Arben Çokaj
Këto ditë jemi futur në një valë diskutimesh për marrëdhëniet e Shqipërisë, Kosovës dhe shqiptarëve me serbët. Nga njëra Rama ‘kokë më vete’ shikon të arrijë një minischengen apo Ballkan të hapur, një liberalizim të tregut rajonal, ku përfshihen edhe serbët. Duke parë zbatimin e iniciativave të tilla në vende të ndryshme, nuk shoh ndonjë rrezik kushedi nga kjo iniciativë, si disa, edhe pse serbët mund të jenë të pabesueshëm për ne shqiptarët, dhe sidomos te efekti që kjo iniciativë jep në Kosovë e për Kosovën.
Por le të mbetemi te Kosova. A janë kosovarët kaq patriota, të sinqertë e të ndershëm, sa kanë të drejtë të hedhin gurë mbi Shqipërinë, sa herë një këngë serbe, apo tjetër, në lidhje me Serbinë përmendet në Shqipëri? Apo kemi të bëjmë me një standard të dyfishtë? Mendoj se më shumë është ky i fundit. Kur donin të gjuanin një grua me gurë e ta mbysnin në Lindjen e Mesme, thonë se Jezu Krishti u tha: “A keni mëkatuar ju në jetën tuaj? Kush nuk ka mëkatuar të hedhë gurin e parë…” Dhe asnjë nuk e hodhi. Por kosovarët nuk janë të krishterë dhe ata e kanë kulturë që ta shajnë tjetrin, atyre fajin ua kanë gjithmonë të tjerët dhe asnjë faj vetë!
Ka kosovarë që më kanë thënë, se sikur Jugosllavia t’i mbante ata si në vitet ’70-të, në kohën e artë të tyre, Kosova kurrë nuk do të ngrihej në protesta kundër Jugosllavisë e Serbisë… Por pasi kërciti huri mbi kosovarët, vrasjet e keqtrajtimet e përdhunimet, normalisht se ata reaguan në mbrojtje të jetës, dinjitetit dhe ekzistencës së tyre. Por ajo që më habitë më shumë është se si kosovarët u dyndën pas pavarësisë duke marrë produkte prej Serbisë… Dhe nuk e shohin elefantin në shpinën e tyre, por shohin mizën në shpinën e Shqipërisë.
Turp për Kosovën, që importon rreth 500 milion Euro produkte në vit nga Serbia dhe ua paguan qeveria e Kosovës tash 21 vjet rrymën etj. serbëve në veri, për t’i marrë me të mirë serbët, kur me sy nuk duan me i pa. “Tambli serb në shtëpinë e dëshmorëve” – thotë Kimetja. Turp! E për më tepër kërcejnë nga histeria përpjetë, me sharje e ofendime, kur një pordhë pro-serbe e ndeshin në Shqipëri, bëjnë si patriota të çartur. Po ju more me qenë patriota nuk e mbushni kacekun me mallra serbe përditë?! Është më keq me ia furrnizua me para buxhetin Serbisë, se sa me dëgjua ndonjë këngë serbe, që dëgjohet nga ndonjë papak nostalgjik i mbaruar në Shqipëri.
Këngëtari serb Bregovic mundet se i ka inspiruar çetnikët serbë gjatë luftës në Bosnje e Kosovë me këngët e tij, “Jepi kallashit, jepi”, etj. Se si këngëtar popullor atë punë ka, të këndojë për popullin e vet dhe të fitojë simpatinë e tyre. Kështu bënte edhe Adelina Ismaili, e cila ishte me “Ushtrinë e Ibrahim Rugovës”. Unë spara dëgjoj këngë serbe, që fëmijë kam patur një neveri për to, e nuk i kam ndjekur kurrë. Për Bregovic kam dëgjuar së pari kur Rama i dha çelësin e Bashkisë së Tiranës… Rama duket se ka hundë muzikore…
Ka disa tendenca perverse në Shqipëri, nga edukata e keqe dhe efekti i izolimit komunist, që kishim gjatë komunizmit dhe kjo po vazhdon edhe pse pas 30 vjetësh, ne do duhej të ishim më të ekuilibruar. Bregovic ftohet nga birra Korça, se është ortodoks (se feja ndikon), apo për të treguar se “ne të Shqipërisë” jemi më të mirë se “ata të Kosovës”, e gjoja ne po meremi më mirë vesh me serbët se ata, ua duam edhe kulturën e tyre etj. Vari leshtë. Thirrni more mendjes, zgjohuni lafsharë. Serbët kanë bërë krime të tmerrshme historikisht ndaj nesh, dhe na kanë zaptuar toka. Bukuroshja Eva Murati tha: “Unë nuk vuaj nga sindroma e Stokholmit”, dashuria për dhunuesin dhe refuzoi të merrte pjesë në festën e Birra Korçës. Por ja që disa shqiptarë vuajnë nga kjo sindromë. Si t’ia bëjmë? Edhe Eva ndoshta, e ndonjë tjetër vuan nga sindroma e Stokholmit për turkun, si vuajnë disa ortodoksë shqiptarë, me ose pavetëdije pêr serbin!
Patriotët shqiptarë dalin në dritë sa herë ka tema të tilla në lidhje me Serbinë. Ata mund të bëhen edhe të dëmshëm, si psh. Kolec P. Traboini, pasi kultivojnë gjithmonë ndjenjat e armiqësisë për serbët etj. dhe kjo mundet me qenë edhe kundër-produktive. Edhe në Maqedoni e Serbi, mijëra mesazhe për liderët e tyre, “mos i hapni kufinjtë me shqiptarët”. E njëjta logjikë edhe atje. Realiteti është se ne jetojmë në Ballkan, duam apo nuk duam ne, këtu janë edhe serbët. Nuk kemi nevojë të kemi dashuri apo urrejtje për Serbinë, duhet të dimë të merremi vesh me ta, pa u dëmtuar prej tyre. Serbia këtu në Ballkan është.
Prandaj disa iniciativa si liberalizimi i tregut dhe ulja e tensioneve me fqinjët duhet të mbështeten, pa e harruar të kaluarën, se luftërat e konfliktet na kanë dëmtuar shumë rëndë, sidomos ne shqiptrarëve në Gadishullin ilirik, që më pas u bë Ballkan. Duhet të merremi vesh me fqinjët, gjithmonë duke ruajtur interesat tona, edhe me Serbinë – kjo është në interes të shqiptarëve.