Në foto: Neim Babameto me kolegët
Arsimi shqip në tokat e lirueme gjatë Luftës së Dytë Botërore
Nga Zija Zajmi*
“Në vitet 1941-42 Neim Babameto, bashkë me mësues të tjerë nga Shqipëria, iu përgjigj thirrjes për të hapur shkollat e para shqipe në Kosovë dhe Dibër të Madhe. Në këtë periudhë ka qenë mësues në shkollën “Liria” dhe drejtor në shkollën shqipe “Skënderbeu” në Dibër të Madhe, së bashku me të shoqen e tij Liri Babameto, edhe ajo mësuese.”
Neim Babameto u lind në Gjirokastër më 30 Qershor 1911. Që në moshën dyvjeçare mbeti jetim, pa baba. Kryen në këtë qytet shkollë fillore dhe dy vite të shkollës së mesme në Liceun Francez. Pas mbylljes së tij, në vitin 1928 vazhdon Shkollën Normale të Elbasanit në degën fisnike të mësuesisë.
Në vitin 1931 filloi misionin e vështirë por shumë të bukur të mësuesit në fshatrat e zonës së Delvinës e Sarandës, ku u përpoq me gjithë fuqinë e shpirtit patriotik të nguliste tek fëmijët dashurinë për vendlindjen dhe gjuhën shqipe.
Në vitin 1937, kur ishte kthyer në Tiranë si mësues në Shkollën e Kuqe, në një takim me Migjenin e madh mëson se dhimbja e një populli që lëngon nën peshën e rëndë të mjerimit dhe varfërisë është shumë më e madhe se ajo e një jetimi të mbetur pa baba që në moshën dyvjeçare. Kjo e frymëzoi që të shkruajë poezinë e bukur por të dhimbshme “Varfanjaku”. Okupacioni fashist e gjen mësues në Dibër në Internatin “Kastrioti”, ku reagimin ndaj këtij pushtimi e shprehme vargje në disa nga poezitë e tij.
Në vitet 1941-42 bashkë me mësues të tjerë nga Shqipëria, iu përgjigj thirrjes për të hapur shkollat e para shqipe në Kosovë dhe Dibër të Madhe. Në këtë periudhë ka qenë mësues në shkollën “Liria” dhe drejtor në shkollën shqipe “Skënderbeu” në Dibër të Madhe, së bashku me të shoqen e tij Liri Babameto, edhe ajo mësuese.
Pas çlirimit vazhdon rrugën e mësuesisë në shkolla të Tiranës, por duke qenë me mendime
liberal- demokrate dhe me formim nacionalist, në vitin 1947 pushohet nga puna dhe pas një ndërprerje njëvjeçare transferohet me detyrim në Peshkopi, ku sëbashku me të shoqen Liri Babameto shërbejnë në shkolla të ndryshme në fshatrat (Grevë dhe Doshisht) si dhe në qytet.
Viti 1950 e gjen mësues Neimin në qytetin e bukur të Durrësit dhe që nga ky vit e deri sa doli në pension në vitin 1966, ka punuar me devotshmëri në shkolla të ndryshme si “Naim Frashëri”, “Kristaq Boshnjaku” e më në fund në shkollën ish qytetëse “10 Korriku”.
Mësues i palodhur, shumë i përgatitur, shumë kërkues ndaj vetes, por edhe ndaj nxënësve. I rreptë, por njëkohësisht i dashur me fëmijët, ja cilat janë disa tipare të figurës së tij. Për punë të palodhur ai është dekoruar nga Kuvendi Popullor me Urdhërin “Naim Frashëri”.
NJË PORTRET PËR ZOTIN NEIM BABAMETO
Në vitet 50 – 60-të të shekullit që shkoi, shkolla 7-vjeçare “ 10 Korriku” ishte një nga shkollat më të mira të qytetit të Durrësit, për të mos thënë më e mira. Ajo kish qenë edhe shkollë qytetëse në kohën e Zogut. Në të kish mësuar dikur edhe Aleksandër Moisiu.
Një godinë dykatëshe prej guri, me mure të trashë, por me dysheme dhe shkallë dërrase, me klasa të mëdha plot dritë e hapësirë, me oborr përpara e pas shkolle (kish ambiente sportive të mjaftueshme për të luajtur edhe pasdite apo ditët e pushimit për ne të mëhallës ), një kopsht botanik e zoologjik të përkryer, që do ta kishin zili sot edhe institutet e larta.
