“Festa e Birrës Korça”, akademiku Fuga: Bregoviç në Korçë? Gjëja më normale në botë!

0
91
Artan Fuga

Akademiku Artan Fuga komentoi zhvillimet e fundit në vend, në një lidhje me “Skype” në rubrikën “Opinion”, në News24. Së pari, Fuga u ndal te nisma “Open Balkan” dhe qëndrimet e kundërta mes Shqipërisë e Kosovës.

Për Fugën, nuk ka asgjë shqetësuese në qëndrimet e kundërta për këtë nismë mes kryeministrit shqiptar, Edi Rama, dhe atij kosovar, Albin Kurti, ndërsa shtoi se “Unë e kuptoj si një çlirim i tensioneve në Ballkan, mund të ulte tensionet dhe të bënte shtetin e Kosovës të pranuar dhe të imponuar si një faktor shtetëror më vete në Ballkan. Unë kështu e kuptoj”.

“Shqiptarët të shpërndarë në disa vende të Ballkanit, në Mal të Zi, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, kanë interes që të kenë dhe një strategji mbarëkombëtare. Por, unë e shikoj si frymëzim, si dialog, si mirëkuptim, por gjithmonë kam vënë theksin në dy anë të rëndësishme. E para, që nuk mundet që një bashkërendim i shqiptarëve në Ballkan të kuptohet si izolim i popujve të tjerë ballkanik. Shqiptarët duhet të kuptojnë që kombet kanë agjenda të ndryshme, tjetër është agjenda në Kosovë, të tjera janë objektivat atje, të tjera janë ato të Shqipërisë.

Unë e kuptoj që për opinionin publik në Kosovë, apo elitën politike atje, një hapje kulturore dhe institucionale ndaj Serbisë ka vështirësira, pengesa. Ata kanë të drejtë të kuptojnë një reciprocitet, sepse në radhë të parë problemi i tyre është njohja. Sigurisht që ne duam që Kosova të njihet si shtet, që më pas të hapet një horizont i ri. Por, Shqipëria, kur vjen puna për politikat e saj, sigurisht që mund të ketë diferenca. Nuk do të thotë që politikanët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut apo Mal të Zi të kenë një qëndrim të njëjtë.

Shiko videon: https://youtu.be/VggiYgfHol0

Kontradiktë fillon të bëhet situata, kur secila palë ngrihet dhe do që të bëjë universalizim të çështjes shqiptare. Nëse vazhdohet me idenë e shtetit mëmë, apo të një uniciteti apo uniteti mbarëkombëtar, kjo nuk shkon. Dy qëndrime të kundërta unë mund t’i shikoj koherente me njëra-tjetrën. Kur kryeministri shqiptar thotë se hapja e Ballkanit ndihmon edhe shqiptarët, kjo është një hipotezë dhe kjo mund të verifikohet vetëm me vitet që do të vijnë.

Unë e kuptoj si një çlirim i tensioneve në Ballkan, mund të ulte tensionet dhe të bënte shtetin e Kosovës të pranuar dhe të imponuar si një faktor shtetëror më vete në Ballkan. Unë kështu e kuptoj. Unë mendoj që z. Kurti ka të drejtë për atë që bën, që thotë se këta kanë të drejtë të vazhdojnë lojën, por ai është përfaqësues i miliona qytetarëve, që kanë dispozitën se kërkojnë të drejtat e tyre si shtet”, tha Fuga.

A shihni një lloj lufte mes Ramës e Kurtit?

Patjetër. Unë shikoj që të dyja palët kanë atë që e quaj mendim universalizues. E quaj një lloj homogjenizimi në mendim dhe këtu fillon rivaliteti. Mendoj se një klasë politike më e pjekur seç është kjo e jona sot, mund të kuptonte diferencat. E kuptoj që është shumë e vështirë për z. Rama të luajë kartën e Ballkanit të hapur dhe të thotë që Kosova ka të drejtë që s’vjen, por të çojë kontradiktën me z. Kurti në një pikë të tillë, më duket e tepërt. Është pjekuri më e madhe, nëse kuptohen diferencat. Unë Ballkanin e hapur e pranoj brenda atyre parametrave të caktuara të mendimit, ndërkohë që Ballkani si mini-shengen nuk më dukej veçse një utopi.

