ÇËSHTJA E GJUHËS NË QENDËR TË PROGRAMIT TË RILINDJES

0
1037
Zymer Mehani - Fadil H. Curri

Shkruan Prof. Zymer Mehani

Krijimi i një gjuhe letrare të përbashkët për gjithë shqiptarët, me rregulla gramatikore e drejtshkrimore të përcaktuara, u shtrua si një ndër kërkesat kryesore të programit kulturor të Rilindjes. Veprimtarët e Rilindjes krahas ndjenjave atdhetare dhe bindjes se edhe shqiptarët meritojnë të jenë një ndër popujt e ndriçuar e të zhvilluar, ishin edhe njerëz të ditur, me njohuri të gjera kulturore për kohën. Rilindësit, të mbledhur në ‘’Shoqërinë e të shtypurit shkronja shqip’’, përcaktuan më 1879, përbërjen fonematike të shqipes së shkruar:

36 fonemat që ka edhe sot shqipja standarde, dhe krijuan alfabetin e njohur si i Stambollit, i cili pas Kongresit të Manastirit (nëntor 1908) u zëvendësua me një alfabet krejtësisht latin, por duke ruajtur po atë renditje shkronjash.

Rilindja Kombëtare çështjen e gjuhës e vuri në qendër të programit të vet jo vetëm sepse ajo ishte simboli madhor i identitetit dhe lashtësisë së kombit, por edhe sepse vendosja e shqipes si gjuhë zyrtare ishte hapi i parë dhe shenja vendimtare e pavarësisë. Kur Lidhja Shqiptare e Prizrenit nisi luftën për një shtet shqiptar, problemi i gjuhës për këtë shtet doli që në hapat e parë të saj. Në Programin e botuar më 15 shtator 1878, ndër të tjera thuhej: “ Gjuha osmane të mbetet si gjuhë zyrtare në letërkëmbimin e vilajetit me Portën e Lartë. Me gjithë këtë në këshillat e gjykatave të përdoret gjuha shqipe dhe diskutimet të zhvillohen në këtë gjuhë.” (Dokumente të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Prishtinë, 1978).

Aktet e Rilindjes e shtrojnë qartë problemin e njohjes së shqipes si gjuhë kombëtare. Për të gjithë nëpunësit në Shqipëri quhet e detyrueshme të dinë gjuhën e vendit. Dëshirojmë të tërheqim vëmendjen me këtë rast, se nevoja e një alfabeti të vetëm të shqipes, e cila si zgjidhje historike u arrit në Kongresin e Manastirit, nuk u shtrua me forcë në fund të shek. XIX vetëm për shkak të shqetësimit që sillte prania e shumë alfabeteve, por në radhë të parë sepse shteti shqiptar, që tashmë po projektohej në horizont, nuk mund të konceptohej pa një alfabet të vetëm.

Nuk mund të përfytyrohet një shtet, dokumentacioni i të cilit të përpilohet në alfabete të ndryshme. Me fjalë të tjera, ishte shtysa imperative për një gjuhë zyrtare, që përcaktoi edhe njësimin e alfabetit. Madje pas Kongresit të Manastirit shtohet kushti, që të zbatohet alfabeti i tij, siç thuhet në një memorandum të majit 1912: “Gjuha zyrtare të jetë shqipja me shkrimin kombëtar.”( Shih: Fjalor enciklopedik shqiptar, 2, Botimet Toena, Tiranë, 2008).

Shqipja u shpall gjuhë zyrtare më 23 shtator 1913, pra thuaja një muaj pas shpalljes së pavarësisë. Akti i parë legjislativ në fushën e organizimit gjyqësor kombëtar ishte Kanuni i Zhurisë (13.V.1913), ndërsa akti më i rëndësishëm ishte Kanuni i Përtashëm i administratës civile të Shqipërisë (nëntor 1913). I pari proces gjyqësor në gjuhën shqipe është shkruar në fund të vitit 1912 nga Kristo Floqi, i cili ka hartuar disa vëllime me shkrime juridike dhe tek “E drejta kushtetuese” ka një fjalorth në katër gjuhë. Kadilerët u hoqën menjëherë nga funksioni.

Sado jetëshkurtër që qe Qeveria e Vlorës, menjëherë pasi shpalli shqipen si gjuhë zyrtare të shtetit shqiptar, e nisi punën me krijimin e disa komisioneve për njësimin e terminologjisë ushtarake, të shërbimit postar etj.

Gjatë dy viteve të fundit të Luftës së Parë Botërore (dhjetor
1916 – nëntor 1918) në Shkodër, qendra e zonës austrohungareze të pushtimit që përfshinte pjesën më të madhe të territorit shqiptar, u mblodh Komisia Letrare, e cila synonte caktimin e një gjuhe të njësuar të shkrimit mbi bazën e dialektit të Elbasanit.

Ajo caktoi disa rregulla drejtshkrimore që afronin shkrimin e gegërishtes me të toskërishtes dhe vendosi një numër termash për administratën dhe gjyqet. Praktika dyvjeçare e përdorimit të elbasanishtes letrare si gjuhë e admistratës në zonën austro-hungareze të pushtimit, e cila përfshinte pjesën më të madhe të trojeve shqiptare, shërbeu si mbështetje për dekretin kryeministror të janarit 1923, që caktonte dialektin e Elbasanit si dialekt zyrtar të administratës së shtetit shqiptar.

Ndërkaq letërsia artistike, përkthimet, shtypi jo vetëm në vend, po edhe në diasporë, vijuan zhvillimin e tyre sipas varianteve letrare të mëparshme. Madje edhe tekstet shkollore të gjuhës e të letërsisë hartoheshin sipas përkatësisë dialektore të autorit (toskërisht I. D. Sheperi, E. Çabej, N. Resuli; gegërisht A. Xhuvani, J. Rrota, O. Myderrizi etj.). Ndërkaq Kongresi Pedagogjik i Lushnjes (shkurt 1921) vendosi pranimin e dialektit të Elbasanit në shtypjen e teksteve shkollore.

Gjuhëtarët, vazhdues të drejtpërdrejtë të traditave të Rilindjes, dhanë ndihmesë të çmueshme për një shqipe të përpunuar në ligjet, në dokumentet administrative, në ushtri e në shkollë. Më 1932 u botua i pari fjalor terminologjik ushtarak i gjerë, me rreth 900 terma.