INTERESI STRATEGJIK I SHQIPTARËVE DHE RADIKALIZMI ISLAMIK

0
136
Xhelal Zejneli

Xhelal Zejneli

ribotim

Në Raportin vjetor të Qeverisë amerikane për të drejtat dhe për liritë fetare në botë gjatë vitit 2013, në kapitullin për Kosovën, midis tjerash thuhet:

– Qeveria e Kosovës, Kushtetuta dhe politika, marrë në tërësi, i kanë respektuar liritë fetare;
– Në mesin e predikuesve fetarë, vërehet një rritje e gjuhës së urrejtjes mbi baza fetare;
– Fraksione të caktuara brenda Bashkësisë Islame të Kosovës, promovojnë pikëpamje jotolerante, që janë në kundërshti me të kaluarën tolerante, historike dhe të moderuar të shqiptarëve në rrafshin fetar;

– Ka pasur raste kur personat të cilët kanë bërë regjistrim të përkatësisë fetare, shumë njerëz i kanë regjistruar si myslimanë, pa i pyetur fare se cilës fe i përkasin;

– Në qarqe të caktuara fetare vërehet një rritje e antisemitizmit dhe një retorikë e hapur antisemitiste. Një rritje e përgjithshme antisemitizmi është konstatuar sidomos në internet. Me këtë rast apostrofohen edhe emrat e disa klerikëve islamikë të Kosovës, përkatësisht të disa imamëve;

– Disa imamë i kanë akuzuar shqiptarët e fesë katolike për urrejtje ndaj myslimanëve;
– Disa imamë kanë përdorur ndaj femrave një gjuhë denigruese;
– Disa imamë kanë deklaruar se votimi për parti politike të caktuara është mëkat. Predikimet e klerikëve janë shpërndarë gjerësisht nëpër mediume dhe në internet;

– Ka pasur klerikë që i kanë quajtur të përdala femrat, që kanë pasur marrëdhënie intime para-martesore.
– Në vitin 1999 në Kosovë ka pasur 670 xhami. Që atëherë, e deri në vitin 1913, me lejen e autoriteteve, janë ndërtuar edhe 130 xhami të tjera, kështu që sot në Kosovë ka 800 xhami. Në Raport flitet edhe për manipulimet lidhur me rizgjedhjen, për herë të tretë, të kreut të Bashkësisë Islame të Kosovës.

*   *   *

Dikur, një imam nga Kosova kishte thënë se Nënë Tereza, duke qenë se nuk është myslimane, nuk do të hyjë në parajsë. Sipas këtij kleriku, pesë miliardë e pesëqind milionë njerëz të rruzullit tokësor, duke qenë se nuk i takojnë fesë islame, do të digjen në ferr. Kuptohet, në ferr tanimë digjen edhe ata të cilët kanë jetuar në këtë planet, para se të lindte feja islame në Arabi në shekullin VII. Sipas këtij kleriku, ai që nuk i takon fesë islame, automatikisht do të hyjë në ferr, pavarësisht nga fakti në është njeri i mirë, i drejtë, i ndershëm, punëtor, i vyeshëm, familjar, i rëndësishëm për shoqërinë, i arsimuar, dijetar, shpikës, kirurg, etj.

*   *   *

Veprimet, predikimet dhe pikëpamjet e sipërthëna të disa klerikëve islamikë të Kosovës, janë të papranueshme nga bota perëndimore. Të tilla predikime nuk pranohen edhe nga shumë vende të tjera të rruzullit. Shqiptarët nuk duhet të bëjnë akte dhe veprime që mund t’i dëmtojnë interesat e veta strategjike. Kurrë s’duhet harruar se në vitin 1999, Kosovën prej pushtuesve serbë e çliroi UÇK-ja dhe SHBA-ja. Sipas disa studiuesve dhe analistëve politikë, ndërhyrja ushtarake e SHBA-së për ta çliruar Kosovën prej okupatorëve serbë, është rast që ndodh një herë në 2000 vjet.

Shpallja e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008 është bërë me mbështetjen e drejtpërdrejtë të SHBA-së dhe të vendeve perëndimore. Sovraniteti i Kosovës dhe ruajtja e tërësisë territoriale të saj mundësohet me mbështetjen e prerë të Uashingtonit dhe të Berlinit. Shqipëria hyri në NATO me mbështetjen e drejtpërdrejtë të SHBA-së. Si anëtare e Aleancës, sovraniteti i Shqipërisë është i paprekshëm, ndërkaq zhvillimi ekonomik i saj është i pandalshëm.

