Sabahajdin Cena
Anton Nikë Berisha, Vepra e Anton Çettës përligj qenësinë e trashëgimisë sonë. Botuar me rastin e 100-vjetorit të lindjes së Anton Çettës, Shkup 2020, f. 112.
Kjo vepër e prof. dr. Anton Nikë Berishës, botuar nga Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, ndriçon rëndësinë e personalitetit dhe të punës së Anton Çettës, ndër mbledhësit dhe studiuesit më të shquar të letërsisë sonë gojore. Studimi vjen në duar të lexuesve pas librave: Mundësi interpretimi, Ese dhe vështrime, Prishtinë 1979, Teksti poetik. Vështrime e kritika, Prishtinë 1985, Veçanti ligjërimesh poetike, Tiranë 1996, Gjymtime dhe shëmtime të letërsisë së arbëreshëve të Italisë, Prishtinë 2001, Çështje teorike të letërsisë, Prishtinë 2005, Njëmendësia e fjalëve. Mundësi interpretimesh letrare. Prishtinë 2006, Interpretime të letërsisë së arbëreshëve të Italisë.
Kozencë 2008, Këngë që përligjin pasurinë shpirtërore të shqiptarit e të botës së tij. Mbi këngët kreshnike shqiptare, Prishtinë 2008, Vëzhgime teorike dhe estetike të De Radës dhe të Fishtës, Tiranë 2011, Larmi vëzhgimesh letrare, Prishtinë 2012, “Meshari” – vepër e hartuar nga Gjon Buzuku. Fondazione Universitaria “Francesco Solano”. Comet Editore Press. Kozencë 2014 (Botimi i dytë “Faik Konica”, Prishtinë 2014), Ligjërime rreth tekstit letrar poetik (së bashku me Labinot Berishën), Prishtinë 2017, Vëzhgime mbi “Poetikën” e Aristotelit. Studim. Faik Konica, Prishtinë 2018, Estetika dhe estetika e letërsisë (së bashku me Labinot Berishën), Qenësia e kumtit poetik. Libri i parathënieve 2. Faik Konica, Prishtinë 2019 e shumë vepra të tjera.
Studiuesi Berisha u mor me veprimtarinë e Anton Çettës për arsye se ai tërë jetën ia kushtoi mbledhjes dhe botimit të materialeve të letërsisë sonë gojore, duke filluar prej vitit 1952 e nuk pushoi deri në frymën e tij të fundit.
Studimin e vet për Anton Çettën autori e ndan në shtatë pjesë dhe e shoqëron me një aparaturë shkencore (fusnota e biografi, bibliografi, korrespodencë dhe një këngë për Anton Çettën) të begatshme e njëherit edhe udhëzuese për studime edhe më të thella e të mëtejme në fushën e letërsisë gojore, përballë historisë së zhvillimit dhe të ruajtjes së traditës së të kënduarit e të rrëfyerit.
Krahas veprave që në fokus kanë letërsinë gojore dhe të shkruar, antologjitë dhe vëllimet e shumta të botuara nga Instituti Albanologjik i Prishtinës, kësaj radhe studiuesi Anton Nikë Berisha vuri në objektiv veprimtarinë e profesor Anton Çettës me synim për t’i rivënë në pah arritjet shkencore të njërës ndër figurat më të shquara të folkloristikës sonë, etnologjisë dhe etnopsikologjisë. Studimi botohet me rastin e 100-vjetorit të lindjes së profesor Anton Çettës.
Në hapje të këtij libri lexuesi ballafaqohet me vlerësimin e doajenit të folkloristikës sonë, prof. Qemal Haxhihasanit, i cili vizitoi dhe punoi edhe në terrenet e Drenicës, Llapushës e të Anadrinit gjatë ekspeditave të përbashkëta shkencore në vitet 1972, 1973 e më vonë, për vjeljen, regjistrimin dhe studimin e trashëgimisë sonë të pasur letrare gojore.
