Ismail Kadare
Gjatë gjithë vitit 1999, për herë të parë në jetën time, për shkak të luftës në Ballkan, kam mbajtur, në mënyrë të vijueshme, shënime. Nën titullin “Ra ky mort e u pamë”, shënimet, në trajtë ditari, janë botuar si libër më vete në shqip dhe në disa gjuhë europiane.Ditën e 31 majit 1999, në kulmin e bombardimeve të NATO-s, shënimi i ditës merret me një polemikë midis shqiptarësh në gazetën “Illyria” të Nju-Jorkut. Shkak është shkrimi “Skënderbeu e kishte nënën sllave” (me autor Fatos Lubonjën), botuar pak ditë më parë në “Courrier International” të Parisit. Autori shqiptar i shkrimit fajësohet me një gjuhë tejet të ashpër, për qëndrim antishqiptar e njëherësh antieuropian. Pra, është 31 maj i vitit të fundit të mijëvjeçarit të dytë. Shprehja “ora e keqe”, më shumë se metaforë, është përcaktim i saktë i kohës për Kosovën. Ajo mezi po merr frymë nën masakrën serbe, një nga më të egrat e shekullit.
NATO-ja është duke bombarduar Serbinë, për shkak të shqiptarëve të Kosovës dhe shqiptarët po paguajnë taksën. Shkurt, për ndëshkimin e Serbisë, NATO-ja ka vënë aviatorët dhe avionët më modernë të saj, kurse Kosova ka vënë gjënë më të vjetër në botë, në kësi rastesh: gjakun. Liria e kërkon se s’bën këtë karburant të vjetër, dhe shqiptarët e dinë këtë. Hakmarrja serbe është në kulmin e saj: grirje foshnjash, përdhunime vajzash e grash, djegie shtëpish, vrasje verbazi, shpërngulje, tmerr. E deshët ndërhyrjen e NATO-s! Ja NATO-ja! Gëzojuni asaj! Kosova është me shpirt ndër dhëmbë. Gati po jep shpirt. Dhe pikërisht mu midis makthit, në një nga revistat më ndikuese europiane, një rimohues shqiptar e boton këtë shkrim, për të cilin ndërgjegjja e tij, sipas fajësuesve, duhej të përgjigjej më pas. Shkrimi do të quhej, as më pak, as më shumë, thikë në shpinë kundër Kosovës.Ishte e ngutur një akuzë e tillë? Ishte ky shkrim një lajthitje e rastit, kapardisje antikombëtare, snobizëm, etje për t’u dukur modern? Ishte një përzierje e të gjithave, madje diçka më e rëndë? Shkrimi, para së gjithash, kishte të bënte me një polemikë nga më të ashprat në Shqipërinë paskomuniste.
Në qendër të kacafytjes (një fjalë disi më e saktë në këtë rast), ishte Gjergj Kastrioti, por, siç ndodhte shpesh me zotin Gjergj K., kur hynte në skenë, gjithë çështjet madhore të kombit shqiptar, Rilindja, gjuha shqipe, zanafilla ilire e shqiptarëve, raportet e mitit me historinë, vetë çmitizimi dhe mitet e rrejshme shqiptare, do të ndërlikoheshin rreth tij. Dy grupimet që do të ndesheshin, “albanologët e rinj”, ose rimohuesit, siç u quajtën shkurt, dhe kombëtaristët, kundërshtarët e tyre, do të përdornin kundër njëri-tjetrit gjithë minierat e gjuhës shqipe, çka do të ishte një festë për përpiluesit e fjalorëve, nëse ende kishte të tillë.Thënia “patriotizmi, streha më e fundit e horrave”, ishte ajo që, më shumë se çdo tjetër, do të përdorej në kronikën shqiptare. Pavarësisht se autori i saj herë shpallej Xhefersoni, herë Sokrati, herë Nëna e Çërçillit, Volteri apo Xhon Lenoni, kjo nuk pengonte aspak që të bëhej thënia më e njohur në vend.Fajësimet e të dyja palëve, për nga mizoria, ngjanin si pika uji. Ndërsjelltazi, ashtu siç edhe pritej, u quajtën tradhtarë, reaksionarë parakë, kombëtaristë, antishqiptarë, fashistoidë, nënëterezistë, kanunorë, gjer te llaci-faci, shule, e natyrisht ylberistë, çka dihej ç’nënkuptonte.
