Mërgimi nuk prodhon shqiptarë, mërgimi asimilon!
Në Gjermani në Landin e Hesenit me 13 shtator u hap shkolla shqipe me 35 nxënës, në kuadër të shkollës Adolf Reichwein Schule në qytezën, Langen. Nxënia e dijeve në gjuhën shqipe është shumë e rëndësishme për ruajtjen e gjuhës, të gjakut dhe të identitet kombëtar. Hapja e shkollës shqipe në Landin e Hesenit, në Langen u bë e mundur nga organizimi i prindërve të fëmijëve, dhe bashkëatdhetarit tonë, atdhetarit, Debatik Vata dhe poeteshës së shquar shqiptare, Seveme Fetiqi.
Hapja e Shkollës Shqipe me mësim plotësues në gjuhën shqipe nga klasa e parë e deri në të dhjetën, është një vepër e shkëlqyer për fëmijët mërgimtarë në Langen të Landit të Hesenit në Gjermani. Aktualisht në Republikën Federale të Gjermanisë janë rreth 600 qind mijë shqiptarë të mërguar nga të gjitha pjesët e atdheut tonë. Në kuadër të këtij numri të trishtueshëm mërgimtarësh tanë, prej tyre rreth 100 mijë janë fëmijë. Mësimi në gjuhën shqipe në Gjermani nuk është dhe aq i organizuar.
Nga ky numër i madh i fëmijëve mërgimtarë në Gjermani, në Mësimin Plotësues në Gjuhën Shqipe janë të përfshirë rreth 10 % të fëmijëve mërgimtarë. Përfshirja e fëmijëve mërgimtarë në Mësimin Plotësues në Gjuhën Shqipe, le shumë për të dëshiruar. Plaga e mërgimit vazhdon të jetë e hapur për kombin tonë të shpërndarë!…
Atdhe Geci – Dormund, Gjermani, 15.09.2021