HESHTJA E BLERIM KUÇIT – MBROJTJE E TERRORIT TË SHIK-ut

0
1150

SHKRUAN: IDRIZ ZEQIRAJ

Thonë se çdo e keqe ka edhe një të mirë dhe anasjelltas. Kjo u provua në rastin e arrestimit të Blerim Kuqit. Në vendimin e tij për ta varrosur të vërtetën, që, padyshim, është rast ekstrem i të keqes, duke u nisur nga profili i tij, si i parë i një komune, ngushëllon një e mirë: Shpërfaqet qartë “lufta” dhe “parimet” e asaj “UÇK-je” që identifikohet me bandën e LPK-së dhe SHIK-un e saj famëkeq.

Blerim Kuqi ishte oficer institucional, pra, ushtar i Ibrahim Rugovës dhe drejtonte formacionin e koduar “Kitrat”. I ndjekur këmba-këmbës nga banda “ushtarake” e komunistëve stalinistë-enveristë të LPK-së, kapet rob, arrestohet dhe përplaset në burgun rural në Kleçkë të Lypjanit. Akuza e gatshme, ashtu si për të gjithë ushtarët, oficerët apo edhe simpatizantët civilë të institucioneve paralele të Presidentit Rugova: “dezërtor, armik, spiun në shërbim të pushtuesit serb!” Edhe dënimi ishte i gatshëm: “Dënim me vdekje – ekzekutim, pra, metoda ekzekutive – pushkatim!”

Dhe, nga ky rit i përgjakshëm e fatal për oficerin Kuqi e shpëtoi vetëm sulmi blic e brutal i policisë pushtuese. Dhe, nga e keqja e madhe sulmuese pushtuese, befason e mira: lirohen e mbijetojnë ata që prisnin radhën e poshtërimit, torturimit, kurbanizimit, ekzekutimit, pushkatimit, pra, Blerim Kuqi me shokë, të rënë në fatkeqësi, të rënë në kthetrat e bandës komuniste lëpëkeiste, e cila zbatonte projektin e hartuar në Tiranë nga banda amë, kallëse e Shqipërisë më 1997, e kryesuar nga Rexhep Mejdani, Skënder Gjinushi, Paskal Milo e Fatos Klosi me shokë.

Burgjet adaptuese rurale të lëpëkeistëve kuqaloshë në Kosovë, ishin një fotokopje e atyre të kohës të Luftës Dytë Botërore në Shqipëri, kur banda e Ushtrisë “Nacional-Çlirimtare”, siç u proklamua rrejshëm në historinë e falsifikuar dhe të sakatosur për këtë “luftë”, për gjysmë shekulli me radhë. Komunistët antishqiptarë të Enver Hoxhës i vrisnin në pusira e prapa shpine jo vetëm kundërshtarët politikë, por edhe brenda radhëve të tyre, duke ua faturuar këto vrasje pushtuesëve italianë dhe gjermanë.

AAK-ja palë në krime me PDK-në

Partia aktuale e Blerim Kuqit nuk e vënë pikën mbi “i”, nuk kërkon llogari nga partia, e cila, tej një dekade më parë e arrestoi, burgosi dhe dënoi me vdekje Kuqin dhe ekzekutimi u pengua nga sulmi i befasishëm i forcave pushtuese. Por, i bie teneqes të shpuar, duke u bë pjesë e korit në kolektivizimin e marrëzisë, duke thënë se “Kuqi është burgosur për shkak se ka refuzuar ta njolloste luftën çlirimtare të UÇK-së!?” (Fjala është për dënimin me burg një mujor nga EULEX-i, pse ai nuk pranoi të dëshmojë në Hagë për torturat dhe dënimin me vdekje nga Gjykata kriminale e Sokol Dobrunës!)

Partia e Blerim Kuqit fsheh turpshëm arrestimin dhe dënimin e tij në vitin 1999, sepse të njëjtën gjë ka bërë edhe ajo gjatë dhe pas luftës me luftëtarët institucionalë dhe kundështarët politikë në Kosovë. Prandaj, flet “kodra pas bregut”, bën tymnajë e mjegullnajë, për ta fshehur një të vërtetë të hidhur, një praktikë kriminale të bashkëmendimtarëve të tyre ideologjikë.