Profesor Haxhihasani, me pak fjalë, i ngriti një lapidar veprimtarisë për shumëçka të rëndësishme të Anton Çettës, prandaj këtë vlerësim, studiuesi Berisha e vuri në krye të librit duke na udhëzuar që ta shfletojmë edhe vëllimin me punime “Anton Çetta dhe vepra e tij” (zgjedhur dhe përgatitur për shtyp nga Anton Nikë Berisha, botuar nga Kuvendi Françeskan në Gjakovë, 1997). Këtë lapidar, pra të prof. Qemal Haxhihasanit, e plotëson edhe fjala paraprake e drejtorit të Institutit të Shkupit, zotëri Skënder Asani, sipas të cilit prof. Berisha, si njohës i veprimtarisë së Anton Çettës, “[…] ia ka dalë të ndriçojë disa nga çështjet më të rëndësishme të prof. Anton Çettës”. Pra, botimi i Institutit të Shkupit “[…] dëshmon për disa nga vlerat dhe veçantitë kryesore të veprimtarisë së Anton Çettës, kësaj figure madhore të botës sonë, i cili shpëtoi nga zhdukja dhe nga harresa disa nga thesaret që bëjnë thelbin e trashëgimisë sonë shpirtërore dhe artistike”. Me këtë krijimtari u vunë themelet e shkencës së antropologjisë bashkëkohore, shkruan Dr. Skënder Asani.
Në këtë mënyrë studiuesi Berisha, e hap shtegun, që në formë të një hyrjeje, t’i ndriçojë vlerat e qenësishme që do të mbijetojnë nëpër kohë e që vështrohen në kapitullin e parë me titull “Qenësia e traditës dhe domosdoja e njohjes dhe e studimit” që për moto të trajtesës mban mesazhin e të madhit Gjergj Fishta përkitazi me folklorin si vlerë e trashëgimisë sonë shpirtërore e materiale, siç dëshmohet edhe nga ajo që thoshte prof. Anton Çetta: “Kryesorja në punën tonë janë materialet cilësore të mbledhura dhe të botuara me kujdes. Ato kanë vlerë të përhershme. Studiuesit e fushave të ndryshme, po jo vetëm ata, do t’u kthehen atyre përherë, sepse aty do të gjejnë çështje të rëndësishme. Studimet dhe vlerësimet për to do të ndryshojnë, materialet dhe vlerat e tyre do të mbesin.”
Duke mbajtur përherë për model qëndrimin dhe mesazhin e bukur të Lasgush Poradecit dhe të Mark Krasniqin ndaj trashëgimisë sonë dhe veçanërisht ndaj letërsisë gojore, Anton Nikë Berisha vë në pah kontributin e Anton Çettës edhe në fushën e krijimtarisë letrare për fëmijë, për zhvillimin e saj dhe për rëndësinë e mesazheve që përmban vepra e tij “Në prehën të gjyshes”, me vjersha të gjata e të shkurtra e poemtha, ku janë poetizuar përralla dhe fabula nga trashëgimia letrare gojore, që si të tilla e nxitin dhe e pasurojnë imagjinatën e fëmijëve. Rreth këtij libri Berisha thekson se krijimet e kësaj përmbledhjeje në të vërtetë janë rrëfime nga prehri i gjyshes, rrëfime që janë përcjellë e përcillen gojarisht dhe të cilat gjyshja ua tregon nipave dhe mbesave.
Në hapje të kapitullit të tretë autori i studimit argumenton vendin e profesor Anton Çettës ndër mbledhësit dhe botuesit më të shquar të letërsisë gojore shqipe sepse “[…] lënda e mbledhur dhe e botuar nga vetë prof. Anton Çetta dhe vëllimet e mbledhura dhe të përgatitura me bashkëpunëtorë, e ngritën atë në figurën më të shquar që ka njohur historia e letërsisë gojore shqipe”, prandaj krahas vjeljes, prof. Anton Çetta del edhe studiuesi i vëmendshëm i letërsisë gojore dhe me të drejtë radhitët në plejadën e studiuesve kombëtarë të krijimtarisë letrare gojore me veprën studimore “Kërkime folklorike” si rezultat i një pune hulumtuese e studiuese të gjatë.
