KONFLIKTI SHQIPTARO-SERB ËSHTË KONFLIKT HISTORIK

0
93
Xhelal Zejneli

Xhelal Zejneli

Midis shqiptarëve dhe serbëve kemi një konflikt historik. Gjatë gjithë historisë politike të kohës më të re, shqiptarët kanë bërë luftë mbrojtëse dhe çlirimtare, ndërsa serbët, të mbështetur nga Rusia, kanë bërë luftë pushtuese, hegjemoniste, ekspansioniste dhe kolonialiste.

Gjatë konfliktit shqiptaro-serb, Serbia ka ushtruar dhunë dhe terror ndaj shqiptarëve në Kosovë dhe në vise të tjera. Gjatë konfliktit shqiptaro-serb, Serbia ka kryer gjenocid ndaj shqiptarëve. Për gjenocidin e kryer ndaj shqiptarëve, Serbia nuk ka mbajtur përgjegjësi asnjëherë. Dhuna serbe ndaj shqiptarëve në Kosovë dhe në viset e tjera, ka qenë politikë shtetërore. Dhunë dhe terror ndaj shqiptarëve, me ndihmën e Beogradit, kanë ushtruar edhe sllavo-maqedonasit dhe malazeztë.

Këtu nuk kemi të bëjmë me një konflikt midis Kosovës dhe Serbisë, por me një konflikt historik ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve. Kemi të bëjmë me një konflikt historik ndërmjet dy popujve. Kur është fjala për raportet me Serbinë, Shqipëria duhet të tregohet e matur.

Tirana nuk mund të ndërtojë raporte me Serbinë jashtë kontekstit të konfliktit historik ndërmjet dy popujve – shqiptarëve dhe serbëve.

Kontaktet politike ndërmjet politikanëve shqiptarë dhe atyre serbë, duhet të jenë kontakte politikanësh të dy popujve ndërluftues. Në të vërtetë, kontaktet politike ndërmjet politikanëve shqiptarë dhe atyre serbë duhet të jenë kontakte të politikanëve të një populli i cili ndaj Serbisë zhvilloi luftë mbrojtëse dhe çlirimtare dhe të politikanëve të një populli i cili ndaj shqiptarëve historikisht zhvilloi luftë hegjemoniste, ekspansioniste, pushtuese dhe kolonialiste, duke kryer edhe gjenocid ndaj shqiptarëve.

Gjenocid ndaj shqiptarëve kanë qenë:

“Naçertania” e Ilija Garashaninit e vitit 1844;

– Libri “Shqiptarët dhe Fuqitë e Mëdha” (Arnauti i Velike sile) i vitit 1913, i Vlladan Gjorgjeviqit;

– Elaborati “Dëbimi i shqiptarëve” (Iseljavanje Arnauta) i vitit 1937, i Vaso Çubrilloviqit.

 

Serbia sot ushtron gjenocid të heshtur ndaj shqiptarëve të Kosovës lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë). Duke i margjinalizuar dhe duke i getoizuar shqiptarët e këtyre viseve, Beogradi synon të imponojë shpërnguljen e heshtur të tyre. Pas dhjetë apo njëzet vjetësh, numri i shqiptarëve të këtyre viseve do të reduktohet tej mase.

Para kësaj tragjedie të dhimbshme, Tirana zyrtare hesht dhe i ka mbyllur sytë. Heshtin edhe institucionet shkencore dhe arsimore të kombit – akademitë e shkencave të Shqipërisë dhe të Kosovës. Heshtin edhe institutet shkencore të Shqipërisë dhe të Kosovës, si për shembull institutet e historisë apo edhe institutet e tjera.

Derisa Serbia pakicën serbe në Kosovë e mbështet politikisht dhe materialisht, Tirana dhe Prishtina s’bëjnë dot asgjë për t’i mbështetur shqiptarët e Kosovës lindore (Preshevën, Bujanocin, Medvegjlën). Vizitat që ia bëjnë politikanët e Tiranës kësaj pjese shqiptare, një herë në tridhjetë vjet, nuk e përbëjnë kuintesencën e çështjes.

Ndaj krimeve serbe mbi shqiptarët në Kosovë dhe në viset e tjera, të kryera gjatë shekullit XX, Fuqitë e Mëdha historike të kontinentit të vjetër, kanë qenë indiferentë.