Përrallat e bashkëpartiakëve
në mbrotje të Kuqit

AAK-ja e Suharekës thotë se “EULEX-i po njollosë personalitetin e Kuqit”; se “mbështetë fuqishëm aktin moral të kryetarit Blerim Kuqi, i cili ka dalë në mbrojtje të luftëtarëve të UÇK-së, duke mos pranuar assesi njollosjen e luftëtarëve të lirisë”! Nuk thuhet kot se “qysh është mileti, është edhe shteti”, shtet ky rakitik, defektiv dhe hiç i Kosovës. Mbrojtja e krimit është tërësisht amorale dhe e vetëpërdhosë personalitetin e mbrojtësit. Kjo vlen edhe për të gjithë ata që mbështesin kryekomunarin Blerim Kuqin, në marrëzinë e tij të fshehjes të së vërtetës; të mbrojtjes skandaloze të krimeve seriale; të mos denoncimit të bandave vrastare, të cilat operonin dhe vepronin falsifikueshëm nën siglën e”UÇK-së”.

Serbia ka qenë në dijeni të të gjitha këtyre punkteve toturuese e vrastare dhe qëllimshëm i ka toleruar, pikërisht për t`i lansuar akuzat e sotme si “krime lufte të UÇK-së”! Me tolerancën e saj të qëllimshme, Serbia arriti t`i mbajë peng pushtetarët e ardhur nga LPK-ja, duke i shërbyer asaj pas luftës, deri në bërjen e Serbisë hisedare në sundimin e Kosovës.

Mbrojtja e krimeve turpëron Kosovën

Shtrohet pyetja: Ta heshtësh të vërtetën a është akt moral apo imoral?! A është mbrojtje e UÇK-së apo e bandave të LPK-së?! A janë luftëtarë të lirisë apo të robërisë?! Pa hamendje fare, përgjigjet e sakta do të ishin pjesa e dytë e këtyre pyetjeve.

Në mbështetje të Blerim Kuqit u bënë një varg demonstrimesh! Sejcili folës lëshoi në etër vetëm marrëzira, jo si kuadro e njerëz publikë, por si njerëz rrugash.

Përpjekja e ethshme për ta legalizuar SHIK-un, madje duke e quajtur kombëtar, është njësoj sikur ta quash Osama Bin Ladenin luftëtar të shenjtë, ndërkohë që, tashmë, identifikohet me krimin e organizuar politik, është e marrëzishme deri në pakufi. Kreu i Gjykatës të SHIK-ut, Sokol Dobruna, i cili, gjithësesi, ka pjesën e vet në këto krime, duke cituar Blerim Kuqin, flet për spiunët.

Ia kujtojmë zotërisë, Sokol Dobrunës, se vrasja e ministrit të luftës, kolonel Ahmet Krasniqit; gazetarit Ali Ukaj; zhdukja pa shenjë në Tiranë e oficerit Sadri Ramqaj; vrasja e eprorit Ilir Konushevcit së bashku me dr. Hazir Mala dhe të gardës tjetër ushtarake, bërëse të luftës faktike; denoncimi i kryeguerilasit Zahir Pajaziti me shokë, është kryespiunim dhe shërbim i madh i bërë pushtuesit serbo-sllav, i bërë nga kuadrot e SHIK-ut.

SHIK-u – pjellë e Serbisë, Sigurimit
hoxhist dhe LPK-së

Garda eprore e SHIK-ut, e instruktuar nga kasta zyrtare komuniste e Tiranës, huazoi metodat kriminale të partizanëve të Enver Hoxhës, përgjatë Luftës të Dytë Botërore dhe më pas të regjimit të tij fashizoid gjysmë shekullor, për marrjen e dhunshme të pushtetit, me ndihmën e emisarëve jugosllavë të Titos, dhe të ruajtjes të këtij pushteti supër-kriminal.

Përrallisjet e SHIK-asit Sokol Dobruna me shokët e tij xhelatë, synojnë arritjen e dy qëllimeve bazë:
E para, legalizimin e organizatës ilegale e terroriste të SHIK-ut, së bashku me krimet e bëra, në emër të një patriotizmi fiktiv të “veprimeve specifike” dhe të “interesit kombëtar”,- siç thotë kreu i krimit, Kadri Veseli me bandën e tij!
E dyta, promovimin e personelit të SHIK-ut, si “themelues të UÇK-së” dhe “sakrificat” e “meritat” e tyre në “luftën heroike për lirinë e Kosovës”!

