IDENTITETI POLITIK DËSHMI E PARIMEVE SHOQËRORE

0
117
Dr. Nail Draga

Diskursi politik

Në gamën e gjerë të identitetëve bën pjesë edhe identiteti politik dukuri e njohur edhe më parë por në pluralizëm ka dimension të veçantë nga fakti se në mjediset multinacionale në pluralizëm çdo entitet përfaqësohet më subjetkin e vet politik që si mision ka avancimin e pozitës dhe statusit të popullit përkatës. Në këtë aspekt identiteti politik për shqiptarët në Mal të Zi paraqet sfidë të veçantë, në raport me pushtetin si pasojë e pabarazisë qytetare e nacionale në monizëm dhe të modifikuar tash në pluralizëm.

Nail Draga

Trajtimi i identitetit politik paraqet çështje me interes jo vetëm sociologjik për çdo mjedis, andaj ka peshë të veçantë në diferencimin e individëve apo grupëve të ndryshme sociale. Nëse në kohën e monizmit trajtimi i tillë ishte i ndaluar, sepse partia-shtet ishte mbi të gjitha, në pluralizëm qytetarët përjetuan frymarrje tjetër, sepse iu ofroua mundësia të zgjedhin subjektin politik sipas preferencës së tyre. Dhe nga ajo kohë kemi të bëjmë me binomin pozitë-opozitë në skenën politike, ku identiteti politik ka të bëjë enkas me mbeshtetjen e një subjekti politik në zgjedhje me qellim për të qeverisur  në mjedisin përkatës.

Shqiptarët pjesë e skenës politike

Duke ndjekur rrjedhat politike të kohës edhe  shqiptarët në Mal të Zi me miratimin e pluralizmit arriten të organizohen politikisht, duke formuar subjektin e parë nacional në këtë mjedis. Ndonëse këshilli inicues i subjektit politik mbajti mbledhjen e vet në Ulqin me 26 gusht 1990, kuvendi themelues u mbajt me 9 shtator 1990 në Tuz, duke e emërtuar subjektin politik me emrin Lidhja Demokratike në Mal të Zi(LDMZ).

Një veprim dhe organizim i tillë nga  shqiptarët u prit me entuziazëm, ndërsa e kundërta ishte  nga qarqet hegjemoniste  në Mal të Zi, sepse ata mendonin së shqiptarët duhet të mbesin ende nën ombrrelën e tyre politike si në kohën e monizmit. Pikërisht nga një qasje e tillë  nuk kanë munguar reagimet negative në media, duke harruar se monizmi kishte marrë fund dhe së pluralizmi politik ishte një realitet i ri edhe në Mal të Zi, përkatësisht në Jugosllavi, e cila numëronte muajt  e fundit të ekzistimit. Në zgjedhjet e para pluraliste me 9.12.1990, në mënyrë plebishitare shqiptarët  votuan për LDMZ, duke dëshmuar vetëdije politike  dhe identitet kombëtar, ku në koalicion me partinë e boshnjakëve(SDA), fituan katër deputet, nga 12 sa kishte gjithsej ky koalicion.

Ishte ky një fillim i mbarë dhe shpresëdhënës se do të angazhohen për përmirësimin e pozitës dhe të statusit të shqiptarëve në këtë mjedis. Por, nuk shkoj shumë sepse në sajë të egoizimit e ambicieve lideriste me pas u formuan edhe parti tjera(UDSH,PPD,FORCA,ASH,PD etj.), duke qenë numër i lartë për një mjedis dhe popullsi të vogël në numër, që nuk ishte në interes së popullsisë shqiptare.

Interesi mbi parimet

Në politikë si veprimtari shoqërore kur në rend të parë janë interesat e individëve, apo klanëve të ndryshme që janë pjesë e partive politike, edhe koalicionet e ndryshme jo parimore  nuk paraqesin befasi. Dhe nuk ka si të jetë ndryshe sepse nuk kemi të bëjmë me parimet por me interesat e ndryshme.

