KIÇI DHE SHUNDI

0
100
Xhelal Zejneli

Xhelal Zejneli

Kiçi është krijimtaria e nivelit të ulët. Ka për qëllim të jetë i pëlqyer nga një numër sa më madh i njerëzve dhe të shitet sa më shumë. Është një formë e degradimit të artit. Sot është shumë i përhapur, kështu që nuk është lehtë ta dallojmë. Çdokush ka qenë në kontakt me të. S’ka dyshim se edhe shtëpitë tona janë përplot me kiç. Krijimet kiç, d.m.th. krijimet pa vlera artistike, lindin si kopje të veprave artistike origjinale e që janë të pranuara nga kritikët letrarë artistikë kompetentë.

Krijime dhe sende kiç mund të jenë zbukurimet e ndryshme, suveniret, rrobat, pikturat, seritë televizive, librat etj.

Kiçi (kitsch) është një term që buron nga gjermanishtja ose nga gjuha jidish. Përdoret për ta kategorizuar llojin e artit që konsiderohet të jetë kopjim i pashije i një stili artistik tashmë ekzistues. Ky term shpesh shfrytëzohet edhe për t’iu referuar çdo lloj arti që vlerësohet se i takon shijes së keqe dhe prodhohet në mënyrë komerciale.

Ndonëse etimologjia e këtij termi është ende e pasigurt, ekziston një pajtueshmëri e gjerë se ai vjen nga tregjet artistike të Munihut (Munich) në vitet 1860 dhe 1870, ku ka shërbyer për t’i përshkruar pikturat dhe skicat e lira të cilat në atë periudhë kanë qenë shumë të popullarizuara.

Vepra të rëndësishme për kiçin janë : “Pesë fytyrat e moderniteteit: Modernizmi, Avangarda, Dekadentizmi, Kiçi, Postmodernizmi”, e Matei Kalineski (Matei Calinescu), “Kiçi” e Tomas Kulkës (Tomas Kulka) dhe “Kiçi – Bota dhe shija e keqe” e Gillo Dorfles në të cilën gjenden esetë: “Fenomenologjia e kiçit” e Ludwig Giesz dhe “Kiçi”e  Herman Broh (Hermann Broch).

Shund (gjermanisht – Schund) është kiç në lëmin e letërsisë. Pra, është pjesë e kiçit që ka të bëjë me letërsinë. Si shembuj të zakonshëm të shundit përmenden të ashtuquajturat “dashuriçka” dhe krijimet kriminalistike, romanet e lira që zakonisht shiten nëpër kiosqe e që lexohen për ta kaluar kohën.

Shund quhen edhe veprat që kanë lindur si rezultat i propagandës, siç janë librat, filmat dhe afishet, e që nuk kanë bazë shkencore as vlerë artistike, por synojnë përcjelljen e një mesazhi sa më të fuqishëm, e nëse ka nevojë edhe me gënjeshtra.

Këto dy nocione konsiderohen produkte kryesore të kulturës masive. Kiç e ka prejardhjen qysh nga periudha e revolucionit industrial në Amerikë dhe në Evropën Perëndimore. Për shkak të industrializimit të hovshëm, një numër i madh i njerëzve të fshatit, vijnë në qytete. Ata kanë krijuar një shtresë të re të shoqërisë apo klasën punëtore. Me ardhjen në qytet u është krijuar mundësia të shkollohen dhe të pajisen me dituri. Por, për shkak të mungesës së kohës së lirë, një pjesë e madhe e arsimimit të tyre, nuk është realizuar.

Si pasojë, kjo shtresë e popullsisë nuk ka mundur të njihet me kulturën dhe nuk e ka të përkufizuar vlerën. Është shfaqur nevoja për një art të ri që do t’i përshtatej shtresës së sapoformuar. Ky lloj arti duhej të ishte i kapshëm dhe i kuptueshëm për klasën punëtore. Me fjalë të tjera, me një art të tillë janë kënaqur të paarsimuarit të cilët edhe janë krenuar me të. Për shkak të rritjes së kërkesës, ky lloj arti është shndërruar në kulturë. Ky lloj arti është i lehtë për konsumim dhe nuk kërkon kurrfarë mundi intelektual apo shpirtëror.

