Ismail Mustafa përpikërinë dhe përkushtimin ndaj nxënësve të tij e kishte pjesë të jetës

0
326
Ismail Mustafa - Simnica

Më 2 tetor të këtij viti ndërroi jetë Ismail Mustafa-Simnica, njëri nga mësuesit veteranë të Arsimit në shkollat “Afrimi dhe Fahriu” të Lluzhanit dhe “Pavarsia” të Sibofcit të Epërm, komuna e Podujevës.

Ismaili lindi më 21 tetor të vitit 1944 në një familje me gjendje të rëndë ekonomike. Viti kur lindi ai dhe vitet në vazhdim ishin vite të trishta për shqiptarët.

Ata të ballafaquar me varfëri të tejskajshme po luftonin në dy fronte, në atë kundër nazi-fashizmit dhe në atë kundër sllavëve serbë, malazezë e maqedonas.

Ismail Mustafa, si njohës i mirë i historisë së popullit të tij sqaronte me korrektësi dhe me një mori argumentesh se okupimi sllavë ndaj shqiptarëve ishte shumë më i egër se sa ai, italian e gjerman.

Ai si fëmijë e kishte përjetuar edhe zinë e bukës. Shumë herë me dhembje e emocion deri në lot e kujtonte atë periudhë, kur shqiptarëve iu ishin rrëmbyer drithërat, fondi i bagëtisë, dhe gjithçka tjetër që kishin.

Ata kësaj tendence të sllave për asgjësimin e tyre iu kishin përgjigjur me solidarizim të paparë me njëri-tjetrin. Falë këtij uniteti ishte ulur vdekshmëria e shqiptarëve të Kosovës, nga mungesa e bukës.

Një rrëfim tjetër mjaft rrëqethës nga Ismail Mustafa,ishte edhe ai i viteve 1880-1881, kur me dhunë dhe reprezalje nga trojet e tyre etnike ishin shpërngulur edhe Simnicët.

Kësaj familje të vendosur dembadem në Sanxhakun e Nishit(rrethina e Bllacës) e njohur edhe si Shqipëria e vjetër i përkiste edhe Ismaili.

Edhe pse u mendua që në Sibofc të Epërm të Podujevës, u gjet shpëtimi serbë e malazezë të sëmurë nga urrejtja ndaj shqiptarëve më 1912, bënë përpjekje që edhe nga këtu t’i dëbojnë Simnicët, ashtu siç vepruan me Starasellët, Muzaqët, Konjuhët, Sponcakët, Kojqiqët, Maqastenët, Gërgurët, Shulemajët etj, të cilët i dëbuan prapë nën trysni e dhunë në Turqi e Shqipëri.

Këtij eksodi masiv të shpërnguljes së serishme edhe nga Kosova, Simnicët i shpëtuan duke kaluar muaj të tërë nëpër familjet rrënjëse, apo të njohura si jerli.

Kurse, ndërmjet viteve 1920-1927 në tokat e shqiptarëve të shpërngulur u vendosën 38 familje serbe e malazeze.

Sipas,paraardhësve të Ismailit barbaria serbe e malazeze e kishte mbërritur kulmin kur varrezat e vjetra shqiptare të fshatit Sibofc të Epërm, ishin rrënuar tërësisht, nga këta ardhacakë dhe në vend të tyre ishin ndërtuar shtëpi me dekorime sllave për ta.

Nga dëshira për ta shtypur me gjak çdo revoltë të shqiptarëve dhe në përpjekje për t’i lënë ata pa emër dhe pakicë në atdheun e tyre në qendrën e fshatit Sibofc të Epërm, kishin vendosur kambanën dhe kryqin si simbol të pansllavizmit serbo-rusë.

Këto sjellje skizofrenike të serbëve dhe malazezëve mbase shqiptarët do t’i harronin sikur të mos përsëritej politika gjenocidiale ndaj tyre edhe në etapat e më vonshme.

Ismaili si një djalë i shkathët e largpamës i kujtonte shpeshherë dhe rrëfimet e babait të tij Ademit, kur më 1923, Mbretëria serbo-kroato-sllovene, në Sibofc të Epërm të Podujevës, kishte ndërtuar shkollën fillore, e cila u dedikohej vetëm fëmijëve serbë e malazezë, të vendosur si kolonë në këtë fshat.