Flasim për një parlament të përbashkët, mbase gjykata të përbashkëta, por jemi larg akoma për këto. Një Ballkan i hapur, me kusht për një hapje me të gjitha shtetit, por ama një Ballkan i hapur jo vetëm brenda, por edhe në raport me BE, SHBA, aleatët. Në këto kushte, mua më duket se është një lojë, sfidë, aventurë, që popujt duhet të mësohen, ne duhet të mësohemi ta luajmë, të mos mbyllemi në një kështjellë dhe të mbyllur brenda nesh të kavërdisemi me yndyrën tonë, në një moment kur bota hapet. Kjo nuk do të ishte mirë.

Po dialogu Serbi-Kosovë po vazhdon keq apo mirë?

Këtë nuk e them dot. Nuk jam në gjendje ta them unë, por unë nuk shikoj që të ketë qëndrime që të jenë kundër dialogut, as nga delegacioni i BE, as nga të tjerë. Disa retorika të kryeministrit, un mendoj se në ndonjë rast mund të evitohen, që e ka konsideruar si mosgatishmëri të Evropës për të avancuar, apo dhe për faktin që Evropa na lidhi me Maqedoninë e Veriut për mos’hapjen e negociatave. Nëse Ballkani Perëndimor është kundër tyre, Evropa ka të drejtë të heshtë.

Mendoj se deri në një shkëmbim kulturore, në një shkëmbim të lirë tregtie, hapje kufijsh, as SHBA e as BE nuk do të ishte kundër, sepse këto janë vlera që ata i zbatojnë vetë, janë vlera të demokratizimit. Mua ky debati mes krerëve të politikanëve shtetërore në Shqipëri e Kosovë nuk më shqetëson fare, është krejt një shkumë përballë asaj që qytetarët e Kosovës dhe ata të Shqipërisë në këtë pikë janë të qartë.

Një koment mbi debatin për ftesën e Bashkisë së Korçës ndaj këngëtarit serb Bregovic….

Së pari, kjo ka rritur reputacionin e festivalit të Birrës dhe më ven mirë, sepse Birra Korça më pëlqen shumë, ka cilësi shumë të mirë, në përgjithësi birra shqiptare. Së dyti, protesta mbeti te ish-deputeti Jenishehri dhe Gjuzi. Së treti, media në verë ka nevojë për një kalë që t’i hipë, sepse zhvillimet politike kanë mbaruar. Është gjëja më normale në botë të vijë një këngëtar. Ju jeni shumë të rinj, por ne dikur dëgjonim vetëm muzikë jugosllave. Nëse këngëtari serb ka aktivitet anti-shqiptar, unë as vizën për të hyrë nuk i jepja. Por nëse ai nuk e ka një aktivitet të tillë, le të vijnë sa të duan këngëtarë serbë në Shqipëri, të shkojnë sa të duan këngëtarë shqiptarë atje.

Shkëmbimet kulturore janë të tilla që në të gjitha kombet, ku kanë dalë e ku duan të ndërtojnë një botë të re për brezat që vijnë, janë të parat që ndodhin. I gjithë ky debat po bëhet se është çik verë, me diçka do të merren. Për mua është një problem kalimtar. Rrjetet sociale janë sikur diskutojmë në kafene, që e lëshojmë pak veten. Nuk shikoj asnjë problem. Është shumë mirë që ai erdhi, shumë mirë që ndodh ky debati, sepse shoqëria emancipohet. Por kjo nuk do të thotë që të ndryshojë gjeopolitika e jashtme e Shqipërisë.