Shtrohet pyetja: Sikur shqiptarët të kishin manifestuar pikëpamje, veprime dhe qëndrime antiperëndimore, antikrishtere, përkatësisht antikatolike dhe antisemite, para vitit 1999, a thua do të mund ta siguronin mbështetjen politike, ushtarake dhe ekonomike të Uashingtonit dhe të Brukselit, në luftën e tyre të drejtë për t’u çliruar prej kolonialistëve serbë?!

Shqiptarët kurrë s’duhet të harrojnë se janë popull që u përkasin tre religjioneve: fesë katolike, fesë ortodokse dhe fesë islame. Tërë bota i çmon lartë shqiptarët për tolerancën dhe harmoninë ndër-fetare. Pikëpamjet dhe predikimet e sipërthëna të disa klerikëve myslimanë të Kosovës, të paraqitura në Raportin vjetor të Qeverisë amerikane për të drejtat dhe liritë fetare në botë, gjatë vitit 2013, mund të cenojnë harmoninë ndër-fetare në shoqërinë shqiptare. Fqinjët grabitqarë të shqiptarëve do të kishin bërë ç’mos për të parë bosnizimin dhe libanizimin e trojeve etnike shqiptare.

*   *   *

Qëndrimet antisemite të disa klerikëve islamikë shqiptarë janë në kundërshti me interesat kombëtarë të shqiptarëve, pikërisht për dy arsye:

– E para, hebrenjtë e SHBA-së ushtrojnë ndikim të madh në politikën amerikane;

– E dyta, shumë politikanë amerikanë, me prejardhje hebraike, përfshi edhe disa kongresistë, senatorë dhe nobelistë, që nga shpërbërja e Jugosllavisë e deri më sot, fuqimisht e mbështetën kauzën kombëtare shqiptare, e sidomos luftën për çlirimin e Kosovës në vitin 1999 nga ekspansionistët serbë.

Nga sa më sipër rezulton se antisemitizmi i disa imamëve të Kosovës mund të vërë në dyshim një mbështetje më të prerë të Uashingtonit ndaj shqiptarëve, e në veçanti ndaj Kosovës. Pikëpamja se antiperëndimorët në radhët e shqiptarëve, nuk janë veçse segmente të margjinalizuara të shoqërisë, janë të diskutueshme. Te popujt e vegjël, me kapacitet shtetëror të kufizuar, me shkallë të ulët të zhvillimit ekonomik dhe me probleme të theksuara sociale, lehtë depërtojnë ndikimet e huaja.

Pikëpamjet antiperëndimore, antikrishtere, përkatësisht antikatolike dhe antisemite në mjedise të caktuara shqiptare, mund të ndikojnë në mbështetjen e Perëndimit ndaj Serbisë. Ngecja pas Serbisë në këtë pikëpamje, absolutisht nuk është në interes të shqiptarëve. Diplomacia serbe është duke bërë përpjekje të jashtëzakonshme për ta fituar mbështetjen e Uashingtonit dhe të Brukselit. Beogradi ka synime politike dhe ekonomike.

Kreu politik serb vazhdimisht e përsërit refrenin: Kurrë s’do ta pranojmë pavarësinë e Kosovës. Beogradi bën ç’mos për ta pritur Papën në Beograd. Vizitën e dytë të kreut të Vatikanit në Shqipëri, serbët e përjetojnë tragjikisht. Fatmirësisht, shqiptarët nuk janë sllavë. Si të tillë, ata janë aleatë të natyrshëm të Perëndimit. Këtë epërsi shqiptarët duhet të vazhdojnë ta shfrytëzojnë me urti.

Kosova u çlirua, por shqiptarët vazhdojnë të kenë nevojë për mbështetjen e qendrave politike ndërkombëtare të vendosjes – Uashingtonit dhe Brukselit. Kosova ka nevojë për ta ruajtur sovranitetin dhe tërësinë tokësore, të zhvillohet ekonomikisht, të zhvillojë proceset demokratike, të integrohet në organizmat perëndimorë. Kjo s’bëhet dot pa ndihmën e perëndimorëve. Për ndihmën e Uashingtonit dhe të Brukselit ka nevojë i tërë kombi shqiptar ne rajon.

