Rrëfehet Bujar Asqeriu: Si më akuzoi shoku i fëmijërisë se i kisha ngacmuar gruan?

0
98
Bujar Asqeriu

TemA, 6 shtator 2021

Një rol filmi apo teatri mund të të ngrejë si hero në sytë e njerëzve, por mund të të shndërrojë edhe në një figurë të rrezikshme apo të frikshme.

Aq e madhe është forca sugjestionuese e kinemasë, saqë mund të lërë pasoja në jetët e njerëzve. Kështu ka ndodhur edhe me Bujar Asqeriun, që nga “Njeriu i mirë Telo” u shndërrua në një figurë të frikshme edhe për vetë miqtë e tij. Aktori Bujar Asqeriu ka zbuluar detaje nga jeta personale, traumat familjare dhe karriera e tij si artist.

Në emisionin “Përballë’ në “Digitalb”, Bujar Asqeriu tregoi si nisi karriera e tij në një familje që nuk kishte lidhje me artin dhe se si nisi të spikaste që në vitet e shkollës. Por jeta e Asqeriut nuk do të ishte e thjeshtë.

Ishte vetëm 13 vjeç kur e la e ëma dhe në vit të parë në Institut kur i vdiq i ati. Aktori tregon për traumën që i lanë këto ngjarje dhe si ndikuan në ndjeshmërinë e tij aktoreske. Ai tregon gjithashtu se sa shumë kanë ndikuar rolet e tij në mendimin që të tjerët kishin për të.

Ai ndalet te filmi “Jeta në duart e tjetrit”. Sipas Bujar Asqeriut, një mik i fëmijërisë, pasi ka parë filmin, e ka akuzuar se i ka ngacmuar bashkëshorten. Ndërkohë që shton se reagime të shumta kishte dhe nga radhët e intelektualëve të kohës, të cilët i shpreheshin se ai duhej mbajtur larg shtëpive të tyre.

“Efektet e këtij filmi i mora në mënyrë të menjëhershme dhe këtu ne Kinostudio pati pëshpërima, por edhe miqtë e mi, intelektualë, me universitet, me punë të mira, më thoshin: ‘Ti je i frikshëm. Ti s’duhesh futur në shtëpi!’. Po pse u thosha unë? ‘Në asnjë mënyrë! Unë s’të fus në shtëpi’.

Ndërkohë që një mik fëmijërie kishte arritur deri aty sa e kishte akuzuar se i kishte ngacmuar bashkëshorte. ‘Më ke ardhur në shtëpi, më ke parë gruan nga këmbët. Të zhdukeni me gjithë familje, të mos rrini më këtu! Të zhdukeni nga Vlora!’”.

Trauma familjare

Unë jam fëmija i dytë i prindërve të mi, jam lindur në 13 gusht të vitit 1956, në Vlorë. Im atë kishte ardhur nga Gjirokastra dhe ishte zhvendosur në Vlorë në moshën 24-vjeçare dhe siç bëheshin atëherë krushqitë, u njoh me nënën time, e cila ishte nga një fshat pranë Vlorës, që quhet Panaja. Babai punonte si shofer, ndërsa ime më nuk punoi në asnjë vend, sepse ne u bëmë 5 fëmijë dhe na shërbente të pestëve.

Them fëmija i dytë, sepse fëmija i parë, që ishte dhe ai djalë, kur ishte 6 muajsh, mamaja më thoshte që në të gdhirë e gjetëm të vdekur. Ai e kishte emrin Bujar dhe kur linda unë pas 3 vjetësh, shkuan në gjendjen civile për të më regjistruar dhe donin të më vinin emrin Drini. Nuk e di, por ai i gjendjes civile i tha që ç’është ky emër lumi; nuk lejohet, nuk bëhet.

