23 gusht 2021
Jam i trishtuar të dëgjoj për vdekjen e papritur të mikut dhe kolegut tim të mirë Fran Tanushi (1966-2021).
Me origjinë nga Novosellë, Gjakovë, Kosovë, Frani jetonte me familjen e tij në Gjermani.
Kam pasur kënaqësinë të komunikoj rregullisht me Franin që nga viti 2017. Ai ishte gjithmonë bujar me kohën dhe njohuritë e tij, të cilat rezultuan shumë të dobishme për një numër botimesh dhe veprash të mia në progres.
I diplomuar në sociologji i Universitetit të Prishtinës, Frani kishte aftësinë për të kuptuar dhe shpjeguar çështje komplekse historike, etno-kulturore dhe shpirtërore që kanë të bëjnë me Kosovën dhe kombin shqiptar me lehtësi, kompetencë, modesti dhe erudicion shembullor.
Frani ishte gjithashtu një poet i afirmuar dhe i mirënjohur, si dhe një redaktues dhe botues i respektuar.
I dërgoj ngushëllimet e mia më të thella familjes, miqve dhe kolegëve të tij.
RIP miku im.
Mesazhi i Dr. Alpion në Facebook:
I am saddened to hear of the sudden passing of my good friend and colleague Fran Tanushi (1966-2021).
Originally from Novosellë, Gjakovë, Kosova, Fran lived with his family in Germany.
I have had the pleasure of communicating with Fran regularly since 2017. He was always generous with his time and knowledge which proved very useful for a number of my publications and works in progress.
A sociology graduate of the University of Prishtina, Frank had the knack for understanding and explaining complex historical, ethno-cultural and spiritual issues pertaining to Kosova and the Albanian nation with exemplary ease, competence, modesty and erudition.
Fran was also an accomplished and acknowledged poet as well as a respected editor and publisher.
I send my deepest condolences to his family, friends and colleagues.
RIP my friend.
Nesër varroset krijuesi, veprimtari e humanisti mërgimtar
NGA: HASAN QYQALLA MË: 25 GUSHT 2021 – BOTASOT.INFO
Pas një sëmundje të shkurtër (COVID), të hënën ndërroi jetë krijuesi, veprimtari e humanisti Fran (Jozef) Tanushi që jetoi e veproi në Augsburg të Gjermanisë.
Fran Tanushi u lind në vitin 1963, në Novosellë të Gjakovës. Shkollimin fillor e mbaroi në vendlindje, të mesmen në Gjakovë për të vazhduar studimet e larta për Filozofi dhe Sociologji në Fakultetin Filozofik në Prishtinë.
Që në moshën e rinisë, Tanushi reflektoi në lëvizjet studentore të kohës, si dhe në botën letrare e artistike të atyre viteve. Për shkak të rrethanave Frana, detyrohet të marrë rrugët e mërgimit. Vendoset në Augsburg të Gjermanisë. Që në fillim dallohet jo vetëm si aktivist e veprimtar i devotshëm, por edhe ideator e promotor i shumë aktiviteteve në interes të kauzës kombëtare. Afria, sinqeriteti dhe gadishmëria e tij, bëri që të jetë i dashur, i pranishëm dhe i respektuar nga komuniteti ynë e më gjërë.
F. Tanushi shquhet me krijimtari letrare në prozë e poezi, merret me studime historike, etnografi, monografi si dhe me publicistikë e pikturë. Poezitë e para i botoi gjatë viteve të ’80-ta, në revistat e gazetat e asaj kohe. Kohë të gjatë themeloi dhe botoi revistën “LIBERTAS”. Deri tani ka botuar këto libra me poezi: “JETA E CENZURUAR”, botimet “Libertas”, Prishtinë – Augsburg 2011; “ISHULLI IM” botimet “Saga”, Prishtinë 2013; “SHKARPA”, botimet “Geer”, Tiranë 2015; “LA MIA ISOLA”, botimet “Emal”, Tiranë 2017; “SHKALLA E DIELLIT”, botimet “Lena Grafik”, Prishtinë 2018; si dhe “TEMPULLI I BRAKTISUR” (ku fitoi ÇMIMIN E PARË DR. IBRAHIM RUGOVA PËR ART DHE LETËRSI 2021), botimet “Lena Grafik”, Prishtinë 2020. Fran Tanushin e gjejmë edhe si bashkautor në disa antologji poetike (me krijuesin Hasan QYQALLA), ku veçojmë “VARGJE PËR NËNËN”(kushtuar Shën Nënë Terezës), botimet “Lena Grafik”, Prishtinë 2016; “MOTI I MADH” (kushtuar Gjergj Kastriotit-Skënderbeut), botimet “Lena Grafik”, Prishtinë 2018! Poezitë e tij janë përkthyer edhe në disa gjuhë të huaja, si në anglisht, gjermanisht, italisht, frëngjisht, etj. Krijuesi Tanushi është fitues i shumë çmimeve, shpërblimeve e mirënjohjeve! Fran Tanushi për vite të tëra ishte nënkryetar i LSHAKSHGJ, pastaj prej themelimit të Lidhjes së Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë (LKSHM) 2013-2019 sekretar ekzekutiv. Prej vitit 2019 ishte në postin e nënkryetarit të LKSHM-së.
Poeti, veprimtari e aktivisti i dalluar Fran Tanushi, varroset nesër në vendlindjen e tij në Novosellë të Gjakovës, në ora 12:00! I lehtë të qoftë dheu i Kosovës Fran (Jozef) Tanushi.