Kancelaritë perëndimore kanë heshtur për krimet serbe ndaj shqiptarëve:

 

– në kohën e luftërave ballkanike, 1912-1913;

– gjatë Luftës së Parë Botërore, në vitet 1914-1918; për raportet shqiptaro-serbe flet Xh. Shala në studimin “Marrëdhëniet shqiptaro-serbe në vitet 1912-1918”, Prishtinë, Instituti Albanologjik, 1990;

– në periudhën ndërmjet dy luftërave botërore, në vitet 1918-1941, d.m.th. gjatë qeverisjes së Nikolla Pashiqit dhe të mbretërisë së karagjorgjeviqëve;

– në periudhën gjatë Luftës së Dytë Botërore, në vitet 1941-1944;

– në periudhën pas Luftës së Dytë Botërore, kur u riaktivizua elaborati i Vaso Çubrilloviqit për dëbimin e shqiptarëve drejt Anatolisë;

– në periudhën pas Luftës së Dytë Botërore, në Kosovë dhe në viset e tjera Beogradi ushtroi dhunë nëpërmjet qeverisjes së Aleksandër Rankoviqit, të njohur në histori si rankoviqizëm;

– në vitin 1968, kur në Kosovë dhe në viset e tjera shpërthyen protestat popullore për liri, pavarësi dhe demokraci, Beogradi ndërhyri me ushtri dhe polici, me shkopinj gome dhe tanke, duke i mbushur burgjet e Serbisë dhe të Jugosllavisë me intelektualë shqiptarë që thoshin: “S’jemi jugosllavë, jemi shqiptarë”, që nuk e respektonin himnin e Jugosllavisë “Hej sllavë”;

– në vitin 1981, kur në çdo cep të Kosovës dhe të viseve të tjera shpërtheu kryengritja për liri, pavarësi dhe demokraci, Beogradi nxori në rrugët e Kosovës ushtrinë dhe policinë, ndërsa aeroplanët bombardues të tipit MIG, fluturonin përmbi ndërtesat e Prishtinës dhe të qyteteve të tjera; numri i ushtarëve serbosllavë në Kosovë u shumëfishua, ndërsa burgjet e Serbisë, përkatësisht të Jugosllavisë, u mbushën me shqiptarë, të akuzuar për nacionalizëm, separatizëm dhe secesionizëm;

– në vitin 1985, boshti antishqiptar i krimit Shkup-Beograd-Titograd (Podgoricë) e nisi fushatën histerike ndaj shqiptarëve; sakaq, në janar të vitit 1986 doli në Beograd “Memorandumi” i Akademisë Serbe të Shkencave dhe të Arteve; ky libër që doli anonim, parashikonte suprimimin e Kushtetutës së vitit 1974, që nënkuptonte shuarjen e federatës jugosllave, suprimimin e autonomisë së Kosovës dhe të Vojvodinës dhe ringjalljen e politikës unitariste, centraliste dhe etatiste serbe me dominim serbomadh;

– frymëzues kryesor i nacional-socializmit serb në këtë kohë ishte shkrimtari dhe akademiku me shkollë të mesme bujqësore, Dobrica Qosiqi, i konsideruar pater patriae;

– në dance macabre apo në vallen e krimit që do të pasonte, ishin lidhur: Akademia Serbe e Shkencave dhe e Arteve, Lidhja e Shkrimtarëve e Serbisë, Kisha Ortodokse (fashiste) Serbe, mediumet serbe; mendimi kritik u shua pothuajse plotësisht; në Serbi mbizotëroi njëmendimi politik dhe ideologjik; shoqërisë serbe iu imponua homogjenizimi;

– fushata histerike antishqiptare e filluar në vitin 1985, rezultoi me daljen në skenë të nacional-socializmit serbomadh, me në krye Sllobodan Millosheviqin;

– përkrah Millosheviqit qëndronin kriminelët e luftës Vojisllav Shesheli, Vojisllav Koshtunica, Vuk Drashkoviqi; rreth Sheshelit sillej kryetari i përtashëm i Serbisë – Aleksandër Vuçiqi, ndërsa pranë Millosheviqit qëndronte Ivica Daçiqi;

– e ashtuquajtura Armatë Popullore Jugosllave dhe policia serbe u vunë nën kontrollin e Millosheviqit;

– në vitin 1991 Serbia e filloi agresionin në Slloveni, në Kroaci, në Bosnjë dhe Hercegovinë; gjatë agresionit ushtarako-policor në Kroaci dhe Bosnjë e Hercegovinë, Serbia kreu krime lufte dhe gjenocid;

– në vitin 1998, luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Serbia iu përgjigj me krime lufte, të papara në Evropën e pas Luftës së Dytë Botërore; në vitet 1998-1999 Serbia kreu gjenocid në Kosovë.

*   *   *

Në marrëdhëniet me Serbinë, Tirana zyrtare duhet t’i ketë parasysh krimet e sipërthëna serbe në Kosovë.