Profesor Berisha thekson se rëndësia dhe vlera e punës së profesor Çettës dëshmohet edhe në zgjedhjen e materialeve qysh në fazën e mbledhjes e sidomos gjatë përgatitjes së tyre për botim si dhe përfshirja e materialeve nga trevat e ndryshme shqiptare. Kjo kushtëzoi që pjesa dërmuese e blejve që botoi ai janë një mozaik krijimesh e vlerash të shumta nga troje dhe subjekte të ndryshme. Secili krijim dhe secili variant i mbledhur iu nënshtrua zgjedhjes së rreptë për të zënë vendin në vëllimin që përgatitej.
Berisha na jep të dhëna të shumta edhe për autorët që janë marrë me veprimtarinë shkencore të profesor Anton Çettës. Po ashtu ai ndriçon edhe kontributin e profesor Anton Çettës si ligjërues i letërsisë së vjetër shqipe, ndër profesorët e parë të Katedrës së gjuhës dhe letërsisë shqipe të Fakultetit filozofik të Prishtinës më 1961. Në këtë kohë ai bashkë me profesorët Idriz Ajeti, Gani Luboteni, Mark Krasniqi, Rexhep Hoxha e të tjerë, hartoi edhe doracakë tekstesh për mësimin e letërsisë nëpër shkollat fillore e të mesme, e njëherit ishte edhe përkthyes letrar.
Për ta ndriçuar një pjesë të rëndësishme të punës së profesorit Çetta në rolin e urtakut e orakullit të Lëvizjes për pajtimin e gjaqeve dhe të ngatërresave në krye të lëvizjes studentore, që veproi në të mirë të bashkimit kombëtar, Berisha përmend vitin 1990 kur veprimtaria e Anton Çettës arriti pikën më të lartë e që kurorëzohet me pajtimin e gjaqeve në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut dhe në Mal të Zi duke e shtrirë aktivitetin deri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kështu, duke u prirë studentëve dhe ish-të burgosurve politikë, prof. Çetta arriti t’i pajtojë qindra familje e individë dhe kështu kontribuoi në sajimin e unitetit kombëtar që, në qenësi do të bëhet baza dhe për formimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Gjatë këtyre aktiviteteve pothuajse e tërë audienca u bind se profesori ishte me të vërtetë njohës i mirë i dokeve, zakoneve dhe i dromcave etnografike që pushonin brenda kopertinave të “Kanunit të Lekë Dukagjinit”, prandaj edhe pohonte: “[…] pleqnitë dhe tregimet etnografike, edhe pse nuk mund të merren si krijime të mirëfillta letrare artistike, kanë një rëndësi etnopsikologjike e jetësore”.
Përveç kapitujve trajtues, ky libër i Berishës ka edhe Shtojcën I, e cila përfshin 5 letra të Anton Çettës dërguar nga Prishtina autorit të studimit, kur Berisha shfrytëzonte një qëndrim studimor në Gëtingen te Gjermanisë. Letra e 18 tetorit të vitit 1978, letra e dytë mban datën e fund nëntorit të po këtij viti, e treta e 14 shkurtit të vitit 1979, e katërta është e 6 qershorit të vitit 1979 dhe e fundit e 5 qershorit të vitit 1984. Të gjitha ruajnë rëndësinë e vet pasi që flasin për dukuri të ndryshme dhe sjellin të dhëna për jetën kulturore e shkencore, që lidhen me punën e tyre në kontekstin kohor. Letrat, si dokumente materiale, kanë rëndësi edhe për hapat e mëtejmë të biografëve dhe të studiuesve të këtij eruditi, pra të prof. Anton Çettës.
Në shtojcën e dyte është botuar një këngë për Anton Çettën që është vetëm njëra prej këngëve që e plotësojnë thirrmën “O prite, prite Anton Çettën”, i cili u barazua me figura të shquara të rapsodive tona, si Azem Galicën etj., ku fama e burrave “me orë”, sipas mitologjisë sonë, e përshkoi edhe emrin e prof. Anton Çettës.