Kujtojmë me këtë rast  vitin 1996, kur në nivel lokal në Ulqin  LDMZ arriti të bëjë koalicion me Lidhjen Liberale të Malit të Zi, në vend që të bënte me UDSH-në. Ishte ky sinjali i parë destruktiv, duke eliminuar vlerat dhe parimet kombëtare. Dhe nga ky rast në Ulqin më vonë kemi pasur edhe koalicione tjera jo parimore, si në vitin 2006, koalicioni UDSH-DPS, nga del se në rënd të parë kanë ardhur në shprehje interesat personale e klanore e jo parimet politike  apo kombëtare.

Se votat e elektoratit votues mund të komandohën në drejtimin e duhur për të përcaktuar votuesin dëshmon rasti i votimit të përseritur në dy vendvotime në zgjedhjet lokale në Ulqin(18 shkurt 2018). Kemi të bëjmë me dy  vendvotime(Darzë dhe Komunale) që përcaktuan parti të parë DPS-in, në nivelin lokal, përmes votave të votuesve të UDSH-së. Dhe jo vetëm kaq por UDSH dhe PD me pas kanë mbeshtetur kandidatin e  DPS-it për kryetar të komunës duke ia mundësuar këtë pozitë  për të parën herë pas 28 viteve në pluralizëm.

Ndërsa, po të ishte vullneti politik nga ana e tyre, tri partitë politike nacionale (FORCA, PD dhe UDSH) pasi së bashku fituan 18 këshilltarë, kanë pasur mundësi për të propozuar dhe zgjedhur kryetarin e komunës nga ana e tyre. Por, kur egoizmi e gjelozia është mbi arsyen, nuk mund të ekzistojë qasja parimore, sepse kanë dominuar interesat e ngushta individuale në nivel lokal në raport me pushtetin qendror(DPS), duke dëshmuar se interesi politik është mbi ate kombëtar.

Nuk ka dilemë së ky rast do të mbesë i shënuar si paradoks i llojit të vet në skenën politike në Ulqin, dhe mesazh për brezat në të ardhmën se si nuk duhet të veprohet, sepse Ulqini nuk është pronë e disa individëve apo klanëve  me interesa ekskluzive por i të gjithë atyre qe kanë mbeshtetur partitë nacionale.

Relativiteti i përkatësisë politike

Ka vite që sintagma “përfaqësimi autentik” është bërë pjesë e ligjit zgjedhor në Mal të Zi, që  ka të bëjë enkas për popujt e ndarë, apo siç quhen këtu popujt pakicë. Dhe është pikërisht kjo sintagmë e cila bën edhe diferncimin politik, pikërisht me përfaqësimin politik i cili është i rezervuar vetëm për partitë politike nacionale. Nuk ka dilemë se janë votat ata të cilat përcaktojnë peshën e çdo subjekti politik,  por, pavarësisht sa do të jetë pesha e tyre politike përfaqësues autentik mbesin subjektet nacionale si në nivel lokal dhe ate qendror.

Në krahasim me përkatësinë kombëtare, përkatësia politike është relative, ajo është në varshmëri të rrethanave shoqërore, sipas dëshirës dhe interesave të individit. Në këtë aspekt koha e pluralizmit është dëshmi e një konstatimi të tillë, ku as shqiptarët në Malt të Zi nuk janë përjashtim.

Përvoja e deritashme dëshmon se në sajë të interesave të ndryshme  subjektet politike kanë kriuar koalicione jo parimore, që ka ndikuar në  luhatje të  elektorati votues i shqiptarëve në mbeshtetje të partive nacionale të shqiptarëve. Kemi të bëjmë me dukurinë e kohezionit brenda shqiptarëve, që është rezultat i veprimit të pushtetit për dobësimin  e subjektëve politike shqiptare, duke ulur rolin dhe peshën e tyre politike.  Por, në lidhje me këtë çështje  duhet theksuar dobësinë e subjektëve politike  shqiptare, që janë veçuar me sjellje autokrate dhe të interesave personale e klanëve të ndryshme. Pikërisht një sjellje e tillë ka ndikuar qe individë të ndryshëm të ndërrojnë partitë politike, dukuri e cila është e pranishme edhe te elektorati votues shqiptar.

Nuk ka dilemë se nëse do të vazhdojë ky kohezion  brenda elektoratit votues shqiptar, do të rrezikohet identiteti politik i shqiptarëve, e më këtë edhe pjesëmarrja e përfaqësimi në strukturat qeveritare në nivelin lokal e ate qendror. Fjala është për përfaqësuesit autentik të zgjedhur dhe ata të emëruar, që duhet të jenë profesionist të dëshmuar, por edhe persona me autoritet shoqëror.

