NEIM SAÇO SAÇAJ, INTELEKTUAL DHE ANTIFASHIST I SHQUAR NË LUFTËN ANTIFASHISTE

0
97
Neim Saçaj

Neimi e Refiti, dy vëllezër të rënë nga plumbat e pabesisë komuniste

Nga Enver MEMISHAJ

Gjatë Luftës Antifashiste, krahina e Gorishtit të Vlorës që përmbledh 12 fshatra, ishte angazhuar në luftë, në radhët e Ballit Kombëtar. Batalioni kësaj force “3 shtatori”, me komandant Shanin Nuredin Bregun dhe komisar politik Neim Saço Saçaj, diplomuar në Itali për mësuesi, pati jehonë në të gjithë qarkun.

Për këtë arsye Partia Komuniste ushtroi një terror të egër ndaj kësaj krahine me qëllim që të asgjesonte forcat e Ballit Kombëtar dhe të eleminonte me atentate dhe metoda mafioze personalitete e luftëtarë të kësaj krahine, që ishin rreshtuar në radhët e Ballit Kombëtar.

Veprimtaria terroriste e Partisë Komuniste, në fund të luftës rezultoi me një bilanci tragjik:

U vranë me atentate dhe metoda mafioze 20 burra, si Dine Zeka, Fehim Ferraj, Lilo Nuredini etj. Nga këta pesë familje patën nga dy të vrarë: Shahin Nuredini me të birin Bexhetin, Neim Saçaj me të vëllanë Refitin, Aben Mahili me të birin Serjanin, Zenepe Caushi me të birin Alimin, Tartar Berdo me të vëllanë Shaqon.

U arratisën nga Shqipëria për t’i shpëtuar ndëshkimit të komunistëve nëntë burra, si Çize Zyka, Beqir Çize, Bajram Alushi etj.

U dënuan për motive politike me burgime të rënda 20 burra si, Ali Hyska, Bajram Shahini, Fejzo Lulo, etj. Nga këta vdiqën në burgun e Burrelit nga sëmundja e urisë dhe mungesa e barnave tre vetë:  Kajmak Delo, Shaqo Bendo e Xhafer Smaili.

Familjet e të gjith këtyre u persekutuan egërsisht, iu sekuestrua pasuria dhe toka,  u internuan dhe iu mohuan të drejtat elementare njerzore. Të mbetur pa tokë dhe pasuri shume familje u larguan nga fshati për në qytete, kryesisht në Vlorë. Por edhe këtu nuk u lanë të qetë. Në vitin 1966, 18 familje gorishiote të vendosura në qytetin e Vlorës, i shpërngulën me dhunë dhe i dërguan në fshat, në vendlindjet e tyre. Këta të mjerë duhet ta fillonin jetën edhe një herë nga xerua, pa shtëpi, pa tokë, pa bagëti pa asgje prej gjëje veç krahëve të punes.

Ne po ndalemi te komisari batalionit “3 Shtatori”, Neim Saço Saçaj, dekoruar nga Këshilli i Qarkut Vlorë “Nder i Qarkut Vlorë”.

* * *

Neim Saçaj  ka lindur në katundin Gorisht të Vlorës më 20 dhjetor 1913 në një familje të njohur patriotike. Babai I Neimit kishte luftuar trimërisht në luftën e Vlorë me 1920 dhe në Kotë ishte plagosur rëndë. Nga këto plagë vdiq në vitin 1923. Më parë Neimit i kishte vdekur edhe e ëma dhe për mirërritjen e tij u kujdes xhaxhai Selman Saçaj, emri të cilit duhet të përmëndet me nderim të madh, për atë që bëri për bonjakun Neim saçaj.

Neimi pas mbarimit të shkollës në vendlindje ndoqi mësimet në Medresenë e Tiranës, duke u dalluar mbi shokët e tij për inteligjencë dhe përvetësimin e gjuhëve të huaja.

Duke parë zgjuarsinë e tij xhaxhai i kërkoi ndihmë deputetit të Vlorës z. Sadik Shaskaj dhe Neimi u nis për studime pedagogjike në Itali të cilën e kreu në vitin 1935. Gjatë viteti 1935 – 1942, Neimi do të punonte në gjimnazin e Gjirokastrës si professor, dhe më pas Kryemyfti.

Vendlindja e thirri atë, për të marrë pjesë në lëvizjen kundër pushtuesit fashist. Kështu ai kthehej në Vlorë për të marrë pjesë aktive në luftë kundër pushtuesit.

