Emigranti, jeta midis Torontos dhe Shqipërisë

0
146
Dhimitër Mihal Xhoga

Ibrahim Kabili Janë të shumtë dhe të pambarimtë kuadrot e arsimit që kanë kontribuar në zonë. E njëri prej tyre është edhe veterani i arsimit, Dhimitër Mihal Xhoga. Unë kam ruajtur kontaktet me të dhe e kam mirëpritur disa herë në vendlindjen time gjatë kohës që punoja në arsim. Kohët e fundit jemi takuar rrallë pasi ai prej afro 20 vitesh ndodhet në emigracion në Toronto të Kanadasë. Isha lidhur me të pasi bënte komente në rrjetet sociale nga Kanadaja?, por nuk kisha një numër telefoni…

E “kërkoja” në Kanada dhe me datën 03.10.2021 e gjej tek kafeja te “Librari Agollit” në Tiranë. Përshëndetemi me përzemërsi me të! Ai ishte mirë dhe plot vitalitet, kishte një memorje për tu patur zili, ruante në kujtesë si një “djalosh” i ri, një “bagazh” vuajtjesh dhe kontributesh në arsim që nga fillimet e punës, veprimtarinë e tij si mësues dhe veprimtar në fshatrat e Tiranës dhe së fundmi dhe punën në emigracion në Kanadanë e largët.

“Megjithëse jam në Kanada prej një kohë të gjatë, ikur pas fëmijëve, fatkeqësisht, mendjen dhe shpirtin e kam atje në Zavalanin e Dangëllisë Naimjane, dhe tek shokët dhe miqtë e shumtë që zura gjatë jetës, si dhe shokët punës në arsim në zonën e Zall-Bastarit”, shprehet i përmalluar Xhoga. Dhimitër Xhoga lindi më 20.06.1936 në Zavalan të Dangëllisë në Përmet. Ai lindi në një familje me tradita patriotike dhe atdhetare.

Ai është nipi i kapedanit Jano Xhoga Zavalani, rënë në dhjetor 1913 për ruajtjen e Pavarësisë së Shqipërisë. Me rastin e 100 vjetorit të rënjes, gjyshit të Dhimitrit, Jano Xhoga, i është akorduar nga Qarku Gjirokastër titulli; “Mirnjohjes”. Vëllai i Dhimitrit Stavri, ka qenë partizan në radhët e Ushtrisë Nacionalçlirimtare i inkuadruar në Brigadën e Përmetit.

Pas çlirimit, Stavri ka punuar në shumë vepra industriale si kuadër drejtues dhe ndërmjet të tjerash edhe si drejtor në Hidroçentralin e Selitës. Ky qe dhe shkaku ku Dhimitri duke shkuar në kantier pas vëllait, dhe duke punuar edhe vetë më pas u “dashurua” me krahinën tonë dhe ruan kujtimet më të mira për Të dhe njerëzit e saj. Babai i tij Mihali u kujdes shumë për shkollimin e Dhimitrit pasi shihte tek ai prirje dhe interes për shkollë dhe arsimim.

Dhimitri, apo “Guri i Naimit” pseudonimi i tij, siç e përdor ai, shkollën fillore e kreu në Zavalan në vitin 1948 me nota shumë të mira. Kujton me nostalgji shkollën dhe Zavalanin e atyre viteve dhe shpreh konsideratën e tij më të lartë për mësuesit e tij; Llukan Xhoga, Reshat Shehu, Muharrem Skënderi.

Arsimin 7-të vjeçar e mbaton në vitin 1953 pranë Shkollës “10 Korriku” në Tiranë me nota shumë të mira dhe fletë nderi. Ai kujton me shumë respekt këtu mësuesit e tij të talentuar; Mihal Pjeshkazini, Xene Hatibi, Burbuqe Stafa, Loro Kiri etj. Respekt të veçantë ka edhe për drejtoreshën e shkollës Antoneta Koçi. -“Unë Dhimitër Xhoga dhe tre shokë të mijë nga Tirana; Arqile Moisiu, Kadri Gjata dhe Haxhire Eshnja kemi marrë pjesë në pritjen e organizuar në Pallatin e Brigadave me 100 nxënësit më të mirë të vendit. Kohë të bukura për arsimin në ato vite”, – përfundon Dhimitri. Shkollën e mesme Xhoga e filloi tek Gjimnazi “Qemal Stafa” më 1954 dhe e përfundoi me ndërprerje pas kryerjes së shërbimit ushtarak.

Arsimin e lartë e filloi në vitin 1964 në degën Histori-Gjeografi në UT dhe e përfundoi në vitin 1969.
Fillon punë në Shëngjergj më 7 mars të vitit 1964 si përgjegjës kulture deri në mars 1966. Në këtë periudhë ai kujton me nostalgji punën për ngritjen e grupeve artistike dhe funksionimin e tyre.