Në pranverë të vitit 1999, ndaj autorit të shkrimit të “Courrier International” do të përdoreshin së paku gjysma e këtyre cilësorëve. Për strehsat, të thoshe se nëna e Skënderbeut ishte serbe, e sidomos ta thoshe këtë pikërisht në maj të vitit 1999, ishte vërtetimi më i saktë se punoje për serbët. Në thelb, akuza tingëllonte groteske. Me nënë jo sllave ose sllave (çka mund të ishte e vërtetë për Vojsava Tribaldën, një sllave, me sa dukej, e martuar me Gjon Kastriotin, të atin e Gjergjit, sipas dokeve mesjetare, kur feudalët në krushqitë e tyre shkërbenin mbretërit), Gjergj Kastrioti mbetej po ai. Madje, edhe të atin ta kishte serb (do t’i vinte radha edhe këtij), përsëri nuk ndryshonte asgjë. Ai ishte heroi i parë i Shqipërisë dhe i shqiptarëve, i njohur nga gjithë bota si i tillë dhe vetëm si i tillë, dhe kjo nuk mund të ndryshohej kurrë në kurrfarë rrethanash nga kurrkush.
Por strehsat nuk dorëzoheshin lehtë. Ata e kishin kuptuar se do të ishte më mirë të përdornin më pak sharje e më shumë logjikë. Kështu, në vend që të kuptonin se po tronditnin botën, duke shpallur se sa skandaloze ishte amësia ose atësia e rreme e Skënderbeut, u vunë të zhbironin ca dokumente e ca arkiva, aq sa ua lejonte, natyrisht, vrulli i tepërt polemist. Së pari, e kuptuan se duhej t’u mbushnin mendjen të tjerëve, se pse ishte i keq shkrimi famëkeq në “Courrier International”, ditën e fundit të muajit maj, në vitin e fundit të mijëvjeçarit të dytë. Ata zbuluan se “çmitizuesi” shqiptar nuk ishte aspak origjinal, siç kishin kujtuar. Tezën e prindërve serbë të Skënderbeut, e kishte marrë nga dikush tjetër dhe ky dikush tjetër nuk ishte veçse famëkeqi, sipas tyre, Vuk Drashkoviç, një nga ministrat e Millosheviçit, rrjedhimisht një ndër përgjegjësit për plojën e Kosovës.
Së dyti, se kjo tezë ishte botuar në vitin 1987, pra, dymbëdhjetë vjet përpara plojës, në gazetën franceze “Le Monde Diplomatique” dhe bënte pjesë në tezat që duhej të përgatisnin shpërnguljen e shqiptarëve nga Kosova. Së treti, se as Drashkoviçi nuk ishte origjinal, por përsëriste në shkrimin e tij teza të vjetra serbe, të Radonicit, 1942, e teza edhe më të vjetra të Vladan Gjorgjeviçit, të Grashaninit, të Çubrilloviçit, të Millosheviçit, që flisnin jo vetëm për zanafillën serbe të Skënderbeut, por, kryesorja, e lidhnin këtë zanafillë me këmbënguljen e tyre se Kosova kishte qenë e mbetej djepi i serbizmit, ndaj serbët nuk do ta lëshonin kurrë atë. Së katërti, strehsat zbuluan se shumicën e argumenteve, qoftë për Skënderbeun, qoftë për rrënjësinë e shqiptarëve në Ballkan, mohsat i kishin marrë nga famëkeqja, sipas tyre, Akademia serbe e Shkencave.
Kthim te “Courrier International”,
31 maj 1999
Është tmerr në Kosovë. Është kulm i krimit, i shpërnguljes, i përdhunimit të grave e të vajzave, shkurt, i hakmarrjes meskine serbe kundër shqiptarëve. Propaganda serbe, me frymën e fundit të saj, kërkon të përligjë masakrën, atë për të cilën po ndëshkohet nga Europa dhe Aleanca Atlantike. Ajo kërkon të përligjë sidomos famëkeqin “spastrim etnik”, sepse ky i fundit i kujton gjithë botës holokaustin kundër hebrenjve. I kanë shpenzuar të gjitha argumentet, ndaj bëjnë ç’bëjnë i kthehen më të vjetrit, atij prej të cilit kanë pasur gjithmonë fat: Kosova djep i Serbisë e i serbizmit. Kanë shpresë se edhe këtë herë kjo histori nuk do t’i lërë në baltë. Në mos i përligjtë plotësisht, së paku për të zbutur disi zemërimin europiano-amerikan, vetëm ajo mund të shërbejë, historia e djepit serb.
Ninullat me djepe e me foshnja kanë qenë gjithmonë të përshtatshme për të ndjellë keqardhje. Ato i kujtonin gjithkujt se ishte e lehtë të bombardoje Serbinë, por duhej bërë një përpjekje për të kuptuar shpirtin e saj, brengën shekullore, kujtimet, ahtin e saj. Ishte e vështirë për ballkanasin të ndahej nga djepi historik. E aq më tepër për serbin. Ndaj dhe në ishin bërë gabime, për diçka që quhej e shenjtë ishin bërë, për kujtimet e vjetra, nostalgjinë, ahtin e madh. Dhe historia, e përmendur qindra-mijëra herë, përsëritet: Kosova ishte shpirti i pavdekshëm i serbizmit, kuptimi, simboli, Jerusalemi, dhimbja, triumfi, zia, shkurt, nyja ku gjithçka nis e po ashtu sos.
