Fati i Berishës, ish- ministrja e PD-së në KQZ: Ja pse të shpallurit non grata nga SHBA nuk mund të futen në Parlament

0
171
Helga Vukaj

Në foto: Helga Vukaj, anëtare e Komisionit Rregullator, KQZ

Nga Adriatik Doçi, TemA

Legjitimiteti ose jo i mandatit të deputetit të Sali Berishës pas shpalljes në listën e zezë nga SHBA për korrupsion madhor, pengim të drejtësisë dhe minim të demokracisë në Shqipëri, do të jetë një nga çështjet më të nxehta të kësaj vjeshte, të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe e Parlamentit të ri që do të mblidhet me 10 shtator 2021. Nëse sekretarja e sapozgjedhur në Partinë Demokratike për ish të përndjekurit politikë, Jonila Godole, propozoi ndarjen e partisë nga Berisha ashtu siç CDU u distancua dikur nga Helmut Kohl, duke shkaktuar ‘furtunë’ dhe përplasje në selinë blu, ish-ministrja teknike e Financave të PD-së, Helga Vukaj ka dhënë argumente ligjore se pse njerëzit e listës së zezë së SHBA nuk duhet të bëhen pjesë e Kuvendit të Shqipërisë.

Helga Vukaj është anëtare e Komisionit Rregullator të Zgjedhjeve. Në 10 mas 2021, gjashtë javë para zgjedhjeve parlamentare, Helga Vukaj iu drejtua Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, me një shkresë zyrtare, duke kërkuar refuzimin e regjistrimit në zgjedhjeve të kandidatëve që janë shpallur non grata nga SHBA. Vukaj argumenton se shkronja ‘b’ e pikës 2 të nenit 2 të ligjit të dekriminalizimit, ndalon që të zgjidhen deputet apo të marrin mandatin të personave që janë janë dëbuar nga SHBA.

Sipas saj, moslejimi për të hyrë në SHBA është ekuivalent me dëbimin. Edhe pse nuk përmend në shkresë, Helga Vukaj i referohet rastit të Tom Doshit, i cili është i njëjtë me rastin e Sali Berishës.

Helga Vukaj thekson në shkresën e saj se vendimi i DASH për të shpallur non grata një politikan të caktuar shqiptarë “mbart një vlerë të padiskutueshme për t’u konsideruar dhe si i tillë na pamundëson ta neglizhojmë, interpretojmë apo anashkalojmë, në kushtet kur tashmë me rastin e proceseve integruese kemi pranuar te delegojmë pjesë të sovranitetit tonë në organizata ndërkombëtare – NATO, ç’ka nënkupton sa më sipër konsiderohet pjesë e burimeve të së drejtës”.

Po atë ditë, pra me 10 prill 2021, Partia Demokratike doli me një qëndrim zyrtar, duke deklaruar se ligji i dekriminalizimit nuk lejon që të zgjidhen deputetë të shpallurit non grata nga SHBA:

Tom Doshi është subjekt i ligjit të dekriminalizimit dhe ai nuk mund të marrë pjesë në zgjedhje. Në kuptimin e ligjit të dekriminalizimit, neni 2, Tom Doshi ndalohet të kandidojë, pasi ai është i dëbuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Urdhri i sekretarit amerikan të Shtetit ia ndalon atij hyrjen në SHBA, duke përbërë shkak ligjor për ndalimin e kandidimit të Tom Doshit në zgjedhjet e 25 Prillit 2021. PD i bën thirrje KQZ të zbatojë ligjin dhe të marrë këtë vendim, në interesin më të mirë të vendit dhe qytetarëve shqiptarë”.

Sali Berisha u zgjodh deputet në zgjedhjet e 21 Prillit 2021. Berisha u shpall non grata nga Departamenti Amerikan i Shtetit në 19 maj 2021. Ish kreu i PD-së refuzon të heqë dorë nga mandati i deputetit. Pikëpyetja e madhe konsiston nëse Partia Demokratike dhe Helga Vukaj do t’i qëndrojnë interpretimit të ligjit të dekriminalizimit të datës 10 mars 2021 apo do ta mohojnë një interpretim të tillë për shkak të presionit të Sali Berishës.

Gjithashtu mbetet për t’u parë nëse Vukaj do t’i kërkojë KQZ-së heqjen e mandatit të deputetit Sali Berishës si rast krejtësisht i ngjashëm me Doshin dhe nëse KQZ do të vihet në lëvizje nga subjekte politike për këtë çështje. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përmes ambasadores amerikane në Tiranë, Yuri Kim, ashtu si për Tom Doshin, kanë kërkuar publikisht, madje në formë ulitimative, largimin e Sali Berishës nga Kuvendi.

