FJALA E FISTARIT TË FISIT

0
155
Zymer Mehani - Fjala e fistarit të fisit

Zymer Mehani

Pjesë nga poemthi: “FJALA E FISTARIT TË FISIT”, Prishtinë, 2021

(Poetit martir, Havzi Nela, në 33- vjetorin e varjes në litar nga pushteti diktatorial)

1.
N’atë qytet të bardhë
Togu me xhelatë
Po i prisnin shpresat
T’jetës së pafat
Në t’bardhin qytet
Togu me lanetë
Po i këpusnin ëndrrat
T’jetës së pajetë
Ata hecnin tok
Përplot zi e kob
Litarin gatitën
N’trekëmbësh e vërtitën
Një poet lastar
U var në litar

2.
Dora e xhelatit
Para agut t’parë
Zemrës së poetit
Seç i hapi varrë…
Shpirtbardhi e trimi
Ëndërronte lirinë
Nga ëndrra e zgjuan
Në paraagim…
Xhelati i pafe
Litarin ka ngre
Poeti si lastar
Luhatet n’litar…

3.
Lëvizja e gjakpirësit
Kërcënimet e tij
Poetin s’e trand
N’atë paraag
Lirinë ëndërronte
Poeti bajrak
Yjet n’qiell t’përhitur
Porsi sytë e tij
Të thellë e të ndritur
Ata gjakatarë
S’e mundën asnjëherë
Poetin e vlerë

4.
Zjarr flakërues
Maja e Gjallicës
Në zjarrin flakërues
U dogj…
Kudo lemeri
Pikëllim e helmim
Poeti u përndoq
N’litar të xhelatit
I madhi poet
Madhështor porsi mbret

5.
Atë ditë
Si tufëza mëndafshi të artë
Era ia ledhatonte ata flokë
E atë qafë bardhoshe dëborë
Në lak të litarit të lidhur nga horri
Flakëron qiell i Kukësit
Gjallica seç rënkon
Drinat i thërret
Lemeri vërtet…
Rektin zemra e burrit
S’pushon zemërdëlira
Heshtin malet, brigjet
Si të jenë të ngrira…
Litari s’u këputka
Gjithçka zi u dukka
Havziu me shpirtbardhësi
U kthye n’madhështi…