Por kryesorja ishte, se këtu punonte një trupë mësimore e përkryer, zonja e zotërinj të vërtetë, kryesisht normalistë apo liceiste, të Institutit “Nëna Mbretëreshë” e pjesërisht edhe me arsim më të lartë.
Drejtor ishte Zoti Malo Xheneti, gjirokastrit, i cili kish mbaruar nga të parët Institutin Pedagogjik 2-vjeçar për matematikë – fizikë. Burrë i zoti e me karakter, organizator me autoritet dhe njohës shumë i mirë i lëndës së tij (me të kam bërë fizikën në klasën e shtatë). Ai ishte i rreptë, por i drejtë, prandaj edhe mësuesit e ne nxënësit e donim dhe e respektonim shumë.
Ndër mësueset e fillores do të përmendja Karolina Lezhën, një nënë e vërtetë, shumë e përkushtuar, e thjeshtë, shumë simpatike, me një të folur të bukur të veriut. Në klasë kishim edhe vajzën e saj, Edën, të cilën e trajtonte njëlloj si ne, me të njëjtën rreptësi e korrektesë. E vetmja e veçantë ishte se Eda vinte e shkonte bashkë me “zyshën”.
Në klasat 5-7 jepnin mësim një grup mësuesish, burra e gra, që përbëjnë krenarinë e traditës arsimore të qytetit si Ramadan Kalaci, Neire Kokona, Milika Bezhani, Lutfi Çelkupa, Kristaq Bekerdheli, Telha Cela e të tjerë. (Kërkoj ndjesë për ndonjë pasaktësi apo harresë.) Kjo bënte që shkolla të ishte më e kërkuara në qytet, por edhe nxënësit që mbaronin atje zgjidheshin kush e kush t’i merrte nga dy gjimnazet që kishte qyteti në atë kohë.
Vite më vonë godina e saj u prish, sepse tek themelet u zbuluan disa monumente arkeologjike me vlerë (itërë Durrësi i tillë është). Të tërëve na pikoi në shpirt, sepse mund të gjendej një zgjidhje teknike, pa e prishur godinën, por në atë kohë nuk e vrau mendjen njeri. Në shtator të vitit 1959, hymë të gjithë si klasë në klasën e V-A. Mësimin e zhvillonim në një dhomë në katin e dytë, e para majtas, kur ngjiteshe.
Në përbërje ishim thuajse po ata të fillores, ish nxënësit e zysh Karolinës: Floresha Haxhiaj, Vasilika Leka, Eduarda Lezha, Agim Koçi, Donika Kosti, Irini Roço, Fatbardha Nuredini, Evelina Petro, Juksel Bylykbashi, Agron Kollaku e të tjerë. Ishim mësuar vetëm me një mësues dhe e dinim se tani kjo do të ndryshonte, por nuk dinim se cilët do të ishin mësuesit tanë të rinj, cili do të ishte kujdestari ynë.
Dhe ja, futet në klasë një burrë i gjatë e fisnik, i veshur thjeshtë, por me sqimë, me kostum e kravatë, që fliste qetë e bukur. I formoheshin dy pala të hijshme në gushë.
– Bashkë do të bëjmë mësimin e gjuhës shqipe dhe leximit letrar si dhe historinë. Unë do të jem gjithashtu edhe mësuesi juaj kujdestar, – na tha.
Ky ishte Neim Babameto, me të cilin do të kisha për vite e vite një lidhje shpirtërore të veçantë. Ai do ishte për mua, jo vetëm mësuesi im, por edhe miku im i shtrenjtë, me të cilin do të flisja gjithnjë hapur e me shumë kënaqësi, këshillat e të cilit, aq të mençura e dashamirëse do të më duheshin për të ecur në jetë.
Po cila ishte shkëndija e saj?
Unë mendoj se, veç të tjerave, ishin edhe kushtet e mia të veçanta familjare (babanë e kisha në burg, të dënuar politik, na rriste nëna, duke punuar me turne në fabrikën emiellit ), por, si unë edhe motra ime më e vogël mësonim mirë dhe kishim një lloj dashurie, ndofta edhe prirjeje për letërsinë.
Në atë kohë libri ishte i vetmi mjet komunikimi dhe ishin shumë që lexonin të etur për dije e kulturë, me atë dëshirën e pafajsinë e fëmijëve. Zoti Neimi më ka ndjekur me shume kujdes. Edhe sot i mbaj mend shënimet e tij në fletoren time të hartimit, me atë shkrimin e bukur e shumë të qartë, ndërsa gara midis nesh, nxënësve, ishte deri atje, se cili nuk do të bënte asnjë gabim ortografik në hartim?!