Në përkthimin e fjalëpërfjalshëm nga gjuha gjermane, kiç do të thotë të bashkosh, të lidhësh, të krijosh diçka, ndërsa shund do të thotë hedhurinë, tezgjere apo karrocë për hedhjen e mbeturinave.

Për shkak të punës së rëndë dhe kaotike, ndër njerëz paraqitet nevoja për gjëra të thjeshta. Tanimë nuk u ka mbetur forcë për të menduar më thellë dhe për të kërkuar domethënien e gjërave. Për këtë arsye lind kiçi si diçka në të cilën njeriu gjen ngushëllim apo prehje dhe në të cilën i zbut ndjenjat e veta.

Të gjithë e dinë domethënien e vërtetë të artit. Ndoshta nuk  e kuptojnë të gjithë, por dihet se roli i tij është ta paraqesë rëndësinë e vet tërthorazi dhe disi në mënyrë misterioze. Për t’u kuptuar, nevojiten interpretime dhe gjykime të shumta. Kur lexuesi has në një kryevepër, po qe se nuk është një fanatik i artit apo i letërsisë, rëndësinë dhe vlerën e saj s’ka për ta kuptuar  shpejt. Për shumë njerëz, veprat artistike më të mëdha të botës, janë të paqarta. Me një fjalë, ata nuk mund ta kuptojnë përse një vepër e tillë është aq i rëndësishëm. Duke qenë se numri i atyre që nuk e kuptojnë këtë është më i madh se i atyre që e kuptojnë, lind nevoja e paraqitjes apo e zhvillimit të kiçit. Tani edhe këta që nuk e kuptojnë vlerën dhe rëndësinë e artit të madh, do të kenë me se të zbaviten, të argëtohen apo të kënaqen.

Çdokush mund të jetë krijues i kiçit, si ata që janë artistë, ashtu edhe ata që nuk janë.

Edhe kiçi mund të konsiderohet art për arsye se është i kapshëm prej shqisave, por e meta e tij qëndron në faktin se ai është kopje apo falsifikim i veprave burimore. Kur një gjë është burimore, kjo do të thotë se ajo vjen nga pjesa më e thellë e shpirtit të njeriut. Vetëm ai e di vlerën e vërtetë të saj. Kur artisti krijimin e vet artistik e ndan me të tjerë, ndoshta ata do ta kenë vështirë për ta kuptuar, por pikërisht këtu qëndron qëllimi – vepra të mbetet si një intimitet  i artistit dhe me të, të identifikohen vetëm ata të cilit në shpirt janë të ngjashëm me autorin apo ata të cilët përjetojnë situata të njëjta si ai.

Sendet kiç prodhohen në mënyrë masive. Qëllimi i autorit apo i prodhuesit është që atë të shiten sa më shumë, të arrijnë në duart e një numri sa më të madh njerëzish. Por, në këtë mënyrë përhapet edhe një shije e ulët, e nivelit të ulët. Një gjë e tillë shkakton efekt negativ ndaj kulturës dhe njerëzve ua topit shqisat apo ndijimet saqë një ditë ata nuk janë në gjendje t’i dallojnë vlerat e mirëfillta të veprave legjitime. Për këtë arsye, në vende të caktuara është rritur tatimi mbi prodhimin dhe shitjen e kiçit, ndërsa në do vende madje është ndaluar shpërndarja dhe përhapja e tij.

Njerëzit sot gjithnjë e më tepër janë materialistë, e kjo është rrjedhojë e përhapjes dhe e shtrirjes së kiçit. Duke qenë tërheqës dhe lehtë i kuptueshëm dhe duke u gjendur kudo dhe në çdo kënd, njerëzit kanë nevojë për ta grumbulluar edhe nëpër shtëpitë e veta. Kur njerëzit shkojnë nëpër udhëtime të caktuara, blejnë suvenire, pa e ditur se ato farë suveniresh nuk janë asgjë tjetër përpos se kiç. Shpeshherë, këto suvenire reprezantojnë ndonjë përmendore, si për shembull magnetet me fotografinë e Kullës së Ajfelit apo figurat e Statujës të Lirisë, që në të vërtetë janë vetëm pjesëza të vogla të origjinalit.