Nga studimi i Berishës personaliteti poliedrik i prof. Anton Çettës shpaloset me besnikëri dhe thellësi, i cili me punën e vijueshme e zgjeroi fushën kërkimore e hulumtuese dhe e prezantoi para lexuesve dhe studiuesve të çdo moshe. Me këtë ai siguroi një vend nderi në historinë e folkloristikes shqiptare duke filluar nga rapsodia arbëreshe “Pal Golemi” të mbledhur nga prifti italian, Nilo Katalano, gjetur në Fjalorthin e tij italisht – shqip, pastaj “Dorëshkrimi i Kieutit”, “Bleta…” e Thimi Mitkos e “Valët…” e Spiro Dinos, pra nëpër tërë Gegëri e Toskëri deri te Vinçenc Prenushi, për ta vazhduar veprimtarinë edhe në folkloristikën e kohës sonë, veçanërisht në fushën e trashëgimisë kulturore.
Nëpër të gjitha këto vëllime të letërsisë sonë gojore gjenden materialet me shumë interes për baladat, për këngët e kreshnikëve, për këngët historike e prozën popullore veçanërisht nga fusha e oratorisë popullore; kallëzimet alegorike apo meseletë që i regjistronte, i mbante mend dhe vetë i tregonte gjithandej, duke filluar prej punës së profesorit, kur i rrëfente para ose pas ligjëratave, në Shalë të Bajgores e Drenicë qysh më 1954 për ta vazhduar pastaj në Rrafshin e Dukagjinit, në Llap e Gollak, në Anadrini, në Llapushë e në Rugovë, por edhe në viset shqiptare të Malit të Zi dhe të Maqedonisë. Gjithë kjo sajon një numër të madh veprash të thesarit letrar gojor, që falë kësaj pune, i shpëtuan pluhurit të harresës dhe zhdukjes, prandaj edhe me botimin e tyre, këto vlera tona vijojnë të komunikojnë edhe sot dhe ta dëshmojnë rëndësinë njohëse dhe estetike të tyre.
Profesor Anton Nikë Berisha me këtë, po dhe në shkrimet e tjera të botuara deri tash për Anton Çettën, ia doli në krye që para lexuesit dhe studiuesit ta prezantojë opusin studimor dhe krijues të prof. Anton Çettës, veçanërisht kontributin e tij në ruajtjen e vlerave të trashëgimisë sonë kulturore.
Diskursi i studiuesit Anton Nikë Berisha, fusha e shtrirjes së problemeve dhe çështjeve nga letërsia gojore në raport me letërsinë e shkruar, metodologjia e qasjes, konceptet e qëndrueshme dhe nocionet e saktësuara krahas dukurive të ndryshme gjatë evoluimit të llojeve të krijimtarisë gojore, konkretizimi i dukurive në diakroni e sinkroni, janë të menduara e të konceptuara mirëfilli, prandaj me këto vepra studimore të këtij autori në fushën e krijimtarisë gojore mund t’i pasurojnë njohuritë mbledhësit dhe studiuesit e letërsisë gojore, mësimdhënësit që mbulojnë këtë fushë në rrafshin metodologjik të raportit diakroni-sinkroni, por edhe të gjithë kureshtarët e interesuar për gurrën e gjeniut tonë popullor që rrodhi me shekuj, pavarësisht stuhive e murrlanëve, të cilëve u qëndruan ballëhapur. Të gjitha së bashku u reflektuan nëpër vargjet e këngëve të ruajtura në gojën e rapsodëve dhe në telat e instrumenteve kordonë, membranofone e aerofone, por edhe në gojën e gjysheve e gjyshërve që me përralla ushqyen imagjinatën tonë edhe gjatë netëve kur binim të uritur, edhe gjatë ditëve kur kënaqeshim me fjollat dhe ortekët e borës.
Edhe kjo vepër e Anton Nikë Berishës komunikon lehtazi me lexuesit, prandaj urojmë që edhe atyre dhe studiuesve të letërsisë gojore e të traditës, t’u shërbejë si një doracak për orientime të mëtejme rreth krijimtarisë së profesor Anton Çettës, ndërsa autorit të studimit i dëshirojmë vazhdimësinë në hartimin e veprave të tjera që kanë të bëjnë me trashëgiminë tonë kulturore e shpirtërore të ruajtur me shekuj brez pas brezi.
Rahovec, shtator 2021