Për këto do të shkruaj hollësisht më poshtë, por po e mbyll me një frazë të guximshme të zotni Neimit, kur mua në vitin 1964, më dhanë të drejtë studimi për matematikë.
– Përse nuk e dërguat për letërsi Zija Zajmin, apo se nuk donit që ai të bëhej shkrimtar?
DISA MENDIME PËR BIOGRAFINË E SHKURTËR
Zotni Neimi është një figurë shumë e njohur. Aktiviteti i tij jetësor ka qenë mësuesia. Këtu ai edhe ka shkëlqyer me talentin e tij, me profesionalizmin e lartë shkencor (pa asnjë mëdyshje ai ka qenë një gjuhëtar i shkëlqyer, që jo vetëm e donte dhe e adhuronte gjuhën amëtare, por edhe njihte shumë mirë në detaje origjinën, historinë, fjalëformimin, morfologjinë dhe sintaksën e saj).
Më kujtohet mirë se autorët e atëhershëm të tekstit të gjuhës ishin të ndjerët Peter Elezi e Lirak Dodbiba, të dy shokë të vjetër normalistë të zotit Neim, për të cilët fliste gjithnjë me dashuri. Ai, jo vetëm e njihte dhe e jepte shumë mirë këtë tekst, por edhe e interpretonte atë, duke e plotësuar e pasuruar, sa unë mendoj, se, po t’ia ngarkonin zotit Neim, mund ta shkruante fare mirë edhe ai atë tekst. Kjo më bën të mendoj se duhet të ketë në shënimet e tij, në ato që mund të kenë mbetur, të dhëna, që do të dokumentonin mendimin tim.
Zoti Neim ka qenë një rilindas i mirëfilltë, nga ata që ne i quajmë “të fundit të tyre”, si në formimin e tij shoqëror, ashtu edhe në botëkuptim. Unë kam patur nderin e fatin e rrallë të bisedoj me të, ta ndjek në rrëfimet, meditimet e analizat e tij të hapura e të sinqerta, që nuk mund t’i bënte me këdo. Ai ishte konseguent, i arsyeshëm dhe shumë i qartë.
– Ai ishte nacionalist. Shqipërinë e vinte mbi gjithçka, por Shqipërinë në kufijtë e saj natyrorë, të vërtetë. Shumë herë, në vitin 1966, sapo kish dalë në pension, më ka thënë se ai, fillimisht, kishte qenë simpatizant i Ballit Kombëtar dhe a di sepse (këto janë fjalët e tij, që më janë ngulitur në kokë), sepse në programin e tyre, Dekalogun që për ne atëherë ish i panjohur, Balli kishte një pikë kyçe, Kosovën dhe bashkimin me të.
Kosova për zotni Neimin ishte plaga dhe ëndrra e tij.
– Ai ishte në botëkuptim panteist i një lloji të veçantë, besonte tek Zoti, por brenda një morali të pranueshëm, larg profecive e paragjykimeve. Në vlerësimin e tij për shumë klerikë të njohur, shumë prej të cilëve ai i kish njohur edhe personalisht, nuk ndikonte aspak përkatësia e tyre fetare, por çfarë ata kishin bërë për Shqipërinë e kulturën e saj.
Zotni Neimi nuk e pranonte, nuk i përmbahej, sipas orientimeve të asaj kohe parimit të “luftës së klasave”. Për të nxënësit nuk kishin mbiemër, por vetëm emër. Është e vërtetë se atëherë ishte një brez mësuesish, që ishin më të drejtë “zonja e zotërinj”, por tek zotni Neimi kjo kish një theks të veçantë. Në klasë kishim shokë e shoqe me prejardhje shoqërore shumë të ndryshme, me prindër zyrtarë të lartë, punëtorë të thjeshtë apo të burgosur politikë, apo edhe jevgj, si u thoshin në atë kohë.
Por për zotni Neimin e shumë mësues të tjerë, ishim të gjithë të bara bartë. Ndryshonim vetëm në punën e aftësitë e secilit, për të vetmin motiv që ai na vinte edhe notat. Natyrisht kishte edhe, nëse mund t’i quaj, preferencat e tij, por këto kurrë nuk lidheshin me mbiemrin, por vetëm me atë që atij i pëlqente në karakterin apo talentin e secilit.
