për Shqipërinë e shqiptarët, kur zien, vlon e shpërthen dëshira për liri. Kuptohet se ai, si poet i ndjeshëm, po edhe si atdhetar që ishte, nuk mund të mbetej indiferent e jashtë asaj fryme të përgjithshme.

Ai u bë interpretuesi e shprehësi më besnik i shpirtit që gjallonte në kombin shqiptar, duke e pykëzuar vështrimin në një vatër të hershme shqiptarie, bese e bujarie si Malësia jonë e Madhe. Së dyti, sepse edhe në kohën e Fishtës (ashtu si gjithmonë në raste dëshpërimi të
përmasave të mëdha) një numri të madh shqiptarësh u kishte humbur shpresa e lirisë së ëndërruar nga poetët dhe veprimtarët idealistë. Të tjerë kishin rënë në një farë letargjie. Fishta, si një personalitet i shquar i letrave, po edhe si një njeri me vizion largvajtës e frymëgjatë, e kuptonte se të parëve u duhej dhënë zemër, duheshin trimëruar e inkurajuar, kurse të dytët duheshin zgjuar nga gjumi.

Poeti synonte që të dy palët të gjenin në “Lahutën” e tij shembuj frymëzues të heroizmit të atyre që ishin flijuar e flijoheshin në altarin e Atdheut. Kjo, natyrisht, përbënte bazën dhe frymën luftarake të vjershërisë së tij. Ndërkaq, bash në ato kohëra, nuk mungonin edhe shenjat e një përçarjeje e mbylljeje brenda caqeve të ngushta, brenda fiseve e bajraqeve, brenda grupeve a bashkësive të vogla vendore, të ndara sipas besimeve fetare të ndryshme etj. Ishte e nevojshme që, të gjitha këto kategori njerëzish a bashkësish shoqërore shqiptare, të sqaroheshin dhe të edukoheshin, duke formuar tek ata ndërgjegjen e përgjegjësinë si pjesëtarë të një bashkësie të madhe e të vetme kombëtare, shqiptare.

Siç thotë bukur Atë Anton Harapi, në atë kohë “s’mungojshin, mandej, asish që, për padije, muslimanin e njehshin turk dhe katolikun latin, ndërsa ortodoksin, simbas krahinës, e mbajshin serb në Veri, grek në Jug”. Edhe këtyre u duhej treguar se tjetër ishte besimi e feja e tjetër kombësia apo nënshtetësia. Fishta, ashtu si edhe klerikë të tjerë atdhetarë të asaj kohe, si At Anton Harapi, ishin luftëtarë të mendimit se “myslimanë, katolikë e ortodoksë, me gjak e me gjuhë shqiptare ishin vllazën e kishin të njëjtën babë Atdhenë e të njajtën nanë Shqipninë”.

Së mbrami, nga shqyrtimet tona, dëshiroj të sjell këtu,krejt shkurt, pohimin se”Lahuta e Malësisë”, përtej caqeve të vlerave artistike, me antroponiminë që ndeshim në të, na vë në dorë mundësi e të dhëna të shumta për ta zgjeruar njohjen rreth disa dukurive të emrave vetjakë të shqipes, sidomos për të theksuar disa vlera jo vetëm mirëfilli gjuhësore, po edhe në planin e antropologjisë kulturoree të sociolinguistikës.

Këtu, në radhë të parë, më duket është me interes të përmendim një anë shumë të rëndësishme të mendësisë malësore, e cila më qartë se kudo del në veprën e Fishtës. E kemi fjalën për traditën e Malësisë së Madhe, po edhe më gjerë, për t’ iu drejtuar burrave me emër dhe mbiemër (patronim). Qysh në moshë të njomë, si për t’ u nxitur shpirtin burrëror dhe etjen për mëvetësi e personalitet, malësorët e thërrasin njëri-tjetrin me emër e mbiemër, qoftë edhe kur rrinë së bashku ditë për ditë. Madje, jo rrallë, kjo vihet re edhe në mjedisin familjar apo miqësor intim. Kjo dukuri shquan qartë edhe në poemën e Fishtës, ku emrat Oso Kuka, Tara Pllumi, Kaçel Doda, Kerrni Gila, Galo Keqi, Dod Preçi, Marash Uci, Çun Mula, Met Zeneli etj. dalin gjithandej kështu të plotë.