Blerim Kuqi ta mbrojë veten nga
shpifjet e SHIK-ut dhe jo UÇK-në

Kryetari i Gjykatës të SHIK-ut, Sokol Dobruna, në referencën e tij për ekzekutimin e Blerim Kuqit, shpëtimin e tij e shpjegon me mungesë të plumbave qorr dhe të skuadrës pushkatare! Kujt ia shet këto përralla ky zotëri stalinist-vrastar? Komunistët të ekzekutojnë edhe me çekan kokës. Kujtojeni ekzekutimin makabër të kuadrit të lartë të LDK-së, Shaban Manaj, torturimin deri në vdekje, pastaj djegien karbonizuese dhe bindeni për këtë të vërtetë.

Shembullojmë me dëshminë e kryegardianit në burgun e Tiranës, Qemal Birçe: “Si ia morem frymën Teme Sejkos”? Dhe, bindemi se komunistët janë një racë e ndyrë, që nga Ballkani deri në Azi. Për ekzekutime nuk kanë nevojë as për “plumba qorr”, as për “skuadër pushkatimi” dhe aq më pak për “ekspertizën e prokurorit”, me plumbin e fundit kokës.

“Teme Sejkon e kemi qëlluar për orë të tëra me shkopinj në fytyrë, kokë, brinjë, këmbë, deri sa mbeti pa ndjenja. Pastaj e hodhëm në gazin, xhipin me karoseri, rimorkio, “prokolicë”, e Ministrisë dhe, sa u përmend, e mbytem me litar”, – dëshmon Qemal Birçe. “Për t`u siguruar për vdekjen e Temes, unë me një kazmë që e gjeta aty pranë, i rashë Temo Sejkos në kokë disa herë derisa iu prish fare koka. Me kazmë e qëlluan edhe shokët e tjerë. Pasi e hodhëm në gropë, e mbuluam me baltë dhe u larguam”,- dëshmon Birçe.

SHIK-asi Dobruna e akuzon Blerim Kuqin për “dezërtim”, që, në kushte lufte është një tradhti e lartë. Kësaj akuze Kuqi i përgjigjet me mjegullnajë e tymnajë se kinse “po sulmohet UÇK-ja”, se “po ndihmohet Serbia në akuzat kundër UÇK-së”, se “nuk është momenti për kthim në ato kohëra të mugëta për Kosovën” dhe broçkulla të tjera qesharake.

Madje, Blerim Kuqi, i cili i ka shtuar fytyrës të tij edhe një shllungë lesh, për të na kujtuar kohën leshtake të luftës, një kopjim i fytyrave çetnike serbo-malazeze, përgjatë Luftës të Dytë Botërore, krejt e panevojshme për luftëtarët shqiptarë të lirisë. Ai mburret se ka qenë komandant i Brigadës 123, në përbërjen e të cilës militonin 2000 ushtarë (!) dhe se lufta e saj ka qenë e lavdishme, edhepse nuk përmend asnjë betejë apo aksion konkret!

Lavdinë dhe heroizmin e tyre e shpalosin edhe “brigadat”, çetat dhe grupet tjera të armatosura. Dhe, për çudë, në pranverën e 1999-ës, kjo “rezistencë heroike” u shua “si flakë kashte”, me përjashtim të Kosharës, Kosova u boshatis dhe fatin e saj e vendosen forcat e NATO-paktit.

Heshtja e Kuqit është mbrojtje e krimit,
shkelje e ligjit dhe abuzim me pozitën

Heshtja e Blerim Kuqit nuk ka asnjë lidhje me mbrojtjen e UÇK-së dhe të vlerave të lufttës. Disa duzina kriminelë, të cilët kanë vepruar, jo për çlirimin e Kosovës, por, për ta gëzuar pushtetin, nuk përfaqësojnë popullin dhe as UÇK-në. Heshtja e Kuqit është mbrojtje direkte e krimit dhe e kriminelëve.

Është sa cinike aq edhe tragjike, kur i dënuari me vdekje, mbron persekutorin! Ai nuk është i krahuar dhe i pastruar ideologjikisht. Mburret me bashkëpunimin që ka pasur me kuadrin eprorë të LDK-së, por militon në një parti të kuqe, me karrierë të begatë në krime dhe rekete, simotër e partisë në pushtet, PDK-së! Dhe, kjo është e mjaftueshme për vetëdemantim të angazhimit të tij të sinqertë për liri dhe demokraci.