Në foto: Neim Babameto me nxënësit
– Ai ishte mësues i rreptë, i edukuar me edukatën e rreptë të studimit në Normalen e famshme të Elbasanit, me ndjenjën e një drejtësie të kulluar në marëdhëniet me njerëzit, pjesë e të cilëve ishin edhe nxënësit e tij, por edhe me kushtet e tij të veçanta familjare. I rritur jetim që dy vjeç, i ishte dashur të përballonte vetë shumë vështirësi, që e kishin bërë sa njerëzor, aq edhe të fortë, sa me zemër të madhe, por edhe të papajtueshëm me gënjeshtrën e padrejtësinë. Kënaqësia më e madhe që na jepte, kur i paraqesnim ndonjë justifikim (që përpara tij ishte një dhënie e rreptë llogarie) ishin fjalët e tij: Të besoj!
Të merrje këtë besim të tij ishte jo e lehtë. Duhej ta meritoje e të jepje prova për këtë meritë. Por kjo përbënte edhe një kënaqësi të jashtëzakonshme që, me të drejtë, na bënte “të shisnim mend” si të vlerësuarit e tij.
– Zotni Neimi ishte një familjar i një lloji të veçantë. Familja për të ishte e shenjtë. Shumë vite më parë, tek stacioni i autobusave të plazhit, ndërsa bisedoja me të, ai përshëndeti një zonjë, që kaloi pranë nesh e që, për fat të keq, nuk ia kujtoj emrin.
– E di – më tha, sa do të doja tëisha poet! Do t’i këndoja kësaj zonje, që ditën kur ishte nuse në tela, i arrestuan të shoqin. Hoqi zbukurimet, veshi rrobat e zakonshme dhe në shtëpinë e të shoqit, bashkë me nënën e tij të sëmurë, duke punuar si punëtore krahu me
turne, për 10 vjet me radhë priti të shoqin. Dhe tani jetojnë bashkë, kanë edhe fëmijë.
Në orën e mësimit ai ligjëronte, por emocione të veçanta krijonte kur fliste për “mëmën”, siç thoshte ai. Ishte për një moral të shëndoshë, për harmoni e bashkim dhe model kishte familjen e tij, të shoqen, zonjën Liri Fortuzi, të tria vajzat dhe dy djemtë.
– Zotni Neimi ishte shumë autoritar. Në atë kohë mësuesi ishte një tjetër figurë. Pushteti i tij real ishte tepër i madh, shumë më shumë se ai i kujtdo tjetër, edhe mbi prindin.
Për të shkuar nga shtëpia në shkollën “10 Korriku” ai kalonte përmes rrugicës sonë.
Me shtatin e gjatë e kokën lart, flokët e dredhura, më shumë të bardha dhe me thembrat që shkëputeshin me hov nga toka sikur e bënin të vallëzonte në kalldrëmin e rrugicës. Aso kohe ne fëmijët e vegjël 11-12 vjeçarë, zakonisht, kur kalonin mësuesit, fshiheshim të mos na shihnin. Ndryshe qëndronte me zotni Neimin. Sa e shihnim në krye të rrugicës, nga dritaret a ballkonet, nxitonim t’i dilnim përpara, të rreshtoheshim tre apo më shumë anës rrugës për t’u përkulur para tij e për ta përshëndetur “mirëdita apo mirëmbrëma”.
Kur nuk ia arrinim të dilnim në kohë, kalonim nëpër një pallat me dy hyrje dhe i dilnim përpara tek çezma e Çelkupës, kësaj here ballëpërballë. Përshëndetnim dhe ai shpesh ndalej, na përkëdhelte në kokë, na pyeste për njerëzit e shtëpisë dhe nëse i kishim bërë
mësimet. Ai largohej i qetë e ne mbeteshim të lumtur duke komentuar gjatë mes nesh këtë takim me të.
