DJEP ME ETJE DIELLI

0
149
Naxhije Doçi - Sihark Ylberi

Naxhije DoçiProf. Prishtinë

DJEP ME ETJE DIELLI
(Kosovës)

Kosovë e jehut krahështrirë
Ti dheu im sublim
Në gjeografinë e copëzuar.
Nëpër gjurmët e ndezura stinë për stinë
Djep me etje dielli
Me emrin e ruajtur trofe
Edhe nëpër thepisje shkëmbinjsh.
Në rrjedha gjallërimi
Frymëmarrje e përkushtuar zgjimi,
Dhe me sfida të pandalura në gufim
Për një nënqiell të puthitur në përthekim.

Secila ditë e frymimit të dallgëzuar
Në TY simbolikë madhështie
Sirtarë i përflakur lashtësie
E ka udhëtimin e vet të kërkuar
Për të shprehur ëndrrën e bukur
Për dritësie mbi errësirën e shkaktuar
Krejt pjalmë bore
Nga dinakëritë e kohëve me etje demonësh.

Muajt, vitet dhe dashuritë për ritët
Skalitur nga hirësi e zgjuar brezash
E kanë patjetër një veçanti të krisur
Shpresën e pashuar për buzëqeshje agu
Në hartën e madhështisë qëndisur.


LAHUTA PERLË SHQIPTARE

Lahuta perlë shqiptare,
Me nota zgjimi komponuar
Epikën hyjnore në përqafim,
Art i gdhendur në tela shpirti
Ngjyrash magjike në pikturim.
Krenaria për të mal me fletë,
Lumturia gjer tek retë
Që e kemi trashëgimi në jetë.

Në tingujt e lahutës shqiptare
Simfoni e derdhur
Me vizion agu në rrjedha jete
Kujtohet lashtësia e gjeografisë të etur
Me hyjni madhështie,
Plisbarrdhët syshqiponjë
Flakërimit rrufe
Që nga krijimi i gjallërimit mbi dhe.

Edhe Homeri i madh që në paraantikë
Në “Odisenë” e tij e pohoi troç:
“Me lahutë këndoi Demodoku ynë hyjnor
Zotat e bënë që të magjepsën shpirtrat
Me zërin e pashoq”.

Në lahutën shqiptare
Simbolikë e bekuar
Thyhet heshtja e nemitur
Nga xhelozi e renditur
E pushtuesve të shumtë dhe barbarë
Për rrënjën time margaritar.

Flakëron edhe historia e dëshmuar
Në dheun tim sublim
Me ikona jehu në rrëzëllim.
Edhe ecuria e vazhduar e jetës
Njëjtësinë e përmalluar në përthekim.


DRITË MBI ERRËSIRËN E SHEKUJVE

Jehut të derdhur në rrjedha jete
Kongres i ABC-së shqipe
Epokë madhështie për ecuri ligjërimi,
Dritë mbi errësirën e shekujve
Për skalitje shkronjash shqipe si hirësi,
Farkëtimin për dituri shkrirë në madhështi.

I pari Kongresi i Alfabetit të shenjtëruar shqip
Përkushtimit të flakëruar zjarr
Në gjysmën e dytë të Nëntorit 1908 filluar
Me fitore lavdie kurorëzuar.
Kongres i mirëkuptimit dhe i njëjtësimit
Në trasim rrugësh të ndritura,
Për Alfabetin e Gjuhës Shqipe
Gjuhës me rrënjë të thella
Që në kohët e hershme në lashtësi
Kur hartat frymonin me buzëqeshje agu
Përthekimit të patrazuar në tërësi.

Kongres i ABC Shqipe,
Bashkim i kokave të ndritura
Me vizion flakërimi në histori
Krahë-shqiponjat e kombit shqiptar
Nga secila pjesë e ligjërimit shqip përthekuar
Etjesh të pashuar për frymim të lirë
Nga ngulfatja satanike e pështirë.

Prishtinë, 07.03.2020