Para Luftës së Dytë Botërore, Ahmed Zogu kishte krijuar raporte të caktuara me Serbinë, përkatësisht me kryeministrin Nikolla Pashiq. Nga raportet midis këtyre dyve rezultoi ajo që quhet “Marrëveshja Nikolla Pashiq – Ahmet Zogu, e gushtit të vitit 1924”, Arkivi Qendror i Shtetit, fondi 251, dosja 105, viti 1924. Marrëveshja përmban 16 pika. Në pikën e fundit, të 16-të, thuhet se ky traktat është sekret dhe se nuk mund të publikohet pa pëlqimin e palëve. Marrëveshja është arritur në këmbim të ndihmës që Serbia do t’i jepte Zogut për t’u kthyer në Shqipëri dhe për ta shembur qeverinë e Fan Nolit. Duhet shtuar se ka të tillë që e kontestojnë autenticitetin e marrëveshjes së sipërthënë.

Më 23 qershor të vitit 1946, shkon për vizitë në Jugosllavi Enver Hoxha. Ishte ditë e diel. Enveri ishte kryetar i Qeverisë së Shqipërisë, ministër i Mbrojtjes Kombëtare dhe ministër i Punëve të Jashtme. Pjesë e delegacionit shqiptar ishin: gjeneralmajor Myslim Peza, nënpresident i Presidiumit të Kuvendit Popullor të Shqipërisë; gjeneralmajor Bedri Spahiu; Manol Konomi, ministër i Drejtësisë; Nako Spiro, ministër i Ekonomisë; kolonel Nesti Nerenxhiu, zëvendësministër i Punëve të Brendshme; kolonel Manush Myftiu, drejtor i Drejtorisë Politike pranë Shtabit të Përgjithshëm; dhe nënkolonel Vasil Konomi, zëvendësministër i Punëve të Jashtme. Në aeroportin e Zemunit, qytet që sot kufizohet me Novi-Beogradin (Beogradin e Ri), Enverin e priti delegacioni jugosllav me në krye Josip Broz Titon.

Në nëntor të vitit 1997, në qytetin Iraklio të Kretës u mbajt samiti i vendeve të Ballkanit. I pranishëm ishte edhe kryeministri i Shqipërisë Fatos Nano. Përshëndetet me Sllobodan Millosheviqin dhe i propozon një takim kokë më kokë. Takimi midis tyre është mbajtur në një dhomë të katit të dytë të hotelit, të parashikuar enkas për takime të tilla. Ndonëse i parashikuar të zgjatë 45 minuta, takimi midis tyre ka zgjatur rreth 1 orë e 30 minuta. Në samitin e Kretës të përfaqësuesve të vendeve të Ballkanit, ka qenë i pranishëm edhe ministri i Punëve të Jashtme i Shqipërisë, Paskal Milo. Për takimin Nano-Millosheviq, në opinionin shqiptar ka pasur reagime të ashpra. Duke qenë se takimi është mbajtur tête à tête, askush s’e di se çka kanë biseduar ata dy.

Më 12 mars 2010 vajti në Beograd për vizitë dyditëshe zëvendëskryeministri, përkatësisht ministri i Punëve të Jashtme i Shqipërisë, Ilir Meta. Ai në Beograd u takua me zyrtarë të lartë të Serbisë. Në kuadër të kësaj vizite ai u ndal edhe në Preshevë dhe në Bujanoc ku u takua me udhëheqësit shqiptarë të pushtetit vendor.

Më 10 nëntor të vitit 2014, kryeministri Edi Rama vajti në Beograd dhe u takua me kryetarin e Serbisë, Aleksandër Vuçiqin. Takimi u mbajt pas ndeshjes së futbollit ndërmjet skuadrave përfaqësuese të Serbisë dhe të Shqipërisë, që u luajt në Beograd më 8 nëntor të atij viti. Në këtë ndeshje u lëshua në fushën e stadiumit harta e Shqipërisë etnike. Thuhet se ky takim qenkësh sugjeruar nga qarqet perëndimore. Pas këtij takimi të Beogradit, me eksponentin e ultranacionalizmit, të hegjemonizmit dhe të ekspansionizmit serb, Vuçiqin, Rama është takuar edhe herë të tjera. Më 21 dhjetor 2019, u mbajt në Tiranë “samiti” i shtetarëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Në kuadër të këtij Shengeni të Vogël ballkanik vjen në Shqipëri edhe Vuçiqi. Ardhja dhe qëndrimi dyditor i tij në Tiranë dhe në Durrës, nga një pjesë e opinionit shqiptar u prit me reagime të ashpra.