Në shkrimin e tij, Vuk Drashkoviçi, shkrimtar dhe ministër i Jashtëm i Serbisë, flet për të gjitha këto. Autori i këtyre radhëve e ka një kujtesë më tepër për këtë tekst, për arsyen e thjeshtë se teksti I Drashkoviçit është shkruar në trajtë letre të hapur, drejtuar pikërisht “kolegut I. Kadare”. Pas daljes në shtypin serb më 1987, letra e hapur është botuar në “Le Monde Diplomatique”, në prag të festimit të gjashtëqindvjetorit të betejës së Kosovës, aty ku Millosheviçi lëshoi rrufetë kërcënuese kundër shqiptarëve. Ajo është ribotuar, në të njëjtën gazetë, dymbëdhjetë vjet më pas, më 1999, kur Kosova digjej në flakë, pikërisht nga këto rrufe. Drashkoviçi, në të dyja rastet, më drejtohej si kolegu kolegut, më kujtonte shenjtërinë e artit, më bënte thirrje të braktisja vegullitë kombëtariste shqiptare e të bashkohesha me të (për çështjen e djepit natyrisht) dhe këtë ma thoshte me zemër në dorë, duke pasur si dëshmitare Francën, në kryeqytetin e së cilës e shpallte këtë kumt ngashëryes.
Duke qenë vetë lehtësisht i sulmueshëm, siç janë zakonisht shkrimtarët, Drashkoviçi më drejtohej me një keqardhje prej kolegu, duke më kujtuar, ndër të tjera, gjithë kronikën e “djepit”, historinë, kujtimet, manastiret, betejën e Kosovës e martirizimin e princ Llazarit, shkurt, gjithë shenjat dhe vulat tokësore dhe hyjnore, që dëshmonin, sipas tij, përkatësinë serbe të Kosovës. Ndërkaq, pikërisht në radhën e këtyre vulave, ai shtonte diçka që, ndonëse e përmendur edhe më parë aty-këtu, këtë herë merrte një ngarkesë simbolike të dorës së parë: zanafillën serbe të Skënderbeut. Me fjalë të tjera, jo vetëm që Kosova, bashkë me varret, manastiret, katundet, dhimbjet e gjithçka tjetër të epërme, ishte kryekrejet serbe, por dhe vetë kryeheroi i shqiptarëve Gjergj Kastrioti Skënderbeu ishte i tillë.
Thënë ndryshe, Kosova, përveç djepit, mëtonte tani edhe kurorën. Në letrën e tij, Drashkoviçi, pasi më hapte zemrën, siç ndodh midis kolegësh, më kujtonte se isha një përhapës i ideve antiserbe të Vatikanit dhe të Austrisë katolike, gjithmonë si kolegu kolegut, më shkruante me keqardhje se isha në anën e gabuar, domethënë, sipas tij, në anën e vrasësit të Arkimedit, të atyre që dogjën Xhordano Brunon, që i morën jetën në duel Pushkinit, madje që torturuan njëzet e tri herë rresht Kampanelën! Këtë tekst ka kopjuar çmitizuesi i vockël shqiptar F. Lubonja, në maj të vitit 1999, në kohën kur Kosova, për shkak të teksteve të tilla, digjej, masakrohej e përdhunohej. Shkrimi në “Courrier International”, për çdo kohë, por sidomos për kohën kur u shkrua, ishte, sipas strehsave, një dhuratë për serbët. Por historia e djepit nuk mbaronte me kaq.
Sipas strehsave, falë zellit serb dhe falë çirakëve vullnetarë shqiptarë, ndërhyrja e të cilëve kishte vlerë të veçantë, trillimi kundër Skënderbeut ishte bërë disa herë pjesë e pasioneve politike bashkëkohore në Europë. Për të dhënë vetëm një nga shembujt e shumtë, do të përmendej programi politik I kryetarit të FPO-së (Partisë Konservatore të skajshme austriake), Heinz-Christian Strache, mik i Serbisë dhe antishqiptar, ku, ndër të tjera, për çudi, flet për çështjen e Kosovës, duke e lidhur me kinse zanafillën serbe të Skënderbeut. “Kosova është rajon i stërlashtë serb… Përveç kësaj, heroi kombëtar i shqiptarëve Gjergj Kastrioti Skënderbeu, që ka jetuar nga 1403-i gjer më 1468, ka qenë në të vërtetë serb, me nënë dhe baba serb.” Këto fjalë thuhen në Vjenë, më 2008, kur Millosheviçi, xhelati i shqiptarëve, ai për të cilin ky fashist austriak derdh lot, ka kohë që ka vdekur. Por fjalët thuhen në të njëjtin vit, kur në Tiranë, në kryeqytetin shqiptar, vlon një polemikë e ashpër pikërisht për Skënderbeun, për mitet që kinse janë krijuar për të, e që duhen çmitizuar, pra, rrënuar me ngut. E midis këtyre kinse miteve, ai që, siç u pa më lart, qëndron përbri çështjes së Skënderbeut është rrënjësia e shqiptarëve, ajo që në histori njihet si zanafillë e tyre ilire.
