PASIONI PËR DIBRËN I ÇIDHNAKUT MUSTAFA TOLA

0
118
A. Ashiku - Mustafa Tola

Nga cikli: 100 vjet Lan-Lurë, 100 vjet Shqipëri

Do të desha që më 28 tetor 2021, në 100 vjetorin e betejës heroike të Lanë-Lurës, nga maja e Shkëmbi të Tajanit, prej ku pamja e Dibrës me Korabin në ballë e me Luginën e Drinit ku janë zhvilluar 18 nga 24 betejat fitimtare të Skënderbeut kundër turqve osmanlinj dhe dhjetëra beteja të dibranëve të vetëm në luftë kundër pushtuesve serbë, këngëtarët epikë Arif Vladi dhe Kastriot Tusha të këndonin hapakrahësh Himnin e Djelmënisë Dibrane…

Drin o lum i gjatë, plaku i malësisë,
A ke me ia lanë Dibrën Serbisë…

Nga Abdurahim Ashiku,
Gazetar,
Athinë 29 shtator 2021

E kam  njohur Mustafa Tolën një jetë të tërë.

E kam njohur në trojet e të parëve në Çidhën ku kafja ti mbledh në gojë shijet e maleve të Dibrës, ritin e papërsëritshëm të pjekjes, bluarjes, shtrirjen mbi dërrasën e sharruar dhe zdruguar vetëm për të, zierjes dhe derdhjes në filxhanin pa bisht, karakteristik për Dibrën.
E kam njohur në përkushtimin në profesion dhe në qytetari.

Më shumë e kam njohur nga larg, në mërgimin tim të detyruar, atëherë kur intelektualë të Dibrës i vunë shpatullat për ta mbajte e ngritur lart…

E kam  njohur në betejën e madhe të tij për mbrojtjen e Setës, lumit të jetës së tij, lumë ku kapte troftat me duar, lumë  ku ka  mësuar notin, lumë që u fliste kohëve me shkumën e burimeve e melodinë mbi pentagramin e rrjedhës.

Nuk e ekzagjeroj po të them se Mustafa Tola është intelektuali në krye e në ballë të mbrojtjes të bukurisë dhe begatisë së lumit të Setës.

I kam qëndruar në krah në të gjitha ballafaqimet dhe kundërshtinë e tij për  ndërtimin e hidrocentralit mbi Setë. Kam shkruar, mbase dhjetëra herë, në dhjetëra organe me thirrjen që Seta, lugina madhështore e saj, kanioni që mban heroizmin dibran për ndërtimin e kanalit të Çidhnës, vepër unike që meriton të shndërrohet në  një “auditor” natyror mësimi historie e mjeshtërie ndërtimesh popullore…

Edhe unë, në shkrimet e mia, kam qenë për ndërtimin e një hidrocentrali mbi Setë ashtu siç kam menduar që degët e Drinit (Seta, Murra, Veleshica, Malla, Zalli i Okshtunit…” të prodhojnë energji elektrike dhe me ujëmbledhësit e tyre ti shtojnë Dibrës “Sy” për të parë qiellin, “Sy” që për mendimin tim do të prodhonin aq energji elektrike sa Skavica mbytëse dhe shkatërrimi ekologjik e historik të Dibrës.

E kam menduar (dhe shkruar në “Po Dibrës! Jo Skavicës!” etj.) me një digë në ngushticën e fundit të saj para se të marrë paksa frymë nga kanioni i thellë ku natyra e ka burgosur, diku mbi hidrocentralin që merr ujë nga Kanali i Çidhnës. Një digë argjile apo betoni me lartësi sa pasqyra e ujit të arrijë nën këmbët e burimit të madh në Gurë Lurë. Kam shënuar që nëpër atë labirint malesh të lundronin “gondola” ku turistët të lexonin bukurinë e natyrës dhe heroizmin e papërsëritshëm dibran.

Kam shënuar që nga Gurë Lura, tashmë një qytezë turistike ku rakia e thanave dhe kecat rritur tërë vitin në natyrë, të  ishin shija dhe menyja e udhëtimit) me një teleferik turistët të ngjiten tek Liqeni i Luleve e të bridhnin liqeneve të tjerë e fushës madhështore të Pllajës ku thonë se dikur Skënderbeu kishte bazën e riprodhimit të kuajve luftarakë.

