Ballkani i hapur sjellë zhvillim më shumë për popujt e shtypur të ish-Jugosllavisë

0
109
Arben Çokaj
Arben Çokaj

Arben Çokaj, 14 gusht 2021

Tema e “minischengenit” apo “Ballkanit të hapur” është shoqëruar me një valë diskutimesh ‘pro et contra’ në media e në rrjetet sociale. Shoqëria shqiptare është ndarë në dy pjesë, në atë që e do Ballkanin e hapur pa kufinj, që përbëhet kryesisht nga shqiptarët e Shqipërisë, të djegur nga izolimi i Enverit, që kanë kuptueshmëri më shumë për liberalizmin dhe që nuk e kanë frikë Serbinë, dhe nga shqiptarët e ish-Jugosllavisë, që në vend të duartrokasin hapjen e kufijve, nga frika e serbit dhe mashtrimi për ”Jugosllavinë e re”, po e kundërshtojnë këtë iniciativë, duke menduar se po bëhet një makro shtet, e jo një marrëveshje ekonomike për liberalizimin e 4 lirive themelore të tregut.

Këtë shkrim do e bazoj mbi parimet e liberalizmit dhe si kanë ndikuar ato në rritjen e mirëqenies e paqes në vendet, ku është aplikuar në praktikë, në fitimin e lirisë prej tyre; çfarë thonë ideatorët e kësaj teorie dhe cili është profiti që njerëzit marrin në praktikë, dhe në fund, cili do të jetë përfitimi i Ballkanit e konkretisht i shqiptarëve nga ky proces. Se kjo e fundit na intereson më shumë.

Po bëhet fjalë gjithmonë për një proces, që zbatohet sipas rregullave dhe ligjeve të BE-së, ngjashëm me Schengenin, se përndryshe, përse po lodhemi kot? Pra, nëse ky proces aplikohet e zbatohet ‘mutadis mutandis’ ashtu siç duhet, në një shtrirje kohore të caktuar, duke liberalizuar 4 liritë themelore të lëvizjes së njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit në vendet e Ballkanit, rezultatet do të jenë pozitive, sidomos për popujt e shtypur të ish-Jugosllavisë e konkretisht për shqiptarët në Serbi, Maqedoni, Mal të Zi e Kosovë. Prandaj nuk kemi arsye, pse të kemi frikë nga ky proces!

Nobelisti amerikan në ekonomi, Milton Friedman me librin e tij “Kapitalizmi dhe liria” sqaron se “Liberalizmi ekonomik sjellë liberalizim politik”, pasi jep alternativa të reja, nuk të pëlqen psh. një vend, shkon diku tjetër, zhdukë etatizmin e monopolet, çon në rritjen e mirëqenies dhe krijon barazi. Friedman e kundërshton thënien e Kennedy-t: “Mos pyesni çfarë mund të bëjë vendi juaj për ju – pyesni ç’mund të bëni ju për vendin tuaj.” Ky është rasti – sipas tij – kur shteti sillet si padron dhe qytetari si vartës. Për njeriun e lirë, atdheu është bashkimi i individëve që e përbëjnë atë, jo diçka përtej tyre e mbi ta. Njeriu i lirë e konsideron qeverinë si mjet, vegël, e jo si ofrues favoresh e dhuratash, e as si padron e perëndi, që duhet adhuruar e shërbyer verbërisht. Njeriu i lirë pyet çfarë mund të bëjmë ne bashkërisht përmes qeverisë.

Ndërsa sociologu dhe teoricieni politik anglez Leonard Hobhouse, me librin e tij “Liberalizmi” sqaron se ”Liria e tregtisë nënkupton paqe”. Duke parë këtë zhvillim, edhe vendet e tjera, kolonitë angleze filluan ta kopjojnë këtë model. Si u bënë kolonitë e Anglisë shtete të zhvilluara, si Kanadaja, Australia apo Zelanda e Re, etj.? Duke përdorur liberalizmin Laissez-faire – parimi mbi të cilin bazohet liberalizmi. Laissez-faire është një filozofi ekonomike e kapitalizmit të tregut të lirë, që kundërshton ndërhyrjen e qeverisë në ekonomi. Teoria e laissez-faire u zhvillua nga fiziokratët francezë gjatë shekullit të 18-të dhe beson se suksesi ekonomik ka më shumë të ngjarë të ndodhë, sa më pak të përfshihet në biznes qeveria. Bëhet fjalë për liberalizmin konstruktiv, jo anarkinë.