Veprimtaria e Neim Saçaj tërhoqi vëmëndjen e nacionalistëve Hysni Lepenica, Skënder Muço dhe Isuf Luzaj, të cilët kërkuan të takoheshin me të në shtëpinë e tij. Neimi ra dakort të merrte pushkën në dorë. Po këtë ditë u formua çeta e Ballit Kombëtar me komandant patriotin Shahin Nuredin Bregu dhe drejtues politik u zgjodh Neim Saçaj. Më vonë kjo çetë do të rritej në batalionin “3 Shtatori”

Prej këtij çasti Neimi do të bëhej një propagandist i flaktë me idenë që të ngrinte popullin në luftë dhe duke kritikuar Partinë Komuniste si parti e huaj për zakonet dhe traditat e popullit tonë. Në prill të vitit 1943 Neimi kishte mbledhur popullin e krahinës së Gorishtit dhe ndërmjet të tjerave ai do të deklaronte: “Të luftojmë fashizmin  dhe të mos lidhemi me Rusinë komuniste” (Gazeta “Balli i Kombit” Tiranë dt. 9.1.1997)

Kështu me aktivitetin dhe besimin që populli kishte te ky luftëtar lirije ishte rritur autoriteti tij dhe besimi që populli kishte tek ky bir i tij. Në vazhdën e veprimtarisë së tij ai do të bënte pjesë në çetën “Shqiponja” të Hysni Lepenicës prej 100 luftëtarësh që do të udhëtonte nga Vlora për të mbritur në Mukje, e për të marrë pjesë e mbrojtur Konferencën e Mukjes 1 – 3 gusht të vitit 1943.

Menjëherë pas Konferencës së Mukjes, Komiteti për Shpëtimin e Shqipërisë, anëtar i të cilit ishte edhe Hysni Lepenica, organizoi në datën 4 dhe 5 gusht 1943, një betejë të përbashkët të Ballit dhe të Frontit në afërsi të Qafë Shtamës, kundër ushtrisë italiane.  Neimi në përbërje të çetës “Shqiponja” do te mrrte pjesë e do të luftonte me trimëri në këtë luftë.

Pas kësaj fitorje dhe triumfi çeta e Hysni Lepenicës i emëruar anëtar i Komitetit të Shpëtimit të Shqipërisë dhe Komandant i Prefekturave të Jugut do te kthehej në Vlorë, duke udhëtuar natë e ditë në këmbë. Hysni Lepenica i vendosi forcat e Ballit Kombëtar në Brataj dhe bëri riorganizimin e këtyre forcave. Neim Saçaj u emërua propogandist në krahinën e Gorishtit. Ka edhe mendime se u emërua anëtar i Qarkorit të B. Kombëtar të Vlorës.

Dihet se pas 1 tetorit të vitit 1943 Partia Komuniste i shpalli luftë Ballit Kombëtar dhe sulmoi me forca të shumta disa fshtra të Vlorës si Sevasterin, Velçën, Lepenicën, Gjormin etj. duke djegur, vrarë dhe grabitur pasurinë e fshatrëve të varfër që ishin me Ballin Kombëtar.

Para kësaj gjendje Neim Saçaj u thirr në Tiranë nga Mid’hat Frashëri për konsultime. Komunistët kishin parë tek Neimi një luftëtar dhe propogandues të zotin dhe me infuencë, prandaj vendosën ta asgjesonin. Më 25 nëntor 1943 ndërsa kthehej në Vlorë një njësit komunist i bëri atentat tek ura e Mifolit dhe e vranë pabesisht. Më pas komunistët, po për të njëjtat arsye do të vrisnin pabesisht edhe vëllanë e tij Refit Saçaj.

Familja e tij pas çlirimit kaloi kalvarin e vuajtjeve dhe persekutimeve të egra.
Pas vitit 1990, Neim Saço Saçaj i është dhenë “Statusi i ish të Përndjekurve Politikë”.

Këshilli i Qarkut Vlorë me vendim nr. 26/1 datë 22.11.2012 i ka dhenë titullin “Nder i  Qarkut të Vlorës”, me motivacion: “Pjesëmarrës aktiv në luftërat dhe përpjekjet për mbrojtjen e pavarësisë kombëtare, intelektual dhe antifashist i shquar në Luftën e Dytë Botërore“