Seta e menduar dhe e “ndryshuar” me syrin e ekologut, elektrologut, turistit, bisnesmenit… duhet të ketë një projekt për sot dhe për të ardhmen…

Këto i kam gjetur në shikimin e thellë të Mustafa Tolës, në intelektin e tij do të thosha brilant.
Ndaj e kam përkrahur.
Ndaj do ta përkrah.

Dibra ka nevojë për vizion intelektual, vizion që ta shohë të nesërmen me dashuri e përkushtim.

Mustafa Tola erdhi e më gjeti mëngjesin e 17 korrikut 2021 në Malin e Robit ku kam një shtëpi të vogël, të vetmen shtëpi të jetës sime sot.
Pimë kafe dhe udhëtuam maleve të Dibrës.

Mjerisht me mend se mërgimi një çerekshekullor dhe gjunjët  e ngrirë të pleqërisë ma ndalën tu ngjitem  atyre vendeve ku kam dëgjuar zanat të këndojnë e njerëzit e qeshur fiksuar në celuloid.

E brente diçka, kishte një brengë dhe donte ta ndante me mua.
Mu bë qejfi. E falënderoj për respektin dhe për zgjimin që më bëri pas shumë muajsh “thyerje lapsi” e heshtje publike.

Kishte lexuar një shkrim timin botuar në vitin 1992 ku pasi përshkruaja paksa betejën historike të Lanë-Lurës, betejë që e përcolli serbin përfundimisht tej kufirit të Londrës-1913 pyesja se kujt i intereson shkatërrimi i lapidarit vendosur në kujtim të asaj ngjarjeje të madhe.

Kish lexuar edhe shkrimin nxitur nga 100 vjetori i Luftës së Vlorës ku ballafaqoja hedhjen e italianit në det nga luftëtarët shqiptarë nga të gjitha krahinat e Shqipërisë dhe mbytjen e serbit në Drinin e zi nga luftëtarët  dibranë, pa një pushkë të vetme nga krahinat e tjera të Shqipërisë.

Dhe kishte bredhë ditë të tëra në kërkim të “zërave historianë” që 100 vjetori i betejës historike të Lan-Lurës të dilte në dritë me tërë madhështinë e vet.
Kishte trokitur shumë. Në shumë dyer e dritare.
Kishte trokitur në dyert e bashkisë së Peshkopisë.

Kryebashkiaku i ri nuk dinte gjë, nuk kishte asnjë letër në sirtarët e tij për 100 vjetorin e betejës së Lan-Lurës, 100 vjetorin e vendosjes përfundimtare të  kufijve që kemi sot (!)
“Si është e mundur”?, kishte pyet

Kishte trokitur në dyertë e Akademisë sonë të Shkencave. Ishte takuar me personalitete të historiografisë shqiptare, nga ata “me pak zë” dhe nga ata me “shumë zë”.
Kishte parë se si ngriheshin supet e shtrembëroheshin në fytyrë…

“Beteja e Lan- Lurës”?
“Kur është bërë”?
“100 vjetor”?
Asnjë program, asnjë aktivitet akademik…

Një intelektual dibran, një zooteknik në profesionin universitar, u tregon arat baballarëve të historisë…
Diçka mori nga ato takime.
Diçka zgjoi.
Kishte këndellë një zjarr që përmes krandeve të thara nxori gjuhëza flake…

 * * *

Iku duke më lënë në shpirt një brengë, brengën që e kisha shprehur afro tri dekada më parë kur lapidari i betejës së Lan-Lurës u shkul nga rrënjët me synimin të shkulet burrëria dhe trimëria dibrane, e vetme në një betejë ku nuk pati asnjë “pushkë” nga asnjë trevë e Shqipërisë, ASNJË!…

I dërgova shënimet e mia të një viti të shkuar në adresë të kryetarit të bashkisë së Dibrës me një skenar të gjerë të përkujtimit të 100 vjetorit të Betejës së Madhe.

I dërgova shkrimin tim: “KUJT I INTERESON SHUARJA E FITORES SË LANË-LURËS?” – 1992 dhe shkrimin: “NJË 100 VJETOR QË DUHET PËRKUJTUAR E FESTUAR NË MASËN E LUFTËS SË VLORËS” si dhe disa shkrime historike që lidhen me fitoren madhështore të dibranëve në mbrojtje të  vatrave të tyre shqiptare nga synimi serb për të dalë në Drin e për të marshuar drejt Durrësit.

