Lufta e pastër e UÇK-së në romanin “Ti” të Ilir Muharremit

0
89
Ilir Muharremi - Ti - roman

Romani “Ti” i Ilir Muharremit rrëfen edhe për luftën e drejtë dhe të pastër të UÇK-së.

Në vazhdim po ju sjellim një fragment:

U fshehëm pas pemëve, jo shumë larg dukej një autobus nga i cili paramilitarët serbë i kishin zbritur udhëtarët kosovarë. Aty pranë dhe pak më në distancë kishte edhe autobusë të prishur, makina të djeguara. U krijua një rrëmujë nga civilët. Disave në dritë të Diellit iu shkëlqente plisi i bardhë në kokë. Si duket nuk kishte shumë paramilitarë dhe ndoshta do t’ia dalim kësaj beteje. Komandanti ende nuk dha urdhër të gjuanim në drejtim të paramilitarëve. E pashë një trupmadh i cili mbante në dorë një çantë të rëndë. Në kokë kishte të mbështjellur një shami të hollë. E lëshoi çantën ngjyrë të kuqe në tokë, nxori një çekiç jo shumë të madh. Civilët i kishin pozicionuar përballë tyre. Aty kishte pleq, plaka, fëmijë dhe njerëz të moshës së mesme. Dominonin meshkujt në këtë turmë. Ky trupmadh bërtiti “Mjaft, askujt nuk dua t’ia dëgjoj zërin! Kuptuat?!”. Këto fjali ishin në një serbishte fshatareske, kështu të paktën na përktheu komandanti, i cili ende nuk po na jepte urdhër të vepronim.