Shqiptarët edhe pse në tokat e tyre të mileniumeve vriteshin çdo ditë pa arsyen më të vogël,dhe degdiseshin në viset gjysmë shkretinore dhe shkretinore të Turqisë. Shkollimi i tyre as që diskutohej.

Me gjithë dhunën e paparë populli shqiptar nuk u dorëzua dhe nuk ra në dëshpërim e gjendje të pashpresë.

Në ditarët e Ismail Mustafës-Simnicës të shkruar qartë e bukur shohim që me ardhjen e gjermanëve në Llap, që ishte edhe zonë interesi e tyre nisi edhe hapja e shkollave me mësim në Gjuhën shqipe.

Objekti i shkollës në këtë fshat që deri me ardhjen e gjermanëve shfrytëzohej vetëm nga serbët dhe malazezët tani filloi të shfrytëzohet edhe nga shqiptarët vendës.

Kjo shkollë në Sibofc të Epërm me një vendim të datës 11 nëntor 1943, u emërtua me emrin e mbretëreshës ilire “Teuta.”

Po ashtu Ministria e Arsimit dhe Fesë, paralelja për mësimin gjerman nominoi për mësues nga radhët e shqiptarëve Ramadan Deden, Abdyrrahman Gërgurin, Hashim Sylën-Obrazhdën, Hamdi Dyzin dhe Ramadan Simnicën.

Të lartpërmendurit edhe pse nuk i kishin nivelet e duhura profesionale ngjallën shpresën për një grimë dritë edhe në vatrat tona.

Ismail Mustafa si ish-nxënës i kësaj shkolle kur fliste mbi historikun e shkollës në Sibofc të Epërm thoshte”asokohe nuk mund të veprohej ndryshe se në gjithë Llapin vetëm Jahja Fusha, ishte me përgatitje adekuate. Por, atë Atdheu e kërkonte në detyra të tjera”.

Trishtues ishte fakti se në këtë periudhë vetëm 8 (tetë) nxënës shqiptarë i vijonin mësimet në shkollën e Sibofcit të Epërm, edhe ata nga fshatrat Gllamnik, Sibofc i Epërm dhe Poshtëm, Konushevc, Buricë e Penduhë.

Ndërkaq, njëfarë Misha Gaiq, mësues në shkollën e këtij fshati punonte me dy paralele nxënësish serbë e malazezë, ku ishin të përfshirë mbi 30 fëmijë.

Një ndihmë të jashtëzakonshme në këtë shkollë e kishte dhënë edhe atdhetari e mësuesi i popullit Adem Guta nga Zaskoku i Ferizajt. Në të kundërtën do të ekzistonte rreziku serioz i mbylljes së kësaj shkolle, nga të parat në Llap.

Si pasojë e kësaj pune të shenjtë dhe më rëndësi jetike për shqiptarët më 2 shkurt të vitit 1945 komunistët jugosllavë e ekzekutojnë mësuesin Adem Guta, në Mramorak të Vojvodinës.

Pavarësisht këtyre tmerreve dhe padrejtësive Ismail Mustafa – Simnica, me dashuri e përkushtim të pashoq do t’i përfundojë të gjitha nivelet e shkollimit që nga ai fillestar deri tek ai superior.

Pastaj, më 1966 fillon punën në shkollën fillore të Lluzhanit. Ismaili këtu punon 14 vite duke treguar cilësi të rralla prej pedagogu dhe edukatori shembullor.

Ndonëse kanë kaluar 55 vite ish-nxënësit e Ismailit nga Lluzhani, Godishnjaku, Sallabaja, Majaci, Shakovica e Lupçi, Ismailin e kujtojnë jo vetëm si mësues të suksesshëm, por edhe si njeri me tipare të veçanta burri e atdhetari.

Ismail Mustafa-Simnica, e ndjente veten krenar, sepse në shkollën “29 Nëntori” të Lluzhanit, tani Afrimi dhe Fahriu, nxënës i pati dhe dy heronjtë e kombit tonë Afrim Osman Zhitia dhe Ilir Halit Konushevci, të cilët me heroizmin e tyre të treguar janë futur në përjetësi.