Lulzim Basha, i pafuqishëm për t’ju kundërvënë Berishës, ka kërkuar prova për vendimin e shpalljes non grata të Berishës. Por, për rastin e Tom Doshit, PD-ja dhe Helga Vukaj u mjaftuan me vetëm vendimin e DASH për shpalljen non grata të Tom Doshit, duke kërkuar mosregjistrimin e tij në zgjedhje.

Shkresa e plotë e Helga Vukajt

Sali Berisha “Në cilësinë e anëtarit të një prej organeve drejtuese të KQZ, gjej me vend t’ju drejtohem përmes kësaj kërkese zyrtare, që në kuadër të garantimit të procesit zgjedhor dhe sigurimit të standardeve më të larta që mund t’i ofrohen qytetarëve shqiptarë, për zgjedhje të pandikuara nga krimi, paraja, e forma të tjera të paligjshme (të drejta apo të tërthorta), në baze të nenit 12, pika 4, nenit 20, pika 1, germa a dhe në respektim te nenit 73 “Verifikimi i Dokumentacionit të Kandidateve”, të Kodit Zgjedhor si edhe ne zbatim të nenit 2, pika 2, germa b, të ligjit nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike” sipas të cilit:

Neni 2

2. Ndalimi i parashikuar nga pika 1, e këtij neni, zbatohet edhe ndaj personave: a) që janë dënuar me një vendim jopërfundimtar nga një autoritet gjyqësor i një shteti anëtar të BE-së, SHBA-së, Kanadasë, Australisë, apo për të cilët është vendosur masë sigurimi personal dhe/ose është lëshuar një urdhër kërkimi ndërkombëtar nga autoritetet e një prej këtyre shteteve, për kryerjen apo tentativën e kryerjes së një prej veprave penale, të parashikuara në pikën 1, shkronja

“a”, të këtij neni. Për personat që plotësojnë kushtet e këtij paragrafi, ndalimet zbatohen në përputhje me pikën 5, të nenit 10, dhe pikën 1, të nenit 16, të këtij ligji;

b) që janë dëbuar nga territori i një shteti anëtar të BE-së, SHBA-së, Kanadasë, Australisë, në lidhje me një prej rasteve të parashikuara në pikën 1, shkronjat “a”, “b” dhe “c”, të këtij neni, apo janë dëbuar për cenim shumë të rëndë dhe serioz të sigurisë publike të shtetit përkatës.

…duke qenë se dëbimi është ekuivalenti i moslejimit të hyrjes në një prej vendeve te përmendura më lart, aq me tepër kur ka fakte për këto raste, kërkesa të subjekteve politike pjese e procesit zgjedhor dhe njeheresh kerkesa te njepasnjeshme te perfaqesive diplomatike te vendeve partnere strategjike e me ndikim kryesor ne organizatat nderkombetare, ku vendi yne bën pjesë, apo do aderoje në te ardhmen (NATO, BE).

Kërkoj, zbatimin rigoroz dhe moslegjitimin e asnjë rasti, që nuk plotëson pastërtinë e figurës.

Deri tani mediatikisht jemi informuar për prezencën e dokumenteve të rëndësishëm, që na përcjellin të dhëna për raste konkrete – një i tille edhe Dekreti i Sekretarit Amerikan të Shtetit për shpalljen Non Grata dhe moslejimin e hyrjes në SHBA të emrave të caktuar, aktualisht aspirantë për kandidatë në listat zgjedhore.

Ky akt ligjor i një prej zyrtarëve më të lartë të një prej partnereve kryesor strategjik të Shqipërisë, mbart një vlerë të padiskutueshme për t’u konsideruar dhe si i tille na pamundëson ta neglizhojmë, interpretojmë apo anashkalojmë, në kushtet kur tashmë me rastin e proceseve integruese kemi pranuar te delegojmë pjesë të sovranitetit tonë në organizata nderkombetare – NATO, ç’ka nënkupton sa më sipër konsiderohet pjese e burimeve të së drejtës.

Ne këto rrethana si pjese e organit normues ju parashtroj gatishmërinë e normimit të nevojshëm për këto raste.
Me shpresë se garantimi i zgjedhjeve të lira e të ndershme do jetë misioni ynë i përbashkët deri në fund.
Mbetem në pritje të konsiderimit prioritar të kësaj kërkese!

Helga Vukaj
Anëtar
Komisioni Rregullator
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve”.