Përsiatje rreth përmbledhjes poetike “Zemra në mur” të poetit slloven, Srečko Čož

0
109
Srecko Coz - Zemra në mur

Zymer Mehani

(Përktheu nga sllovenishtja: Safet Sadiku (Basel) dhe botuar në Tiranë, 2021)

“Në atë kohë, unë shkruaja kryesisht këngë dashurie. Në këtë koleksion, çështjet sociale i shtohen veprës së dashurisë me reflektime më të gjëra, me një kritikë të situatave, fenomeneve dhe individëve.

Po, unë kam ndryshuar vërtet në lidhje me këtë. Si një dashnore e sigurtë, unë tani jam një poet që gjerësisht, jam duke vëzhguar jetën time të përditshme nga shumë këndvështrime, duke menduar për problemet që shoh, dëgjoj, ndiej, shkruaj për fenomene që më prekin mua, më shqetësojnë, më thërrasin të krijojë. Unë shkruaj sepse më pëlqen ta bëj këtë, shkruaj për të rrëfyer diçka të përzemërt, sepse disa forca të padukshme akoma më ftojnë të shkruaj atëherë, për ta bërë këtë gjë më të lehtë për mua!
Srečko Čož

Srečko Čož është nga ata poetë, i cili në horizontet e poezisë ssllovene zë vend me fizionominë dhe profilin e vet të përcaktuar dhe të kristalizuar, qoftë me tematikën e motivet, qoftë me mënyrën e të shkruarit (stilin).

Fusha tematike dhe motivore e autorit në vëllimin “Zemra në mur” është e larmishme, ngase poeti ka evoluar me tematikat dhe motivet, qoftë nga e kaluara, qoftë nga aktualiteti.

Poeti Srečko Čož përmbledhjen “Zemra në mur” e ka strukturuar në tri cikle
(1. “Rinia në moshë”, 2. “Reflektime të proceseve” dhe 3. “Mprehtësia e momentit”.)

Sipas vetë poetit “kujtimet e së kaluarës dhe të gjitha këngët e shkruara rinovohen çdo ditë. Te to është pavdekësia, dashuria, miqësia dhe rinia.”

E nisi krijimtarinë letrare-poetike me vargje dashurie për ta vazhduar pastaj me poezi temash e motivesh të ndryshme nga aktualiteti, por edhe nga e kaluara.

Në poezitë e përmbledhjes në fjalë, poeti Srečko Čož zgjeroi rrethin tematiko-motivor të krijimtarisë së tij poetike, duke u ndalur me theks të posaçëm te ndryshimet shoqërore, ngase tanimë, ai me përvojën e tij jetësore i sheh dhe i kupton më mire gjërat “me bollëk” në shoqërinë sllovene, pjesëtar i së cilës është. Prandaj ai del më i pjekur artistikisht, më perceptues, dhe siç thamë edhe një herë, më me përvojë, pse jo edhe më mendjemprehtë kundruall andrallave që sjell jeta e aktualitetit.

Ndër poezitë e bukura të autorit të fjalë janë poezitë, ku trajtohet motivi social, në të cilat ai na e rikujtojnë të kaluarën dhe aktualitetin, ngase, për fat të keq, këto personazhe (skamnorët) përditë po i hasim edhe në qytetet dhe fshatrat tona. Këto karaktere autori i përshkruan pa fjalë të tepërta, me sens mase, me mjete të qëlluara artistike dhe me shumë emocionalitet.

Përgjithësisht në vëllimin “Zemra në mur” do të gjejmë poezi interesante, të shkruara me frymëzim, me ndjenja dhe realizëm, ngase poeti i percepton fenomenet dhe dukuritë që ndodhin tek ai dhe rreth tij, por edhe gjithkund në botë, ku shpesh di të jetë edhe kritik ndaj dukurive negative (ndaj keqbërësve, pseudopushtetarëve etj etj.)

Ai do të vargëzojë për jetën (me ëmbëlsitë dhe të hidhurat e saj); për raportet mes miqsh, për përgjegjësitë dhe obligimet tona kundruall të tjerëve… dhe si i tillë, na del poet i përmasave universale, ngase temat që i trajton ai, vërtet janë universale, sepse i hasim në çdo shoqëri.

Veçoritë teoriko-letrare që e shquajnë këtë vëllim poetik janë të shumta. Ne do të përmendim disa syresh.
Me pak përjashtime poezitë e Srečko Čož shquhen me joproliksitetin, ngase i kalojnë 5-6 strofat, madje mund t’i quajmë edhe poema të mirëfillta. Ky sens mase, kjo fuqi sintetike, është nga veçoritë dhe meritat e rëndësishme artistike të poetit.

Të thuash me pak vargje atë që mund ta themi me dhjetëra a qindra vargje, të thuash vetëm të domosdoshmen, pa rënë në përsëritje idesh dhe në stërzgjatje të kota, është një cilësi sa e nevojshme, aq edhe e mundimshme për ta shtjelluar. E këtë dukuri e hasim edhe te vëllimi “Zemra në mur” të poetit Srečko Čož, e kjo flet jo vetëm për talent, por edhe për punë e ndërgjegje artistike të autorit.

Ai do të porosit:

Qëndro i gjallë,
I pathyeshëm,
I durueshëm…

(Poezia “Shqisa e gjashtë”)

E për keqbërësit (politikanët e pandërgjegjshëm, pushtetaxhinjtë etj.) do të shprehet:

Ata janë fajtorë për gjithçka!…
(Poezia “Të dy janë keq“)

Dhe:

Ata janë plotësisht të tepërt,
Janë keqdashës, të papërshtatshëm,

(Poezia “Këndet e shikimit”)

Poeti Srečko Čož e përdor me mjaft siguri dhe kujdes vargun, duke e shtjelluar me saktësi, pa e penguar spontanitetin e tij. Aty gjen figura të mjaftueshme, vërtet origjinale, të natyrshme, të sakta e të qarta, të kapshme, të kuptueshme nga të gjithë. Këto figura flasin për dëshirën pozitive të poetit për të qenë origjinal, por flasin edhe për kuptimin e drejtë që ai ka për figuracionin poetik.

Poezia e Srečko Čož merret edhe si bisedë e afërt, e ngrohtë, miqësore e poetit me lexuesit, duke marrë herë pas here edhe karakter tregimtar. Prandaj poezia e tij shquhet edhe për komunikim të afërt.