Zhvillimi ekonomik i Kosovës është conditio sine qua non për stabilitetin politik, për zhvillimin e demokracisë, për integrimin e pakicave joshqiptare në shoqëri, për ndaljen e valës së emigrimit dhe për reduktimin e ndikimeve të huaja në segmente të caktuara të shoqërisë shqiptare. Papunësia i detyron të rinjtë të lënë vendlindjen dhe trojet e të parëve për të kërkuar perspektivë në vendet e zhvilluara, nga ku nuk duan më të kthehen. Ngecja ekonomike e shqiptarëve në rajon mund të ketë reperkusione tragjike për ta.

Nga Raporti amerikan shihet se brenda 13 viteve në Kosovë janë ndërtuar 130 xhami të reja. Shqiptarët kanë, edhe kisha dhe xhami. Perëndimorët mund të thonë: “E çliruam Kosovën prej serbëve, për të ndërtuar xhami, apo për të ngritur shkolla dhe fabrika dhe për të hapur vende të reja pune?!” Një popull me shkallë të lartë papunësie, s’ka nevojë për tempuj fetarë, por për zhvillim ekonomik. Tempuj fetarë ke sa të duash.

Lutjet fetare sot, njeriu mund t’i bëjë edhe në shtëpi. Ai që besimin në Zot e shndërron në ideologji, nuk beson në të. Shqiptarët kanë nevojë për arsimim cilësor, për shëndetësi cilësore, për infrastrukturë rrugore, për mjedis të pastër, për ndërmarrje prodhuese, për bujqësi dhe blegtori bashkëkohore, për eksport mallrash, për sjellje mjetesh devizore nga eksporti, për ndërtim të shtetit ligjor, për luftimin e dukurive abuzive në shoqëri

*  *  *

Shqiptarët nuk kanë pse të luftojnë në Siri dhe në Irak. Shqipëria etnike s’bëhet dot duke luftuar në vende të huaja dhe për interesa të huaj. Qëndrimet dhe veprimet antiperëndimore, antikrishtere, përkatësisht antikatolike dhe antisemite të disa imamëve shqiptarë propagandohen me të madhe nga qendrat antishqiptare, si: Beogradi, Athina, Moska. Qysh në fillim të shekullit XX akademikët serbë kanë lansuar tezat se shqiptarët janë mbetje turke në Ballkan. Si të tillë, ata nuk meritojnë të kenë shtet kombëtar.

Sot e kësaj dite, diplomacia serbe, greke dhe ruse i paraqet shqiptarët në Bruksel dhe në kancelaritë evropiane si popull proturk, proarab, proiranian dhe si fundamentalistë apo radikalë islamikë. Ata u thonë perëndimorëve: “Duke i mbështetur shqiptarët, ju krijoni në prag të Evropës së krishterë, edhe një shtet islamik, që do të përçojë në rajon ndikimin turk, arab apo persian, që do të sjellë fundamentalizëm islamik dhe që do të funksionojë me vlera joevropiane”.

*   *   *

Kundër dënimeve për rastin Monstra pati protestë masive në Shkup, që u ndalua nga forcat policore, të armatosura deri në dhëmbë. Po atë ditë, shtypi i Beogradit shkroi: Filloi intifada në Shkup! Me një fjalë, propaganda serbe dhe sllavo-maqedonase bën ç’mos që t’i paraqesë shqiptarët para Perëndimit si proturq, proarabë, proiranianë dhe si fundamentalistë islamikë.

Uashingtoni dhe Brukseli e dinë tanimë se shumë serbë luftojnë në Ukrainë në anën e separatistëve prorusë. Këtë e bëri publike edhe kryeministri serb Aleksandar Vuçiq, duke shtuar se bëhet fjalë për mercenarë. Kauza shqiptare në gadishull, nuk është fetare por kombëtare. Çështja kombëtare shqiptare, nuk ka të bëjë as me internacionalizmin proletar, siç mendohej pas vitit 1945, e as me ideologjinë panislamiste.

Shqiptarët duhet të dëshmojnë se janë popull me ndërgjegje kombëtare të lartë, se janë popull historik dhe politik. Interes strategjik i shqiptarëve është miqësia e përjetshme me Uashingtonin dhe Berlinin. Popujt që s’arrijnë ta përkufizojnë interesin e vet strategjik, pësojnë ngecje historike.

2 shtator 2014