FENIKSI I ÇAMËRISË

0
171
Republika e Çamërisë

Hymn për Çamërinë, nga poeti, Vullnet Mato

FENIKSI I ÇAMËRISË

Era e fortë e lirisë së këtij mileniumi,
ndezi në Hagë yllin e sinjalit të blertë:
Gjaku i martirëve të zgjohet nga gjumi,
Feniksi i Çamërisë të ngrihet nga hiri i vet.

Psherëtinë thellë eshtrat ndër varre,
bubulluan kudo muret nën rrënoja,
oshtinë rënkimet dhjetëra vjeçare,
oxhaqeve me blozë, u erdhi goja…
Çelën lastarë trungjet e prerë të ullirit,
shpirtrat e nënave rindezën vatrat,
zërat e therur të foshnjave të gjirit,
shkundën pendët e Feniksit nga baltërat.
Osman Taka u ngrit për vallen e vjetër,
në dosjen e krimeve, fustanella me dritë,
kishte dyzet palë, të qepura në letër,
për të kërcyer i lirë, pa litar në grykë…

Bubulina bubulloi përmes reve të zeza,
Nga Gumenica në Filat e tej Paramithisë,
Lumi Kalana*, nisi deri tutje nga Preveza,
t’i këndojë me valë, këngën e trimërisë.
Gjin Bua Shpata e Mërkuri, heronj luftëtar,
pastruan shpatat nga millet e ndryshkur,
dhe filluar mbi gurët e Çamërisë së parë,
shekujve të shkuar t’u kruajnë myshkun.

Hasan Tahsini i madh e Marko Boçari,
grisën thëniet e rreme në faqet e historisë,
me prova shkencore dhe medaljone ari,
kërkuan emrin e vërtetë, bij të Çamërisë.
Haxhi Mehmet Dalani shkuli emrin, Mihal,
ndërruar në libër, nga Kazanzaqi romancier,
duke thirrur, sa tundi shkëmbinjtë në mal:
Emrin çam, brez pas brezi, e kam për nder!…

Dodona Pellazgjike u zgjua nga shekujt,
dhe gjëmoi me zërin shkëmbor të rëndë:
në tempullin e mermertë, urdhëroi dishepujt:
Bijtë e Çamërisë të kthehen në vatanin tënë!
Bilal Xhaferri shkroi vargun e ri në rrugë:
për të gjithë muhaxhirët, strehuar në Veri:
Erdhi koha të kthehemi përsëri në Jug,
Mirë se të gjejmë, o nëna jonë, Çamëri!.-

Hymën nga Vullnet Mato

e postoi, Atdhe Geci