TRADITA HISTORIKE E RILINDJES KOMBËTARE SHQIPTARE

0
1074
Zymer Mehani, portret

E përgatiti Prof. Zymer Mehani

Rilindja Kombëtare Shqiptare trashëgoi nga shekujt e mëparshëm një pasuri të çmuar historiko-kulturore, me vlera morale e politike, mbi të cilën ajo u mbështet dhe të cilën e zhvilloi më tej në një rrafsh të ri, me një platformë të re ideologjike e politike. Ajo iu drejtua historisë dhe e përdori këtë trashëgimi për të afirmuar të drejtën e popullit shqiptar për të jetuar i lirë e i pavarur.

Rilindësit i kthyen sytë nga e kaluara historike, jo vetëm pse kombi shqiptar, ashtu si kombet e tjera, merr prej andej burimin e tij, por edhe për t’i vënë provat e lashtësisë së tij në shërbim të detyrave që qëndronin para lëvizjes kombëtare: për të rritur krenarinë e bashkatdhetarëve në luftën e vështirë për çlirimin kombëtar, për të ndihmuar në ngritjen e ndërgjegjes së tyre kombëtare, për të forcuar më tej individualitetin e shqiptarëve si komb dhe bashkimin e tyre përballë sundimtarëve osmanë, për t’u dhënë një mbështetje historiko-¬shoqërore kërkesave kombëtare dhe për të tërhequr vëmendjen e opinionit publik të huaj ndaj çështjes shqiptare.

Rilindësit e përdorën historinë si një mjet të fuqishëm në shërbim të kësaj çështjeje, si edhe për të hedhur poshtë pohimet e atyre shteteve, të cilët, për të arritur më lehtë synimet e tyre ekspansioniste ndaj Shqipërisë, ua mohuan shqiptarëve historinë. Rilindësit u kapën sidomos pas origjinës së lashtë të shqiptarëve dhe pas epokës së Skënderbeut.

Në rastin e parë ata u përpoqën të argumentonin e të përhapnin tezën mbi origjinën pellazgjike ose ilire të popullit shqiptar dhe të provonin me këtë se shqiptarët janë ndër banorët më të vjetër të Ballkanit, autoktonë dhe zotër të ligjshëm të truallit të vet, të cilin askush nuk kishte të drejtë ta prekte. Në rastin e dytë, duke evokuar e duke pasqyruar gjerësisht në letërsi epokën e Skënderbeut, luftën e tij ngadhnjimtare kundër ushtrive të Perandorisë së fuqishme Osmane, rilindësit synonin të afirmonin vitalitetin e popullit shqiptar, aftësinë e tij për t’u bashkuar politikisht dhe të drejtën për të formuar shtetin e vet kombëtar.

Historisë i janë drejtuar edhe rrethet politike të vendeve fqinje, sidomos pas formimit të shteteve kombëtare. Qarqet politike serbe evokuan Perandorinë e Stefan Dushanit të shek. XIV, ato greke Perandorinë Bizantine dhe ato bullgare Perandorinë Mesjetare të Borisit e të Simeonit. Sipas tyre, shtetet serb, grek e bullgar ishin trashëgimtarë të perandorive përkatëse mesjetare dhe rrjedhimisht kishin “të drejtën historike” të shtriheshin në kufijtë e dikurshëm. Mirëpo asnjë nga këto perandori nuk shtrihej në gjithë Ballkanin ose në pjesën më të madhe të tij, të banuar si në të kaluarën edhe në shek. XIX nga popuj të ndryshëm, që ishin zotër të trojeve ku jetonin. Rrjedhimisht synimi për t’i rikrijuar ato, që ishte shprehje e politikës ekspansioniste të këtyre shteteve, cenonte rëndë interesat e popujve ballkanikë, ndërsa, në rastin e shqiptarëve, çonte në pushtimin e territoreve të tyre etnike, amtare, ose në copëtimin e tyre. Orvatjet për përmbushjen e këtyre synimeve u bënë shkak për luftëra ndërmjet vetë vendeve ballkanike.

Përdorimi i traditës historike nga Lëvizja Kombëtare Shqiptare nuk kishte prirje të tilla ekspansioniste. Shqiptarët nuk kishin formuar në të kaluarën ndonjë perandori, së cilës t’i referoheshin mendimtarët e veprimtarët rilindës. Epoka më e ndritur, të cilën e evokuan rilindësit, ishte ajo e Skënderbeut. Por kufijtë e shtetit të lirë e të pavarur shqiptar, të krijuar prej tij në shek. XV shtriheshin në toka shqiptare, madje nuk i përfshinin të gjitha këto toka; ky shtet lindi dhe qëndroi në truallin shqiptar dhe zhvilloi, derisa u shtyp, një luftë mbrojtëse kundër agresionit osman. Ndryshe nga ai i vendeve fqinje ballkanike, historicizmi i Rilindjes Shqiptare, argumentimi i karakterit historik të përkatësisë etnike të trojeve shqiptare, shërbeu si mbështetje për bashkimin politik të shqiptarëve dhe të territoreve të banuara prej tyre jo vetëm në të kaluarën, por edhe në periudhën më të re, në shek. XIX.