3 muskëterët e Ballkanit

0
150
Rama - Vuçiq - Zaev

Arben Çokaj

Në përpjekje për të bërë minischengenin Ballkanik, tre liderët kryesorë të Ballkanit, Rama, Vuçiq e Zaev, po ndeshen me skeptikët e tyre. Janë 3 vendet e tjera, që nuk tregojnë interes, si Kosova, Bosnja e Mali i Zi, por ka kritika edhe brenda vendeve të tyre nga nacionalistët e secilit vend.

Në samitin e Shkupit këto ditë u dëgjuan edhe batutat:

Vuçiq shprehet se ai firmos çdo propozim që bën Rama.
Dhe Rama ia kthen, “flet kështu ky, se po t’i them ‘njihe Kosovën!’, ai do e kundërshtojë.

Sidoqoftë, mbahet mend një tendosje e marrëdhënieve Shqipëri-Serbi në kohën kur Rama erdhi në pushtet, para 8 vitesh. Në këto 8 vjet, politika e Ramës për një etapë të re marrëdhëniesh në Ballkan, duke synuar të shkëputemi nga e kaluara e hidhur e konfliktuale, duket se ka dhënë rezultatet e veta.

Marrëdhëniet e Shqipërisë me Serbinë janë normalizuar, dhe Serbia në disa raste, ka treguar se e ka mbështetur Shqipërinë. Si në rastin e tëmetit të tmerrshëm, po ashtu edhe me votën e saj pro në OKB, ku Shqipëria u bë anëtare e përkohëshme (2 vjet) e Këshillit të Sigurimit, etj.

Marrëdhëniet e Ramës me Serbinë kanë qenë shtensionuese, dhe kjo bie në sy, aq sa kosovarët e shohin me shumë dyshim këtë afrim të Ramës me Vuçiqin, ndërsa për vete ngopen me kiksa e plazma serbe. Rama u duket ose budalla, ose i blerë për interesat serbe.

Unë nuk e besoj as njërën e as tjetrën, pasi zhvillimet rajonale e imponojnë këtë zhvillim të ri të marrëdhënieve. Por është ende herët për Kosovën, që të rrijë me liderët serbë, sikur asgjë nuk ka ndodhur, ashtu si duket se po sillet Rama.

Plagët e luftës së fundit në Kosovë janë ende të freskëta e kosovarët nuk mund ta harrojnë lehtë dhunën serbe, vrasjet e keqtrajtimet e tyre sistematike. Prandaj situata nuk është aq e lehtë për t’u menaxhuar dhe liderët e Kosovës, në mënyrë të përsëritur janë shprehur kundër minischengenit, edhe pse kjo iniciativë i shkrin kufinjrë mes shteteve në Ballkan, dmth. edhe mes shqiptarëve, kufinj këta, që dikur u vendosën me dhunë e me gjakderdhje të madhe.

Minischengeni është një projekt i mbështetur nga BE dhe SHBA, që kërkon ngritjen e marrëdhënieve mes shteteve të rajonit në një nivel të ri. Kështu që refuzimi i Kosovës ka edhe impaktin e vet negativ ndaj saj. Pasi Kosova, përderisa i ka punët ashtu me Serbinë, ajo mund t’i hapte kufinjtë me Shqipërinë, Maqedoninë e Malin e Zi. Kjo derisa ta njihte edhe Serbia Kosovën një ditë.

Por konfliktet në Ballkan nuk mbyllen lehtë, pasi dhuna sidomos në këto 100 vjetët e fundit ka qenë e pashoqe e sistematike, me bazë fetare e nacionale. Kështu që ballkanasit e sidomos shqiptarët nuk harrojnë lehtë. Të shohim si po shkon minischengeni ballkanik, pasi kjo pjesë e globit ka nevojë në fakt për pak civilizim, për ulje të tensioneve mes njëri-tjetrit dhe për zhvillim ekonomik, që i shmang konfliktet. Por, a u besohet serbëve se?!