Kishte vijuar trokitjet derisa zgjimi me sy ende të përgjumur kishte bërë rrugë…
Më njoftoi se të shtunën… do të bëhej një takim i ngushtë…
U gëzova.

Më shumë për të, për përpjekjet e tij në një rrugë me shumë gropa…
Më ftonte të bëhesha pjesë e atij takimi…

I thashë se nuk mundesha. Një udhëtim makinë pas makine nga Mali i Robit në Tiranë ishte i vështirë për moshën dhe shëndetin tim.

Kur u ktheva në Athinë përsëri mora njoftim për një takim për 100 vjetorin e betejës historike…

Mësova nga njoftime të shkurtra në fb se diçka ishte vënë në platformën e përkujtimit të ngjarjes. Një si “sesion shkencor” e të tjera…

Unë, siç edhe e kam kërkuar një vit të shkuar në letërkëmbimin me kryetarin e bashkisë së Dibrës Dionis Ymeraj do të desha një festim të madh, më të madh se ai i 100 vjetorit të Vlorës kur italianët u hodhën në det (vetëm në det se Sazani i tyre mbeti deri në përfundim të Luftës II Botërore)…

Shkruaja:
Vitin e ardhshëm është 100 vjetori i Betejës së Lanë-Lurës, (28 tetor 1921) betejë që mbyti serbo-jugosllavët në Drin, betejë që bëri jehonë të madhe në të gjithë botën dhe solli pavarësinë përfundimtare të Shqipërisë.
Ky përvjetor duhet të përkujtohet në masën e “Luftës së Vlorës”.
Me madhështi, me përkushtim qytetar dhe në vijim të shndërrohet në një festë të madhe shqiptare të përvitshme.

Në Lanë-Lurë, në krye të saj, atje ku ka qenë vendos lapidari, çuditërisht i shkatërruar në hapat e parë të demokracisë (Shiko shkrimin “Kujt i intereson shuarja e fitores së Lanë-Lurës, ZP dhjetor 1992) mendoj se duhet të ngrihet një memorial madhështor që të dominojë pamjen, madje edhe nga sateliti.
Bashkangjitur po ju dërgoj një shkrim timin të një çerek shekulli më parë kur lapidari i ngritur në krye të fushës së Lanë-Lurës u shkatërrua.
Sugjeroj një vendim që tani nga ana e Këshillit -Bashkiak dhe bërjen e një programi me hollësi për përkujtimin e saj.

Lura, shumë vite më parë, kremtonte “Festën e Liqeneve”. Mendimi im është që ajo duhet të zgjerohet dhe festohet me qendër fushën e bukur të Lanë-Lurës e me degëzime deri në Fushën e Pelave dhe fushën e Krej-Lurës, me veprimtari atdhetare, konkurse, gara hipizmi (Fusha e Pelave ose e Lanë Lurës), me panair tregtar  me prodhimet e vendit, me tërheqje masive turistësh vendas e të huaj.
Për hollësi organizimi, më në detaje, mund të komunikojmë pas vendosjes së festimit të 100 vjetorit.

Athinë, 23 shtator 2020

Do të desha që më 28 tetor 2021, në 100 vjetorin e betejës heroike të Lanë-Lurës, nga maja e Shkëmbi të Tajanit prej ku pamja e Dibrës me Korabin në ballë e Luginën e Drinit ku janë zhvilluar 18 nga 24 betejat fitimtare të Skënderbeut kundër turqve osmanlinj dhe dhjetëra beteja të dibranëve të vetëm në luftë kundër pushtuesve serbë, betejën aktuale të Mustafa Tolës dhe të një grupi të gjerë intelektualësh dibranë që ajo luginë të qëndrojë ashtu siç e ka bërë Zoti, që eshtrat e luftëtarëve në histori të mos lëvizen nga varret e të mos mbyten nga liqeni i turbullt i Skavicës, DESHA DHEDUA që  këngëtarët epikë Arif Vladi dhe Kastriot Tusha të këndonin hapakrahësh “Himnin e Djelmënisë Dibrane…”

Drin o lum i gjatë, plaku i malësisë,
A ke me ia lanë Dibrën Serbisë…

A do ta këndojnë?
Nuk e besoj.
Ju e besoni?
?????????????

Athinë, 29 shtator 2021