Ato u shërbejnë turistëve që një pjesë të veprës artistike ta marrin me vete dhe ta çojnë në shtëpi. Por ato nuk kanë vlerë. Ato duken si gjëra të vlefshme, megjithëkëtë nuk i ka krijuar dora e artistit. Ato janë falsifikime që i ka krijuar ndonjë zejtar që ka për synim sa më shumë të përfitojë. S’ka dyshim se çdo gjë që e krijon njeriu vetëm e vetëm për të përfituar, e humb vlerën e vet. Mu për këtë disa artistë refuzojnë t’i shesin veprat e veta, ngase me t’i nxjerrë në shitje, veprat e tilla do ta humbnin vlerën dhe rëndësinë parësore të tyre.

Përpos sendeve dhe rrobave të ndryshme, përkatësisht gjërave materiale kiç, d.m.th. pa vlerë artistike, këtu bëjnë pjesë filma të ndryshëm, seritë televizive dhe reality programet. Njerëzit për çdo ditë shohin dhe ndjekin do seri që janë përplot drama. Seritë e tilla i joshin shikuesit t’i ndjekin episodet njërin pas tjetrit. Me këtë mënyrë të përcjellës së serive ka të bëjë termi “binge watching”. Seritë e tilla nuk kërkojnë kurrfarë gjykimi, nuk kanë shumë situata të ndërthurura apo të ngatërruara. Çdo gjë në to është e thjeshtë, e rëndomtë. Ngjarja sillet rreth një personazhi dhe jetës së tij.

Në to vërtet ka dramë por kjo nuk do të thotë se ajo është e rëndë për ta kuptuar. Kur shikuesi i shikon programet e tilla mendja e tij është plotësisht e paangazhuar. Këtu shikuesi nuk sheh asgjë të keqe për arsye se atij i bëhet mirë që pas një dite pune, të gjatë dhe të mundimshme, të qetësojë pak shpirtin. Por, po qe se njeriu vazhdimisht shikon seri të tilla, mendja e tij dalëngadalë do të pasivizohet, ai më me vështirësi do t’i perceptojë gjerat, ndërsa funksionet logjike të tij mund edhe të shuhen. Nga kjo rezulton se seritë e tilla nuk duhet përcjellë pandërprerë, nuk duhet bërë rob i tyre. Ato duhet shikuar në mënyrë të kontrolluar.

Për hir të serive të tilla, njeriu i lë pas dore filmat artistikë, nuk lexon vepra letrare, nuk lexon literaturë shkencore, literaturë filozofike, literaturë nga lëmi i psikanalizës. Ky lloj i veprave atij i duken të rënda dhe lodhëse. Madje, veprat e tilla dhe këtë lloj literature ai edhe fare s’e kupton. Sa më larg të qëndrojë nga veprat e mëdha, aq më të largëta bëhen edhe ato për të. Kjo lë pasoja te njeriu. Ia ul atij nivelin e kulturës dhe e shndërron në mediokër. Ai mund të jetë edhe i arsimuar, intelektual, por i shndërruar në rob të serive televizive apo i realiti programeve, ai shndërrohet në mediokër.

Veprat artistike kapitale që kanë shënuar epokë dhe që kanë synuar për ta ndryshuar botën, për ta bërë atë më humane, kjo kategori e njerëzve as i ka lexuar as dëshiron t’i lexojë. Ato s’i kupton dhe i duke të rënda. Ka rrezik që nesër rrugës së nënave të ecin edhe fëmijët. Një ditë edhe ato mund të bëhen shikues të rregullt të programeve argëtuese që nuk i përçojnë shoqërisë kurrfarë mesazhi. Përkundrazi, në shumë raste ato përçojnë edhe mesazhe negative, johumane, për të mos thënë edhe amorale.

Pikërisht për shkak të efekteve të këtilla ndaj njeriut, ka të tillë që e injorojnë kiçin. Të tillët përpiqen me të gjitha forcat që kiçin ta flakin nga jeta e tyre, por kjo nuk është aq e lehtë kur të kihet parasysh fakti se me të, njeriu është i rrethuar nga të katër anët.