Filozofi, biologu, antropologu dhe sociologu anglez Herbert Spencer, i cili hodhi hipotezat mbi darvinizmin social, nga ana e tij, i referohet një hieroglifi, ku një asirian mban të lidhur për qafe një skllav, dhe thotë: “Për aq kohë sa e mban atë skllav të lidhur me litar, ti je skllav i skllavit”. Sepse litari, me të cilin ti mban skllevërit e tu, të skllavëron edhe ty. Prandaj lëre njeriun e lirë. Nga ana psikologjike, kjo gjendje mund të shpjegohet nga psikoanalisti Erich Fromm, si “simbiozë incestuale”. Kemi kështu lidhjen afektuale të padronit me skllavin, të prindërve me fëmijën, etj. ku secila palë krijon një varësi vicioze, malinje me njëri-tjetrin, jo normale, e nuk mund të shkëputen lehtë.

Në rastin e Kosovës me Serbinë, serbët ishin padronët, perënditë, ’raca hyjnore’, kurse shqiptarët “šiptari”, skllevërit e tyre, të cilët i rrihnin, keqtrajtonin, përdhunonin e vrisnin. Anglia zuri mend nga idetë liberale të kohës, dhe e hoqi barrën e saj, i la kolonitë e saj të lira, e ato u zhvilluan, pasi asaj nuk i paguhej të mbante më ushtarë, me forcë, me dhunë e kërbaç të ruante sundimin. Serbia është më e vonuar në këtë proces, dhe nuk e njeh ende Kosovën si shtet i lirë. Serbi, lëre Kosovën e lirë, se çliron edhe vetveten!

Absurdi në këtë rast është, se janë ‘skllevërit’ ata, që nuk po e duan lirinë e tyre, dhe nuk ndodh më ndryshe në këtë rast, se ajo që ka ndodhur në Amerikë me Luftën Civile, ku ishin pikërisht skllevërit, të paaftë në fillim, për ta kuptuar lirinë, që po u jepej dhe kundërshtonin. Kishin frikë se mbesin pa bukë, se nuk të do kishim një padron që do t’i mbante.

Tani që Serbia po liron, Kosova po shtrëngon. Kosovarët me idenë se po bllokojnë Serbinë, janë duke bllokuar veten! Si Serbia dikur, me idenë se po vret kosovarët, e humbi Kosovën!

Atëherë si dilet nga ky rreth vicioz, nga kjo gjendje incestuale e perversionit ballkanik? Duke përdorur pikërisht këto teknika të liberalizimit të tregut, që sjellin liberalizim politik, ku pronën nuk ia merr tjetrit me dhunë si deri tani, nuk vret e nuk pret, por bën shkëmbime tregtare, biznes, që sjellë paqe e zhvillim për të gjithë, siç e kanë bërë edhe vendet e tjera para nesh! Me Ballkanin e hapur, shqiptarët heqin kufijtë, që u vendosën dikur padrejtësisht me dhunë e gjak, dhe mund të bëjnë biznes të lirë me njëri-tjetrin. Janë rreth 6-7 milion shqiptarë në Ballkan.

Metafizika e Hegelit e ka parë shtetin si qëllim, kurse liberalizmi ka si qëllim mirëqenien dhe shtetin e përdorë si mjet për të arritur qëllimin. Kjo është demokracia, hapja e kufijve, lehtësira në treg, mospritja në radhë të gjata në kufi, kalimi i lirë i njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit.

“Kur shteti paraqitet si padron, si perëndi, apo indiferent përballë individit, ndaj njeriut të lirë, ai është një zot i rremë” – thotë Hobhouse. Liderët kosovarë, duke mos pasur dije në këtë fushë, duke mos pasur besim te serbët, që i kanë dhunuar dikur dhe kanë ende pretendime, krijojnë kundërshti të panevojshme, dhe padija e mosbesimi sjellin probleme, mos-kuptueshmëri e konflikte.

Duke parë diskutimet e këtyre ditëve, vërej se intelektualët e gazetarët shqiptarë në shumicë, si në Shqipëri e Kosovë, nuk kanë njohuri as teorike e as praktike për këtë proces. Kjo ngjan me kohën e para 100 vjetëve, kur ne i mbanin Konicën e Fishtën etj. si eruditë, por edhe ata nuk kishin njohuri sa duhet për zhvillimin e mendimit bashkëkohor. Ishin prapa tjerëve, nuk sheh në veprat e tyre të pasqyruar mendimi e avancuar të kohës. Nuk është e lehtë të hyjë filli i mendimit perëndimor në kokat tona orientale këtu në Ballkan. Duhet në fillim të ndriçohet mendja, pastaj veprimi.

Prandaj kemi qenë e jemi të vonuar dhe i presim me kaq zhurmë e diskutime banale, fantazi e sharje vulgare, këto zhvillime të reja, që bota i ka aplikuar me kohë dhe kanë dhënë sukses.