– Përveç gjuhës e leximit, kam bërë me të edhe historinë e vjetër në klasën e pestë si edhe atë të Shqipërisë në klasën e shtatë. Edhe këtu ai ishte i veçantë. Shpjegimi i tij i qartë, tërheqës dhe shumë emocional, shoqërohej me dalje të këndshme për jetën dhe bëmat e heronjve të Trojës, të Greqisë e Romës së lashtë, për Aleksandrin e Madh dhe Pirron e Epirit, Mbretëreshën Teuta dhe të tjerë nga mbretërit ilirë. Po tregoj dy shembuj:
Demosteni, oratori i madh i Greqisë, shumë i njohur për fjalimet e tij kundër Filipit të Maqedonisë, i ri kishte dy të meta të mëdha, kishte difekte të mëdha në të folur si edhe ngrinte dhe ulte supet, duke krijuar një pamje të pakëndshme. Për t’i kapërcyer këto ai, duke futur gurë në gojë javë e muaj me radhë ulërinte në breg të lumit, recitonte pa pushim, derisa e eliminoi këtë të metë. Gjithashtu vendosi dy shtiza me majë të mprehtë në një binar dhe ulej pak poshtë tij. Kur supi i tij ngrihej nga vesi prekte majën e shtizës, e cila e gjakoste. Po kështu edhe supi tjetër e kjo vazhdoi deri sa edhe ky ves u eliminua.
Unë vetëm nga këto nuk do ta harroja kurrë Demostenin, edhe kur vite më vonë lexova disa fjalime të tij, e përfytyroja duke gjakosur supet dhe ulëritur me gurë në gojë. Ndërsa në klasën e shtatë (ka qenë viti shkollor 1959-60), duke folur për Lidhjen e Prizrenit, aksionin e Gjakovës, jo sipas tekstit zyrtar, për Abdullah Pashë Drenin ai, qartazi e pamëdyshje tregonte se ky i fundit, megjithëse ishte një nga drejtuesit e Lidhjes, kur Mehmet Reshit Pasha i vajti si mik në shtëpi, u detyrua që të zbatonte traditën e shqiptarit dhe jo vetëm nuk e dorëzoi, por luftoi e u vra bashkë me të. Më vonë do të mësoja se bashkë me ta, brenda në kullë, kish luftuar e qe vrarë edhe babai i Bajram Currit.
Dhe, së fundi, megjithëse në tekst flitej ndryshe dhe jemi në kohën kur diskutohej maketi i Historisë së Shqipërisë, figura e Haxhi Qamilit, zotni Neimi na thosh se ky turkoshak barbar, me hordhitë e tij në Elbasan kish shtruar në dru edhe Aleksandër Xhuvanin e të tjerë.
– Z. Neimi fliste shumë mirë frëngjisht. Për të Franca përbënte një vend tradite e kulture, të cilit ai i referohej shpesh. Në dijeninë time ai ka qenë vetë në Francë. Nuk e di se kur dhe për sa kohë, por kam menduar për studime, të cilat nuk i mbaroi për arsye ekonomike dhe sepse ishte në prag Lufta e Dytë Botërore. Në pjesën e dytë do të tregoj edhe për një histori të tijën atje, të cilën ma ka treguar vetëm mua dhe unë, me lejen e Benit, do ta tregoj, por është në të drejtën e tij, të vendosë nëse kjo duhet bërë e njohur.
Z. Neimi ishte mësues “aristokrat”. Kjo manifestohej jo vetëm në pamjen e sharmin e tij të veçantë, në preferencat shoqërore e kulturore, në një dinjitet e krenari të madhe për të vlerësuar së pari meritat e jo postin (që sot e ke e nesër jo, – thosh shpesh ai). Ai ish korrekt dhe i sjellshëm me kolegët e tij, por i vlerësonte ata vetëm për vlerat, për të cilat ai kishte kutin e tij të rreptë. Nuk pajtohej kurrë me ndonjë që përpiqej të imponohej për hir të teserës së partisë, vlerësonte traditën familjare apo fisin, siç thoshte, por pa e fetishizuar atë, ish natyrë e butë dhe e prekshme, por edhe i sertë e kokëfortë për çështje morali e dinjiteti.
– Për këtë punë të tij serioze dhe të përkushtuar në formimin e brezit të ri, ai është dekoruar me Urdhrin “Naim Frashëri” nga Kuvendi Popullor i asaj kohe në vitin 1963.
I DASHUR MIKU IM!
Kaluan 30 vjet që nuk e shoh më atë fytyrën tënde fisnike e ata sy aq të dashur për mua, që nuk dëgjoj më atë zërin tënd melodioz, që artikulonte aq bukur e thjeshtë ato mendime e përfundime, që më mbeteshin në mendje e që u referohesha gjithnjë. Unë të falenderoj edhe tani për gjithë atë që më ke dhënë e ke bërë për mua, e që tani më dhe mundësinë që, duke shkruar këto radhë për ty, të kthehem prapa, më shumë se 50 vjet, për të rijetuar ato vite të vështira vërtet, por edhe të bukura e të paharrueshme për mua, vitet e fëmijërisë e të rinisë. S’kam asnjë dyshim se për edukimin dhe formimin tim, ti ke luajtur një rol të veçantë.