Kiçin mund ta gjejë njeriu edhe në fotografitë e bëra gjatë udhëtimeve apo shëtitjeve të tij, në fotografitë apo në fotografimet e bëra në raste të ndryshme. Duke qenë se ato fotografi paraqesin një çast të ngrirë të ndonjë ngjarjeje, ato s’ka sesi të jenë origjinale. Edhe pse ai vetë e ka bërë fotografimin, nga një kënd i caktuar, në një vend të caktuar, në një kohë të caktuar dhe askush tjetër në botë nuk mund të fotografojë një skenë të ngjashme, kjo fotografi mbetet kiç, kopje e asaj që kanë parë në atë çast sytë e të fotografuarve. Kryevepër e vërtetë është të vështrosh natyrën dhe mjedisin me sytë e tu dhe jo nëpërmjet objektivit të kamerës. Zhan-Pol Sartri thotë: “Njeriu, çdo rrëfim e fillon nga mbarimi”.

Provincialisti, snobi dhe mediokri shpesh dëshiron të fotografohet me ndonjë person të njohur të lëmit të artit, të politikës, të biznesit, të sportit. Me një fjalë, të fotografohet me persona apo personalitete të njohura dhe me ndikim. Sapo e realizon një fotografi të tillë, ai e publikon diku për t’ia bërë me dije publikut se edhe ky është dikush.

Shundi është pjesë e kiçit dhe ka të bëjë me krijimtarinë letrare. Për nga domethënia, shundi është hedhurinë, vepër pa vlerë. Ashtu sikundër ekzistojnë seritë televizive kiç, po kështu ekzistojnë edhe libra kiç, përkatësisht vepra shund. Veprat e tilla i shkruan ndokush pa kurrfarë qëllimi madhor. Ai s’ka dot qëllim tjetër, përpos t’i  nxjerrë ndjenjat dhe mendimet e veta në letër, të bëjë ndoshta njëfarë drame apo diçka që duan të lexojnë njerëzit, të shkruajë histori dashurie, romane kriminalistike, me synimin për të përfituar diçka.

Shembull i shundit mund të jenë edhe magazinat e ndryshëm apo revistat e ndryshme me të cilat përhapen thashethemet dhe problemet nga jeta e ndonjë personi të njohur. Kjo zgjon kërshërinë e shumë njerëzve, të cilët për tekstet e tilla hedhin para. Nga shitja e magazinave apo e revistave të tilla, pronari apo botuesi përfiton. Lexuesit e tillë, në vend që të përqendrohen dhe të preokupohen me problemet e veta, ata merren me problemet e të tjerëve dhe e shikojnë jetën e të tjerëve. Kiçi dhe shundi u shërben atyre për të ikur nga realiteti. Më lehtë është ta jetosh jetën e dikujt tjetër sesa jetën tënde.

Përpos të metave të shumta që i kanë kiçi dhe shundi, ata kanë edhe ndonjë veti të mirë. Për shembull, po qe se shikojmë remake-n (rimejkun) e ndonjë vepre artistike, kjo mund ta motivojë njeriun ta shikojë filmin burimor apo ta lexojë veprën burimore në të cilën bazohet filmi. Apo kur dikush lexon ndonjë artikull të një amatori lidhur me ndonjë temë, ai mund të tregojë interesim më të madh për këtë dhe si rrjedhojë, lidhur me atë temë të lexojë diçka më serioze.

Shënim: Remake (rimejk) është film, seri televizive, lojë videoje ose formë e ngjashme argëtimi që bazohet apo ritregon historinë e një produksioni të mëparshëm; version i ri i një filmi ekzistues.

*   *   *

            Në këtë mënyrë, kiçi mund të ndikojë në përhapjen e kulturës. Kiçi mund të transformohet në ndonjë objekt më të rëndësishëm. Po qe se ndonjë person i admiruar të dhuron ndonjë kiç, ti me sendin e dhuruar do të krijosh një lidhje sentimentale dhe kjo do të ta përkujtonte personin e admiruar. Kjo tanimë assesi nuk mund të jetë kopje për arsye se tani, në atë send apo objekt ndodhen ndjenjat që ti i ke ndaj atij personi. Vetëm ajo kopje, ai ekzemplar e ka atë vlerë të çmueshme dhe kjo e veçon nga grumbulli.