Rrallë e tek ai i përdor pa mbiemër ose në forma të prekura nga zbunimi. Kam bindjen se në këtë pikë, Fishta, si njohës i thellë i mendësisë malësore, ka gërshetuar dendur edhe nevojat për rimë, por ai, mbi të gjitha, ka mëtuar të jetë në përputhje me një dukuri aq spikatëse të shpirtit e të jetës malësore. Kjo shquan edhe më mirë në rastet kur Fishta, gjithnjë në përputhje me sa pasqyron, i jep emrat e personave jo vetëm me emër e mbiemër, po edhe të shoqëruar me emrin e krahinës a të fisit që ata përfaqësojnë (Tara Pllumi i Jugomirit, Preng Markola prej Mirdite, Dod Preçi prej Kastratit, Nik Gjoni i Kastratit, Marka Kuli prej Kthellet, Gjin Pjetri i Kurbinit) apo me përsëritjen e emrittë plotë të t’ et (Marash Uci i Uc Mehmetit, Curr Ula i Ulë Keqotës, Shan Deda i Ded Jakupit, Nik Daka i Dak Cubakut).

Në Malësi të Madhe, malësorët e kanë si rregull, po edhe si një mendësi të trashëguar që, deri edhe në bisedat shoqërore e miqësore, t’ ia ruajnë e t’ ia përmendin burrit vlerat e tij dhe një nga këto shenja aty është edhe të thirrurit me emër e mbiemër. Shumë bukur kjo na është pasqyruar në një nga çastet më të vështira të bisedave të Oso Kukës me bashkëluftëtarët e tij:
“Kur xen Osja atje t’ e vona:
“Kqyre atë shpatull, Soko Tona!”
Disa dukuri të tjera të strukturës së emrave vetjakë të shqipes që mund të zgjerohen me të dhëna të reja nga vepra “Lahuta e Malësisë”.

Është tashmë një gjë e njohur dhe e pohuar mirë prej historianëve të gjuhës shqipe, posaçërisht nga E. Çabej, se emrat me tri gjymtyrë tregojnë një tipar të moçëm apo lashtë shqiptar Lëndës, tashmë të njohur, të përbërë nga emrat e tipit Gjergj Elez Alija, nga poema e Fishtës u shtohen të tillë, si: Preng Bib Doda, Mar Kol Gjini, Bib Llesh Markola, Llesh Nkoll Luli, Baca Luc Dedi, Pjetër Gjok Toshi, Lul Pal Kiri, Nishk Djalë Miri, Lucë Prelë Nishku, Ded Gjon Ujka, Mark Preng Dudi, Prengë Nkollë Gjeçi, Gjekë Marash Haka, Llesh Nik Daka, Gjo’ Ndue Vokkrri etj., të cilët, ndërkaq, është vendi të ritheksojmë se lidhen me po atë mendësi që ftilluam më lart: me mëtimin e malësorëve (përgjithësisht shqiptarëve) për ta identifikuar sa më dukshëm emrin e një personi me anën e dhënies së emrit të babait, mundësisht të plotë: emër + emër i babait + emër i babait të babait.

Emrat në formë zbunimi.Dendur, në veprën e Fishtës emrat e njerëzve na dalin edhe në format e dyta të tyre, të përdorura për zbunim ose ku zbunimi është në funksion të rimës apo për arsye të tjera stilistike. P. sh., pasi ka folur më lart për “Abdul Frashërin, ‘i Toskë me mend” (f. 105) e përmend me zbunimin Duli: “Prap xen Duli fjalët me i thekë” (f. 108). Po kështu, për Abdullah Drenin në një varg thotë me zbunim: “si s’ e ban as Dulo Dreni” (f. 124), apo Mashi për Marash Ucin: “Por shka, Zot, ka Mashi sot, qi na a vra e nuk ban za?” (f. 141).

Në “Lahutë”, si dhe në veprat e tjera të Fishtës, gjejmë fjalë, togfjalësha dhe mënyra të thëni të një mjeshtërie të pashoqe për nga ana artistike, por edhe meritojnë të lexohen e të analizohen me kujdes e me dije, siç e meritojnë veprat e poetëve të mëdhenj. Me sa ka qenë e mundshme ato i kam shtënë në shembullzimet e “Fjalor Leksiko-Frazeologjik dhe Etnolinguistik i Malësisë së Madhe” (botim i Akademisë sonë të Shkencave, në shtyp).

Tiranë, 23 shtator 2021

  • (Kumtesë e mbajtur në Konferencën shkencore ad honorem në 150-vjetorin e Gjergj Fishtës, në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, më 23 shtator 2021)

Marrë nga Nacional