“Dokumentet e Pandorës” janë zbulimi më i madh në histori i të dhënave sekrete nga parajsat fiskale

0
211
Pandora papers

Ruben Avxhiu

Qindra politikanë nga 90 shtete të lidhur me korrupsionin. Një ortek masiv dokumentesh të zbuluara nga parajsat fiskale, ku politikanë e biznesmenë të korruptuar fshehin pasuritë e tyre është zbuluar nga OCCRP.

I njëjti rrjet gazetarësh që solli Dokumentet e Panamasë (Panama Papers) tani ka zbuluar “Kutinë e Pandorës”. “Dokumentet e Pandorës” janë zbulimi më i madh në histori i të dhënave sekrete nga parajsat fiskale. Ato përmbajnë 12 milionë skedare (2.94 tetra bajt), fryt i një pune që ka përfshirë mbi 600 gazetarë nga 117 vende.

Janë botuar për momentin vetëm disa nga zbulimet më të bujshme që u nxjerrin bojën figurave të njohura: një njeri i afërt i Vladimir Putinit, ish-kryeministri Tony Blair, kryeministri i Çekosllovakisë etj. Më afër rajonit tonë është ish-kryebashkiakui Beogradit Sinisha Mali që ka blerë fshehtas 24 apartamente etj.

Një vështrim i shpejtë i hartës së botës, Shqipëria del e bardhë. Pra, mund të mos kemi asnjë informacion për shqiptarë që ia fshehin pasuritë taksimit e trasparencës. Jo se nuk kemi të tillë, por mbase ngaqë Shqipëria është e vogël e hajdutët tanë janë shpesh peshq relativisht të vegjël në planin global. Apo mbase nuk kanë mundur të koordinohen me kolegë të gazetarisë nga Shqipëria.

Një gjë është e sigurtë megjithatë. Se ndërsa nga një anë, bota është e madhe për të korruptuar që duan të fshehin paratë e tyre, nga ana tjetër ajo po bëhet gjithnjë e më e vogël për shkak të një interesi në rritje për të gjurmuar korrupsionin që kapërcen tani lehtësisht kufijtë e një shteti.

Problemi tjetër për ne shqiptarët është se ndërsa krimi e mëkati në këtë rast janë shpesh ndërkombëtarë, ndëshkimi i tyre mund të bëhet vetëm në planin kombëtar. Nëse Shqipëria vetë nuk ka një sistem drejtësie që ka ambicjen për të përndjekur ata që ekspozohen nga gazetaria hetuese, atëhere këto zbulime nuk kanë ndonjë vlerë të madhe.

Shqiptarët janë shpesh kavalierë me korrupsionin, të prirur të falin abuzuesit e tyre, e madje në disa raste e shohin ndjekjen nga ligji si persekutim të padrejtë. Ky mentalitet që ka pasur pasoja të tmerrshme për shqiptarët në këto 30 vitet e fundit, do të kërkojë një brez të ri më idealist e më aktivist për të ndryshuar.


Një politikan nga Shqipëria në “Dokumentet e Pandorës”!

Po mirë, të shohim kush po del.

Ju kush mendoni se është?