Tirana, Tirana, Tirana

0
2469

Dionis Xhafa

Në qytezën ku jam rritur, ne e donim shumë Tiranën. Aq shumë e donim, sa shumica e banorëve atje dëshironin që të kishim një jetë në kryeqytet, të banonin në “kokën” e qyteteve të republikës. Aq shumë e donin Tiranën andej, sa njerëzit Televizionit Publik Shqiptar i thonin “Tirana” e se kur vinte letër në postë thonin: “Erdhi nga Tirana”. Gjithashtu, kur bëhej kontroll i rreptë mbi mësonjësit tanë, thuhej rrotull: “Kanë ardhur ata të Tiranës”.

Shkurt, qyteti më i madh në shtetin tonë adhurohej andej sikurse lopa tek indianët. Çuditërisht, unë nuk e kisha këtë dëshirë “të çmendur” për “kaptinën” e qyteteve të Shqipërisë. Nuk di ta shpjegoj saktësisht se përse, por s’di përse më pëlqente shumë vendi ku u rrita. Ndoshta sepse aty njihja shumë njerëz e më njihnin dhe ndjeja më tepër respektin, njerëzoren. Madje, isha ndër të vetmit që shumë vonë, vetëm pasi kisha mbushur 14 vjeç, e kam vizituar kryeqytetin shqiptar. Ishte llahtari ajo kohë. Më kishte marrë vëllai me vete në Tiranë, më kishte hipur në urban . Pashë shi të dendur, njerëzit të bërë qull dhe zhurmë e katrahurë vërejta gjithandej.

E vetmja gjë pozitive ishte se bleva një libër, të cilin ia dhurova një vajze, që e kisha për zemër në atë kohë adoleshence të hershme. Duhet të isha ndër të rrallët, që thyeja “tabu” në atë zonë dhe shoqërohesha edhe me vajza, pa i cënuar në nderin e tyre, duke qenë se mentaliteti në zonë, sidoqoftë ishte mjaft i pranishëm. Në moshën 13 vjeç kisha kërcyer në ditëlindjen e një shoqeje klase, gjë që u transmetua në televizionin lokal dhe bëri “bujë” në zonë. Po ashtu, bëja edhe dhurata për vajzat, për ata që kisha respekt, të cilat vinin nga fshatrat për në qytezë më së tepërmi ose që mësonin diçka. Kështu, fëmijëria dhe adoleshenca ishin mosha të bukura për mua, në atë qytezë kufitare. Ndërkohë, prindërit e kishin nisur ndërtimin e shtëpisë në Tiranë dhe do të vija në kryeqytet.

Vështirësi të mëdha kishte kryeqyteti i konsideruar, i shqiptarëve kudo ata ndodhen. Mësova se këtu më së tepërmi të respektojnë veç për interes, jo aq si njeri, për shkak se ishte qyteti i madh e jetojmë në kohën e parasë. Edhe ndjenjat, dëshirat nisën të më zhdukeshin. Siç nuk e kisha dashur qendrën e qyteteve shqiptare, ashtu mu bë edhe realiteti. Fillova të mos kthehem as në qytezën time, për shkak se kjo ishte kohë e parasë. Tirana shpesh është zhurmë, lemeri, garendje pas interesit, aty në llucë e në llum. Këtu munda që me përpjekje të mëdha të bëhem gazetar. Përpjekjet ishin të mëdha, sepse në fillime edhe nuk më donin, se më shihnin si “të huaj”. Njeriu edhe transformoheshka në Tiranë. Puna qenkërka jo në natyrë, por e ndrydhur brenda mureve, që pak emocion kanë.

Raste të dhimbshme ishin ato, se disa bashkëmoshtarë, edhe pas studeimeve të larta, merrnin udhën për në Angli, Francë, Gjermani apo SHBA, duke punuar edhe punë të rëndomta. Erdha dhe fillimi sidomos ishte i rëndë. Ndryshe nga shumë të tjerë, nëse do kisha një punë të thjeshtë në vendin ku u rrita, në natyrë qoftë, por sigurisht edhe punë prej intelekti, do kthehesha. Do të kisha natyrë, gjelbërim, qetësi e harmoni, besoj edhe respektin e shumë personave. Tirana është jo pak ujqëri, në përditshmëri, madje edhe kur thjesht je duke ecur. Shpesh, në fillime sidomos, kur ende nuk i kisha mbushur 18, më dukej se këtu ishte mbledhur tërë ujqëria, nga të katër anët e republikës. Tirana mu duk disi tiranike. Ka edhe këtu njerëz të mirë, por të rrallë dhe pak vështirë të dallosh të mirin nga të keqin. Them që nuk ia vlen plotësisht të brohorasësh si parrullë: “Tirana, Tirana, Tirana”. Unë s’do ta bëja kaq kollaj.

D.Xh, 1 tetor 2016