Në mars të vitit 1966 fillon punë si mësues e drejtor shkolle në Zall-Mëner. Kujton me respekt disa mësues që ka punuar me to, apo ka pasur kontakte si: Bajram Moqi, Sali Hida, Elvira Dobralisi, Lumtor Kumtani, Avdi Mali etj. Duke kujtuar ato vite ai shprehet: “Në këtë kohë u hapën edhe 4 shkolla 7 vjeçare nga tre që ishin më parë. Këto vite qenë vite të transformimit të arsimit në krahinë dhe mbarë Shqipërinë. Në vitin 1967 transferohem në Zall-Dajt. Aty u hap Shkolla e Mesme ku funksionojë dhe konvikti”. XHoga në Zall-Dajt qe drejtori i parë i shkollës së mesme dhe më pas u zevendësua nga Maksim Gumeni. Duke kujtuar ato vite Xhoga shprehet: ” Ishin vitet më të bukura të jetës time në arsim. Zona qe shumë arsimdashëse, shumë mikpritëse, me shumë tradita dhe përkrahëse e së resë.

Në Zall-Dajt punova me shumë kolegë të mirë, si: Bilal Kuka, Hamdi Mansaku, Selman Muça, Ylli Caci, Lumturi Zaimi, Natasha Xhoga etj. Shkolla krahas mësimit kishte edhe grupet artistike ku jepnim koncerte në fshatra, në shkallë rrethi, etj. Në këtë periudhë filloi puna për higjenizimin, përmirësimin e kushteve të jetesës në fshat dhe funksionimin e shtëpive model. Shkolla jonë u lidh dhe mori përvojë edhe nga gjimnazet; “Qemal Stafa”, “Ismail Qemali” etj. Roli jonë si mësues dhe emancipues qe i madh edhe në këtë aspekt. “Punova si mësues këtu deri në vitin 1973 dhe u largova me përshtypjet më të mira, përshtypje që i ruaj me fanatizëm edhe sot pas shumë dekadash”, – përfundon Dhimitri.

Në vitin 1973 emërohet mësues në Katund të Ri dhe më pas në Yrshek, ku punon deri në vitin 1981. Në vitin 1981 deri në vitin 1985 punon tek gjuhët e huaja si mësues dhe nëndrejtor konvikti. Nga viti 1985 deri në shtator 1991punon si mësues në dispozicion pranë Seksionit is të Arsimit Tiranë dhe Shtëpisë Mësuesi. Kudo që punoj Dhimitri la përshtypje dhe emër të mirë me nxënësit, kolegët dhe komunitetin.

Pas daljes në pension në vitin 1991 dhe deri më sot, ai bën një jetë aktive. Ka shkruar dhe vazhdon të shkruaj në organe të ndryshme shtypi, dhe së fundmi edhe në rrjetet sociale. Ai u martua me Natashën më 1968, ajo është me arsim pedagogjik. Ato lindën dy fëmijë. Linditën e cila ka mbaruar arsim e lartë në UT, dega Ekonomi. Prej 20 vitesh punon dhe jeton në Kanada ku ka krijuar familjen e saj. Djalin, Arjan Xhoga i cili punon si emigrant në Belgjikë. Fëmijët ecin në gjurmët e prindërve dhe po i çojnë edhe më përpara arritjet. Në këtë 85 vjetor i urojmë jetë sa më të gjatë dhe të rrojë sa të “dojë” vetë, mësuesit Xhoga!

Edhe në emigracion në Toronto ai bën një jetë aktive. Ai është veprimtar i Shoqatës së Miqësisë Shqipëri-Kanada. Ka një rol aktiv edhe në Organizatën e Pasuesve të Veteranëve të Luftës, me organizator e themelues; Drita Tarifa, Alma Çela, Dukagjin Hata, Petraq Peci, etj. Këto shoqata e organizata në emigracion në Kanada e gjetkë bëjnë një punë të mirë në: Hapjen e shkollave shqipe, ruajtjen e gjuhës amtare, promovimin e figurave të kombit, organizimin e veprimtarive kulturore, ndihmën e njerzve në nevojë, mbajtjen gjallë të frymës kombëtare.

Jo rastësisht e pa qëllim i përmenda këto. Kjo ka lidhje edhe me Dhimitrin pasi ai është një veprimtar aktiv në to dhe jep një kontribut modest. Dhimitri citon: – “Qendra për ne mërgatën në Toronto është në rrugën “Pape”, në lokalin “BARKEDA”. Atje mblidhemi, qajmë hallet, kuvendojmë, marrim detyrat dhe zhvillojmë dhe veprimtaritë tonë sipas planit, fushave dhe profesioneve. Barra më e madhe ju bie më të rijve”, – përfundon Xhoga. Sa bukur, edhe në këtë moshë të thyer ai është mjaft aktiv dhe impulsiv si nga hera.

Pavarësisht gjithë kësaj veprimtarie dhe kushteve të mira, ai nuk ndihet komod atje. I mungon vendlindja e tij Zavalani. I mungon dheu i të parëve. I mungon Tirana. I mungojnë njerëzit që ai i don aq shumë. – ” Na ndau oqeani për së gjalli” – citon shpesh ai. Me gjithëse larg ai vjen çdo vit në Atdhe, çmallet me njerëzit që e duan dhe i do. Edhe pse në moshë të thyer, Ai përsëri e ka një peng. Pengu i tij është Zavalani, është lagjia e tij “Ballkoni i Dangëllisë” më të cilët është celibruar që fëmijë dhe nuk mund të ndahet kurrë…

Ibrahim Kabili
Tiranë më 06.10.2021