ASTRIT SULI
Ky në foto është Astrit Suli, i lindur më 13 prill të vitit 1976 në Kuçovë.
Për ta ndihmuar babain në mbajtjen e familjes shumanëtarëshe (gjashtë djem e dy vajza), ashtu si shumë të rinj nga Shqipëria, shkon në Greqi për të punuar.
Me rastin e shpërthimit të luftës në Kosovë, Astrit Suli, i frymëzuar nga pikëpamja patriotike, shfaq interes për t’iu bashkuar radhëve të UÇK-së.
Ishte duke punuar në Greqi, në kohën kur ushtria dhe policia serbe kishin filluar masakrimet kundër shqiptarëve në Kosovë, duke dëbuar dhunshëm popullatën civile shqiptare për në Shqipëri e në vende të tjera. Një natë ndodhej në një lokal, në mesin e disa grekëve, kur televizioni po transmetonte pamje të dëbimit të shqiptarëve nga trojet e tyre etnike. Disa grekë kishin qeshur me cinizëm, ndërsa Astriti reagon me tërë forcën fizike, duke u përleshur me ta dhe duke u’a rrokullisuar tavolinat.
Qysh atë natë iku nga Greqia dhe fare pa u lajmëruar në familje depërton në qendrën stërvitore të UÇK-së, në Burrel. Qëllimi i tij ishte që sa më parë që ishte e mundur të futej në frontet e luftës në Kosovë. Gjatë atyre pak ditëve sa qëndron në Burrel, i dërgon një letër xhaxhait të tij, Misir Sulit, ku shkruan:
“…Ndodhem në Burrel. I’u bëj shumë të fala të gjithëve. Jam bashkuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe kjo më bën krenar, më bën të lumtur dhe më jep shpresë për jetë. Nga çasti në çast pres urdhrin për t‘u futur në luftën e shenjtë për çlirimin e trojeve shqiptare. Besoj, Xha Misir, se kjo të gëzon edhe ty dhe çdo shqiptar të ndershëm. Babi dhe mami! Ju vëllezër dhe motra, iu uroj të jeni mirë dhe me më pak halle. Unë jam mirë, veç ndiej dhembje për ju dhe atdheun, për popullin shqiptar në tërësi, të cilit jam i gatshëm t’ia kushtoj jetën time. Ju e dini se kjo është jeta ime: Kosova e lirë dhe Shqipëria etnike. Ju uroj edhe një herë të jeni mirë dhe të gjithë u takofshim në Kosovën e lirë“.
Në majin e vitit 1999 bëhet pjesë e Zonës Operative të Pashtrikut dhe më datë 27 të atij muaji bie dëshmor i lirisë së Kosovës në Malësinë e Gorozhupit.