“Psikiatri më priti në një dhomë të veshur me perde, mbi tavolinë ndodhej një llampë që e ndriçonte kolltukun. Aty u ula unë, ndërkohë ai u rehatua në errësirë. Kisha lexuar në ca libra për një përshkrim të tillë dhe e gjithë kjo më dukej tash si lojë.
Pasi zhvilluam bisedën, e vështrova dhe pashë një burrë me tipare të holla, sy të kaltër të mbyllur, shtatlartë, me mustaqe të gjata gri dhe flokë të dendura e thujase të thinjura. M’u duk shumë i arsyeshëm dhe me një fjalë simpatik, pavarësisht nga disa teke nervore që ia tërhiqnin gojën.
“Ke përjetuar ndonjë mendim vetëvrasës?”, – më pyeti. “Ndonjëherë, po.”, – ia ktheva. Ai vështrimin e mbante në një fletë të bardhë, në të cilën vetëm shkruante. Nganjëherë e ngriste kokën dhe shumë shkurt më shikonte. Ndiehem sikur do të vdisja në Kosovë. Maria do të ishte më e lumtur tani, e di këtë. Do ishte mërzitur për pak, po, por jeta e saj do të ishte më e mirë…
Ai vazhdonte të shkruante dhe vetëm shënonte. “Momentalisht po merr mjekime?”, – më pyeti. “Xanax”, – iu përgjigja. “Për ankthin tim, ato nuk bëjnë punë fare”, – vazhdova. “Si je me nivelin e dhembjes?”, – më pyeti. “Dhimbje mendore apo dhembje fizike?”, – e pyeta.“Të dyja”, – ma ktheu. “Nëntë në dhjetë”, – ia ktheva.”