Kush janë horrat dhe cila është streha
Historia e re me Gjergj Kastriotin është më e vjetër se ç’duket. Ajo ka nisur fill pas rënies së komunizmit. Një roman i shkurtër, i titulluar “Mekami”, i një shkrimtari të quajtur problematik, K. Trebeshina, botuar në rrethana të dyshimta në Kosovën ende nën sundimin serb, shënon fillimin e fushatës së egër kundër personazhit. Në atë libër, heroi i parë i shqiptarëve, trajtohet as më pak, as më shumë si hajdut kuajsh dhe agjent i Italisë. Vetë autori, i përndezur prej sulmit të vet, e shpall veten turk.Ndërkaq, autori i librit mëton cilësimin si disident. Ndaj pyetjes, për ç’merita?, përgjigjja është e prerë: për një promemorie që i paska dërguar Enver Hoxhës, më 1953. Sipas saj, është ndoshta shkrimtari i parë në Shqipëri, që ka guxuar t’i shkruajë diktatorit: ti dhe shokët e tu jeni vrasës, që jo vetëm do të vrisni më pas njëri-tjetrin, por do ta mbytni vendin në gjak!
Tingëllon disi e pabesueshme për cilindo, por sidomos për strehsat. Dyshimi për promemorien dyfishohet kur sillet ndër mend e kaluara letrare e personazhit: Shkrimtar si shumë të tjerë, me lavde për komunizmin dhe kulmi, pikërisht në mars të vitit 1953, pak kohë përpara promemories, me poemën më himnizuese, kushtuar Stalinit, në ditën e vdekjes së tij.Këto kujtime prekëse nuk e ndryshojnë aspak statusin e personazhit. Madje, ai nuk lëkundet as kur strehsat, këtë herë të zemëruar keq, zbulojnë se kinse disidenti, ose kinsi, siç do të quhej shkurt, jo vetëm s’ka qenë kundër regjimit, por ka qenë oficer i Ministrisë famëkeqe të Brendshme, pra, pjesë e thelbit gjakatar të shtetit. Që njeriu gëzonte mbrojtje të fshehtë, kjo ishte e qartë. I turbullt ishte shkaku. Mbrojtja shtrihej në të dyja regjimet: në komunizëm dhe në paskomunizëm. Nga të dy krahët e politikës: e djathta dhe e majta.Vetvetiu bëhej pyetja: disident kundër kujt kishte qenë në të vërtetë kinsi?
Me ç’dilte, disidenca e tij më e qartë paskësh qenë kundër Skënderbeut. Ajo kundër regjimit mbetej për t’u vërtetuar. S’do të kalonte shumë kohë dhe, pas Kastriotit, do të hidhej hija e keqe për atë që quhej periudha më e ndritur e historisë shqiptare dhe bijë e drejtpërdrejtë e Iluminizmit europian Rilindjen Kombëtare. E pas saj, mbi gjithçka të shpallur si vlerë morale e kulturore e kombit: mbi gjuhën shqipe, mbi zanafillën ilire të saj dhe të gjithë shqiptarëve, mbi themeluesin e shtetit shqiptar më 1912, gjer mbi Nënë Terezën, që gjatë ceremonisë së çmimit “Nobel”, në Oslo, kishte treguar moselegancën të zinte ngoje zanafillën e vet shqiptare. Strehsat , merret me mend, e humbën çdo durim. Pas shpenzimit me tepri të epitetit “antishqiptar” e bënë disi më të larmishme listën e sharjeve. Iu kujtuan mohsave prejardhjen nomenklaturore, duke mos harruar t’i krahasonin me vezë të gjarprit, që donin të mbronin krimet e etërve të tyre, gjë që nuk u prit mirë prej opinionit publik. Një etikë e heshtur ishte bërë zotëruese, ndërkaq, në Shqipëri, që gjëra të tilla të mos kujtoheshin.
( Texti, credit Tania Naska )