Atëherë im atë tha: Do t’i vëmë emrin e vëllait, por ngaqë ai kishte vdekur, nuk më thërrisnin me emrin Bujar, por më thërrisnin me emrin Drini. Kur shkova në klasën e parë, kur më thërriti mësuesja me emrin Bujar Asqeriu, unë i thashë: Po mua më quajnë Drini. Im atë ishte shofer dhe shumë ditë mund të ishte larg shtëpisë. Mbaj mend që ime më ishte një grua e qeshur, kurse babai vinte më i rëndë.

Me mamanë bënim shaka dhe luanim gjithë kohës, ndërkohë që babai ishte i larguar. Kaq hijerëndë ishte babai ndaj nesh, saqë shpesh kur shkonim në kinema me klasën apo me shokët, i thosha mamasë: Thuaji babait të më japë 10 lekë apo 20 lekë dhe të presë një biletë për kinema. Mamaja i thoshte babait se do ikin të

shohin në film. Në filmat e parë, ne shikonim një botë që as mund ta imagjinonim, bota e madhe e kinemasë, ajo dritare që ishte shumë sugjestive. Sidomos, mbaj mend filmat që kishin tematikat e lashtësisë. Më bënin përshtypje ato vajzat e bukura të veshura hijshëm, ata burra të bukur muskulozë, të veshur bukur. Ëndërroja që sikur të kisha dhe një shpatë dhe unë dhe bënim shpata dërrasë e luanim me njëritjetrin.

Fillimi i karrierës

Në shkollën e mesme më angazhuan në shfaqjet që bëheshin në Olimpiadat Teatrale. Kisha një vokal që atyre iu dukej shumë interesant. Gjithë ndjeshmëria ime buronte pasi kisha prekur ngjarje shumë të forta në jetë, nga humbja e nënës, sëmundja e babait. Disa tronditje dhe disa rrethana familjare që ishin shumë dramatike, ndikuan në emocionet e mia.

Isha maturant, kisha vendosur të studioja për Inxhinieri Mekanike meqë shkolla ishte profesionale mekanike, ishte hera e parë dhe e fundit që im atë më pa në skenën e Teatrit. Ne morëm çmimin e parë mes shkollave të mesme të qytetit. Ai vazhdimisht qante.

U angazhova për një vit në Teatrin e Vlorës si figurat, me ndonjë rol të vogël, por pata fatin e madh që në atë periudhë kam njohur një prej njerëzve të dashur të mitë, Pirro Savën. Ai kishte kulturë europiane dhe më thoshte shpesh: Unë nuk do jetoj dot të të shoh ty, por ti do behësh një aktor shumë i mirë.

Në 1976 dhashë konkursin dhe fitova midis 200 konkurrenteve, unë isha në vendet e para dhe fillova punë në vitin e parë në shkollë.

Në një sens, jeta ime dhe rinia e më vonë është shumë dramatike. Unë isha vetëm 13 vjeç kur ime më u nda nga jeta dhe sa fillova vitin e parë për aktrim, u nda edhe babai nga jeta. Ishte momenti më i vështirë i jetës sime, sepse duhet të lija dhe shkollën, sepse para meje humbi vlerë gjithçka.

Pastaj, me mbështetjen e farefisit që këmbëngulën që unë duhet të vazhdoja shkollën, vazhdova dhe e mbarova shkollën për aktrim. Mbaj mend një shprehje të babait: Këta artistet e kanë mirë; edhe bëjnë dashuri, edhe marrin lekë.

Një emër midisi njerëzve

Po kujtoj ditën e parë të figurës së Avni Rustemit, “Një emër midis njerëzve”, i regjisorit Muharrem Fejzo. Pasi më kishte dhënë rolin Muharremi dhe do fillonin xhirimet, dalloja në sytë e tij një ftohtësi, që ai nuk ishte i sigurt, që unë do ta realizoja rolin.

Një prej gjërave shumë të rëndësishme të marrëdhënies mes aktorit dhe regjisorit, aktori duhet të shikojë dashuri dhe respekt te regjisori. Sytë e Muharremit nuk ishin të ngrohtë, ishte i pavendosur, pavarësisht se unë rolin e Avni Rustemit e kisha marrë me kinoprovë.