Vizita e kryeministrit Rama në Beograd, ndodh 51 vjet pas vizitës së Enver Hoxhës. Kishte të tillë që vizitën e Ramës në Beograd e cilësuan si historike. Në të vërtetë, kjo nuk ishte kurrfarë vizite historike. S’ishte fare historike. Historike s’ishte as ardhja e Vuçiqit në Tiranë. Historike cilësohen takimet apo vizitat që rezultojnë me marrëveshje historike midis dy popujve. Këndej Edi Rama hiqet sikur shkrin akullin në raportet me Beogradin, Vuçiqi ndërkaq deklaron se “çështja” e Kosovës mund të shndërrohet në një konflikt të ngrirë. Me këtë nënkuptohet: “Një ditë Amerika do të dobësohet, ndërsa Rusia dhe Kina do të forcohen. Pas kësaj, Serbia – me ndihmën e Moskës – do të ndërhyjë ushtarakisht në Kosovë”.

*   *   *

Shqipëria e sotme nuk është ajo e vitit 1924, e kohës së Nikolla Pashiqit dhe e Zogut. Nuk është as ajo e vitit 1946 kur Enveri u prit nga Josip Brozi në Beogard. Nuk është Shqipëri e periudhës së monizmit dhe e diktaturës. Shqipëria e sotme është anëtare e NATO-s dhe synon anëtarësimin në BE, kështu që  Beogradi nuk ka pse i duhet. Për dallim nga Shqipëria moniste, kjo e sotmja është shtet me sistem pluralist dhe demokratik. Atë e vizitojnë miliona turistë nga gjithë bota. Ata thonë se vend më të bukur se Shqipëria s’ka. Shkruajnë se popull më bujar, më fisnik dhe më mikpritës në rruzullin tokësor nuk kanë parë. Këtë e thonë të huajt. Rrjedhimisht, inferior përballë Tiranës le të jetë Beogradi dhe jo e kundërta.

Të rinjtë shqiptarë e lënë vendin dhe i marrin rrugët pa kthim të Perëndimit, jo ngase vendi i tyre s’është i mrekullueshëm, jo ngase bashkëkombësit e tyre s’janë fisnikë. Ata ikin nga pushtetarët dhe nga qeveritarët që nuk janë në krye të detyrës; nga pushtetarët dhe nga qeveritarët që i ka mbuluar dhe i ka verbuar nepotizmi, paaftësia politike, mjerimi intelektual dhe varfëria etike. Ata ia kthejnë shpinën, jo Arbërisë dhe shqiptarëve, por politikanëve të   korruptuar.

Tirana zyrtare duhet ta dijë se kombi pret nga Beogradi:

 

– të njohë pavarësinë e Kosovës;

– të respektojë tërësinë e tokave të Kosovës;

– të respektojë sovranitetin e Kosovës;

– të miratojë një rezolutë me të cilën do t’u kërkojë falje shqiptarëve për krimet dhe gjenocidin e kryer që nga viti 1877 e deri në ditën e çlirimit nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, të ndihmuar nga ShBA-ja;

– t’ia kompensojë Kosovës shfrytëzimin e egër kolonialist, që nga viti 1912 e deri në ditën e çlirimit, më 1999;

– t’i paguajë Kosovës reparacion lufte apo zhdëmtim;

– të japë njoftime për fatin e të pagjeturve:

– t’i dënojë kriminelët e luftës që kanë kryer krime ndaj shqiptarëve,

– ta ndërpresë gjenocidin e heshtur ndaj shqiptarëve në Kosovën lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë);

– ta ndërpresë dëbimin e heshtur të shqiptarëve nga Kosova lindore, përkatësisht ta ndërpresë pastrimin etnik të heshtur të asaj pjese shqiptare të robëruar.

Gjenocidin serb në Kosovën lindore, Tirana duhet ta shtrojë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Tirana, Uashingtoni dhe Berlini duhet të kërkojnë nga Beogradi që t’i japë fund armatimit dhe militarizimit. Me fjalë të tjera, ata duhet të kërkojnë çmilitarizimin dhe çarmatimin e Serbisë.

Tirana, Uashingtoni dhe Berlini duhet ta dinë se në dialogun e Brukselit duhet biseduar vetëm për dy çështje:

– për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia; dhe

– për njohjen e të drejtave të shqiptarëve të Kosovës lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë) ashtu siç i gëzon pakica serbe në Kosovë.

Serbët në Kosovë përbëjnë 3% të popullsisë. Ata gëzojnë të drejta si asnjë pakicë në Bashkimin e Evropian.

Tirana, Uashingtoni dhe Berlini duhet ta dinë se marrëdhëniet midis shqiptarëve dhe serbëve nuk mund të normalizohen pa i plotësuar Beogradi detyrime e sipërthëna. Pasi Beogradi t’i lajë mëkatet e lartpërmendura, që nuk lahen lehtë, duhet pritur edhe disa dekada që të shërohen plagët e shqiptarëve të burgosur, të torturuar, të dënuar, të plagosur, të vrarë, të përdhunuar, të pagjetur.

Shqiptarët përballë Serbisë duhet të veprojnë, të reagojnë dhe të sillen, jo si Kosovë por si komb.