Forumi shqiptar në Tuz model i suksesit

Kur ekziton  dëshira për bashkëpunim nuk ka dilemë se suksesi nuk do të mungojë, ku si model duhet të na shërbejë Tuzi. Fjala është për zgjedhjet lokale të mbajtura me 3 mars 2019, për të parën herë për komunën e pavarur të Tuzit, për Malësinë. Të vetdijshëm se vetëm të bashkuar mund të arrijnë rezultatin e dëshiruar, duke sfiduar kundërshtarët politikë, pjesëmarrës në këto zgjedhje, u formua FORUMI SHQIPTAR në kuadër të cilit ishin subjektët politike shqiptare që veprojnë në Malësi(Alternativa Shqiptare, Lidhja Demokratike Shqiptare dhe Unioni Demokratik i Shqiptarëve).Ky bashkim ishte i qelluar dhe arriti fitore në zgjedhjet lokale, ku u mbeshtet nga një këshilltar i Demokratëve, duke formuar pushtetin lokal dhe zgjedhur kryetarin.

Përfundimisht zgjedhjet lokale në Tuz me 3 mars 2019 dhe fitorja e Forumit Shqiptar, duhet të jetë një sinjal i mjaftueshëm për të gjithë ata qe skenën politike e shohin si mundësi avancimi të çështjës shqiptare në Mal të Zi, e jo të interesave dhe të përfitimeve personale.

Moskoordinimi  pengesë për unitet

Ndonëse kanë ekzistuar zëra së para zgjedhjeve parlamentare të mbajtura me 30 gusht 2020, shqiptarët do të koordinohen me mundësi reale për të dalë me një listë të përbashkët zgjedhore,  ndonëse në këtë aspekt ka pasur angazhime si nga Tirana e Prishtina e sidomos nga diaspora jonë në SHBA, koalicioni nuk u realizu. Dhe shkaku qendronte në ambiciet lideriste për të qenë bartës i listës, duke mos respektuar realitetin politik brenda vet  skenës politike të  shqiptarëve në Mal të Zi.

Nëse këtij konstatimi i shtojmë edhe animozitetin e dëshmuar në mes udhëheqësve të partive politike, nuk ka pasur mundësi të realizohet një koalicion i dëshiruar, që do të eliminonte ndarjët edhe të elektorati votues shqiptar. Mëgjithatë dy listat e shqiptarëve fituan nga një deputet; Lista Shqiptare 6.488 vota apo  1.58% dhe Koalicioni shqiptar 4.675 vota apo 1.14%, që gjithsej janë 11.163 vota, duke dëshmuar se elektorati votues shqiptar mbeshtet ende partitë politike shqiptare, pavarësisht divergjencave ekzituese.

Mision avancimi i statusit e jo i interesave

Në të ardhmën për të eliminuar këto deformime duhet gjetur mundësi për bashkëpunim ne mes subjektëve politike shqiptare, ku një platformë platformë politike për shqiptarët duhet të jetë e obligueshme  për zgjedhjet lokale e ato qendrore. Vetëm  një veprim i tillë do të dëshmonte seriozitet para elektoratit votues shqiptar, me mision avancimin e pozitës dhe të statusit të shqiptarëve në  Malit të Zi, e jo të interesave personale e klanëve të tyre.

Mos koordinimi i subjektëve politike të shqiptarëve në sajë të sindromit të liderizmit e  animozitetit të  udhëheqësit e subjektëve politike, ka ndikuar në kohezionin të elektorati votues shqiptar. Pikërisht, nga një situatë e tillë kanë përfituar  subjektët  politike qytetare(malazeze) që është  dëshmuar në zgjedhjet lokale e parlamentare, ku Ulqini paraqet rast për hulumtim.

Përfundimisht  identiteti politik varët në sajë të rrethanave shoqërore duke mbetur  çështje  e hapur dhe si e tillë është relative, ndërsa identiteti kombëtar  mbetet vetëdije dhe ndërgjegje mbarëkombëtare tash dhe në të ardhmën.

27.7.2021