Më fut në rolin më të vështirë, në monologun në Parlament, që ditën e parë. Gjithë natën nuk bëja gjumë të qetë, mbaj mend që flija me Ndrek Prelën, një prej aktorëve të shquar shkodranë. Përveç pagjumësisë sime, drita rrinte ndezur, unë s’isha mësuar të flija më dritë ndezur. Ndreka kishte një zakon të bukur, lexonte gjithë kohën, flinte gjysmë ore, zgjohej prapë, e shihja unë, ai ishte prapë me libër në dorë. Këtë punë bënte ciklikisht gjithë natën. Nuk e di nëse kam fjetur gjysmë orë, apo një orë gjumë gjithë natën.

Ishte dita e parë e xhirimit, isha i thërrmuar, i mbaruar, ajo ftohtësia që kisha lexuar te Muharremi u shtua. Ai anuloi xhirimin se e pa që isha dobët, ndërrova dhomë dhe, për fat, atë natë bëra një gjumë të qetë, u çlodha dhe vij të nesërmen me energji. Mbaruan xhirimet, atëherë Muharrem Fejzo më ka dhënë dorën.

Kur po xhiroja momentin e vrasjes te Pazari i Ri, të Avni Rustemit, bëra kontraksionin që më hynë plumbat mbi shpinë dhe u mbështeta të pisha dhe fillova të rrëshqisja dhe ndërkohë fillova të fikesha nga ana e shikimit, për të dhënë momentin e vrasjes.

Dhe mbaj mend një nënë që ulëriti më të madhe dhe tha: “E vranë, e vranë…” dhe i binte kokës. Shpesh nënat tona dhe baballarët besonin shumë në atë që shikonin në ekran! Kur bëje figurë pozitive të shikonin me simpati, kur kishe rol negativ, të shikonin të thoshin shiko ky i keqi, ky i poshtri.

Jeta në duart e tjetrit

Ky skenar kishte kohë që rrinte në sirtarët e Kinostudios, sepse e kishte shkruar një burrë zotëri, një mësues i Përmetit, Lliko Nano. Por ai s’kishte emër si skenarist, sepse këta niseshin nga emrat dhe Albert Zholi, një djalë modest, e mori për ta bërë film. U nis si një film pa pretendime, por koha bën vlerësimet, me kalimin e viteve dhe sot e kësaj dite ka një vlerësim shumë të madh.

Filmi ka arritur ato qëllimet e tij, sepse ka treguar jo vetëm për ato vite, por edhe sot për sot gjëra të tilla ndodhin dhe do të ndodhin. Njerëzit e pushtetshëm kanë fuqi të tillë dhe i lejojnë vetes duke prishur çdo lloj rregulli, çdo lloj ligji, çdo lloj marrëdhënieje.

Efektet e këtij filmi i mora në mënyrë të menjëhershme dhe këtu në Kinostudio. Pati pëshpërima, por edhe miqtë e mi intelektualë, me universitet, me punëra të mira, më thoshin: “Ti je i frikshëm. Ti s’duhesh futur në shtëpi!”. Po pse, u thosha unë? “Në asnjë mënyrë! Unë s’të fus në shtëpi”. Kaq impakt goditës kishte roli te miqtë e mi. Me një shokun tim të fëmijërisë, qe e tmerrshme. Unë isha me time shoqe, m’u turr duke më thënë fjalë të lemerishme.

Më ke ardhur në shtëpi, më ke parë gruan nga këmbët”. I thashë: “Po unë të kam shok, ne jemi rritur bashkë! Si m’i thua këto fjalë?” “Po, po, më tha, të zhdukeni me gjithë familje, të mos rrini më këtu! Të zhdukeni nga Vlora”. Kaq traumatik ishte bërë ai film dhe ajo figurë për të.