Si mund të harroj atë që kur i bija ziles së shtëpisë tënde, derën ma hapte zakonisht zonja Liri ose Etleva, vajza e vogël që nga dera thërriste:
– O ba, se kush ka ardhur? E kur nga kuzhina dëgjohej zëri yt:
– Zija Zajmi … Kush tjetër? … Kjo është aq e vërtetë sa kur vite më pas, më 1979, kur më duhej një vërtetim në Filialin e Beratit, ku sekretare punonte vajza jote e dytë, Arta, martuar në atë qytet. Mezi ia gjeta shtëpinë. I rashë ziles dhe kur derën ma hapi Arta, e çuditur thirri:
– O ba, a e di kush ka ardhur? Nga kuzhina, u dëgjua zëri dhe përgjigjja aq e pritur:
– Zija Zajmi! … E kush tjetër? …
Uleshim të dy në ditët e ftohta të dimrit, pranë mangallit me prush, aty pinim edhe
ndonjë cigare (shumë kohë unë fshihesha, por pastaj ti, që e dije këtë, më detyrove ta pija
bashkë me ty). Pinim ndonjë gotë raki me pak meze, që i shtronte me merak zonja Liri e pastaj ato bisedat e pafund, unë edhe ti, (ndërhynte ndonjëherë zonja Liri, për të saktësuar ndonjë emër apo familje nga kohët e vjetra).
Apo kafetë që pinim te Vollga, ato mëngjese para se unë të largohesha me trenin e orës 11 për në Lushnje e pastaj me autobus në Skrapar, kur u merrja leje shokëve të tu, mësues të vjetër, shumë prej të cilëve i njihja edhe unë:
– Më falni a mund ta marr pak profesorin?
Ti ngriheshe menjëherë në këmbë e më prezantoje:
– Profesor Zija Zajmi, miku im!
Unë atëherë isha më pak se 30 vjeç dhe çuditesha me këtë ofiq, që më vije, krejtësisht të pamerituar. Shumë vite më vonë, kur disa ish-nxënës të mi u bënë vërtet profesorë, unë kujtova e kuptova tamam prezantimin, qëbëje dhe që ish kënaqësi e barabartë, si për ty edhe për mua.
Njëherë, ka qenë pranvera e vitit 1973, në një nga këto kafe, as unë nuk e di se pse e bëra këtë, pasi u ndamë nga shokët e tu dhe u ulëm të dy në një tavolinë, ti, duke qenë gjithnjë me merakun tim, më pyete:
– Hë, ç’kemi ndonjë të re?
– Më thirri Ministri (në atë kohë ishte z. Thoma Deljana, të cilin shumë vite më vonë, në kohën e demokracisë, ai pensionist i nderuar e unë drejtor i shkollës Pedagogjike në Tiranë, do ta prisja me shumë dashuri në zyrën time).
– Ashtu!? Dhe ç’të tha? -në fytyrën tënde ra çudia, e hëngre menjëherë.
– Më propozoi për shef arsimi në Durrës (ato ditë ishte lëvizur vërtet shefi i Durrësit)
– Bah, mos prano në asnjë mënyrë!? Kanë qenë burra më të fortë e s’e kanë bërë dot, jo ti, që je i ri e nuk ke përkrahje – dhe pamja u bë serioze.
S’mund të vazhdoja më, me këtë rol e shaka të pazakontë dhe buzëqesha.
– Hë mo, se bën shaka ti!
– Mirë unë, po ti si e hëngre këtë? të thashë unë për ta kaluar me shaka situatën e pakëndshme.
– Epo, e di që ti ke ca njerëz me pozitë e mendova se mos u bënë të gjallë e të ndihmuan.
Por prapë mendova.
– Ç’ne deri shef!? Dhe ku, në Durrës!?
Të kërkoj përsëri ndjesë, miku im, por edhe të falenderoj përsëri, se ky është një kujtim shumë i çmuar për mua, që tregon sa budallallëkun tim e aq madhështinë e mençurinë tënde!
Ajo moshë kishte edhe marrëzitë e saj. Kështu më ndodhi me zysh Neirenë, e cila në një provim të aritmetikës më vuri katër (atëherë ishte me pesë nota)
(vijon)
Marrë nga Nacional