Një kryekomunar i zgjedhur për zbatimin dhe mbrojtjen e ligjshmërisë, rezulton se është abuzues, shkelës i ligjeve dhe mbrojtës faktik i krimeve, qofshin ato të bëra tej një dekade më parë. Përndryshe, zoti Kuqi duhej të ishte ngulmues në bërjen publike të dosjes të tij, të cilën Dobruna me shokët SHIK-as ia paskan dorëzuar Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës. Strukja prej struci e Blerim Kuqit, me arsyetime kamufluese, ngjall dyshimin e bazuar të kalkulimeve hiç parimore të tij me krerët e SHIK-ut.

Vetëmburrja e Kuqit se “nuk ka guxuar dhe nuk guxon kush ta vrasë Blerim Kuqin”, me referencë në familjen e gjerë Kuqi, nuk përkon me realitetin e krijuar në Kosovë, gjatë dhe pas luftës. Organizimi i bandave vrastare, nën kupolën e SHIK-ut dhe veprimet e tyre kriminale, kanë qenë shfrenuese dhe kanë goditur familje të mëdha, kryesisht kombëtare, me traditë trimërie e burrërie.

Kur banda e Dukagjinit ia vrau, ngeshëm, në shtrirjen kohore brenda pesë viteve, një prindi 4 (katër) djem, dikush i tha: “Pse nuk po merr hak, mbasi po dihet vrasësi”? Prindi i dërrmuar shpirtërisht, iu gjegj personit këshillues: -“Besa, nuk po mundem me luftuar me ushtri”! Dhe, vërtet, bandat vrastare të SHIK-ut janë ushtri, madje të legalizuara nën emërtime partiake dhe “patriotike”!!

Pas çdo vrasjeje janë përkujdesur edhe për humbjen e gjurmëve, duke e vrarë ekzekutorin. Këtë e shembullojmë me eleminimin e ekzekutorit të Ekrem Rexhës, Shaban Manaj, Xhemajl Mustafës, të Besim Dajakut, Bekim Kastratit dhe të plagosjes të Gani Gecit, të plagosjes të Fetah Rudit dhe raste të tjera e, deri ke pazari i bërë për vrasjen e Nazim Bllacës, shpëtimi i të cilit është rastësi dhe kontributi i tij për drejtësinë është thellësisht kombëtar. Dhe, si vrasës i penduar, e bën atë një luftëtar këmbëngulës kundër të keqes të madhe, siç është krimi i organizuar politik, me guximin qytetar, për të denoncuar krimet seriale dhe makabre të organizatës ilegale e kriminale të të ashtuquajturit “Shërbim Informativ të Kosovës”.

Edhe Hoxha i Tiranës kishte ligje
demokratike në letër

SHIK-asi Sokol Dobruna, në cilësinë e personit të parë juridik të armatës të SHIK-ut, na shpalos ligjet dhe rregulloret përralltare, për të “drejtat” dhe “trajtimet e të burgosurëve gjatë luftës”. Themi armatë e SHIK-ut dhe jo e UÇK-së, sepse njësoj si komunistët e Shqipërisë gjatë Luftës të Dytë Botërore, më shumë u kujdesen për burgosjen dhe vrasjen e nacionalistëve shqiptarë, se sa për luftimin e pushtuesit.

Për shembull, qysh në prag të Kongresit të Përmetit, në maj të vitit 1944, arrestuan shumë veprimtarë të organizatës nacionaliste “Balli Kombëtar”, në mes tyre edhe përgjegjësin e rinisë balliste të Korçës, mikun tim të burgut të Burrelit, Sami Dangëllia dhe pas 44 vjetësh burg, në prag të ndryshimeve demokratike, e transferuan nga burgu i Burrelit, për të mos u parë kurrë më në jetë!

Përrallat e hedhura në një letër higjenike nga Sokol Dobruna, dëmantohen bindshëm nga dëshmitarët e koduar ose mohues të këtij kodi karnavalesk, si Imer Imeri, vëllai i të cilit ekzekutohet nga SHIK-u, në Drenicë, Haki Imeri, me dajakun e gjithmonshëm të përdorur në ato dhjetra burgje rurale të SHIK-ut në Kosovë.

Shënim: Enver Hoxha i Tiranës bëri në fakt shtet funksional, një orgaizim i lartë, që vështirë ta arrijmë më si popull shqiptar. Do na marrë kohë të gjatë, që të mund organizojmë një shtet demokratik në një shkallë të tillë funksionimi, pasi shqiptarët e mësuar me hu nga pushtimi, nuk janë në gjendje ta kuptojnë mesazhin e lirisë, dhe e kthejnëd emokracinë në anarki turqelike. /AÇ