Nga Ruben Avxhiu, Illyria.con
Nensi Dojaka, një stiliste shqiptare 28-vjeçare është fituese e Çmimit “2021 LVMH” për talentet e reja.
Ky është çmimi më i lakmuar i industrisë së modës.
Aktorja e shquar franceze, Isabelle Huppert ia dorëzoi në skenë çmimin stilistes shqiptare që sipas “The New York Times” ishte e shtangur ngaqë nuk e kishte pritur të shpallej fituese.
Nensi Dojaka ishte një nga nëntë finalistet që morën pjesë në ceremoninë e ditës së mërkurë në mjediset e Fondacionit Lui Vuiton (Louis Vuitton) në Paris.
28-vjeçarja shqiptare do të marrë 300,000 euro (apo 356,000 dollarë amerikanë) dhe për një vit do të nën patronazhin e ekspertëve dhe mjeshtrave të LVMH-së, grupit francez të industrisë së luksit.
Për të kuptuar se sa e vështirë është të marrësh këtë çmim, mjafton të dish se mbi 1,900 stilistë nga e gjithë bota konkurruan këtë vit.
Nensi Dojaka jeton dhe punon në Londër dhe veshtjet e saj njihen për natyrën intime, të puthitura pas trupit, dhe pothuajse të përkushtuara për femrat.
“The New York Times” shkruan se disa prej krijimeve të saj janë veshur rregullisht nga modele të famshme si Bella Hadid, Emily Ratajkowski dhe Kaia Gerber.