“JEHONA E FOLESË II” (2016)…

0
1748
Jehona e folesë, 2

Nga Isak Ahmeti

Këto ditë doli në dritë libri më i ri “Jehona e folesë II” i autorit Marjan S. Sopi & Nazif Laçi. Para se të fokusohem për librin në fjalë, po paraqes disa të dhëna për profilin krijues të autorëve të përmendur:

I. Marjan S.Sopi është autor i një varg veprash, zhanresh të ndryshme, siç janë:

1. Flijimi ngadhnjyes,
2. Migrimi – plagë shumëshekullore,
3. Jeta ka kuptim,
4. Jehona e folesë I,
5. Djalosh vajzë kujdes,
6. Njeriu mes lirisë dhe përgjegjësisë,
7. Dritë shprese dhe
8. Jehona e folesë II

në bashkautorësi me :

II. NAZIF LAÇIN, profesor shumëvjeçar i Gjimnazit “Kuvendi i Lezhës” – në Viti dhe aurtor i librave siç janë:

1. Gjimnazi”Kuvendi i Lezhës”-Viti,
2. Laçtë e Smirës,
3. Smira nëpër shekuj,
4. Brezi i tretë(Normalja “Zenel Hajdini” – Ferizaj,
5. Morava e Epërme(I), dhe së fundmi si koautor i librit
6. Jehona e folesë II.

JEHONA E FOLESË II

e autorëve Marjan S. Sopi & Nazif Laçi, është një libër mjaft interesant, përmbajtësor dhe me vlerë, me 458 faqe tekst në dsh. Ky libër, të cilin po ju paraqesim, është mjaft vëllimor, heterogjen për nga lënda dhe përmbajtja, edhe për faktin se aty kemi, përveç dy autorëve (Marjam S. Sopi & Nazif Laçi, koautorë), edhe autorë të tjerë tekstesh siç janë: Sabit Abdyli, Tefik Ajvazi, Sarë Gjjergj, Hysen Tërziu, Nexhmedin Bardhi etj. Libri në fjalë, i hartuar me mjaft dashuri dhe përkushtim, ofron kur më pak e kur më shumë, të dhëna, informacione e burime të njohura e të panjohura deri më tash për shumë kexues mbase edhe për studiues që janë marrë ose jo me historinë e fshatrave në fjalë të këtij krahu, kryesisht të zonës së Karadakut.

Vlen të theksohet se, përveç teksteve dhe burimeve për fshatrat që janë paraqitur, në këtë libër janë edhe intervistat sikundër edhe të intervistuarit që e përplotësojnë tekstin dhe përmbajtjen e librit në përgjithësi, duke e bërë atë kështu më të plotë, më interesant dhe gjithsesi edhe më me vlerë. Përmes këtij libri, dy autorët në fjalë, Marjan S. Sopi & Nazif Laçi, sikundër edhe personalitetet e intervistuara, që janë emra të njohur, ofrojnë të dhëna që meritojnë dhe duhet ditur e që duhet të inkorporohen, kuptohet, në mënyrë selektive, edhe në librat e tjerë që pritet të shkruhen në lidhje me problematikën e shtruar dhe shtjelluar edhe në këtë libër, i cili lexohet me një frymë.

Duhet të theksohet në mënyrë të veçantë se në këtë libër që duket të jetë serik, autorët në fjalë, përmes një tipologjie të veçantë, mbas të rrallë në letrat shqipe, i prezentojnë lexuesit (edhe përmes fotove të kopertinës), personalitete të veçuara e të njohura të këtij krahu …Kështu, sipas një vlerësimi të përgjithshëm, duket se qëllimi final i bashkautorëve të këtij libri është jo vetëm ndriçimi i historisë të fshatrave të këtij krahu (Karadakut), por pa ekzagjerime, edhe dhënia hapësirë dhe rëndësi të të intervistuarëve, rezultatet e të cilëve janë të dukshme, të prekshme, në fushat e veprimtarisë së tyre. Për më tepër, të arriturat në këtë libër sikundër edhe të arriturat e personaliteteve të veçuara këtu, janë të arritura të sakrificës njerëzore, me peshë vetëmohuese.

Jehona e folesë II, në realitet është vepër ku, përmes një tipologjie të veçantë, autorët (Marjan S. Sopi & Nazif Laçi), paraqitën si mediatorë, e pse jo edhe si ndërlidhës, në mes të të intervistuarëve dhe opinionit. Natyrisht se te personalitetet e paraqitura këtu, në këtë libër, duke filluar me kryetarin aktual të Komunës së Vitisë, z. Sokol Haliti e tek ai i fundmi, janë ndërthurë mjaft bukur: përshkrimi, veprimi dhe dialogu për njerëzit, për ngjarjet etj.që janë pjesë e pandashme e historisë sonë të këtyre anëve.Janë me vlerë dhe të fuqishme edhe vezhgimet emotive, bindëse, të autorëve por edhe të të intervistuarëve, për çështjet me disonanca zhvillimore.

Krejt në fund le të theksojmë se libri në fjalë do dukej gjithsesi më i plotë sikur aty, në fund, t’ishte dhënë bibliografia e përzgjedhur, Literatura si dhe indeksi i emrave.

Në Durrës, shtator 2016