Ta njohim më mirë profesorin dhe publicistin e palodhshëm, Gani I. Mehmeti

0
351
Gani Mehmeti - vepra

Zymer Mehani

1.
Është nder dhe krenari e veçantë për të shkruar për profesorin dhe publicistin e talentuar z. Gani I. Mehmeti, për këtë penë majemprehtë të brumosur me dije dhe atdhedashuri, për njeriun me energji të pashtershme, i cili po e shkrin edhe moshën e tretë duke mos reshtur së shkruari perla të vërteta historiko-letrare për trevën e Llapit dhe më gjerë.

Ky emër, tashmë i njohur dhe i respektuar kudo në botën shqiptare (edhe në diasporë) do t’i mbajë të gjalla natyrën dhe njerëzit, ngase ai është i pajisur me zemërgjerësinë prej shqiptarit të vërtetë, me zgjuarsinë e trashëguar e të lindur dhe të mëkuar nga prindërit, si dhe me dashamirësinë dhe bujarinë e pashoqe, madje unikate, me trimërinë e heronjve dhe të burrave të Kosovës.

Pra, për ne, që po mundohemi të shkruajmë sado pak për këtë personalitet nga fusha e arsimit dhe e publicistikës sonë kombëtare është edhe privilegj i veçantë, sepse ishim me fat që e patëm edhe mësimdhënës të latinishtes në ish-Gjimnazin “ Nëntori” të Podujevës, në vitet ’80 të shek. XX, i cili na mësoi dhe edukoi në frymën krejt kombëtare, duke na ndihmuar kësofare që të bëhemi pjesë e pandarë e suksesit të tij.

Profesorit të shumë gjeneratave z. Gani Mehmeti i urojmë nga zemra suksese të mëtutjeshme në punën e tij krijuese e shkencore, që është në të mirë të kombit tonë, ngase te brezat e rinj përcjell atdhedashuri, e të cilët janë e ardhmja e sigurtë e kombit dhe e atdheut, por edhe garancë për Ribashkimin Kombëtar.

2.

Biografia:

Gani Mehmeti lindi më 16 qershor 1948, në Pakashticë të Epërme. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, në Pakashticën e Poshtme, aty ku kishin qenë të parët e tij, por me rastin e kolonizimit të Kosovës nga sllavët, gjyshit të tij i ishte dashur ta lëshonte vendin e të parëve, duke bredhur rrugēve poshtë e lart nëpër Kosovë, deri në Repicë të Vushtrrisë, madje edhe deri në Zhiti të Llapit.

Gjimnazin e kreu në Podujevë, ndërsa Fakultetin Filozofik në Universitetin e Prishtinës, dega Gjuhë Shqipe dhe Letërsi.
Punoi në Sylevicë, Sllatinë, Zhiti, Murgullë e Pollatë, pastaj në Krypimeh.

Nga viti 1983 punon në Gjimnazin “8 Nëntori” në Podujevë, ndërsa nga viti 1993 në Shkollën e Mesme Ekonomike “Isa Boletini” në Podujevë.
Kohë pas kohe u mor edhe me shkrime të ndryshme.

Është bashkëpunëtor i jashtëm i Institutit Albanologjik të Prishtinës. Autorizimin e kishte marrë nga dora e Anton Çettës.
Në shkollë, kudo që punoi, u mor edhe me aktivitete letrare. Kështu që në Zhiti formoi grupin letrar me emrin “Luigj Gurakuqi”.

Në Pollatë, edhe pse nuk punoi më gjatë se një vit shkollor, formoi grupin letrar “Migjeni” dhe botoi edhe poezi të nxënësve në “Rilindja për fëmijë”. Migjeni, sepse i dukej nje ambient i përshkrimit të veprave të tij, mbretëronte varferi e madhe, ku dukeshin femijë të leckosur e të zbathur e njerëz që me shumë mund po përpiqeshin të fitonin kafshatën e gojës.

Në Krypimeh zbriti të punojë tek në tetorin e vitit 1977. Këtu grupit letrar i dha emrin “Ndre Mjeda”, rilindasi shumë i pëlqyer për të.

Përveç punës në në arsim, u mor edhe me shkrime. Perveç publikimeve të tij gazetareske e pedagogjike që i bëri në shtypin e kohës, botoi edhe këto monografi: “Pakashtica”, 2005; “Mavriqi i Llapit I”, 2010; “Tërrnavica”, 2014, një dramë të shkurtër “Ra dëshmitari, u prish pazari” më 2016, “Diçka nga ajo çka tha Jahir Potoku”, 2018; “Mavriqi i Llapit 2”, bashkautor, – 2002 , Monografia e SHME-së është libri i shtatë i tij.

Pritet të botojë edhe libra të tjerë…
(Këtë biografi të shkurtër për prof. Gani Mehmeti e shkëputëm nga monografia “20 vite të SHME “Isa Boletini në Podujevë”, Podujevë, 2020, f.240)