Ata me flijimin e tyre ndaj Atdheut, i dhanë frymëmarrje të lirë Kosovës, dhe mundësi bashkimi me pjesët e tjera të trojeve tona, të shkëputura me forcë dhe padrejtësisht nga Shqipëria etnike.

Ismaili duke e konsideruar edukimin e brezave si një proces të pambarim në shtator të vitit 1980, me kërkesën e fshatarëve të Sibofcit të Epërm, vazhdon punën si mësues në shkollën tetëvjeçare “Kongresi i Manastirit” në Gllamnik të Podujevës, paralelja e ndarë fizike në Sibofc të Epërm.

Ai në shkollën e fshatit të tij të lindjes do të ketë angazhime dyfish më të mëdha. Këtu do ta ushtrojë vite me radhë edhe funksionin e përgjegjësit të shkollës, dhe atë të kryetarit të fshatit.

I ndihmuar nga plaku i urtë dhe vizionar Shaqir Zeneli-Muzaqi, në Sibofc të Epërm dhe atë të Poshtëm, Ismaili çdo mosmarrëveshje e shuante me kohë.

Ky fshat i banuar kryesisht nga vëllazëri të ndryshme muhaxhire të shpërngulura me forcë nga Sanxhaku i Nishit, ka kohë që hasmërinë si plagën më të rëndë të një shoqërie ia kanë lënë të kaluarës.

Ismail Mustafa përveç punës si mësues dhe humanist shquhej edhe me punën e tij të shkëlqyer në ndërtimtari dhe bujqësi.

Më 1993,kur shkollës së fshatit në Sibofc të Epërm po i kanosej shembja me iniciativën e Shaqir Zenelit – Muzaqit dhe Ismail Mustafës, fshatarët e të dyja Sibofceve, me vetkontribut e bënë meremetimin e saj që nga themelet deri në çati.

Mësuesi, Ismail gjithë sezonin e pushimeve të verës e pati kaluar duke bërë punë mjeshtërie.

Veç kësaj rinovimin e shkollës me mjete e patën ndihmuar edhe dy djemtë e tij mërgimtarë në Payerne të Zvicrës, Fehim dhe Bekim Mustafa. Andaj, me të drejtë Victor Hugo, i madh thotë “Dy janë nëpunësit kryesor të shtetit; nëna dhe mësuesi.”

Me bërjen publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,mësuesi Ismail, si përherë bamirës e vuri në shërbim të saj edhe shtëpinë e tij në Sibofc të Epërm.

Në këtë shtëpi përveç kurimit të të plagosurve u kryen edhe ndërhyrje kirurgjike nga më të rëndat.

Këtë punë me sakrificë dhe rreziqe për jetën edhe pse në kushte të rënda e bëri me mjaft sukses dhëndri i tij Skënder Bajrush Murati, kirurg i dalluar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Ismail Mustafa –Simnica, prioritet e kishte edhe shkollimin e femrës shqiptare. Në mënyrë që të jetë shembull i integrimit të saj në shoqërinë tonë ai s’kurseu asgjë për shkollimin e katër vajzave të veta.

Mirëpo edhe ato me punë sistematike e shpërblyen mundin e Ismailit, duke përfunduar me sukses të dalluar studimet në Fakultete të ndryshme të Universitetit të Kosovës.

Ismaili edhe pas pensionimit të merituar më 2009, bëri punë të shumta në të mirë të fshatit të tij dhe banorëve të kësaj ane.

Ai si një ndjenë gëzimi që s’harrohet kurrë e përjetoi edhe shtimin e dhjetëfishtë të nxënësve në shkollën e Mesme të Ultë në Sibofc të Epërm, e cila që nga pas lufta e fundit me Serbinë, vepron si e pavarur nga ajo e Gllamnikut të Podujevës.

Ismail Mustafa-Simnica, të qoftë i lehtë  dheu i Kosovës, se vërtetë bëre punë të mira në dobi të saj, ashtu siç bënë një nënë e mirë dhe fisnike për fëmijët e saj !

ARIF EJUPI